Opinion
Kryeministri Rama, nëpër dhëmbë, foli dje për kërpin (cannabis), kthimin e tij midis bimëve të kultivuara për… “vlera mjekësore” që përkthehen në miliarda…
Vonë, shumë vonë…Megjithatë më mirë vonë se kurrë.
Kërpi e ka vendin midis bimëve të arave, siç e ka pasë në mijëvjeçarë.
E kam thënë vite të shkuara…
E them përsëri edhe sot…
Bashkohem me kryeministrin…
Por…
Kërpi, apo siç njihet në shkencën agronomike me emrin latin Cannabis sativa L, duhet të rikthehet dhe të zërë vend midis bimëve të arave në Shqipëri.
“Policët” me siguri do të më gozhdojnë me “ligjet” dhe të tjera fjalë e fjali që do të thonë në reagim e koment të këtyre radhëve.
Kërpi (Cannabis sativa) është një ndër bimët bujqësore që i ka shërbyer njerëzimit tash mijëra vjet. Kërpi është kultivuar për prodhimin e litarëve, spangove (kush nuk e ka dëgjuar fjalën “konop”, fjalë që rrjedh nga emri kanabis!), për prodhim thasësh, veshje etj.
Si bimë mjekësore, kanabisi njihet prej më se 2500 vjetësh. Egjiptianët, japonezët, kinezët, indianët, madje edhe Jezu Krishti e përdorte kanabis në praktikat e tij shëruese.
Kërpi, për shkak të përdorimit të tij në tekstile (litarë, thasë, veshje etj.) studiohet nga agronomia si bimë tekstile së bashku me pambukun dhe lirin. Nga ana botanike kërpi është një bimë ku organet riprodhuese janë të ndara. Bimët mashkullore rriten të holla dhe të gjata, kurse bimët femërore të degëzuara si të jetë një pemë. Nga bimët mashkullore, pas procesit të regjies, nxirren fijet të cilat përdoren në industrinë tekstile. Nga bimët femërore merren farat të cilat përdoren për prodhimin e vajit të kërpit dhe produkteve të tjera mjekësore.
Teknologjitë e reja për prodhimin e tekstileve, litarëve të rëndë të ankorimit të anijeve etj. me fije sintetike shumë më të forta dhe të qëndrueshme ndaj lagështisë, e nxorën në “pension” kërpin duke e mbyllur vetëm në ngastra të vogla didaktike shkollash të mesme profesionale e universitete të bujqësisë e qendrash studimore. Në Shqipëri kërpi ka qenë në të gjitha ngastrat didaktike të shkollave të mesme bujqësore dhe në universitetin e bujqësisë.
E njëjta gjë ndodhi edhe me lirin, bimë kjo mjaft e përhapur sidomos në zonën e ulët bregdetare të Lushnjës, Fierit etj.
Farat e kërpit janë shumë të pasura me acide esenciale yndyrore, proteina, karotinë, antioksidues dhe minerale të shumta, duke përfshirë kalciumin, magnezin dhe zinkun. Pikërisht për këtë vaji i kërpit ka marrë epitetin e pastruesit më të mirë të organizmit. Ai e mënjanon ujin e tepërt nga organizmi, ndihmon në rregullimin e peshës trupore dhe ka efekt shërues në lëkurë, flokë dhe thonj.
Ka dëshmi se kanabisi mund të jetë edhe trajtues i efektshëm, si dhe kurë potenciale për kancerin. Deri më tani janë zhvilluar mbi 20 studime (të besueshme) mjekësore që dëshmojnë se kanabisi mund ta shërojë kancerin.
Ndonëse jo çdo lloj kanabisi ka efekt të njëjtë, gjithnjë e më shumë pacientë po e gjejnë suksesin në uljen e rasteve të kancerit duke përdorur kanabis. Megjithatë, mjekët këshillojnë që kanabisi të mos konsumohet përmes frymëmarrjes, pasi nuk e arrin efektin e duhur në atë mënyrë.
Është pikërisht këshilla e mjekëve që kanabisi të mos konsumohet përmes frymëmarrjes, nëpërmjet djegies si cigare, të jetë vënë në “grykën e topit”.
Kanabisi nuk është e vetmja bimë dhe produkt që është anatemuar dhe vënë përballë ligjeve të rrepte shtetesh e epokash të ndryshme.
Duhani, ardhur nga Amerika pas zbulimit të saj nga Kristofor Kolombi, fillimisht do të përdorej si bimë mjekësore për të kaluar në tymosje, mbllaçitje apo bërnut në fillim tek shtresat e larta të Spanjës, Francës etj.
Përgjatë shekullit të XVII, duhani në vazhdimësi humbi qenien e tij fillestare të një bime mjekësore dhe u përhap përdorimi i tij sipas dëshirës, me trajta të përdorimit në varësi të shkallës shoqërore: ushtarët e përtypnin, oficerët e pinin me llullë, aristokratët duhanin pluhur e afronin drejt vrimave të hundës dhe e nuhasnin. Në vitet ‘700, një borgjez i cili synonte të bëhej një zotëri i vërtetë, duhet të nuhaste duhanin. Mbajtëse duhani prej ari u kthyen në simbol të asaj kohe.
Sipas statistikave, cigaret që janë konsumuar për vitin 2011, mendohet t’u kenë kushtuar njerëzve 8.37 miliardë dollarë.
Ndërkohë, ligje të ashpra deri në djegie në “turrë të druve” ku fjala e fundit e përdoruesit ishte “Ta ndez edhe njëherë”, masa deri në prerje të hundës e të tjera, nuk e ndaluan kultivimin e duhanit në të gjithë botën dhe ngritjen e një industrie me përfitime miliarda dollarësh.
Butani është i vetmi vend në botë që e ka nxjerrë tërësisht jashtë ligjit kultivimin, mbledhjen, prodhimin dhe shitjen e duhanit dhe produkteve të tij.
Islanda po përpiqet shumë ta ndalojë shitjen e cigares në dyqane dhe ta lejojë atë vetëm në farmaci me receta doktori.
Zelanda e Re po shpreson ta heqë qafe përfundimisht cigaren në vitin 2025, ndërsa Finlanda në 2040-n.
Singapori dhe shteti australian i Tasmanias ka propozuar për një brez të çliruar nga cigarja. Sipas tyre duhet të ndalohet të konsumojnë duhan të gjithë personat që kanë lindur pas vitit 2000.
Në mars të 2012-s, Brazili u bë shteti i parë në botë që i ndaloi të gjitha shitjet e ndryshme të cigares.
Megjithatë kultivimi dhe tregtimi i duhanit vazhdon rrjedhën e vet.
Me vështirësi hyri në Evropë edhe patatja, tashmë bazë në të ushqyerit e vendeve nordike dhe më gjerë në Evropë dhe në botë. E kultivuar fillimisht si bimë dekorative në kopshtet e elitës spanjolle dhe evropiane ajo do të anatemohej dhe do të digjej për shkak të ngrënies të fryteve të saj mbi tokë, helmuese për shkak të përmbajtjes së lartë të solaninës. Djegia bëri që të piqen zhardhokët çka çoi në zbulimin e vlerave të mëdha të saj në ushqimin e përditshëm.
I mbyllur “pas hekurave” ishte çdo amerikan që pinte alkool qysh nga 16 janari 1920. Atë ditë, me Amendamentin 18 të Kushtetutës, hyri në fuqi ligji për ndalimin e alkoolit, në nivel kombëtar.
Në natyrë dhe në shoqëri nuk ka boshllëk. Kontrabanda e alkoolit njohu shkallën më të lartë. Industria kanadeze e alkoolit mori zhvillim të paparë. Mes viteve 1923 e 1929 u shtua eksporti – domethënë kontrabanda – në SHBA nga 110.000 në 1,4 milionë fuçi. Më shumë se pesë milionë litra. Nëpërmjet tuneleve, me ngarkesa, në lumenj, liqene dhe det, nuk kishte thuajse asnjë rrugë, në të cilën të mos transportohej edhe alkool, kur ata merrnin drejtimin për në SHBA. Netëve, në mot me mjegull e stuhi, alkooli transportohej kontrabandë përgjatë kufirit, ku prisnin ndërkohë kamionë që transportonin “mallin e çmuar” më tej nëpër lokale, bare e restorante. Bosët e gangsterëve i kishin ndarë më së miri territoret e veta.
Fitimet ishin aq të larta, saqë mbretërit e kontrabandës bënin gjithçka, që ta sillnin shëndoshë e mirë mallin e tyre në kufijtë shtetërorë. Anijet e kontrabandës përdornin edhe shtigje të rrezikshme, për t’i rrëshqitur Rojës Bregdetare në errësirë. Natyrisht se qarkullonte edhe shumë para nën dorë e ryshfet në xhepat e autoriteteve doganore e shtetërore të ruajtjes së ligjit, të cilët në momente kritike duhej të shinin në drejtime të tjera.
