“Kënga është një magji, pa të cilën nuk mund të jetoj”…

0
1968

Në foto: Këngëtari Zaim Tollja

Intervistë me këngëtarin dhe kantautorin Zaim Tollja

Intervistoi Dukagjin HATA

Zaim Tollja, rreth 50 vjeç, ka mbaruar Shkollën e Muzikës “Jordan Misja” Shkodër dhe ka mbi tridhjetë vjet që merret me këngën, si një krijues dhe intepretues virtuoz i saj. Ka kënduar qindra këngë në veprimtari të ndryshme amatore e profesioniste, duke marrë dhe vlerësime kombëtare për shkallën e lartë të intepretimit artistik. Ai e konsidron muzikën si artin e komunikimit masivemeocional, që buron nga shpirti dhe derdhet në mijëra tinguj e nota, në ujëvarën e së bukurës. I lindur dhe i rritur në Lurën e magjive të papërsëritshme, mes lëndinave që fëshfërijnë dhe krojeve ujëftohtë, duke ndjekur meloditë e hareshme dhe gjithë freski të ahishteve që fëshfërijnë, ai e ka bërë këngën moto të jetës së tij.

Zaim Tollja karakterizohet nga një zotërim që i bën objektit muzikor, këngës, melodisë, tekstit, duke i shkrirë në një, në ansamblin e një këngëtari të përgatitur shpirtërisht e profesionalisht për të kënduar, me një zë të ngrohtë lirik, me jone që thyhen dhe pasqyrojnë një spektër të gjërë të qasjeve të tij ndaj këngës, që nga magjia sentimenatale-romantike e Tefta Tashkos deri tek jaret shkodrane.

Çfarë është arti për ju?
-Arti është një alternativë që e vështron botën ndryshe, një qasje e epërme ndaj realitetit ekzistues, me anë të dritë-hijeve, tingujve, vijës melodike, linjave, ngjyrave etj. Është një realitet i transfiguruar që përftohet nga një botë emocionesh të forta.

Po muzika?
-Muzika është arti i dashurisë, që buron nga shpirti dhe derdhet në mijëra tinguj e nota, në ujëvarën e së bukurës. Është një joshje e papërballueshme që lind bashkë me njeriun, si një nevojë për të përftuar të bukurën dhe të magjishmen me anë të tingujve dhe vijës melodike.

Si hytë në rrugën e këngës dhe të muzikës?
-Unë kam lindur në Lurë, në një trevë, ku natyra dehëse e një panorama mbresëlënëse këndon ditë e natë; këndojnë drurët, ujëvarat, bari në lëndina, zogjtë dhe shpendët që nuk gjenden në asnjë vend tjetër të Evropës. Kështuqë në një realitet të tillë kënga dhe muzikakanë ardhur natyrshëm tek unë.

Kush kanë qenë mësuesit tuaj të parë?
-Mësuesit e mi të parë kanë qenë im atë dhe nëna ime, të dy këndonin mjaft bukur dhe dinin shumë këngë, aq sa unë mahnitesha me “repertorin” e tyre. Ata këndonin për qejf të tyre, pa amibicie skenike, dhe kurrë nuk u paraqitën në publik, por kjo ka qenë shtytja ime e parë pas së cilës kam rendur dhe jam ballafaquar në kohët e mëvonëshme.
Sa për mësues profesionistë, ata që më kanë bërë ta dua fort dhe ta synoj me gjithë fuqinë e zemrës dhe të shpirtit këngën, mund të përmend muzikologun dhe fokloristin e shquar Ilmi Kolgjegja, këngëtarin e mirënjohur Arif Vladi e të tjerë, që kanë qenë modelet e mia në rrugëtimin drejt interpretimit të këngës.

Sa vend zë Lura në repertorin e këngëve tuaja?
-Lura është për mua Edeni mrekullor dhe “toka e premtuar” ku shkojnë të gjitha dashuritë e mia e në këtë kaudër edhe dashuria për muzikën. Të lindësh dhe të rritesh atje, mes lëndinave që fëshfërijnë dhe krojeve ujëftohtë që akullojnë, duke ndjekur meloditë sharmante dhe gjithë freski të ahishteve që fëshfërijnë, është një favor që jo gjithkush mund ta ketë. Prandaj Lura është e pranishme gjithmonë në këngët e mia, jo vetëm në këngë të tilla si “Shtatë liqejt e Lurës”, që janë bërë hite të këngës popullore, por në të gjitha këngët që këndoj, të çdo treve, Lura ëstë aty, si përfytyrim dhe emocion që më mbush gjithmonë më frymëzim dhe më shtyn në kërkime të reja drejt rrugëtimit tim muzikor.

