KALIMI NËPËR MASAKRËN E TIVARIT

0
722
Bajram Bashota

Bajram Bashota

tregim

Kur Lufta e Dytë Botërore kishte filluar kaherë edhe në Kosovë ishin mobilizuar ushtarë për të çliruar vendin nga okupatori dhe mua me shumë të rinj shqiptar na mobilizuan dhe nga Kosova na nisën për në Shqipëri e Mal të Zi e kaluam deri në Tivar. Ushtrinë e udhëheqnin serbo çetnikët e që ishim të pa armarosur dhe qëllimi ishte më shumë, që të rinjët nga të gjitha viset e Kosovës, duke shfrytëzue rast e vritnin rrugës, vëtëm e vetëm pse ndaleshin për të pirë ujë në krue, duke thënë se deshtën të dezertojnë dhe të ikin.

Duke shkuar rrugës kush ndalej për të urinuar vritej si dezerter e kështu me radhë. Ishim deshë e dathë e të uritur. Kur mbërrijtëm në Shkodër na vendosën në kazerma të lodhur e të rraskapitur. Ato kazerma i kishin pregatitur për likuidimin tonë duke i minuar, por fati qëlloi që dikun eksploduan e dikun jo. M’u në kazermen ku isha më doli gjumi, dola përjashta për nevojë dhe në atë moment dëgjova një eksplodim të fuqishëm dhe pashë kulmin e kazemës kah fluturonte në qiell dhe flaka e mori gjithë kazermen.

Kështu në mënyrë perfide likuidoheshin ushtarët shqiptarë të pa mbrojtur nga askush. Pas asaj masakre në Shkodër vazhduem udhëtimin për në Tivar. Kur shkuem aty, çka me pa toka dhe deti ishin skuqur nga gjaku i kosovarëvë. Kishin rënë në kurthin e tradhëtisë serboçetnike. Ashtu nëpër kufomat e vëllëzërve u desht të kalonim. Nga ajo barbari e pa parë në një moment m’u duk se mu hoq kapaku i kokës nga ai tmerr që ishte bërë.

Kaluam nëpër ato kufoma për të hypur në ca barka të vogla për të hypur në një anije edhe aty u likuiduen disa ushtarë gjoja se e kanë sulmuar eprorin. Rrugës së detit edhe shumë të tjerë i hodhën në det në gojën e peshkaqenëve…

Kur pak prej nesh sa ishim në atë anije mbërrijtëm gjallë, por të traumatizuar dhe shumicën autoritetet e Dubrovnikut na shtrinë në një spital të rraskapitur, që mezi mbetëm gjallë gjatë atyre peripetive të llahtarshme.

Unë gjashtë javë qëndrove në spital. Shumë shokë më kishin vdekur aty. Asnjë
letër as haber në shtëpi. Atje ishin përhapë dezinformata se kisha vdekë. Isha vëlla i pesë motrave, që qanin e vajtonin çdo ditë për mue. Pas asaj lufte, rrugët ishin të shkatërruara, hekurudhat dhe unë pas motmoti mbërrina si Gjergj Elez Alia nga varri në shtëpi, ku gjithë fshati dhe familja qajtën nga gëzimi i kësaj befasie jetësore.