KALUAN 25 VJET NGA AJO NATË E ZEZË, QË NUK ZBARDHI KURRË

0
293
Ku janë djemtë e Dibrës?

Nuk e harroj 9 marsin 1996.

Abdurrahim Ashiku Është i lidhur me një ngjarje tragjike të madhe dibrane, më e madhja dhe më e heshtura që njeh kjo trevë.

Të nesërmen 10 mars e në vijim u fol për 32 djem të zhdukur në valët e Otrantos.
Nëpër dhëmbë në degën e rendit publik ku gazetarit ia prisnin rrugën që në kthesën nga bulevardi.

Në telefonata në lidhje me Vlorën, Athinën, Romën…
Lot më shumë se ato ditë nuk janë parë të derdhen në mjediset e kabinave telefonike në Maqellarë e Peshkopi.

Nuk e harroj 14 marsin 1996…
Atë ditë me firmën time, në gazetën “Zëri i popullit” u botua lajmi i kobshëm:

MAQELLARA NËN TRYSNINË E NJË TRAGJEDIE DETARE

Lajmi i zi arrin në Maqellarë. Komisariati i Vlorës njofton komisariatin e Peshkopisë se një djalë i ri nga Maqellara e Dibrës është gjetur i vdekur në breg të detit, nxjerrë nga valët e ftohta të tij. Njerëzit e familjes, me dhimbjen e madhe për njeriun e tyre të dashur nisen për të marrë djalin e vdekur. Në Vlorë mësojnë se kufoma nuk është gjetur në brigjet e detit shqiptar por në anën tjetër të detit, në brigjet e Otrantos.

Në Maqellarë të Dibrës është hapur mort. Familja Qoku pret e përcjell njerëz, pret të vijë djali i tyre i shtrenjtë.

Por në Maqellarë tmerri i vdekjes është më i gjerë, më i madh, i pranishëm në dhjetëra familje. Kjo lidhet me faktin se njëkohësisht me djaloshin Qoku janë nisur në drejtim të Vlorës, e më tej me gomone në drejtim të Italisë, tre mikrobusë me djem të rinj, rreth 30 vetë. Deri tani për ta nuk ka asnjë lajm, asgjë që të qetësojë zemrat e ngrira nga tmerri të nënave, baballarëve, motrave, grave, fëmijëve, të afërmeve të këtyre familjeve.

Një djalë i ri është gjetur i vdekur në brigjet e detit italian. Dhjetëra djem të tjerë nuk dihet ku janë, nuk dihet në se kanë arritur në brigjet e ëndrrës së tyre për një jetë më të mirë apo i kanë përpirë dallgët e zeza të detit. Familjet pranë zyrave të postë telekomunikacionit pyesin në adresa të ndryshme në shtetet fqinj dhe nuk marrin përgjigje.

Duke uruar që djemtë të kenë arritur shëndosh e mirë në Itali e familjet e kësaj zone të mos shohin gjëmë e kob, Maqellara kërkon të hidhet zyrtarisht dritë mbi këtë ngjarje të rëndë, të qetësohen zemrat e ngrira të prindërve.

Dërguar më 13 mars 1996 dhe botuar në Z.P. më 14 mars 1996
Lajmi mbante firmën time poshtë, mbante dhimbjen time njerëzore, thirrjen, siç përfundoja… “të hidhet zyrtarisht dritë mbi këtë ngjarje të rëndë, të qetësohen zemrat e ngrira të prindërve.”

Nuk u hodh dritë, nuk u ndez asnjë qiri.
Pushtetarët nga kreu në bazë ishin në ethet e zgjedhjeve të 26 majit. Një lajm, një kërkim do ta zbehte fushatën e tyre me kamionë e diagaçë ushtarakë nëpër Dibër.