Kur keni dalë për herë të parë në skenë dhe cilat ishin emocionet e atyre kohëve?
– Isha në një moshë fare të njomë, aty tek dhjetë- dymbëdhjetë vjeç, kur dola për herë të parë në skenë në një koncert festiv të ansalmblit amator të Lurës. Unë u ngjita në një skenë modeste fshati me këngën emblematike të këngtares së shquar Fitnete Rexha “Bubullimë te shkëmbi i Kavajës”, për të vijuar më tej me këngën e virtuozes Vaçe Zela “Këngët e popullit tim”, këngë këto të vështira për një fillestar, por me të cilat arrita të zgjojë kërshërinë dhe entuziazmin e skenës dhe të profesionistëve. Që atëhere e gjer më sot, kam kënduar qindra këngë, këngë të Dibrës dhe të trevave të veriut shqiptar, të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë, Çamërisë etj. por dhe të trevave etnike të Shqipërisë së Mesme e asaj të Jugut.

Ju vini nga shkollat kombëtare të muzikës. A ndikon kjo në cilësinë e interpretimit artistik të këngëve që ju këndoni?
-Padyshim. Këngëtarët që vijnë nga shkollimi i mirëfilltë muzikor kanë më shumë jetëgjatësi dhe sukses në rrugëtimin drejt këngës dhe muzikës. Një këngëtar që ka mbaruar shkollën profesionale të muzikës, që iu bie disa veglave muzikore, siç kam pasur shansin unë, ka shumë më tepër mundësi që të ketë sukses në interpretumin e këngës, që nuk është aspak i lehtë, por kërkon shumë punë, përkushtim dhe vullnet.

Cili është repertori i këngëve tuaja?
-Unë kam vërtet një repertor të pasur këngësh, të cilin e pasuroj çdo ditë dhe nuk mendoj kurrë se ky është fundi, gjithmonë ka një fillim të ri. Ky repertor përfshin, që nga këngët për fëmijë, këngët partizane, këngët qytetare, që anojnë nga moderniteti, sidomos këngët shkodrane, këngët korçare, serenetat e mirënjohura, këngët dibrane dhe ato kosovare. Mund të veçoja debutimet e vazhdueshme në këngë të krahinave e niveleve të ndryshme muzikore, si Jare shkodrane, Dasma e malësorit”, “Një këllëf me ar ta çova”, “Shkon syzeza” etj. Në konkursin e TV Publik shqiptar dhe TV Tirana debutova me këngën “Dasma e malësorit”, kurse me këngën “Një këllëf me ar ta çova” mora pjesë në maratonën e tretë të këngës, organizuar nga Televizioni Kombëtar “Klan”. Dobësia ime janë jaret shkodrane, që kërkojnë një vokal mjaft fin e të përpunuar nga ana artistike.

Cilët janë këngëtarët tuaj të preferuar?
-Idhulli im është këngëtari i mirënjohurArif Vladi, një nga këngëtarët me të spiktur të krejt botës shqiptare. Atë e konsideroj si një model të intepretimit të këngës popullore, si një shkollë të kësaj kënge. Këngëtarë të shquar, që i japin fytyrë dhe zë këngës shqiptare konsideroj shumë, por mund të veçoja Dervish Shaqen, Vaçe Zelën, Eli Farën dhe shumë të tjerë, qofshin dhe të rinj, që po dalin dita ditës në skenën e interpretimit virtuoz të këngës.

Ju keni shkruar një libër të titulluar “Metodikë për kanto”. Diçka më shumë rreth kësaj…
-Është një libër metodik, ku unë trajtoj profesionalisht mënyrat e mësimit të kantos. Është një libër shtëpie, një libër pune për të gjithë ata që i janë përkushtuar muzikës, veçmas kantos, si një mundësi për ta mësuar këtë vegël sa më lehtë dhe me sa më shumë efikasitet.

Ju adhuroni pikturën dhe skuplturën. Madje dhe pikturoni…
-Piktura dhe skultura janë magji të fushës së artit, gjini të epërme të komunikimit emocionues estetik elitar. Unë pikturoj dhe vetë, por nuk jam thelluar në këtë gjini, thjeshtë e konsideroj veten një amator. Por përulem para gjenive të pikturës dhe skulpturës botërore si Mikelanxhelo, Leonardo Davinçi, Rafaelo, Rembrand, Gogen, Sezan etj. Adhuroj piktorë shqiptarë si Zef Shoshi në llojin piktural të portretit, etj.

Intervistoi:
Dukagjin HATA