Ermira Mara dhe Qatip Mara
(Dedikuar shokut, mësuesit dhe babait tim të shtrenjtë)
Ermira Mara
Ajo që duhet të ishte një ditë e bukur pranvere, nga ato ditët ku dielli të buzëqesh që në mëngjes, nuk ndodhi të ishte si të tjerat, si e tre javëve të muajit Maj 2013… Babi kishte ditë që nuk ndihej mirë. Pas vizitës në ambulancën e lagjes 5, Tirana e Re, mjekët e përcollën vetëm duke bërë një serumë dhe e këshilluan të qendronte në shtëpi me një diagnosë jo të plotë, prognoza e së cilës nuk dihej… deri në momentin e asaj mesdite, ku e gjeta në shtëpi përtokë, gjysmë pa ndjenja… Ashtu në gjendje shoku siç isha, vrapova drejt tij e ndihmova të ngrihej. Me vrap njoftova motrën, Danielën e cila nuk vonoj të vinte, njëkohësisht njoftuam dhe ambulancë, e cila mbëriti aty në pak minuta.
Hipa në ambulancën që ndodhej babi, dëgjoja ashtu si e mpirë infermierin dhe mjekun të flisnin për infark. Shkuam drejt spitalit “Nënë Tereza” në repartin e urgjencës së kardiologjise. Pas vizitave paraprake u pranua në repartin e kardiologjisë, me diagnozen ‘Infarkt Miokardi i shoqëruar me shok kardiogjen’.
Isha vetëm me motrën kur mjeku na tha fjalët: “Më vjen keq, nuk mund të bëjmë asgjë”. Shikimi im u kryqëzua me të motrës, Danielës. Ishte një shikim i trishtë, i mbushur me pasiguri dhe frikë… Me duart që na dridheshin, njoftuam xhaxhi Ramizin, një mik i ngushtë i babit dhe familjes. Mbëriti në spital, tejet i tronditur së bashku me teta Ladin, të shoqen. U munduan të na jepnin kurajo, se çdo gjë do bëhej mirë.
Babi ndodhej i shtrirë, në krevatin e asaj salle reanimacioni,mes zhurmës së aparaturave dalloja frymëmarrjen e tij te rënduar. Kraharori tij. i cili ulej dhe ngrihej si një firzamonikë. Vetëdija e tij ishte e kthjellët, njihte këdo që i fliste. I përshpëris te koka; – “Babi mbahu i fortë” , më thotë: – “Do të luftoj për ju, vajzat e mia”.
Njoftuam të afërmit, të cilët nuk vonuan të vinin. Mjekët në spitalin “Nënë Tereza” nuk jepnin shpresë, thonin që nuk i kishte ngelur shumë kohë…
Ishte djali i hallë Sofies, Adi i cili u lidhë me spitalin gjerman, i specializuar për kardiologji. Të cilët treguan gadishmërinë të vinin dhe ta transferonin në spitalin e tyre pa e shkëputur në asnjë moment nga aparaturat dhe mjekimi që merrte. Spitali gjerman për ne ishte si drita jeshile në fund të tunelit.Ekipi mjekësor ishte mjaft i dashur e profesionist.Mjeku cardiolog Maksim Llambro, mjeku anesteolog Sokol, na thane të vërtetën ashtu siç ishte, pa dorashka.
– “Gjendja është shumë e rëndë, e vetmja ndihmë që mund t’i ofrojmë ështe vendosja e një baluni intraaortal, i cili bën punën e zemrës dhe e lë zemrën të qetësohet. Baluni ka vëllime 1:3; 1:2; 1:1 ; derisa hiqet dhe shikohet si do të reagoj. Për 48 orët në vazhdim do e lemë në koma, në mënyrë që trupi dhe zemra të qetsohen. Sonte shkoni në shtëpi, do të presim deri nesër”
Kthimi në shtëpi pa babin, dukej totalisht boshë. Mes lotësh i lutesha zotit, kur hyj në dhomë një flutur e vogël qëndronte mbi dorën time, si për të më thënë diçka…. Nata e parë ishte nata më e gjatë e jetes time, nuk flija dot dhe pse duhej pasi të nesërmen më priste një ditë më e gjatë. Atë natë vura shumë pak gjumë në sy. Mbaj mend si mu shfaq në endërr gjysh Miftari. i veshur me të bardha më afrohet dhe më thotë: – “Mos u shqetëso, Qatipi do të bëhet mirë.” dhe ikën…
Zgjohem, ishte mëngjes. Më dukej ajo endërr kaq reale, sikur u takuam. Endrrën nuk ja tregova askujt, por atë mëngjes mrekullia ndodhi.Doktori më priste me një fytyrë plot shpresë dhe gjithçka u kuptua nga fjalët e tij;
“Ka kaluar një natë të qetë, trupi është ngrohur, ka arrittur temperaturë ideale. Jemi positivë, kemi shpresë”.
Ato fjalë, ishin melodia më e bukur e asaj dite. Të gjithë te afërmit, miqtë e dashamirësit, vinin çdo ditë në spital, pyesnin për të dhe na jepnin kurajo e luteshin bashkë me ne. Kështu kaluan shumë ditë, të mbetur pezull në të njejtën pritje e lutje. Mëngjeseve përpara se të shkoja në spital (orari i vizitorëve fillonte pas orës 9) shkoja në kishë, e cila nuk ndodhej shumë largë nga spitali.