E mbyllën me një lajm të shurdhët nga fundi i muajit mars në televizionin e vetëm të kohës…

Nuk mund ta harroj 9 marsin 1996.
Mbi mua u hodh e gjithë falanga pushtetare. Me egërsi, me kërcënime, me marrje jete e rrëmbime fëmijësh në se nuk do ta mbyllja gojën…

Në Dibër ato ditë nuk foli, nuk shkroi, nuk kërkoi kush privatisht apo zyrtarisht të hidhej dritë mbi këtë ngjarje. As pozita, as opozita.

Nuk kanë folur për një çerek shekulli…
Unë, pas dhunës së egër të 26 majit 1996, ika për të shpëtuar jetën e fëmijëve të mi.
Kam shkruar në çdo përvjetor, 24 vite rresht, me thirrjen që të zbardhet ngjarja. Kam shkruar aq shumë sa po ti mbledh një libër pesëqind faqesh nuk i nxë.

Këtë vit kisha vendosur të mos shkruaj. Desha ta harroj, ta lë mbyllur gjithçka në zarfin kompjuterik “Ku janë djemtë e Dibrës”? ku për një çerek shekulli nuk e gjeta përgjigjen.
Nuk më lanë.

Një studiues që ka marrë përsipër të hedhë dritë mbi historinë e fshatit të tij më shkroi:
Përshëndetje Abdurahim! Të lutem mos ke fotot e 6 djemve të Grevës në tragjedinë e 9 marsit? Gazeta që i kanë botuar në atë kohë nuk i kanë ato nga Greva. Nëse i ke po mund të mi përcjellësh. Gjithë të mirat. Të fala.
U befasova.

U befasova se së pari nuk e dija që në një fshat të bukur e të begatë si Greva të kishin humbur jetën 6 djem të rinj. Nuk i kisha studiuar emër për emër, me adresa e vitlindje, nuk isha marrë me gjetjen e fotografive të tyre.

Ç’është e vërteta unë kam një arkiv vetjak me negativë që nga viti 1974, negativë të zbardhur në rreth dhjetë mijë fotografi. Por ata flasin për një të largët…

Iu përgjigja:
Shumë vonë jeni kujtuar për djemtë e 9 marsit, kanë kaluar 25 vjet dhe askush nuk është interesuar për to. Unë kam gati një libër për ngjarjen por nuk kam gjetur përkrahje për ta plotësuar dhe botuar. Madje lajmi që dhashë u bë shkak që unë, për ti shpëtuar ekzekutimit vetjak e familjar të iki syrgjyn. Po të kisha qenë në dimrin 1997 atje sot nuk do të flisje me mua.

Fotografitë i gjen të pastra tek Ajet Fida dhe i biri që atëherë më kërcënuan me prerje koke. E din atë skenën kur Lazimi me diagaçë zbriti në Grevë dhe bëri aheng në shtëpinë e Ajetit? Po atë të Eshrefit (i kthyer nga Italia për të gjete përgjigje për djalin e tij të humbur) që e detyruan të priste shoqëruesit dhe pasi i dehu i ngriti në këmbë dhe i detyroi ta shoqëronin në këngën “Enver Hoxha tungjatjeta?

Në Grevë kishte mort, tek Fidet ishin zhduk një djalë e një nip dhe ata shtronin raki e bënin aheng. Kjo është ngjarja më tragjike dhe turpi më i madh për Grevën. Bëre mirë që ma kujtove sepse më 9 mars, me rastin e 25 vjetorit do të bëj shkrimin tim të 25 për ata djem që për hir të politikës mbeten të harruar.

Athinë, 28 janar 2021

Kisha kërkuar përgjigje, madje edhe bashkëpunim për zbardhjen e ngjarjes, për dokumentimi dhe botimin e gjithçkaje që kishte ndodhë.

Pranë ngjarjes, dëshmitarë të drejtpërdrejtë, kishin qenë dy intelektualë dibranë, të dy nga Maqellara, njeri deputet i Dibrës dhe tjetri prokuror në Vlorë, Agron Qoku dhe Ramazan Ilnica

Agronin e takova në Tiranë. Më premtoi për një intervistë. I dërgova pyetjet (po i botoj). Nuk mora kurrë përgjigje.

