Kadare në Prishtinë dhe gjenerali dështak i Halil Matoshit

0
818
Ismail Kadare - Fahri Xharra

Ndue Ukaj, marrë nga http://politiko.al/

Shkrimtar Ismail Kadare nuk ka nevojë të mbrohet, sepse ai ka ndërtuar një perandori të madhe lexuesish, të shtrirë kudo në botë, dhe ata janë mbrojtja ma e mirë përballë sulmeve tendencioze dhe mediokre, që i bëhen atij dhe veprës së tij.

Prandaj, nuk dua ta mbroj Kadarenë, por e kam të vështirë të heshti përballë tendencës, për ta përdhosur një akt kulturore që ndodhi në Prishtinë, dhe po ashtu, nuk mund të heshti përballë synimit qyqar, për ta sajuar një gjeneral izolues në veprën e Kadaresë. Pa kurrfarë baze, por me qëndrime të forta dhe gjuhë linçuese, të tipit marksist, ku autori akuzohet si racist e etnocentrik. Një sulm i tillë ndaj Kadaresë, mund të pritej në Beograd e Stamboll, por jo në Prishtinë, dhe si i tillë, nuk i përket mendësisë së Prishtinës, ku Kadare është autor shumë i dashur.

Mbi bazë të leximeve të parakonceptuara të Halil Matoshit, letërsia është arena e përshtatshme, për të persekutuar secilin shkrimtar. Po, secilin. Por, fiksioni, arti dhe të vërtetat e letërsisë, lexohen dhe interpretohen shumë më ndryshe.

Dihet mirëfilli se Kadare është autori më universal që ka prodhuar raca shqiptare, dhe këtë fakt e pranojnë njohësit e veprës së tij: shqiptarë dhe të huaj. Po ashtu, dihet që Kadare i dha njohje universale letërsisë shqipe.

Pikërisht për këtë arsye, ai nuk ka nevojë të mbrohet, sepse atë e mbron aureola e shkrimtari të madh, një fortifikatë e sofistikuar, të cilën e ka ndërtuar me talentin e jashtëzakonshëm, nën thundrën e një regjimi të tmerrshëm, që artin e shihte si armik të madh.

Shkrimtarin Kadare dhe veprën e tij e mbrojnë çmimet dhe vlerësimet e panumërta, që merr kudo në botë, ku shija për artin dhe të bukurën, është përtej caqeve egoiste, shpirtngushtësisë dhe mendësisë rurale. Po, Kadarenë e mbrojnë librat dhe tekstet shumë të vlefshme e të shumta, që shkruhen përditë për veprën e tij anë e kënd botës. Në fund të fundit, kjo është lavdia e shkrimtarit, për të cilën aspiron secili që merret me letërsi. Të rrallë janë ata shkrimtarë, që këtë lavdi e fitojnë për së gjalli. Kadare, pati një fat të tillë.

Halil Matoshi, kur shkruan për “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, shkruan për një libër që e ka në kokën e tij, dhe jo për romanin fantastik të Kadaresë, me të cilin ai ka fituar famë botërore. Sepse, “Gjenerali” i Kadaresë, është një rrëfim fantastik dhe shpotitës për luftën dhe tmerret që shkakton ajo, dhe askund nuk ka nuanca raciste. Përkundrazi, “Gjenerali” i Kadaresë është një fiksion letrar magjeps dhe i jashtëzakonshëm, për absurditetin e luftës, dhe tragjeditë që shkakton ajo, e të cilat, ai di t’i shndërrojë në vlera kulminante universale.

Më tej, gjenerali i Matoshit, mund të lexohet si një opinion apo pandehmë kundër autorit, dhe jo një mendim për veprën në fjalë. E më së paku një vlerësim letrar. Është një trill i turbullt. Është një sajesë fjalësh pa kurrfarë baze, me të cilën ai tenton të hedhë baltë mbi personalitetin e autorit. E gjithë kjo, mund të lidhet me faktin se, Kadare është dishepulli më besnik i ideve europane të shqiptarëve, ndërkaq vepra e tij, jehona ma pozitive e vlerave oksidentale të shqiptarëve; vlera këto që tundojnë dhe hutojnë jo pak shqiptarë.

Në kritikën letrare, shpeshherë thuhet se një lexues i keq, që lexon me paramendime dhe qëllime tendencioze, mund ta shkretojë secilën vepër. Madje edhe kryeveprat e njerëzimit, “Komedinë Hyjnore”, “Hamletin”, “Fasutin”, “Procesin”, etj. Dhe, nëse doni të dini, shembuj të tillë kemi edhe përbrenda mendimit letrar shqiptar.

Në kritikën letrare, ekziston një mendim i pranuar gjithandej, se lexuesit skematikë, të dobët, lexuesit ideologjikë, mund ta mjegullojnë çdo vepër, por fati i mirë është që këto mendime dhe interpretime stihike, kanë stinën e tyre të përkohshme, ndërkaq vepra e mirë letrare, shkruhet për përjetësi, ashtu siç është shkruar për përjetësi “Gjenerali i ushtrisë së vdekur“, që autorin e bëri gjeneral të letërsisë shqipe dhe asaj botërore.

