Kadare: Të ulërish se në Shqipëri ka patriotizëm të tepruar, është thirrje e hapur për tradhti ndaj atdheut

0
509

Nga Revista Drini5 Prill 2018

Rasti i Konicës, më mirë ndoshta se çdo tjetër, na kujton cilësitë e shqiptarit: edhe kur ngjitet në lartësitë sublime, herë pas here që nga thelIësitë e racës i vijnë vrullet zemërake. Por më shumë se kjo, rasti i Konicës shtron një pyetje madhore në këtë fund mijëvjeçari: ç‘imazh kanë për vetveten shqiptarët? Është një çështje themelore që kapërcen dukshëm anën kulturore e etike. Ky çmim i vetvetes lidhet me vlerësimin që ata i bëjnë kombit të tyre në përgjithësi, ai lidhet me vlerësimin e atdheut, së fundi ai lidhet me çështjen themelore se sa janë ata të vendosur të mbrojnë ekzistencën e tyre si komb në rruzullin e shqetësuar botëror.

Nuk është as shpikje poetësh, as propagandë nacionaliste, e aq më pak komuniste, të thuhet se vendi ynë, Shqipëria, ka qenë disa herë në zgrip të humnerës. Traktatet për ta ndarë atë midis fqinjëve, programet e doktrinat për ta shpërbërë kombin shqiptar janë aty, në arkivat e shumë shteteve, me data, me vula, me emra. Dhe shumë prej tyre nuk janë aspak të vjetra. Ato kanë në fund vitet 1913, 1918, 1938 e disa janë fare të reja.

Në këto kushte, në kushtet kur tërbimi nacionalist antishqiptar merr përmasa të tilla, sa që në mars të vitit 1997, në demonstratat e Shkupit njerëzit kanë guxim të ulërijnë “shqiptarët në krematorium!”, kuptohet që të jesh antishqiptar është fare e lehtë, madje është shpesh fitimprurëse. Kështu dhe kurrsesi ndryshe mund të kuptohet vala antishqiptare që shpërtheu rrotull Shqipërisë dhe brenda në Shqipëri kohët e fundit. Kështu shpjegohet përse një grusht intelektualë renegatë shqiptarë u bënë befas të përkëdhelurit e medias botërore, të përkëdhelurit e disa forumeve ndërkombëtare dhe, ç‘është më e keqja, zëdhënësit për problemet shqiptare.

Shkurt antishqiptarizmi u kthye në profesion. Është kjo frymë e sëmurë që ndihmoi për rrëzimin e strukturave të shtetit shqiptar brenda dy-tri javësh, që bëri që gjeneralë dhe oficerë shqiptarë në mënyrën më të turpshme të braktisnin postet e tyre, për të përfituar një azil politik në Itali, që vulgu shqiptar t’i veje zjarrin tempujve të kulturës shqiptare.

Në kushte të tilla, të ulërish ende se në Shqipëri ka patriotizëm të tepruar, se letërsia shqipe është nacionaliste etj. është me të vërtetë thirrje e hapur për tradhti të hapur tashmë ndaj atdheut.

E gjithë kjo lidhet me një sërë pyetjesh themelore: a janë shqiptarët patriotë më shumë se ç‘duhet, apo përkundrazi janë ftohur me vendin e vet? A mos po e mbiçmojnë pa të drejtë veten dhe vendin e tyre, a mos përkundrazi e përçmojnë pa të drejtë veten dhe atdheun, me fjalë të tjera: a e duan këtë vend që u ka dhënë emrin qysh prej dy mijë vjetësh, apo ëndërrojnë ta këmbejnë me një tjetër vend, ëndërr e mbrapshtë kjo që ka ngritur krye aty-këtu në kohën tonë? Në prag të mijëvjeçarit të tretë shqiptarët janë të detyruar të nxjerrin ende mësime nga drama e tyre, që ndodhet ende në zhvillim.

Në kushtet e një klime të ashpër ndërkombëtare, kur ata, i vetmi komb i ndarë tragjikisht në Europë janë të detyruar të durojnë mospërfilljen botërore për gjëmën që u ka rënë në kokë, në kushtet e vetmisë së tyre, të trysnisë së një propagande dashakeqe që e ka përbaltur imazhin e tyre në botë, duke e paraqitur herë si popull violent, herë fondamentalist, herë barbar e herë të lajthitur, shqiptarët janë të detyruar, midis të tjerash, të bëjnë një zgjedhje e sqarim themelor në ndërgjegjen e tyre lidhur me patriotizmin. Mendimit të mbrapshtë që e ngatërron patriotizmin me nacionalizmin, që e paraqet antipatriotizmin si balsam kundër nacionalizmit, ata duhet t’i përgji­gjen me një “jo” të prerë.

