KËRKO ÇFARË TË DUASH!

0
450

Zymer Mehani

O vëlla,
kërko çfarë të duash!
Fjalë,
Besë,
Dashuri,
Shpresë !
Çfarë të duash,
vëlla kërko!
Respekt,
Nder,
Punë,
Vlerë!
Nëse je i pagjumë
Në krahë të përkund unë
I etur nëse je
Me lotë etjen unë ta deh
Dhe vetmi nëse ndjen
Për shok vargun tim e gjen
Gjithçka,
vëlla më kërko,
Veç kombin kurrë mos e moho
As atdheun mos e braktis
Mos i shërbe kurrë pabesisë!


TI, POEZI

Poezi, je kopsht me lule
Lind n’fletë t’trëndafilit
Je e bukur dhe e ëmbël
Si këngë e bilbilit
Ti je muza e poetit
I detit dallgëzim
Je si përqafimi i nënës
Lot e gëzimi im
Ti je porsi një ideal
Për paqë dhe liri
Në çdo cegmë edhe acar
Ti je ngrohtësi
Ti je vetë pushka e burrit
Trimit SANDOKAN
Je koburja e Zahirit
Tërmet, uragan
Je gërsheti i Ylfetes
Besë e Antigonës
Je flamuri kuq e zi
Dykrerëshe e shqiponjës
Ti je kaltërsi e qiellit
Lind n’ngjyra t’ylberit
Poezi, ti je ngrohtësia
Lind n’rreze të diellit
Dashuri je, poezi
Lind n’zemrat rinore
Poezi, ti je urti
Lind n’libra, n’fletore
Ti, poezi je betejë
Lind n’pushkë të ushtarit
Poezi ti je Prekazi-
Kullë e Legjendarit
Ti je atdheu i përflakur
Ndarë në pesë-gjashtë pjesë
Je vetë kombi i përgjakur
I vrarë me t’pabesë
Je Çamëria që lëngon
Molla e Kuqe je
Ilirida arbërore
Je imi atdhe
Ti je kala gur mbi gur
Je qëndresa n’mote
Poezi, ti je vetë jeta
Të rrojë fjala jote