Një burim tjetër fitimi, ishte edhe e ashtuquajtura “Moonshine”. Kështu quhej ajo, pra uiski i distiluar nën “dritën e hënës”, i cili duhej tërhequr më mirë nga burime të besueshme: shpesh tipa të pandërgjegjshëm përzienin mallin e tyre për të përfituar më shumë. Pasojat pastaj ishin verbim, paralizim, dëmtime serioze të trurit – e madje shpesh edhe vdekje. Deri në vitin 1927, rreth 50.000 amerikanë ishin futur tashmë në varr si pasojë e konsumit të alkoolit të përzier..
Biografët e poetit të madh rus Sergei Esenin shkruajnë se alkooli vrasës amerikan e përcolli fare të ri poetin nga kjo botë.
Kriminelët si Al Capone, apo Meyer Lansky, i shërbenin plot zell e përfitime kërkesës ilegale për alkool – duke shënuar fitime kolosale brenda natës. Në të njëjtën kohë, ata i mbushën rrugët e qyteteve të mëdha amerikane me të vdekur, pas luftës për influencë që bënin.
Përdorimi mbarë botëror i kanabisit, mariuhanës dhe i drogave të dala nga distilimet, përdorimi i tyre me djegie, thithje, nuhatje, injeksione etj. tashmë është pjesë e kontrabandës më të madhe që njeh historia e saj. Ndalimi i saj nuk mund të bëhet as me policë, as me helikopterë forcash “delta”, as me ligje të rrepte e burgime përdoruesish, por vetëm me legalizim dhe futje në hulli ligjorë.
Përvoja botërore për duhanin dhe në veçanti përvoja amerikane e viteve njëzetë të shekullit të kaluar për ndalimin me ligj suprem të alkoolit, tregojnë se ligji nuk është i fuqishëm për të ndaluar përdorimin e lëndëve narkotike, nuk e ndalon kultivimin dhe përhapjen në skajet më të larta të vendit e të botës.
Gjëja e ndaluar tërheq më fort se e lejuara.
Legalizimi i mbjelljes, kultivimi i kanabisit atje ku e lejojnë kushtet klimatike e tokësore, administrimi i tij i përqendruar ashtu si edhe shpërndarja e kontrolluar nga shteti dhe shoqëria janë e vetmja rrugë që hashashi të “ndalohet”.
A është e mundur kjo? E vetmja pengesë është dhe do të jetë “njeriu kontrabandist”, “shteti kontrabandist”, manjatët lokalë dhe botëror që aktualisht kanë në dorë përhapjen ilegale të bimëve e produkteve narkotike, “Al Caponet” e ditëve tona që fitojnë miliarda nga shpërndarja, që përcjellin në vdekje fëmijë, të rinj e të reja nga përdorimi i drogave të pakontrolluara, që mbushin burgjet me përdorues apo shpërndarës me “dy paketa në xhep”.
Dy vende fqinj me ne, Greqia dhe Maqedonia i hapën dritën jeshile kultivimit të kanabisit duke e konsideruar “minierë ari” për ekonominë e vendit dhe fshatarët kultivues.
Harta e vendeve që po rregullojnë me ligj trajtimin e çështjes së kanabisit sa vjen e zgjerohet. Ndërkohë që në Shqipëri mbetet e paligjshme çdo formë e mbajtjes, shitjes, transportimit apo kultivimit të kësaj substance, krejt e kundërta ndodh me Uruguain, i pari dhe deri tani i vetmi shtet në botë që i ka bërë plotësisht të ligjshme të gjitha format e përdorimit të mariuhanës. Gati në të gjitha vendet e Evropës mbajtja në përdorim vetjak e një sasie 10-15 gram kanabis nuk përbën shkelje ligji e nuk të çon pas hekurave.
Shqipëria ka kushte klimatike e tokësore që nga ultësirat bregdetare e deri në kreshtat e maleve më të lartë të vendit për kultivimin dhe marrjen e rendimenteve të larta nga bima e kanabisit. Legalizimi i mbjelljes së kanabisit nga bujku shqiptar, tërheqja e prodhimit në mënyrë të organizuar, përpunimi i lëndës për përdorim mjekësor e eksport është një çështje e shtruar për zgjidhje.
Do të kalojnë vite dhe përdorimi i kanabisit, siç përdoret aktualisht duhani, do të jetë në rutinën e përditshme të jetës. Njeriu mbi turrën e druve që për fjalë të fundit para djegies kërkonte “Ta ndez edhe një herë…” do të jetë një kuriozitet midis kurioziteteve të botës në ecjen e saj përpara edhe pse me dhimbje sociale përdorimi të narkotikëve.
Kërpi, kanabisi, duhet të kthehet në vendin që i takon midis bimëve të arave. Ai duhet të jetë në planin e ministrisë së bujqësisë si një bimë që i sjell individit dhe vendit miliarda të ardhura.
Abdurahim Ashiku
agronom, ish pedagog i bimëve të arave