NGA KALOSH ҪELIKU
Gati e gjithë bota kishin Facebook. Vetëm Hojdodolja nuk kishte, e kalonte kohën me punët e shtëpisë dhe herë pas here shkruante pizi. Përditë i vinin ftesa përmes internetit ta bëjnë si shoqe. Jo, u përgjigjej Hojdodolja. Felemindrit, nuk kam kohë, merrem me pizi dhe “politikë madhore”. Kohën e fundit jam duke shkruar një roman për Luftën e Kosovës (1989). Edhe, i shëtiti gati të gjitha Partitë Politike Shqiptare Demokratike, po askund nuk zuri vend. Fati njëjtë e përcillte edhe me burrat. Shkak ky, që nuk la burrë pa sharë, marrë nëpër gojë. Faj kishin të gjithë burrat, që nuk u jepnin të drejta të barabarta grave të tyre mbyllur brenda katër mureve. Falë Zotit që nuk kishin guxim, se po të mundeshin këta “burreca” Ҫarshie me siguri edhe do t’i mbulonin me shami dhe ferexhe të zeza.
Zërin kudo e ngrente për të drejtat dhe liritë e grave. Raste kishte, kur zemëroheshte me burrin edhe i thirrte gratë besnike me pankarta në duar të dalin në protesta e demonstrata kundër burrave. Patjetër, duhet ndryshuar vjersha e Çajupit: Burrat nën hije/ lozën kuvendojnë/ pika që s’u bie/ se nga gratë rrojnë. Vargjet, që e poshtërojnë gruan duhet gëdhendur ja, kështu me sopatën e madhe: Gratë nën hije/ lozën kuvendojnë/ pika që s’u bie se nga burrat rrojnë. Duartrokitje, për vjershën antologjike “Kandari”, ama për vargjet e mësipër duhet pështyrë në fytyrë “maskarai”. Plotësisht, ka të drejtë Dudum Poeti, që e shpalli “idiot”.
Herë pas here me parulla të këtilla dhe deklarata teknefese dilte edhe në dritaren e MTV -së duke e bërë lëmsh gjuhën dhe poezinë shqipe. Mendime të cunguara, vargje të sakatuara: pa duar, këmbë, veshë, sy e tru i pillte hiç fare pa shterëzime nga goja rreth mullarit “Bit-Pazarit”. Shkaku, që një ditë e theu mendjen, po e gjithë bota ka Facebook. Edhe gratë e kombit kuqezi. Edhe, burrat e kombit. Dhe, vendosi ta hapë Facebook -un.
Ditët e para Hojdodolja fluturonte nga gëzimi. Nga të katër anët e botës iu paraqitën të njohur e të panjohur që ta bëjnë shoqe. Burrat, mike. Vetëm për një kohë të shkurtër i bëri me qindra shoqe e shokë. E bëri shok edhe një “patriot” kuqezi (ish kryetar partie të Degës), që përmes postës elektronike, hakerët ia kishin dërguar një mëshqerrë të hazdisur lakuriqe. Familjes kudo i dërgonte përshëndetje nëpër botë. Fotografitë me thasë fluturonin nëpër qiell edhe më shpejtë se aeroplani luftarak i NATO –s F -16 –të, përmes postës elektronike nëpër të katër anët e globit. Edhe pizi “patriotike”, që posa kishin dalë nga furra artistike dërgonin partizanët. Lule. Trëndafila. Shqiponja të zeza dykrenare. E gjithë faqja e inetretit brenda një ditënate u veshë kuqezi. Plot flamuj kombëtar, shqiponja dykrenare, Ismail Qemala, Bajram Curra, Shotë Galica, Isë Boletina, Teuta kuqezi e Mic Sokola që e rrokin topin për fyti.
Nateditë Hojdodolja rrinte në lsptop me orë të tëra e vetmuar si qyqe në verandë. Ndonjëherë, zgjohej edhe pas mesnate para Hoxhës “Allahut”, dhe dërgonte përshëndetje, pizi, fotografi “artistike”. Herë pas here në mesin e tyre paraqitej edhe një Dilinxhi si shok me macjen në prehër. Dilinxhiu siç duket u kishte rënë në fije Grave të kombit patriote kuqezi. Macjen rrugaçe e kishte hedhur mes luleve, shqiponjave dhe poezive si grepin gjuetari në lumë. Herë pas here me macjen në prehër ua dërgonte edhe nga një pizi të nxehtë qe posa kishte dalë nga çerepi nën saç me shpuzë.
Poetja e kombit kuqezi, faqen e Facebookut e mbushi plot pizi: Atdhe, flamur kombëtar, shqiponja e personalitete historike. Natën vonë pasmesnate, dilte në verandë si “ujkeshë”, uluronte dhe pinte kafe me Safon e Ana Ahmatovën. Merreni me mend, edhe Hëna kur dilte mbi Çelëvjollcë me vargjet e poetit popullor: Ulu mal të dalë Hëna, trembeshte nga bukuria e “profetes” shqiptare, fshiheshte pas malit. Vetëm yjet e nxirrnin pak tinëz syrin pas një reje ta shohin vargun e saj sesi kërcente çati më çati e lis më lis për liri. Huti me veshë, posa e pa Hojdodolen e hudhi këngën nga dega, rroku çiftelinë me dy tela ta bëjë copë-copë për Liri. Natës Madhe i dha zjarr dhe flakë.
Agimi ende pa lind Dielli, Hojdodolen e gjeti në mesin e pizive. Shtamave me verë. Zogjtë këngatarë, posa i panë shehirët në këtë derexhe, e lanë këngën atë ditë. Hë për hë mbetën pa gojë, varg në sqep. Burri më kot gjithë natën e kishte pritur Hojdodolen në shtrat. Fëmijët në mëngjes për një copë buke me reçel të shkojnë në shkollë. Hënoren e kishte marrë një gjumë i thellë në verandë me laptop mbi kokë. Gërhiste, dhe nuk la shelg pa sharruar më këmbë atë natë në livadh.
Pasmesdite, kur u zgjua Hënorja dhe e hapi laptopin, gati mbeti pa mend. Hakerët, ose me siguri Honxhobonxho, bejtexhiu i fshatit me macje në prehër ua kishte shperndarë një film “dokumentar” porno me një zezak dhe pesë gra azgane bythekrye në shtrat. Mëzati i hazdisur bytrynte nëpër dhomë, ndërsa grave histerike u shkonte zëri për qielli. U përpoq ta fshinte “kryeveprën” botërore, po nuk fshihej dot nga faqja e Facebook -ut. Ndihmë kërkoi në të katër anët, po edhe ato nuk dinin si ta hiqnin këtë damkë të zezë nga mesi i luleve.
Dhe, përfundimi: Hojdodolja e mbylli Facebookun. Përsëri, filloi të bie herët në shtrat me burrin. Pasmesnate, kur i kujtohej filmi dokumetar porno edhe tërbohej në shtrat si shterre mes livadheve. Tërmeti e dridhte dhomën. Shtëpinë. Herët në mëngjes, tashti fëmijët i kishin edhe nga disa copa buke me reçel. Edhe, burri grua.
Vetëm, Unë si shkrimtar përsëri nuk jam rehat. Frikë kam, se: Hojdodolja mos e hapë prapë Facebook -un. Shkaku, se: kush do t’i durojë përsëri gjithë ato pizi patriotike, lule, shqiponja kuqezi në flamur, personalitete historike. Shtrat të zbrazët deri në mëngjes. Fëmijë të pikëlluar me lot ndër sy edhe pa një copë buke me reçel, që i pret në shkollë vjersha e xha Naimit…