KADRI KADRIU – EZHEN DELAKROA I NJË KOMBI MARTIR

0
720

Piktori martir Kadri Kadriu

Me rastin e 22 vjetorit të masakrimit (11 mars 1999) të njeriut atdhetar, piktorit e poetit Kadri Kadriu

Xhemail Ali Peci Shkruan: Xhemail Peci

Mitrovica është një qytet i cili në përpjekjet e parreshtura për liri e mëvehtësi kombëtare, është ngritur si një digë e pakëpërcyeshme në shërbim të misioneve dhe vizioneve të mëdha kombëtare, sa herë që historia ia ka kërkuar asaj dhe banorëve të saj një gjë të tillë. Të shumtë janë personalitetet e këtij qyteti, emrat e të cilëve kanë lënë gjurmë të pashlyeshme, jo vetëm në rrjedhat e historisë së Mitrovicës, por edhe të gjithë atdheut. Nga gjiri i saj kanë dalur burra të shquar të pushkës e të penës, të dritës e të diturisë, të artit e të kulturës.

Një nga këta emra, pa dyshim është edhe piktori, poeti e atdhetari Kadri Kadriu. Një shembëlltyrë e veçantë e dinjitetit njerëzor dhe e qëndresës kombëtare, një njeri sa fisnik po aq edhe bujar, sa zemërbardhë po aq edhe me shpirt të madh. I rritur dhe i edukuar me ndjenjën e theksuar të krenarisë së të qenunit shqiptar si dhe i brumosur me idealet kombëtare, ai tërë jetën e tij qëndroi vertikalisht, i pathyer në qëndrimin dhe në besimin e tij se liria e shumëpritur do të vinte një ditë dhe se armiku shekullor do ta thyente qafën e tij.

Ai shquhej për një modesti të rrallë e cila shtrihej deri në madhështi, dëshmi e qartë e thënies së njohur se sa e madhërishme është të qëndrosh gjithmonë njeri. Ai shquhej për një dritë atdhadashurie e cila i rrinte gjithmonë në sytë e tij, ai kishte një buzëqeshje të mbushur me rreze drite, një mendje të ndritur të cilën gjithmonë në shërbim të atdheut e të idealeve të larta, Gjithmonë ballëlatë, gjithmonë krenar, gjithmonë vizionar, gjithmonë misionar i dritës së mendjes dhe i dritës së artit.

Po këto ndjenja dhe po këto vizione ai shpërndau gjithandej ku punoi e ku veproi, në takime e në ligjërime të shumta, në veprimtarinë e tij prej njeriu fisnik, prej atdhetari të devotshëm, prej piktori dhe dhunti të rrallë artistike, por edhe prej poeti i cili me alkeminë e fjalës së tij të bukur shqipe shpalosi gulçima zemre e psherëtima që dilnin thellë prej shpirtit të tij, si ca himne të rralla lirike e me përplot zjarr të shenjtë atdhedashurie.

Ta takoje ate ishte një kënaqësi e rrallë, të bisedoje me të ishte sa një privilegj po aq edhe një përjetim i veçantë, sepse tek ai ishte gjithmonë e gjallë ndenja e madhe e lriisë, sepse tek ai ishte gjithmonë e zgjuar dëshira e dijes dhe ndjenja e kërshërisë, sepse tek ai bashkëjetonin që të dyja, liria dhe përjetësia, arti dhe poezia, fisnikëria dhe bujaria, modestia dhe madhështia,

Bisedat me të ishin një frymëzim i veçantë, sepse ai përshkonte aktualitetin dhe antikitetin, historinë dhe gjeografinë e atdheut me zemër të plagosur, artin e penelatave dhe artin e fjalës së shkruar shqipe.

Kadri Kadriu: dhuntia prej piktori, gjakimi prej poeti, misioni dhe vizioni prej liberatori

Kam pasur fatin ta takoja shpesh, por edhe kam pasur privilegjin edhe të mësojë nga shembëlltyra e tij. Si i tillë ai më shfaqet edhe sot, kur e takoja aty tek fillon Ura e Ibrit, kur merrnim po të njëjtën rrugë për të shkuar në shtëpi dhe tek flisnim gjerë e gjatë duke rrahur tema e çështje të ndryshme; kur e takoja në orët letrare apo në manifetimet e ndryshme kulturore, ku dora e tij, fjala e tij, vepra e tij dhe gjurmët e tij, janë edhe sot por edhe mot.

Ai e donte brezin e ri dhe në gjakimin e tij në vijimësi, ai mëtonte ta edukonte këtë brez me idealin e lirisë por edhe me idealin e të bukurës dhe të madhërishmes. Shpesh, deklamonte poezitë e rilindasve të mençur e tirma, me një pasion dhe përjetim të veçantë, pastaj më kërkonte që edhe unë të recitoja poezitë që dija. Ndërkaq, kur ishim së bashku me motrën time të madhe Çamërinë, përpos që fliste me një diapazon të veçantë për pikturën në veçanti e për artin në përgjithësi, çmonte lart vizatimet dhe pikturat e motrës sime, duke e përkrahur dhe duke e enkurajuar të mos ndalej, ashtu siç më frymëzonte edhe me mua me shembullin e tij të rrallë të lexoja sa më shumë, por edhe që të mos ndalesha së shkruari.

Çamëri Peci: Mulliri i Vjetër i Mitrovicës

Kadri Kadriu ishte bashkudhëtar me dritën, me artin dhe me librin. Me fjalën e tij të folur e përplot peshë, me mendjen e tij të zgjuar e të mprehtë, me thellësinë e gjykimit të tij, ai ishte bërë prej kohësh lajmëtar i lirisë. Me vargun e tij të latuar bukur, ai kishte gjakuar për lirinë e kombit të tij. Me penelatën e pikturës së tij të veçantë, ai kishte shpalosur prej kohësh jo vetëm dhuntinë e tij të rrallë por edhe ishte bërë paralajmëtar i përmbushjes së shpresës historike, me besimin epatundur se drita e lirisë dhe magjia e artit janë bekim i falur prej Zotit.

Jeta e tij ishte një jetë përplot sfida, ndeshtrasha dhe krajata, përplot vija e vragë. Duke u shquar për qëndrimin e tij të papërkulur – edhe kur e përjashtuan nga puna e edhe kur ia shembnin shtëpinë, ai shquhej në radhë të parë për dashurinë ndaj atdheut dhe kombit, por edhe për urrjetjen ndaj armikut dhe puthadorëve të tyre. Nuk është çudi pra se servilët e shumtë e kishin halë në sy, por ata e dinin gjithashtu se ai ishte i pathyeshëm në qëndrimet dhe në bindjet e tij, sepse në thelb, Kadri Kadriu e ka dashur Shqipërinë, një dhe të pandarë. Ndërkaq, lirinë e shumëpritur të kombit shqiptar, ai e kishte paraparë jo vetëm si çlirim nga zgjedha e gjatë dhe e mundimshme e robërisë, por edhe si përparim në shkencë, në arsim, në kulturë, pa harruar edhe barazinë sociale si parakusht për një të ardhme të ndritur.

Nuk ka dyshim se ai ishte, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, një Luftëtar i Dritës. Si njeri, ai shquhej për pedantëri e korrektësi, për bujari, për fisnikëri, për zgjuarsi e shpirtbardhësi. Ai ishte njeri i formuar në tabanin kombëtar dhe intelektual i kompletuar në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Ai kishte një shije të hollë ideo-estetike dhe mbi të gjitha ai adhuronte të bukurën dhe të madhërishmen, si në jetë ashtu edhe në art. Ai ishte Rilindasi që ecte gjithmonë me “Rilindjen”, të cilën e shfletonte me kujdes, e lexonte me shumë etje dhe e mbante ose në dorë ose në xhepin e setrës së tij, të cilën kur bënte vapë e mbantë në krah, tek ecte ashtu i menduar dhe tek hidhte vështrimin drejt horizonteve të bardhësive të atdheut, për të cilin punoi, ëndrroi e gjakoi aq shumë, me dëshirën e zjarrtë për ta parë të lirë, të bashkuar e të përparuar.

Si poet, në poezinë e tij ai gjakoi për një liri në lumturi. Si piktor, ai u shfaq përplot dhunti. Gjithsesi, edhe si njeri, edhe si atdhetar, edhe si poet, edhe si piktor, në thellësi të shpirtit të tij, ai ishte: Liberator.

Piktura e tij, ka veç tjerash dramacitetin e saj të theksuar ku është shpalosur përmasa e tragjikës kombëtare. Si i tillë, me jetën dhe me veprën e tij, me përjetësinë e tij, ai më kujton njëri prej piktorëve të mëdhenj, Ezhen Delakroan. Mbi të gjitha, me përjetësinë e tij, ai më kujton kryveprën e Delakroas: ‘Liria i prin popullit’, ose e quajtur ndryshe: ‘Liria mbi barrikada’.

