KAM MALL

0
1227
Bajram Bashota

Bajram Bashota

tregim

O kohë të kaluara, kohë plot mall e zjarr, kohë që më sjellin ndër mend ditët e fëmijërisë e të rinisë tash në këto ditë bukur në një moshë, për të mos ma lanë shpirtin rehat, që të bredhi në ato kohë të kaluara në horizontet e largëta të fëmijërisë dhe të rinisë. Ato kohë kur fluturoja pa halle e pa brenga në kaltërsinë e qiellit kaltrosh, i lumtur e i gëzuar, pa asnjë hall, duke lozur me lojërat fëmijërore që s’kishin të sosur.

Po jeta është e tillë, e pamëshirëshme, e të përplasë prej një horizonti në horizontin tjetër e të len me gishta në gojë, pa i shijuar gjer në fund gëzimet me ato lojëra fëmirore e të kapë për dore e të përplasë me valët tjera të jetës, me valët e jetës rinore me dëshirat e ëndërrat rinore, që janë të realizueshme, por edhe të tjera të pa realizueshme, që synon, po janë të pa realizuara, që i riu ëndërron, ëndërron por s’mund t’i arrijë.

Malli djeg e djeg për ato kohë të shkuara e të perënduara, që shkuan në pakthim. Sa kam mall, sa më djeg malli për ditët më të lumtura të jetës sime, për fëmijërin që më iku si vesa para diellit, e unë edhe sot vrapoj dhe i kërkoj të më këthehen, por çka kjo është vetëm një ëndërr, që unë plakushi vrapoj pas saj dhe e rrej vehten se do ta kapi për dore dhe do të shkoj atyre shtigjeve hyjnore të fëmijërisë time e do të kënaqem e të loz ato lojëra fëmijërore bashkë me shokët e shoqet e mia gjer në pa kufi.

O ditët e mia fëmijërore dhe rinore sa shpejt më latë në rrugën e madhe të jetës! Më latë në rrugën e pleqërisë, në rrugën që çon kah varri, sepse kështu qenka jeta të shijosh ëmëlsinë e saj, por edhe idhtësinë e saj pelim! O mall, mall sa më çon peshë për ato ditët më të lumtura të jetës sime, që më ikën pa lamtumirë, pa fëmijëri, duke më lënë në mëshirën e kohës tinzare, që t’i përpinë ditët, muajt, e vitet pa mëshirë e pa e diktuar!

O mall i pa shuar i kohës më të artë të fëmijërisë e rinisë, që shkoi në pakthim me dëshirën e madhe të më kthehesh në thellësinë e shpirtit, që gjakon për ato ditë, që kurrë më s’do të kthehen !