KËNDOJ PËR TY, ARBORA! – poezi nga Zymer Mehani

0
1104
Zymer Mehani - Fadil Curri me poete

KËNDOJ PËR TY, ARBORA!

ZYMER MEHANI

1.
Jam lindur
Të jetoj
Të punoj
Të këndoj
Të dashuroj
Jam lindur
Të shkruaj
Kujtimin për Ty
Dhe shumë poezi
Jam lindur
Të këndoj
Të dua
Të shpresoj
Se të dashuroj

2.
Arbora, më thuaj
-Së pari kur të pashë
Diçka a të thashë?!
Më thuaj, Arbora
-A isha si sot
Apo s’ndërrova dot?!
Arbora, më thuaj
-Puthja jonë e parë
A blihet me ar?!
Më thuaj, Arbora
Ashtu si m’the dje:
-Mbytmë, mos më le’!

3.
Nuk është lehtë
Të thurësh vargje
Për sy të zi
Për dashuri
Nuk është lehtë
Vargje të shkruash
Sa herë t’duash
Me vargje t’luash
Nuk është lehtë
Për t’u ndarë
Nga imja poezi
Nga malli për Ty

4.
Poezia ime
Ka plot metafora
Dhe këngë e melodi
Këndoj për Ty, ARBORA
Pa Ty, zemra ime-
E ftohtë si dëbora

5.
Nëse më sheh
duke qarë
Për Ty jam
Në shpirt i vrarë

Nëse më sheh
Duke kënduar
Jam në Ty
I dashuruar

Nëse më sheh
Në hapësirë
T’kërkoj ARBA
Me dëshirë

Nëse më sheh
Se jam i vetmuar
Jam për Ty
Duke menduar

Nëse më sheh
Me laps në dorë
Për Ty ARBORË
Thur vargje-kurorë
Nëse më sheh
Diku në udhëkryq
Mund të pëlcasë zemra-
Mbylle me një kyç

Nëse më në fund
Më sheh se jam tretur
Pa të përqafuar,
S’mundem për të vdekur

6.
Nëse s’të zë gjumi
Bisedo me mua
Nëse ke humbë rrugën
Të të gjej unë dua
Nëse t’ zë dëbora
T’bëhem strehë, ARBORA
Nëse ke mundime
Futu n’zemrën time
Nëse mua m’do
T’lutem m’përqafo
Nëse m’urren mua
Më mbyt me duart Tua

7.
Dua të të puth
Në faqet e Tua
Si flutura lozonjare
Lulet e porsaçelura
Me aq afsh
Të thërret zemra ime
Në një këngë të re
Ty mori ARBORE-
Lule pranverore
Pa Ty asgjë s’jam
Heshtja vjen me muzg
Zbret mbi zemrën time

8.
Në zemrën time
Dashuria buçet
Uturon si det
Deti kur tërbohet
Dashuria zgjohet
Në timen zemër
Dashuria më pret
Që s’e njoh as vet
Ajo më flakëron
Të tërin m’përcëllon
Në zemrën time
Dashuria është ndry
E për ty ARBORË
M’lindi vargu i ri
T’i puth faqe e sy
Dashuria i ngjan detit
E Ti je PRINCESHË
Deti i puth brigjet
Unë puth tëndin sy
Lumë si unë për Ty

9.
Ti- zjarr i dashurisë sime
Që prore më djeg
Ti- më ngjall e mocionin
Që prore më ndjek
Heshtë dhe sot si atëherë
Për Ty malli m’merr

10.
Dritë e shenjtë
E dashurisë
Shpirt i ëmbël
I shpirtit tim
Ti, ARBORË
Gëzimi im

11.
Në ditët e ngrohta
Me vapën e valë
Të deshta pa ndalë
Në ditët e ftohta
Me cegmë e stuhi
Të kam dashur Ty
Mes të bardhave fletë
Në t’madhin qytet
Të deshta vërtet
Në kopshtet e blerta
Në t’ujëvarës freski
Të kam dashur Ty
Në lugje të verdha
Në të bukurat vende
Të deshta se m’çmende
Në brigjet e detit
N’t’shkumbëzuarat valë
Të deshta pa fjalë
Në fushat e gjera
Në të bregut lumë
Të deshta aq shumë
Në ditë të janarit
N’ acar, zemeri
Të kam dashur ty
Në dimrin e gjatë
Ditëve me dëborë
Të deshta ARBORË

12.
Dritës nëse ec
Hija jote do të jem
N’errësirë nëse ec
Dritë do të më kesh
Shikimin nëse humb Ti
Do ta fali dritën e syve të mi
Kur t’jesh e vetmuar
Në ëndërr do të më kesh mua
Për t’më përqafuar


MË LËRË VETËM

Largomu sysh, më lërë vetëm
Largomu zemre, vetë të rri, të tretem.
Largomu nga mendja, s’dua të t’kujtoj,
Kujtimi për Ty tani don t’m’trishtoj.

Si rrezet e diellit që shndrisin kudo,
Anembanë ndriçojnë, gjithkah e ngado,
Edhe unë tani dua t’jem larg teje,
S’pate asgjë t’keqe- veç t’mira prej meje.

Ditën apo natën, në çdo vend gjithkund,
Bashkë kur kemi qenë n’qytet e n’katund
Pranë meje Ti rrije, tani mos m’u qas,
Ëndërr jam a s’jam, plas moj zemër, plas!


DUA

Prapë buzën me buzë
Dua të ta prek
Dhe duart e mia
Rreth qafës t’i hedh
E loti me lotin
Takohet në faqe
Ma fale një puthje
Shpirtin ma kënaqe.


MIDIS NESH

Midis nesh –
Mbretëreshë
Me zërin e plotë
Me zërin e qetë
DASHURIA flet
Zë i dashurisë
Kumbon n’Tonën zemër
Qenka i çuditshëm
I dashurisë kumbim
Herë gaz herë pikëllim.


JETA

1.
Është melodi kënge
Ngjyrë ylberi është
Trëndafil i bardhë
I ëmbël nektar
Është e gjallë pikturë
Kalimtare urë
E ëmbël ngapak
E hidhur farmak

2.
Për vrimë të gjilpërës
Bota s’përbirohet
Dielli me shoshë s’fshihet
N’vetmi nuk qëndrohet
Qielli s’mund të lëpihet
Sikur akullore
As nuk duhet puthur
Dora armiqësore
Krrokamës së korbit
S’i lakmojmë vërtet
Si fluska sapuni
Na kalon kjo jetë.


CA FJOLLA DËBORE

Sa herë u takuam
Në ditët me borë
T’kujtohet ARBORË
Ca fjolla dëbore
Kur të ranë në flokë
Një plumb m’ra në kokë
Flok’t s’du’ t’i zbardh bora
Pasha këta dy sy
S’du’ zbardhje për Ty.


ARBORA

Një mal dashuri,
E kam veç për ty

Si bjeshkë me dëborë
Je e d’lirë Arborë

Njëqind poezi
I thura për Ty

Me shpresa një det
Për ty mbushet vet’

Timen fjalë dhe besë
Ty t’i dhashë Arbesë.