Dy popuj dhe dy piktorë të ndryshëm, dy fate të ndryshme, dy prirje dhe dy qasje të ndryshme në kohë dhe në hapësira të ndryshme, por çuditërisht me ca pikëtakime, jo si pikëtakime në pikturë por si në mite dhe legjenda. Mitrovica mbi barrikada. Ndërkaq, piktori i prin popullit. Ashtu siç është thënë edhe për vetë Delakroan në një rast: Ai nuk është në Akademi. Ai është në përjetësi.

Sërish, si në mitet dhe në legjendat. Një rast sa i rrallë po aq edhe makabër, në historinë e artit të pikturës në veçanti e të artit botëror në përgjithësi: Një piktor i maskaruar! Vetëm e vetëm pse me dhuntinë e artit të fjalës së tij e të penalatës së tij, tërë jetën e tij kishte gjakuar për lirinë dhe mëvehtësinë e këtij kombi martir. Vetëm e vetëm pse me gjithë qenien e tij, ai ishte: Liberator.

Sërish si në mitet dhe në legjendat! Koka të prera, toka të shkëputura, lumenj gjaku e atdheu me zemër të plagosur. Një emër me zemër në atentate. Para se të shkëpusnin Janinën (dhe jo vetëm Janinën) nga trungu i atdheut, shkëputën nga trupi kokën e Ali Pashë Tepelenës. Sipas urdhrave të Patrarkanës Greke masakruan mësuesin atdhetar, në po të njëjtën mënyrë, At Sathi Melanin, kurse hordat barbare çetniko-partizane ia prenë kokën kapedanit Sejfa i Najës, i cili e mbronte Pejën nga pushtuesit sllav, ndonëse me shtatë plagë në trup, ashtu siç e kanë mbrojtur tokën stërgjyshore levendët e lirisë së Shqipërisë…

E historia sikur përsëritet, ndërkaq krimet makabre, nuk i gjenë dot as në tragjeditë e Eskilit e as në ato të Shekspirit, ndonëse varrtarët dhe thonjtë e varrmihësve janë njëlloj si të magjistricave që shfaqen në tragjeditë e Shekspirit.

Mitrovica, mjerisht mbetet edhe sot një qytet i ndarë në dysh, Ura e Ibrit e prerë në mes. Rrjedha e lumit e penguar kaq padrejtësisht në rrjedhën e saj të natyrshme! Nga një qytet, krijuan dy: Mitrovicën e Veriut dhe Mitrovicën e Jugut. Ndërkaq, diplomacia e shastisur e Europës, (siç e ka quajtur me të drejtë amabasadori amerikan Xhorxh Fred Uilliams në librin e tij profetik ‘Shqiptarët’), flet për të dy pjesët e qytetit sikur të ishin dy hemisfera: Hemisfera e Veriut dhe Hemisfera e Jugut, por asnjë fjalë, për të 14,000 shqiptarët e shpërngulur me dhunë nga vatrat stërgjyshore të qytetit të ndarë në dysh.

Sërish, pa pyetur as drejtësinë as historinë e as gjeografinë, duke e shndëruar Mitrovicë në një Ifigjeni, të cilën e endin nëpër Bruksel si dikur në Aulidë e në Tauridë! Ndërkaq, xhelatët sërish po e lozin viktimën, duke kërkuar për shpërblim llokma të majme, qoftë nga Trepça apo nga Liqeni i Ujmanit!…

Historia po na përsëritet në rethin e saj vicioz: Para se të na i prejnë tokat, na i prejnë kokat. Krimit makabër të ndarjes me dhunë të qytetit të Mitrovicës, i kanë parapri krimet barbare serbe mbi banorët e saj të pafajshëm e mbi civilët e pambrojtur. Dje dhe sot, në Mitrovicën e ndarë janë ndeshur e ndeshen, terri dhe drita, Mesjeta dhe modernja, liria dhe barbaria, drejtësia dhe padrejtësia, krimi dhe mosndëshkimi.

Njëlloj ia kanë zhdukur qytetit të ndarë mizorisht, edhe këngëtarin Haki Misini, edhe kryesindikalistin Agim Hajrzii, edhe poetin e profesorin martir Latif Berisha, edhe piktorin Kadri Kadriu.

