KAKOFONIA DHE GJEOPOLITIKA E MUNGUAR SHQIPTARE

0
811

Diskursi politik

Pas kakofonisë politike dhe një debati mediatik në lidhje me opcionet e ndryshme te arritjes së një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë përmes ndarjes, shkëmbimit të territorit apo korigjimit të kufijve janë hapur dilema dhe debate të mëdha në mes pozitës dhe opozitës si në Kosovë dhe Shqipëri, por edhe të faktori ndërkombëtar që padyshim do të jetë vendimtar në lidhje me këtë çështje.

Nail Draga

Duke marrë parasysh se janë bërë pesë vite prej kur kanë filluar bisedimet në mes përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje në mes dy vendeve me ndërmjetësimin ne Bashkësisë Europiane, në muajt e fundit kanë filluar të trajtohen tema të nxehta që ka të bëjë me përkufizim territorial të Kosovës.Nga Bashkësia Europiane theksohet së marrëveshja në mes Kosovës dhe Serbisë duhet te arrihet më së largu nga mesi i vitit tjetër, sepse ky ekip negociues deri atëher ka mandat, sepse në maj të vitit të ardhshëm do të mbahen zgjedhjet për Parlamentin europian dhe nuk dihet së si do të jetë me pas përbërja e tij. Por, si janë duke u zhvilluar bisedimet, del së pala kosovare është në pozitë më të vështirë, sepse duhet të bëj kompromis, nëse mendon për t’u anëtarësuar në OKB e organizma të tjerë ndërkombëtar.

Pikërisht një kompromis i tillë është theksuar disa herë në konferenca për media nga presidenti i Kosovës Thaçi, por pa dhënë detaje në këtë aspekt. Ideja për ndarje të Kosovës nuk është e re, por është prezente nga viti 1991 e më pas, fillimisht nga serbet e më pas edhe nga analist, autoritete shkencore dhe politike. Edhe pse një ide e tillë është hedhur poshtë nga përfaqësuesit politikë të Kosovës, ajo ka evoluar mujave të fundit, si mundësi për të arritur një marrëveshje me Serbinë. Por poashtu në opcion janë edhe shkëmbimi i territorëve dhe në veçanti korigjimi i kufijve.

Retorika akrobatike e presidentit të Kosovës

Nga muaji korrik e më pas në deklaratat e rastit dhe konferencat për media presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka prezantuar një retorikë akrobatike në lidhje me çështjen e përkufizimit territorial të Kosovës me Serbinë si ndarja, shkëmbimi i territorit dhe së fundit korigjimi i kufijve. Madje ai vazhdimisht ka theksuar se arritja e marrëveshjes me Serbinë, si kusht parasheh njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, ndërsa korigjimi i kufirit nenkupton bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën(Presheva, Bujanoci dhe Medvegja).Ndërsa ditë më pas është konfuz duke cekur se megjithate nuk do të ketë as ndarje as shkëmbim të territorit, por as ekzodus të popullsisë apo efekt të dominos në regjion. Nuk ka dilemë se një retorikë e tillë do mbesë në analet politike si e jashtëzakonshme jo vetëm në regjion por edhe më gjerë.

Pavarësisht se kemi të bëjmë me deklarata politike te presidentit është çështje tjetër se sa idea e korigjimit të kufirit mund të realizohet në praktikë, duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me politikën serbe me qasje antishqiptare në vazhdimësi, ku si qellim final ka të përfitojë maksimalisht nga Kosova e ate pikërisht veriun e saj me katër komuna(Leposaviq, Zveçan, Mitrovica Veriore dhe Zubin Potok). Në lidhje me këtë çështje janë deklaruar edhe nga BE dhe SHBA, nga del se ata miratojnë një marrëveshje të tillë nëse arrihet në mënyrë paqësore mes dy vendeve, por kategorikisht kundër është deklaruar Gjermania, duke vlerësuar se një veprim i tillë paraqet rrezik potencial për destabilizimin e Ballkanit.

Por, pasi deri më tash në agjenden e bisedimeve në mes Kosovës dhe Serbisë, nuk është cekur fare çështja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, me mundësi bashkimi me Kosovën, që do të ishte veprim i natyrshëm, me kureshtje presim reagimin e Serbisë në takimin e radhës.

Ndërsa në të ardhmën kur në agjenden e bisedimeve do të diskutohet për definimin e kufirit të Kosovës me Serbinë në gjatësi prej 430 km, nuk ka dyshim se do të hapën dilema të mëdha për korigjimin e kufirit. Sepse ka zëra se nuk do të merret parasysh harta kufizuese sipas vitit 1974, por ajo katastrale. Madje në këtë aspekt Kosova ka përvojë disfatiste nga definimi i kufirit me Maqedoninë më herët dhe me Malin e Zi këtë vit, duke i dhuruar me votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës 8200 ha, që është kontestuar nga popullsia vendore, opozita dhe shoqëria civile.

Kërkesa kundër sovranitetit të Kosovës

Në sajë të debatit të zhvilluar me palën serbe duke filluar nga viti 2013 përmes ndërmjetësimit nga BE, për të arritur një marrëveshje përfaqësuesi i Serbisë është deklaruar haptas se edhe ajo duhet të fitojë diçka nga Kosova, e jo pala kosovare ti fitojë të gjitha. Duke marrë parasysh dinakërinë e politikës serbe, dhe mbeshtetjen e vazhdueshme të saj nga ana e Rusisë, ata do bëjnë çmos për të arritur qellimin, me kërkesa që janë kundër sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës. Nuk ka dilemë së pas kërkesave serbe, për një shtet të Kosovës jofunksional, qendron Rusia cila dëshiron që përmes Serbisë të mbes faktor në Ballkan.