Zoti është kudo, por në atë periudhë ndihesha si më në paqe, sa herë shkoja në kishë, ndizja një qiri dhe lutesha. Më dukej sikur zoti ishte më afër meje, sikur i shihte lutjet dhe lotët e mija.Dhe në fakt ashtu ndodhi, ai mëngjes ishte ndryshe, më i bukur, më positivë. Te dera e spitalit më prisnin fytyrat e buzeqeshura të mamit, Danielës dhe xhaxhi Turit. Më thonë; “kanë hequr balunin dhe zemra po reagon mirë”. Dalja nga spitali ndodhi disa ditë më pas, por ky nuk ishte fundi i kalvarit të vuajtjeve, ishte vetëm fillimi… Shpëtimi i tij i vetëm, ishte transplanti, i cili mund të realizohej vetëm në Amerikë. Për hirë të rrethanave dhe faktit që ishte një udhëtim shumë i gjatë, u mendua si nismë e parë udhëtimi drejt Italisë, ku do të merrte trajtim të mjaftueshëm që të mund të përballonte udhëtimin drejt kontinentit të madhë.
Periudhën kur ndodhej në spitalin e Torinos dhe më pas në spitalin e Milanos, mami, xhaxhi Turi dhe xhaxhi Devolli ishin pranë tij. Unë kisha marrë vizën studentore për në Angli dhe shkova fillimisht në Milano për ti takuar. Në aeroport më priti xhaxhi Turi, rruga drejt spitalit mu dukë shumë e gjatë, më kish pushtuar një ndjenjë ankthi dhe malli. Kur takova mamin në koridorin e spitalit, u mallëngjeva. E përqafova plot mall dhe e pyeta:
– “Si është ? Mos më gënje…”;
– “Është më mirë” më thotë. Nxitova rreth dhomës, ishte në krevat, i menduar. I qeshën sytë sa më pa, e përqafova me mall dhe trishtim. Ishte dobësuar, ishte sikur trupi i tij ishte në trupin e një fëmije.Lëkura ishte mavijosur nga manipulimet e shumta. Nuk kishim qenë ndonjëherë kaq larg nga njeri-tjetri, jo në të tilla rrethana. Po ja qe jeta të përballë me shumë dallgë. E shikoja me sytë plot dashuri, ishte njeriu me i rendësishëm për mua. Njeriu që më kish dhënë jetë, shoku im më i mirë. Nuk meritonte të ishte aty, në atë dhomë spitali. Në sy të tij mundohesha të isha e fortë, ti jepja kurajo. Koridoreve të spitalit, qaja nën zë, pastaj fshija lotët e kur shkoja sërisht në dhomë mundohesha ti buzeqeshja, si për ti thënë që çdo gjë do të bëhej mirë.
Udhëtimi drejt Amerikës u realizua nëpërmjet një avioni mjekësor privat. Në asnjë moment nuk i mungoj shërbimi mjekësor, derisa mbëriti në spitalin e Nju Jorkut. Në një periudhë të shpejtë, u realizua operacioni i parë. Vendosja e një aparature në barkushen e majtë të zemrës, e cila kishte rënë në gjumë që kur ishte në Tiranë. Përjetova me ankthe muajin që qëndroi në spital pas operacionit të 14 gushtit 2013. Emri i tij pas 6 muaj u miratua të ishte në listën e transplantit, në pritje të një dhuruesi. Për mua dhe shumë dashamirës, fakti që babi ishte gjallë dhe pse jetonte me aparatura, ishte lumturi e madhe. Kisha besim dhe shpresë që fati do i buzëqeshte deri në fund. Kur fillon të besosh te mrekullitë,ato fillojnë të ndodhin.
Ditën që do të bënte transplantin, kisha shume ankthe dhe frikë. Doja ta qetesoja veten, duke i thënë që ajo për të cilën kishim pritur dhe vetë babi kishte luftuar kaq shumë kohë, po ndodhte. Tashmë nuk ishte më një ëndërr. Pavarsisht gjithë peripecive të kaluara, ariti të triumfonte fitimtar në fushën e betejës, si një gladiator. Nuk u dorëzua kurrë, pasi është një ndër ata njerëz që e dashuron jetën dhe i buzëqeshi asaj dhe në momentet më kritike. Sot gëzon zemrën amerikane e cila i dha jetë të dytë. Zoti i dha një mundësi të dytë për ta përqafuar sërisht jetën e për të gëzuar me nipërit e mbesat dhe gjithë familjen e të afëerm që e duan shumë.
Mirënjohje shkojnë për Brunën dhe John, për xhaxhi Arturin dhe teta Lidën, për Xhaxhi Taullain dhe teta Nolin, për kushëririn tim Arben Muhaj dhe bashkshorten e tij Daniela Muhaj dhe për shumë dashamirës të tjerë që mundësuan realizimin e këtij realiteti të pabesueshëm. Sidomos, mirënjohje për mamane time, e cila në këtë rrugëtim të gjatë nuk u lodhë kurrë dhe asnjëherë nuk hoqi dorë nga besimi që ai do tja dilte mbanë.
Mesa duket çelsi dhe kryefjala e të gjithave, është dashuria për njeri-tjetrin dhe vetë jetën. Ky është fillimi i një kapitulli të ri, një jetë të re me kujtime të reja.
I dashur Babi, Heronjtë më të mëdhenjë nuk janë vetëm ata që njeh historia,por heroi më i madh i jetës sime je ti që me forcën dhe kurajon që të karakterizon arrite të dilje fitimtar duke përballuar sukseshëm transplantin. Isha e bindur që çdo gjë do shkonte mirë se zoti është i madh dhe i drejtë ndaj ka qënë çdo ditë me ty, në këtë rrugëtim të gjatë e të lodhshme. Jam e lumtur që ti je mes nesh. Ekzistenca jote është më shumë se sa një lumturi për të gjithë ne, familjen tënde që të duam shumë. Je idhulli im e do të jesh gjithmonë. Të dua pafundësisht shumë babi. Të dërgoj shumë përqafime të ngrohta mbushur me mall dhe dashuri.
Ermira Mara
London 20.05.2018