KARANTINA E LASGUSHIT

0
104
Lasgush Poradeci

Bardhyl LONDO

Pas vitit 1944 Lasgushi pothuajse nuk shkroi asgjë të rëndësishme me përjashtim të Kamadeves, e cila për mua është e dyshimtë të jetë shkruar pas 44. Në rast se po përse nuk e botoi, por pa dritën e botimit aq vonë? Po të ketë ndodhur kështu është dhe me domethënëse: poeti s’ ka dashur t’i japë asaj kohe një poemë aq të bukur ose ka pasur frikë ta botojë. Të vetmet vargje që ka shkruar Lasgushi në atë kohe janë një tallje dhe ironi e hapur. Kështu e doni poezinë ju? Ua jap unë: Republika Popullore/ mori Shqipërinë për dore/ dhe e çoi në fitore.

Është proverbiale pyetja qe i drejton Lasgushi Kadaresë duke pirë kafe në Turizmin e Pogradecit: “Në ç’sistem jetojmë, z. Ismail?
Karantina e Lasgushit ishte aq e thellë, sa atë pothuajse për vite të tëra nuk e kishte parë kush. Në vitin 1986 Aurel Plasari me gazetarë të “Dritës” shkoi ta intervistonte pas kaq vitesh tek shtëpia në Tiranë, sepse ai gjysmën e vitit e jetonte në Tiranë, gjysmën në Pogradec.

Pasi i la rreth gjysmë ore të prisnin, se çelësin e kishte e shoqja dhe kishte shkuar në pazar (e shoqja kishte nja njezët vjet që kishte vdekur) porta më në fund u hap dhe filluan pyetjet. Përgjigjet ishin të gjitha njëlloj. Kush është poeti më i madh i shqipes. Po këtë e dinë të gjithë. Po kush? Po këtë e di dhe Cuci, qeni im. Po kush? Lasgushi bre. Po pas tij? Rituali fillonte nga e para. E dinin të gjithë, e dinte dhe qeni i tij, se nuk kishte tjetër. Po i njëjti format edhe për përkthyesin. E dinte dhe Cuci, që Lasgushi ishte më i miri dhe pas tij nuk kishte tjetër.

Pak kohë para vdekjes në Lidhjen e Shkrimtarëve u vendos të festohej përvjetori i Lasgushit për herë të parë. Interesim i jashtëzakonshëm deri në oborr. Në orën 10 ai që mungonte ishte Lasgushi. Pas rreth dy orësh më në fund e gjejnë. Lasgushi hyri, me kostum të zi, me barsolinë, mbështetur mbi bastunin, i zbehtë sikur sapo ishte ngritur nga varri (hollësisht e përshkruaj tek libri im “Jeta që na dhanë“).

Gjatë gjithë kohës, që flitej për të, ai shikonte vetëm tavanin. Në fund kur i thanë se, sipas zakonit të atëhershëm, duhej të falënderonte Partine dhe organizatorët, ai goditi me bastun dyshemenë dhe tha vetëm dy tre fjalë: dëgjoni këtu, poeti është Zot, është mbi gjithçka.

Kjo ishte hera e pare dhe e fundit që e pamë Lasgushin. Pas vitit 1944 ai refuzoi të shkruante dhe të jetonte, siç ia kërkonin të tjerët. Prandaj u mbyll, ose më saktë e detyruan të mbyllet në një karantinë, qe vazhdoi gati gjysmë shekulli. (55 news, 2020)