Serbia mbetet faktori kyç i destabilizimit të Ballkanit

Pikërisht, në këtë frymë ishte edhe diskutimi i presidentit serb gjatë vizitës dy ditore në veri të Kosovës në Mitrovicë me 9 shtator, duke theksuar së nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, është kundër NATO-s, pro bashkëpunimit me Rusinë, dhe madje e lavdëroj Millosheviqin, kasapin e ballkanit, i cili ka qenë ideologu i krimeve të pa para gjatë luftërave në Kroaci, Bosnjë e Kosovë. Edhe pas dy dekadave të luftërave të zhvilluara në ish-Jugosllavi presidenti serb Vuçiqi, ka mbetur mbeshtetës i politikës së Millosheviqit, ku diskutimi i tij i ngjasoj ati të Gazimestanit në vitin 1989, që ishte paralajmërimi i shkatërrimit të ish-Jugosllavisë nga politika ekspansioniste serbe. Edhe pse Vuçiqi e kishte mundësinë e një “fjalimi historik”, por dështoi, duke i mbetur besnik ideologjisë së Millosheviqit, si në kohën kur ishte ministër i informimit në qeverinë e Millosheviqit. Ndonëse e modifikuar sipas rasteve të gjithë jemi dëshmitar se në Serbi vazhdon politika hegjemoniste serbe, nga del se Serbia mbetet faktori kyç i destabilizimit të Ballkanit si në të kalurën dhe në ditët tona.

Në sajë të qendrimit të faktorit ndërkombëtar, e ate kryesisht të Gjermanisë, ndryshimi apo korigjimi i kufijve për momentin do mbetet një ide në eter e asgjë ma shumë, por çështja qendron në ate se si do jetë organizimi i brendshëm më tutje në Kosovë, kur rreth një e katërta e territorit të Kosovës aktualisht kontrollohet nga pushteti i Serbisë, përmes strukturave vendore serbe.
Reciproceteti si parim e qendrim

Sa dhe si mund të integrohen serbet në sistemin e Kosovës, kur ata financohen nga Serbia, jo vetëm në veriun e Kosovës por edhe në enklavat serbe poshtë lumit Ibër. Kështu sipas informacioneve që disponojmë në këtë vit shkollor janë 100 shkolla fillore dhe të mesme në Kosovë të cilat punojnë me program mësimor të Serbisë, dhe financohen nga ata. Ndërsa nga ana tjetër Serbia nuk lejon që nxënësit shqiptarë në Luginë të Preshevës të mësojnë nga librat të cilat janë botuar në Kosovë, nga del qe kemi të bëjmë më qasje të dyfishta të pushtetit serb.

Në sajë të rrethanave të kriuara në skenën politike në Kosovë mbetet çështje e hapur për momentin forma e organizimit sipas Kushtetutës së Kosovës të Bashkësisë se Komunave Serbe si mundesi praktike organizative e serbeve në Kosovë apo ndonjë model tjetër. Pikërisht në këtë aspekt nuk janë të panjohura aspiratat serbe për një republikë serbe si në Bosnjë, por me mimikri të emërtimit si bashkësi e komunave serbe. Nga ana tjetër nuk përjashtohet modeli i një autonomie sikurse është Tiroli jugor. Nga ky aspekt ekziston përvoja e B e H me rastin e formimit nga bashkësia ndërkombëtare për entitetin serb të një republikë serbe, që është krijese gjenocidale, duke e bërë këtë shtet jofunkcional.

Varësisht prej raportëve ndërkombëtare dhe qendrimit të përfaqësuesve të Kosovës, në këtë aspekt politika e Kosovës duhet të jetë unike duke qendruar në parimet e reciprocitetit, që do të thot se ajo çka iu ofrohet serbeve në Kosovë, duhet t’ iu ofrohet edhe shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Çdo devijim nga një qendrim i tillë do të ishte kapitullim para kërkesave serbe, sepse shqiptarët tash një shekull kanë përjetuar golgotën nën pushtetin serb, duke mos pasë mundësi të vendosin për fatin e tyre. Në këtë aspekt shqiptarët në Luginën e Preshevës, janë deklaruar me referendum me 1-2 mars 1992, për bashkim me Kosovën, sepse në kuadër të Serbisë vazhdimisht kanë qenë të diskriminuar. Po ashtu është nënshkruar edhe Marrëveshja e Konçulit(2001) me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar por është injoruar nga serbët. Dhe nga një qendrim i tillë abuzues i pushtetit serb tash disa dekada atje është duke ndodhur një pastrim i heshtur etnik, që është misioni final i politikës hegjemoniste serbe.

Unitet politik për çështjen kombëtare

Andaj është momenti i fundit që në lidhje me këto çështje politika kosovare duhet të jetë në unitet të plotë, me platformë te bisedimeve, ekipin negociues nga personalitete me autoritet profesional e shoqëror, duke e miratuar në Kuvendin e Kosovës, sepse nuk kemi të bëjmë me çështje personale, partiake e klanore por më çështje kombëtare.

Pikërisht duke e trajtuar këtë çështje me shumë seriozitet në javën e fundit u realizuan në Tiranë takime nga përfaqësues të subjektëve politike e qeveritare të Kosovës me ato të Shqipërisë, për të dalur me një qendrim unik, që është veprim i vonuar, sepse çështja kombëtare meriton në vazhdimësi qasje mbarëkombëtare, pavarësisht së cilët subjekte politike janë në pushtet për momentin, sepse partitë dhe qeveritë shkojnë e vijnë ndërsa çështja kombëtare është e përhershme.