Dionis Xhafa
Imagjinojeni veten sikur jeni jashtë, në të ftohtë, të plasur aty në mes shiut dhe borës dhe të jeni gjithashtu i vetëm, pasi të gjithë ata që i kishe miq a bashkëpunëtorë, të kanë hedhur tutje? Imagjinoni se ju ishit i drejtë në të gjithë historinë dhe se pikërisht ju do të jeni ai që dënoheni, për drejtësinë tuaj. E, për këtë drejtësi tuajën, pushteti jo i drejtë, ka vendosur “t’iu disiplinojë”, t’iu fusë në vrimë të burgut dhe se t’iu izolojë përgjithmonë nga shoqëria, e cila vijon të mbetet e kapur peng prej pushtetit të forcës.
Tamam, të kesh fatin e një Prometeu, që në përpjekjen e madhe për t’iu dhënë zjarrin njerëzve, Zeusi i Plotfuqishëm të ndëshkon, të fut në burg me akuza të rënda dhe vetë shijon të mirat materiale të shtetit të kapur prej fyti, së bashku me zagarët e atij pushteti gjakatar. Ja, pra kështu imagjinojeni sikur t’iu ketë ndodhur juve, për të ndjerë më pranë një prej disidentëve më të rrallë të gjithë kampit komunist të lindjes në Evropë. Ai quhet Kasëm Trebeshina, që së bashku me disidentin, së bashku me kurajon e jashtëzakonshme, pati edhe talentin për të shkruar, aty ku nuk e donte njeri.
Trebeshina mbahet mend, për shkak se në vitin e largët 1953, në kohën kur diktatura në Shqipëri sapo kishte filluar të shtrijë metastazat e veta kriminale, do të shkruante të famshmen “Promemorie” dërguar shefit komunist Enver Hoxha. Shkrimtari, pa iu dridhur dora, duke e ditur fare mirë se kishte shkelur ligje të kohës, do të shprehte në këtë letër të rrallë për nga përmbajtja e vet, të gjithë dufin e tij të drejtësisë, duke parashikuar madje edhe faktin se sistemi hoxhist do të degradonte si mos më keq. Ai thoshte me të drejtë se sistemi i Hoxhës ishte ndërtuar në formën e një piramide dhe se po të binte njëshi i regjimit, Hoxha vetë, do të shembeshin muret e ndërtesës dhe tërë vendi do të lyhej në gjak.
Trebeshina do të godiste me gjuhë të ashpër, faktin se komunistët ishin gjithnjë të mirët nëpër libra e nëpër filma, kurse personazhi tjetër ishte tradhtari. “Komunistët janë gjithmonë heronj të situatave, ata vijnë në faqet vetëm për të na recituar monologë me përmbajtje heroike”, shkruan ai. Shkrimtari vijon të thotë se libri, të cilit i është dhënë më shumë përparësi ka qenë “Çlirimtarët” të Dhimitër Shuteriqit, duke shtuar madje edhe se veprat ishin futur në një kllapi të ideologjisë, duke i bërë ata njëlloj dhe me pak ndryshime, e se në fund do të mbeteshin vetëm mbeturina të kohës.
Trebeshina godet ashpër, si me kamxhik, faktin sesi është e mundur që romanet, shkrimet, novelat, poezitë, te Lidhja e Shkrimtarëve shkojnë dhe shikohen nga ana e oficerëve, qofshin këta ushtarakë apo policorë. Me të drejtë nënvizon se oficerët ishin vetëm formë e shprehjes së pushtetit hoxhist, ata ishin xhandarët, që e donin veprën sikur ta donte diktatori Enver Hoxha, duke ngritur pyetjen e madhe sesi qenka e mundshme që oficeri na qenkërka universal, që merrka vesh edhe nga policia, edhe nga ushtria, edhe nga arti.
“Problemi në shfaqjen e tij politike. Është pranuar nga të gjithë se, sado i mençërn dhe i zoti që të jetë një njeri, ai kurrë nuk mund t’i dijë të gjitha. Shoqëria është një grumbullim individësh me mendime të ndryshme, që plotësojnë një të tërë në lëvizje. Po qe se një njeri i vetëm kërkon t’i zhvendosë të gjithë të tjerët, atëherë rruga të çon në mënyra të pashmangshme tek pushteti një-dorësh. Besoj se ju nuk keni për qëllim që të arrini një gjë të tillë, prandaj duhet të merrni të gjitha masat, duke ndërprerë të gjitha ato veprirne organizative që çojnë në drejtimin që thamë më sipër”. E pra, këtu kemi fjalë krejtësisht njerëzore të Trebeshinës, duke u munduar ta bindë Hoxhën se sistemi kishte nevojë të ndryshojë, pasi në të kundërt, fundi do të ishte tragjik.
Shkrimtari berates arrin kulmin e vet, kur në këtë “Prememorie” që në atë vit të largët, arrin të shprehet se ky regjim, ndërtuar në atë lloj mënyre, kishte për të përfunduar me dhunë e gjak. “Nuk është çështja për fëmijët e varfër që ne i shohim nëpër rrugë, por për atë shtypje të mendimit që po bëhet sistem dhe që do të sjellë si përfundim lindjen e një monarkie të re. Kur të arrijë puna aty, varfëria do të bëhet e tmerrshme dhe vetëm regjimi i një terrori të pashembullt mund të bëjë që të qëndroni në pushtet. Por ai regjim do të jetë shumë më i rezikshëm për atë vetë.