Ramazanin nuk munda ta takoj fizikisht. I përcolla disa pyetje dhe i kërkova bashkëpunim për zbardhjen e ngjarjes.

I NDERUAR ZOTI AGRON !

Faleminderit për përgjigjen e shpejtë që më dhatë ndaj kërkesës time për adresën tuaj elektronike.

Jua kërkova në një ditë që është shumë e dhimbshme për mua por edhe për ju, më 9 mars 2012, 16 vjet pas ngjarjes tragjike me atë që në fjalorin e përditshëm ka hyrë me emrin e përveçëm “Djemtë e Dibrës” zhdukjes së tyre në natën e zezë të Otrantos.

Ju e keni jetuar me dhimbjen më të madhe atë ngjarje dhe keni kujtime shumë të hidhëta.
Unë, edhe pse kanë kaluar 16 vjet nuk rri dot pa e kujtuar, pa hedhë një trëndafil në detin e Pireut, pa shkruar për ta. Jam matur e matem të bëj një libër. Kam grumbulluar shumë materiale. I quaj të pamjaftueshme dhe të zbehta pa pas kujtimet Tuaja që për mua janë të parat, pa pas kujtimet e një maqellarasi tjetër që i ra fati i keq të hetojë ngjarjen si prokuror, të Ramazan Ilnicës, pa pas dosjen e ngjarjes dhe materiale të tjera arkivore.

Kërkoj ndihmën tuaj. Unë desha që të ulemi dhe të bëjmë një intervistë bashkë. E ndjej se nuk do ta arrij dot kurrë sepse ato 15-20 ditë që qëllon të vij në Shqipëri nuk arrij të përqendrohem. Kështu vendosa që të komunikojmë bashkë në mënyrë elektronike. Të komunikojmë për momentet që ju keni përjetuar por edhe të më ndihmoni me të tjerë, veçanërisht me Ramazan Ilnicën duke më krijuar mundësi të lidhem me të në adresë elektronike.

Në qoftë se jeni dakord atëherë unë po ju përcjell disa pyetje, pyetje të cilat në shtjellimin e ngjarjes mund ti përpiloni edhe Ju.

1. Si e morët vesh ngjarjen për zhdukjen e skafit me 29 dibranë në bord?
2. Emocionet tuaj lidhur këto edhe me faktin se ata që humbën ishin njerëz që ju i njihnit, madje edhe nxënës Tuaj?
3. Udhëtimi juaj në Itali.
4. Momenti tragjik i ballafaqimit me kufomat e të mbyturve.
5. Dhimbja që përjetuat duke sjellë në Kllobçisht kufomën e Sulejman Qokut.
6. Ballafaqimi me dhimbjen njerëzore, pamja e dhimbjes në fytyrat e nënave, baballarëve, vëllezërve, motrave, bashkëshorteve, fëmijëve.
7. Rrebeshi i pyetjeve që të vinin si deputet, si njeri.
8. Kujtimet tuaja për djemtë e Maqellarës, ish nxënës tuaj, shoqëruar edhe me detaje të jetës, madje edhe me ëndrra të tyre duke qenë se ju keni qenë mësues letërsie.
9. Mendimet tuaja për qëndrimin zyrtar të kohës, për heshtjen që iu bë ngjarjes për 9 vjet radhazi deri kur Igli Toska, ministër, shkoi e piu kafen e hidhur në familjen e Abdulla Hakores në Brezhdan.
10. Si e ndjeni veten tash kur kanë kaluar 16 vjet nga tragjedia, sa ajo është në bisedat me njerëzit që humbën lofkën e zemrës.

Ju mund ti shtoni pyetjet ashtu si edhe ti shkurtoni apo ti bashkoni.
Nuk ju kërkoj ta bëni menjëherë duke lënë çdo punë por as ta harroni. E di që ulja para kompjuterit për të shkruar këtë ngjarje, për të jetuar momentet e dhimbshme do tu shkaktojë tronditje, do të rrjedhin mbi tastierë pika lotësh të nxehtë. Të lutem përballoje.