Si në mitet dhe në legjendat, trupi i këtij të fundit qe gjendur tek Miniera e Trepçës. Ari si pasuri nëntokësore dhe arti si pasuri shpirtërore e një kombi nga më të lashtit e Gadishullit Ballkanik, që deri dje është quajtur Gadishulli Ilirik. Ballë për ballë: Arti si dhunti dhe krimi si barbari. Ari si pasuri dhe lakmia e plaçiktjes e përdhunimit si çmenduri e si trashëgimi.

Ari dhe arti i një kombi martir, pasuria e pafundshme nëntokësore dhe dhuntia shpirtërore e një kombi të shumëvuajtur, të cilit Providenca Hyjnore i ka falur begati të pafundshme, e mbi të gjitha ndjenjën e shenjtë të lirisë dhe madhështinë së papërsëritshme të përjetësisë.

Kadri Kadriu na mungon kaq shumë por edhe na frymëzon kaq shumë. Ai është gjithmonë mes nesh, sepse ai është një monument i gjallë, sepse ai është zjarr i pashuar i lirisë; sepse me jetën dhe me veprën e tij, ai është sogjetar amshimi, i cili na ka lënë trashëgim gjakimin e përhershëm për liri, shembëlltyrën e modestisë të mishëruar aq shumë me përmasën e papërsëristhme të madhështisë.

Qyteti dhe poeti flasin mes veti. Është një bashkëbisedim i lashtë sa vetë mosha e kësaj toke. Piktori flet edhe sot e edhe mot, jo vetëm me peshën e fjalës së shkruar por edhe me ngjyrat e penelatës së tij. Ca lenta ylberi bien mbi Urën e Ibrit, lenta që lidhin dy brigje e flatra fjalësh që thurin lokemadhet përmbi djepa. Pa dyshim, një këngë lirie si trashëgim ndër breza, në të cilat Mitrovica mbetet gjithmonë një degë e fortë e trungut ilir.

Në kështjellë të kujtesës rri e flet në heshtje qyteti buzë Ibrit. Kullat binjake tek ‘Kroi i Vitakut’, përhapin dritë nga rrjedha e gjakut të birit të vet martir. Një Galeri që flet me krenari, me dinjitet dhe me madhështi të një emri të nderuar.

E valët e lumit Ibër rendin rrjedhës së vet. Qyteti të cilit me të drejtë i është falur epiteti Qyteti i Minatorëve, është po aq edhe Qyteti i Piktorëve, i poetëve e i atdhetarëve. Fati i qytetit, ashtu sikurse edhe fati i shumë martirëve të tij, më kujton përplot mallëngjim një prej vargjeve të Bajronit: ‘Në këngë dhe në vajtim u drodhën fustanellat!’ Por gjithsesi, më kujton edhe vargjet vargmal të një kënge popullore, e cila në sfond ka qëndresën çame kundër barbarive greke:

O Todi, o Mio, o Koçi, dhe ti o burrë,
Ua prenë kokat, por mendimet kurrë!
Ishin treiqnd dhe s’donin të iknin,
U bënë tre mijë, dhe donin të vdisnin!

Kadri Kadriu i takon Mbretërisë së Artit, dhe se Mbretëria e Artit, siç ka shkruar Hegeli, është Mbretëri e Lirisë. Sepse siç e ka thënë shqiptari i madh e shkodrani i mençur, poeti i pushkëve të bardha Pashko Vasa, poet dhe mbret janë dy gjëra të papajtueshme. Sepse gjuha e artit e ka sfiduar dhe e sfidon gjithmonë, gjuhën e tiranisë e të robërisë. Ai, nga portat e mëdha të magjisë së artit, me penë dhe me penaltë hyri në portat triumfale të lirisë. Ai tani i takon Mbretërisë së Qiellit. Ai që gjithë jetën e tij lartësoi dhe nderoi një komb të tërë, ai që e deshti këtë komb një dhe të pandarë: Ai e meriton që të nderohet nga një komb i tërë.

Ai nuk është në Akademi, sepse Ai është në Përjetësi.
Qoftë i paharrur kujtimi dhe nderimi për të, e dritë i bëftë shpirti!
Njeriu, atdhetari, misionari, poeti dhe piktori që me gjakun e tij shkroi pavdekësinë e tij, testamentin e tij të madh për Breznitë Orëmira:
Piktori i prin popullit.
KADRI KADRIU.