Ftohja dhe largimi i popullit do të sjellë një lëkundje edhe brenda rradhëve të udhëheqjes, që do të transformohet dalngadalë në një kastë të mbyllur në kornizën e një monarkie pa kuptim në realitetin historik të shekullit të njëzetë.Në përfundim të këtij proçesi historik ju do të detyroheni të vrisni njëri-tjetrin dhe populli do të mbytet në gjak”, shkruan ai. Do të ishin pikërisht këto fjalë dhe mendimet e disidentit të rrallë, që do ta mbyllnin atë në një psikiatri për 17 vite, në kohë të ndryshme, arrestuar tre herë dhe se do t’ia digjnin edhe librat e se këtë gjë do ta bënte regjimi më i egër diktatorial komunist në Evropë, një njeriu që kishte qenë profet në fjalët e tij, duke parashikuar të ardhmen.
Kur morali dhe letërsia bëhen bashkë
Kasëm Trebeshina është vlerësuar si disident dhe si shkrimtar nga shumë persona, sidomos studiues të huaj. Ndërkaq, një përcaktim të mrekullueshem për të ka dhënë edhe shkrimtari tjetër, disident po ashtu, Fatos Lubonja: “Trebeshina është rasti, kur letërsia dhe morali bëhen bashkë”. Dhe, vërtetë që Kasëm Trebeshina, në ato që ka shkruar e vepruar, rezulton të jetë moralisht lart. Në kohën që shkrimtarët ishin oborrtarë të një regjimi komunist të egër, që shtypte popullin e thjeshtë shqiptar, në kohën që shkrimtarët jargaviteshin te diktatori, Trebeshina nuk njohu kompromis me njeriun, që kishte lindur për të shfarosur të tjerët, rreth e rrotull tij. Ai do të shprehej në një intervistë për mediet gjermane, se vërtetë ishte burgosur, jo njëherë, por tre herë nga ana e Enver Hoxhës, por ama nuk e quante kurrë veten të ishte burgosur shpirtërisht, duke theksuar se në çdo rast ka qenë i lirë në mendje dhe në shpirt.
Ndërkohë që shkrimtarët e tjerë hanin kërmat e sistemit hoxhist shqiptar, Trebeshina, edhe pse i shkolluar në Bashkimin Sovjetik, ishte me mendjen në Evropë, tepër modern për kohën e tij. Ai do të ishte shkrimtari modern, që pak ose aspak do të kuptohej nga ana e lexuesve, për shkak se ishte universal dhe vepra e tij nuk mbyllet brenda mureve të nacional-komunizmit, siç janë veprat e tjera të shkrimtarëve të tjerë shqiptarë. Trebeshina, ndër të tjera njihet edhe si kundërshtar i flaktë me shkrimtarin më të njohur shqiptar Ismail Kadare, duke e akuzuar rëndë këtë të fundit, se jo vetëm ka qenë pjesë e oborrit të sistemit hoxhist, por edhe se ka kontrolluar veprat e kolegëve, për përmbajtjet e tyre.
Trebeshina ishte kaq lart me moral, sa tre herë shkroi dhe u kundrvu ndaj sistemit diktatorial komunist, duke e kuptuar se idealet e luftës së popullit shqiptar më 1945 ishin tradhtuar dhe stalinizmi kishte mbirë në vendin tonë. Për më tepër, Trebeshina ka qenë vetë pjesëmarrës në Luftën e Dytë Botërore, duke qenë njëkohësisht edhe kundër sistemit të Hoxhës, por edhe antifashist e antinazist i vendosur. Ai do të ishte, personi që do të binte nga froni i vet ku e kishte hipur ai regjim, për të sakrifikuar vite të jetës, për ideale universale.
Pse nuk e duan Trebeshinën?
Pikërisht me këtë titull “Pse nuk e duan Trebeshinën” shkruan një artikull studiuesi Behar Gjoka. Dhe, konstatimi është shumë i vërtetë. Trebeshina, edhe pse kaloi 17 vite të jetës së tij në qelitë e burgjeve të tmerrshme të sistemit hoxhist, duke iu bërë ballë torturave dhe sfidë oficerëve të Sigurimit të Shtetit, ai edhe në këtë kohë nuk duhet shumë. Dhe, kjo në radhë të parë për shkak të kritikës letrare, e cila vijon të mbetet e mbyllur dhe mbytur nga nacional-komunizmi, si trashëgimi e egër e atij regjimi vrastar, për t’i vrarë për së dyti talentet, që dhanë jetën për lirinë dhe parimet e drejta të popullit shqiptar.
Atë, disidentin profetik shumë pak e duan. Ai, që në veprën e tij, më shumë se kushdo tjetër shprehet për burgosjen shpirtërore sidomos të shqiptarëve nga regjimi i Enver Hoxhës, është zhytur përsëri. Vetëm disa libra të Trebeshinës kanë dalë tashmë në treg, por edhe ata me një lexues të pakët. Trebeshina nuk përfshinte lexuesin e gjerë, ata që mahnitet vetëm kur i përmend Shqipërinë dhe malet e bukura të saj, por ai ishte drama e madhe e popullit të lodhur shqiptar.
Ai do të dilte jashtë kornizave të soc-realizmit, duke refuzuar kategorikisht që të bënte lojën e diktatorit të kuq komunist Hoxha, që përgjaku të gjithë vendin, preu kokat e të gjithë kundërshtarëve dhe në fund shkoi në varr me turp. Trebeshina është heroi i parimeve të drejta. Ai është disidenti profetik, vepra e të cilit me siguri do të dalë në pah dhe do të vlerësohet më shumë, në të ardhmen. Ai kishte shpirtin guximtar të ngadhënjimit të lirisë, të cilën populli shqiptar ende nuk e ka gjetur.