Ata djem meritojnë tu ngrihet një përmendore, fillimisht me një libër e më vonë me një kompleks skulptural tek ura e Topojanit, vend ku nënat, gratë, fëmijët…të hedhin çdo 9 mars tufa me lule të Ditëverës.

E quaj detyrim intelektual e shpirtëror që ta bëjmë këtë libër. Pa hapin tuaj unë e ndjej se nuk mund të bëj përpara. Edhe njëherë faleminderit për gatishmërinë tuaj.

Abdurahim Ashiku
Athinë, 10 mars 2012

P.S. Po ju dërgoj shkrimin tim që përcolla në shtyp me rastin e 9 marsit 2012

* * *

Përshëndetje Ramazan Ilnica!

Më në fund, pas kërkimesh të gjata, munda ta gjej adresën tënde në nevojën shoqërore për të komunikuar për një ngjarje që ju e keni jetuar me dhimbje të madhe. Fjala është për zhdukjen e skafit me 29 dibranë më 9 mars 1996. Familjarët, nisur nga fakti se je maqellaras dhe nga pozicioni juaj atëherë, trokitën për të marrë lajm në portën tuaj. Ju dhe Agron Qoku jeni më pranë ngjarjes se askush tjetër.

Unë kam grumbulluar materiale për një libër në kujtim të dibranëve që humbën jetën e tyre për një jetë më të mirë. Libri nuk ka se si të dalë në dritë pa dëshminë tuaj. I jam drejtuar Agron Qokut me disa pyetje për një intervistë dhe më është përgjigjur pozitivisht. Dëshiroj që të njëjtën gjë të bëj edhe me ju. Shpresoj mos ngurosh. Tash kanë kaluar 16 vjet dhe të vërtetat mund të thuhen më lirisht. Kjo do të qetësonte edhe shpirtin e atyre njerëzve që ende besojnë se janë të burgosur në Korfuz.

Me interes do të ishte të siguronim një kopje të dosjes së mbyllur për këtë ngjarje. Adresën se ku dhe si mund të gjendet më mirë se ju nuk e din kush.
Shpresoj në bashkëpunimin tuaj.

Me respekt

Abdurahim Ashiku
Athinë, 13 mars 2012

Shënim: Si sot 13 vjet më parë kam përcjellë për Zërin e Popullit lajmin e kobshëm.

* * *

Nuk do të shkruaj më për 9 marsin 1996, tragjedinë më të madhe dibrane të kohës sonë. Njëzet e pesë vjet, një çerek shekulli, pyeta dhe nuk mora përgjigje.

Besoj se intelektuali dibran nga Greva do ti gjejë gjashtë fotografitë e 6 djemve të fshatit të tij që humbën mes dallgëve të zeza të 9 marsit 1996.

Nuk është e vështirë. Ata rrojnë në kujtime, në sepete nusesh që mbetën në lulen e rinisë të veja, në kujtime të zbehta fëmijësh motakë që zgjasnin duart të preknin fytyrën e babait të tyre, në rrudha nënash që humbën lofkën e shpirtit të tyre.

Vështirë është të gjejë pse u hesht, pse një ngjarje kaq e madhe, një tragjedi njerëzore u fsheh, kush ishin fajtorët…
Vështirë…

Të shtunën 6 mars, kryeministri i Shqipërisë nga Brindizi i Italisë foli për një “7 Mars” eksodi masiv të shqiptarëve drejt Italisë.
Foli edhe për një muze të vogël…

Mbase në atë muze do të ketë edhe një stendë me fotografitë e pastra të 29 djemve të Dibrës që 5 vjet pas atij “7 Marsi”, më 9 mars 1996, humbën pa nam e nishan.
Mbase…

Familjet, nënat, nuset, fëmijët që tash janë bërë burra, në një telereportazh të Marin Memës dy vjet të shkuara, akoma i kërkojnë të gjallë në “një burg të sigurisë së lartë në ishullin e Korfuzit të Greqisë”…

Ku janë djemtë e Dibrës?

Abdurahim Ashiku
Athinë, 8 mars 2021