Patriotizmi nuk është nacionalizëm dhe antipatriotizmi është po aq i rrezikshëm sa shovinizmi. Ata që i japin shpesh këshillat kundër patriotizmit, e kanë siguruar ndërkaq patriotizmin në vendet e tyre, dhe si gjithë të velurit i lejojnë vetes luksin të nazetohen me të. Ndërkaq vetën­derimin për vendet e tyre e kanë siguruar gjatë shekujve, pa kursyer asgjë, madje as forcën e armëve. Askush nuk shqetësohet në Francë kur presidenti e mbaron çdo fjalim me fjalët “Rroftë Franca!” dhe askush nuk acarohet në SHBA kur në të gjitha meshat bekohen shteti amerikan, presidenti i vendit, madje dhe ushtria amerikane.

Le ta pranojmë me trishtim se në krejt gadishullin Ballkanik, në kohën kur shumica e vendeve u përfshinë nga valët e egra nacionaliste, te shqiptarët ndodhi e kundërta. Kjo ishte një rënie në kurth nga më të turpshmet për një komb. Ishte e thënë që, pasi u përpoqën t’i japin botës shembullin grotesk të popullit të parë pa fe në botë, majmunët e vendit tonë u joshën nga mbrapshtësia tjetër: të japin shembullin e popullit pa atdhe.

Thyerja morale e popullsisë shqiptare në këtë fund shekulli ishte një nga humbjet më të rënda të tij. Ajo ishte, me sa duket, rrjedhoja më tragjike e diktaturës sfilitëse komuniste në Shqipëri dhe e terrorit shtazarak serb në Kosovë e vise të tjera të Jugosllavisë.

Thyerjet morale janë të njohura në jetën e popujve. Ashtu siç janë të njohura ringritjet. Për t’u ringritur, kombit shqiptar i duhet të tendoset e të nxjerrë nga thellësitë gjithë rezervat që ka skajuar aty, ato rezerva, që popujt, sipas një teknologjie të lashtë, i ruajnë për ditë të zeza e i nxjerrin në stinë fatkeqësish.

Raportet me atdheun zënë në këtë rast vendin kryesor. Shqipëria s’ka nevojë për ekzaltime vulgare, por aq më pak ka nevojë për përçmim. Mendimi se Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë tepër të himnizuar nga kultura shqiptare, ndaj tani duhet t’i rrëzojmë në baltë për t’i sjellë në vete, është doktrinë e antishqiptarizmit. Kultura dhe mendimi i një populli qëndron gjithmonë në një lashtësi të shquar për ku përpiqet ta tërheqë e ta ngrejë gjithë kombin. Dy shekuj më parë, Gjermania e Gëthes dhe e Shilerit ishte shumë larg Gjermanisë së prapambetur e fshatarake e, megjithatë, askush nuk e cilëson mendimin gjerman si elitist ose ekzaltues.

Nisur nga kjo, mund të thuhet pa drojë se mendimi rilindas shqiptar, ndonëse tepër i lartë në krahasim me gjendjen reale të popullsisë shqiptare, ishte plotësisht i përligjur. Nga ana tjetër, duke e pranuar nevojën e plotësimit të këtij mendimi me një vizion kritik e qortues (korrigjues), duke e pranuar, pra, si të drejtë në thelb prirjen kritike të Konicës, megjithatë në emër të një të vërtetë sipërane, duhet thënë se kritika e tij kundërthënëse ishte në shumëçka e tepruar dhe e parakohshme. Vetë ai e dëshmon këtë, jo vetëm me atë pjesë të veprës së tij që është mbrujtur plot dashuri e përgjërim për Shqipërinë, por edhe me veprimtarinë e tij si ambasador i vendit të vet në SHBA, detyrë që ai e kreu shkëlqyeshëm për një kohë të gjatë. Ambasadori më i kulturuar e më brilant i kohës në Uashington, ai bëri çmos ta paraqiste Shqipërinë e qytetërimin shqiptar në dritën më të mirë të tij, duke e mbrojtur nga keqkuptimet e nga përçmimi, që ajmé, ishte ngritur disa herë vetë t’ia shprehte vendit e popullit që e kishte lindur.

ISMAIL KADARE, Fragmenti III : “Kombi shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë”