“KAM LINDUR E JAM RRITUR NË MJEDISIN E MAGJISHËM TË MALËSISË SË GJAKOVËS…”

0
695

(Bisedë me krijuesen e talentuar, Valbona Hykaj)

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

1. Ku ke lindur ti, Valbona dhe çfarë di për prejardhjen tënde? Po, sa e si e kujton famijërinë?

– Përshëndetje, i nderuar Profesor Murati dhe faleminderit e është kënaqësi për mua, që po e zhvillojmë këtë bisedë bashkë!
Unë kam lindur në fshatin Shipshan, të Malësisë së Gjakovës (Tropojë), në afërsi të malit të lartë të Shkëlzenit. Mbaj një emër të bukur të luginës së magjishme e të lumit ujëkaltër, po me këtë emër. Ndaj dhe nuk më pëlqen, kur ma shkurtojnë atë e më thërrasin “Bona”… Më duket se, kështu, ma heqin një pjesë të atyre bukurive përrallore natyrore, dhuratë nga Zoti; më ngjan sikur ma shëmtojnë atë!?

Më pyesni për fëmijërinë time… Ajo ishte e thjeshtë, e zakonshme për ato anë, por e mbushur lot me mbresa e kujtime të pashlyera, e çiltër, e paqtë. Nga ajo kohë, mbaj mend një kukull druri, e bërë nga një dërrasë pishe, gëdhendur nga Baba, ndjesë pastë! Pastaj, Gjyshja m’ia kishte bërë duart kukullës sime prej një lecke dhe sytë e gojën me thëngjill e flokët me tufat e misërit!…

Ndërsa për prejardhjen, ju tregoj se jam nga një familje e thjeshtë, por arsimdashëse. Rrjedh nga dy prindër punëtorë dhe të ndershëm, të cilët na rritën e na shkolluan me shumë sakrifica, siç ishte vetë koha! Baba ka qenë përkrahës i zellshëm i talentit tim, qyshë në fëmijëri dhe në vazhdimësi. Kurse Nënës, si të gjitha nënat, me një përkujdesje “të tepëruar”, nuk i pëlqente, kur merrja pjesë në veprimtaritë kulturore në shkollë, sidomos në kohën e gjimnazit!? Por tani, kur jam vetë nënë e dy fëmijëve, njërin nga të cilët vajzë adoleshente, mundem ta kuptoj mirë, kujdesin dhe merakun e saj.

E, kështu, si pa u kuptuar rodhën edhe për mua: ditët e javët, muajt e vitet…

2. Cili është shkollimi yt dhe ku e si e ke kryer atë?

– Shkollën fillore dhe 8-vjeçare i kam kryer në fshatin Buçaj të Shipshanit, aty ku kam vendlindjen time. Mbaj mend, përveç mësuesit të klasës së pare (që normalisht askush nuk e harron.), kam në kujtesën time mësuesen e gjuhe-letersisë, Ajshe Kuliçi, e cila zbuloi aftësinë dhe talentin tim për të krijuar. S’mund të lë pa përmendur këtu, nëse më lejoni ju lutem, dhe një mësuese të fillores, Nurie Halili, që më ka dashur aq fort. Ajo ishte mësuese dhe edukatore krejt e veçantë për kohën… percillte aq shumë dashuri e mirësi; ajo çdo ditë falte nga një pjesë të shpirtit të saj fisnik. Jo më kot e përmenda,sepse e kam takuar pas njëzet e ca vitesh, këtu në Tiranë. Ishte një çast tepër emocionues dhe i magjishëm!… Gjimnazin e kam kryer në Tropojë, ndërsa arsimin e lartë, në Universitetin e Tiranës, për histori, prane Fakultetit Histori-Filologji. Ne korrik mbroj diplomën e masterit profesional…

3. Lidhur përgjigjen e mësipërme: Cilat janë aftësimet tua profesionale, në fushën e mësuesisë?

– Të flas për aftësite e mia profesionale, pra ne fushën e arsimit,më duket pak e vështirë..sepse nuk mund të them se jam unë mësuesja “e mirë, idealja, shembulli”… etj! Por shprehem se e dua shumë këtë misionin hyjnor e fisnik. Kam punuar në disa shkolla të Kamzës dhe, kudo që kam shkuar dhe mbasi jam larguar, nxënësit nuk më harrojnë lehtë, për të thënë që nuk më kanë harruar asnjëherë!Sigurisht, kjo gjë është kënaqësi e veçantë për mua. Unë mendoj se bëj njëlloj si koleget e mia… por pasi largohem nga një shkollë, dhe shoh reagimin e nxënësve,vetëm atëherë arrij të kuptoj, se kam lënë diçka më shumë se profesionale, përtej pedagogjikes, kam lënë pjesëza shpirti!…

Normalisht, nuk ka si ndodhë ndryshe,unë kam shpirt krjueseje e artisteje dhe, kurrësesi, nuk mund të sillem ndryshe.Përpiqem te ndërtoj ura shpirtërore, ndërmjet meje dhe nxënësve dhe besoi që ia kam arritur.Kurrë nuk ka ndodhur që në mëngjeset e mia, në takimin e parë me nxënësit, ta filloi ditën me pyetjet: ”Hapni librat, a i keni bërë detyrat?” Por u drejtohem me diçka më të ëmbël, më njerëzore, në mënyrë që t’ua bëj mjedisin sa më të ngrohtë dhe sa më të dashur. Çdo ditë, duke gjetur një mënyrë ndryshe, për t’ia filluar mësimit. Pa harruar dhe marrëdhënien miqësore me kolegët dhe drejtuesit. Etikën e komunikimit e kam pikën time më të fortë.

4. Ke mbaruar studimet e larta për degën e historisë…Në cilat shkolla ke shërbyer, deri tani dhe si e parashikon punën, në vazhdimësi?

– Nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen…Por unë diplomohem në korrik të këtij viti.Pra, kam mbrojtjen e temës së diplomës, master professional dhe kam mbaruar me mesatare 9,6. Shpresoj shumë dhe s’kam pse dyshoj, që në këtë shtator do jap mësim në lëndën time, histori, të cilën e dëshiroj shumë dhe do jem mësuese e rregullt,pra përfundimisht.

5. Kur të lindi dëshira për të shkruar dhe çfarë kujton nga krijimet tua të para?
– Dëshira për të shkruar…? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, mund të them se, kur kthehem në fëmijëri, e gjej veten në mbrëmjet e majit, në rrugën e bukur afër shtëpisë. Quhej “rruga e bojlive”(qershive). Andej rendja pa ndalur, pas xixëllonjave dhe ndieja feshfërimën e kroit në përrua, aromën dehëse të luleve të kajsisë, këngën si simfoni të bretkosave.. Ndërsa shihja një hënë të rrumbullakët, në “qiellin tim”,që më dukej se ecte pas meje,se ndiqte rrugën time dhe, herë-herë, më përngjante me një kulaç prej dhjami,që më rrëfente gjyshja, në përrallat e saj të bukura dhe unë si fëmijë,ëndërroja ta “haja” atë!?…

Pra, kujtoj se, që atëherë, kam filluar të shkruaj dhe jam ndikuar, pa dyshim, nga ai reliev i rrallë, ku jam rritur.Përballë isha me malin e bukur te Shkëlzenit,ku Gjyshja ime më thoshte,se janë ngujuar Gjeto Basho Muji e Halili… E unë rrija, me kohë të zgjatur, duke vështruar se ata kreshnikë do të dilnin dhe do t’i shihja e t’i takoja, një ditë!..

6. Je autore e 5 librave, në poezi e prozë…Cilët janë ata dhe a mund të më tregosh diçka, sigurisht shkurt, për tematikën dhe përmbajtjen e tyre?
– Kam botuar pesë libra. Përkatësisht, që nga 2007-ta e deri në 2015-tên. Libri i parë,”Etja e ëndrrës”, është m poezi nga koha e gjimnazit. Më tej, vjen libri i dytë, ”Dhelëpra pa bisht”, me përralla për fëmijët(të rrëfyera nga Gjyshja). Libri i tretë, ”Shtëpia pa dyer”, është përmbledhje me përralla, rreth 300 faqe, të gjitha një thesar i paçmuar i Gjyshes sime dhe, mund të them e bindur, tê sjella për herë të parë nga unë. Libri i katërt, ”Rojtari i zemrës”, ka poezi shpirtërore, gati mistike, lidhja që krijon njeriu me tokësoren dhe hyjnoren.

Libri i pestë, “Përtej ndalesës”, përmban poezi të zgjedhura dhe prozë artistike.E veçanta e këtij libri është se ka një tregim, që mbart një dramë aktuale për kohën, kur zhvillohen ngjarjet. ”Duvaku i Hanës” është tregim, i bazuar në një ngjarje të vërtetë, të ndodhur në Malësinë e Gjakovës, diku nga vitet ’70-të, në shekullin e kaluar. Ky libër është përuruar në Gjermani, e ftuar nga kryetari i Shoqatës së Shkrmtarëve të Mërgatës Shqqiptare, në Diasporë, Hasan Qyqalla, të cilin gjej rastin ta falënderoj!

7. Si është çmuar dhe vlersuar krijimtaria jote e deritanishme?

– Krijimtaria ime mendoj se është çmuar, përderisa kam marrë mjaft kënaqësi shpirtërore..Ndërsa, të pretendojmë për tituj e çmime,mendoj se kjo gjë lidhet me periudhën, kur jetojmë në një kohë të rrëmujshme, vramull… Nuk dihet as kuptohet, se kush shkruan poezi, kush i publikon ato ose cili bën art a kush janë poetët a prozatorët e vërtetë?!

8. Në vijim të pyetjeve të mësipërme: Kur mendon se do të botohet libri yt i radhës dhe a do të jetë, në poezi apo prozë?

– Libri im i radhës do jetë roman, i bazuar në një histori të vërtetë të kohës së komunizmit, i cili trajton një dramë e dhimbshme… Kaq, se nuk dua të zbuloj më shumë për të. Por, romani ka filluar!…

9. Duke të falënderuar për përgjigjet tua, në bisedën tonë të përbashkët, në mbyllje të saj, mike bashkëkrahinase Valbona, a dëshiron të shtosh diçka tjetër?

– Në përfundim të kësaj bisede, mund të them se, ishte krejt e natyrshme dhe me solli emicione. Ka shumë rëndësi, se si ndërtohen pyetjet dhe ju, profesor Murati, i keni përzgjedhur ato, duke më “ngacmuar” e dhënë mua mundësinë, që të jap përgjigjje, sadopak, poetike. Ju falënderoj shumë dhe, nëse më lejoni, dua të përshëndes përzemërsisht, dy fëmijët e mi aq të dashur, Detjonin dhe Xhenetën!
Faleminderit edhe një here e ju dëshiroj çdo të mirë në jetë! Njerëzit, si ju, janë përherë frymëzim, për të arritur më të mirën.

Tiranë, 10 maj 2017