Kërkesë për heqjen e barishteve dhe vendosjen grafitit me art tradicional

0
207
Barishtet - grafiti

Ilir Muharremi, kritik i artit

Dora e padukshme e erës shkakton fëshëriftje, murmuritje, kërcitje të lehtë të fletave të barishteve që duken sikur plastike të veshura nëpër shtyllat mbajtëse të urës në hyrje të Prishtinës. Këto barishte të veshura në gjysmë shtyllë janë monotone të papëlqyeshme, falso dhe shëmtojnë afër ato grafite të bukura me ngjyra të ndezura, indigo, portokalli, të kuqe, gjelbër, gri, blu e shumë e shumë tjera tërheqëse.

Gjatë ecjes nëpër këtë nënkalim truri përcepton vetëm imazhin e grafitit, pra artit, derisa një siluetë e hijes së vrazhdë të godet si meteor nga barishte monotone e besa edhe të shtrenjta. Nuk e di ku ishte qëllimi, por shëmtia po triumfon.

Grafitet aty afër të krijuara nëpër mure, të japin siguri, ngrohtësi, dashuri, qetësi në ecje, frymëzim, çlodhje, analizë drejt thellësive të artit pra vendin dhe hapësirën duhet ta ketë vetëm arti i grafitit e jo kjo bimësi.

Shpend Ahmeti, gaboi kur bëri një komedi qesharake të tillë. Pse i nguliti barishtet e i fshiu veprat artistike pra grafitet? Veprimi mbetet për tu diskutuar. Përshembull, shtyllat të vishen me forma ose art tradicional duke u nisur nga etnografia apo punimet e artistëve tonë vendor siç janë: Muslim Mulliqi, Engjëll Berisha, Ibrahim Kodra, Ibrahim Ponusheci, Nebi Muriqi, Nystret Salihamigjiqi, Adem Kastrati e shumë të tjerë vendor.

Të qëndisen murale me vepra autoktone sepse e meritojnë të jetësohen edhe nëpër muret e qyteveve, nënkalimeve, hapësira të zymta, ndonëse të edukohet vetëdija me art vendor tradicional sepse disa nga ta vdiqën për bojëra dhe masha më e mirë është ta prezantojmë fytyrën tonë e të hiqen ato barishte të shëmtuara (po të ishin lule, por prapë nuk e kanë vendin aty në pllaka betoni pa rreze të diellit.)

Pse kemi frikë nga arti jonë tradicional? Gjestet, veshjet, bojërat, ushqimet, qëndrimet, mentalitetet, zakonet janë realiteti ynë, ai me të cilin jemi rritur dhe vazhdojmë të jemi, ato kulla të Mulliqit, sofra të Kastratit dhe peizazhe të Muriqit. Pse të kopjojmë vepra të Pikasos, Munkut e t’i veshim muret nëpër qytet? Të krijojmë vetëbesim në artin tonë tradicional e ti dekorojmë hapësirat të lartpermendura. Mos e konsideroni artin tonë të vjetër si pasqyra të thyera sepse këto të reja të kopjuara janë të krijuara përgjysmë.

Robert Elsie për artin tonë shqiptar tradicional thotë: “Format e artit në Shqipëri u trajtësuan nga folklori tradicional shqiptar, nga kultura e hershme bizantine dhe nga përfshirja pesëshekullore e vendit në Perandorinë Osmane, deri në vitin 1912.”

Pse është më i bukur arti se sa barishtet në hapësirë të gabuar?

Arti na zbukuron jetën, na bën të ndjehemi mirë, të durueshëm dhe mundësisht të pëlqyeshëm për të tjerët. Detyra e tij është të na ndryshoj për të mirë dhe të na frenoj duke krijuar forma të raporteve sociale, i lidh të pa edukuarit me ligje të mirësjelljes, pastërtisë, njerëzillëkut, të folurit dhe heshtjes në kohën që duhet.

Arti në ato hapësira prej betoni, fshehë ose shndërron gjithçka të shëmtuar, gjithçka që shkakton dhembje, neveri dhe nga njeriu hulumton të nxjerë atë anën domëthënëse. Andaj, nuk mund të lartësohemi, ose të ndjehemi mirë duke shkelur me këmbë mbi artin tonë tradicional. Arti niset nga fundi dhe del në sipërfaqe.

Si mund të parakalojmë pranë këtyre shtyllave të betonit derisa fshihen veprat e artit dhe të pamurit tonë mediton në formë gjysmake mbi këtë bimësi e cila me kohën do të krijoj edhe myshqe në atë strukturë?