Javën e kaluar, Kadare u vlerësua në Prishtinë, mirëpo ky akt kulturor, u bë pretekst që disa figura të hutuara, që ndërrojnë mendime sa herë ndërrojnë stinët, të fillojnë me avazin e njëjtë: sulme dhe përbaltje mbi Kadarenë. Këto vërsulje, nuk janë të reja. Ato dalin në sipërfaqe, sa herë i rritet shkëlqimi estetik i veprës së tij. Dhe si të tilla, nuk ka sesi të shpjegohen ndryshe, përpos agjenda kundër tij, të injektuara me helm e mllef, që më së paku mund të jetë letrar.

Pa dyshim, është mendim infantil që nga Prishtina, t’i kërkohet autorit disidentizmi, kur kritika botërore qëmoti pohon se Kadare është autori, që e sfidoi socrealizmin, shkruan, John Carey, kritik i shquar i Britanisë së Madhe.

Pra, ata që kërkojnë një gjë të tillë, duhet të pyeten: pse heshtën në kohën kur në Prishtinë nuk guxohej të përmendej Fishta, Haxhiademi, Konica, Kuteli, Camaj, Pipa, dhe shumë autorë të tjerë? Po, këta jetonin në një sistem goxha liberal dhe heshtën, sepse u solidarizuan me sivëllezërit e tyre ideologjikë nga Shqipëria.

Pa dyshim, nga perspektiva e sotme, mund të themi, ma mirë bëri Kadare që shkroi ashtu siç shkroi kundër Fishtës, sesa shqiptarët e Kosovës që e heshtën. Apo të tillë, që edhe sot, Fishtën e konsiderojnë fashist.

Dihet, Shqipëria komuniste, nëpërmjet deduksioneve socrealiste, për njeriun e ri, tentoi ta shkatërronte trashëgiminë letrare të figurave që konsideroheshin hale në sytë e regjimit. Pastaj, ajo e instrumentalizoi artin, në funksion të ideologjisë utopike, për krijimin e njeriut të ri socialist, të moralshëm e pa mëkate, ku partia kujdesej për moralin publik, dhe ku individi, detyrohej t’i nënshtrohej kodit të përcaktuar ideologjik.

Mirëpo, në Kosovë, mësime dhe shtrëngime të ngjashme nuk pati. E meqë nuk pati metoda të tilla, shkrimtarët nuk burgoseshin pse shkruan vepra letrare. Atëherë pse u heshtën shumë shkrimtarë shqiptarë?

Koha është që të bien maskat dhe të flitet hapur për këtë temë.

Në këtë aspekt, është neveritëse tendenca që çon krye herë pas herë në Kosovë, kur shkruhet dhe flitet rreth figurës së Ismail Kadaresë dhe veprës së tij. Ka shumë autorë nga Kosova, që e stigmatizojnë dhe akuzojnë rëndë atë, për gjoja flirte me komunizmin dhe socrealizmin, ndërkohë që të njëjtit, heshtnin ndaj shumë sivëllezërve të tyre shqiptarë, që shpalleshin armiq, heshteshin, përbuzeshin dhe anatemoheshin në Prishtinë. Dhe nga ky mëkat, pak kush mund të amnistohet.

Në zagushinë mbytëse, në të cilën është katandisë shoqëria jonë, ku lajmet e mira janë të rralla, ardhja e një shkrimtari me përmasa planetare, siç është Ismail Kadare, është festë dhe bekim. Kështu ngjet kudo në botën normale, dhe kështu ishte edhe në Prishtinë, ku Kadare, si autoritet i padiskutueshëm letrar, u mirëprit nga lexues të shumtë, që prisnin me orë të tëra, për ta takuar, për t’u fotografuar me të dhe për ta marrë një libër me nënshkrim të tijin.

Ndaj, trillet dhe insinuatat me prapavijë, nuk i bëjnë kurrfarë dëmi autorit, sepse, ai qëmoti është në ato lartësi, ku pështyma nuk mbërrin. Po, sepse ai qëmoti është çertifikuar nga lexuesi i kultivuar, kudo në botë.

Është klishe të thuhet që ai është shkrimtar i dashur dhe titani i letërsisë, dhe në hierarkinë e vlerave të përbotshme, është ngritë në saje të artit të tij dhe jo të ideologjisë a politikës. Por, është e udhës ta përsërisim, për t’iu hapë sytë atyre që janë të verbuar nga urrejtja kundër tij.

Unë isha i nderuar që pata fatin dhe mundësinë të isha pjesë e një ekipi që e vlerësoi atë. Dhe jam i bindur se të dish ta vlerësosh atë, domethënë ta dish vlerësosh vetveten, gjuhën dhe kulturën tënde.

Kadare nuk ka nevojë për ne, ne për të po.

Edhe një gjë: sulmet ndaj personalitetit të Kadaresë, kanë stinën e tyre të përhershme. Janë të pështira dhe neveritëse. Sa herë që ai përmendet, dhe për fat të mirë ai përmendet shpesh, një kontingjent shkruesish, të paktë, por të zhurmshëm, gërvallën kuturu kundër tij dhe veprës së tij.

E kam thënë dhe po e përsëris: ata që tentojnë ta përbaltin veprën e tij, bëjnë lojën e trumcakut, që përpiqet ta pështyjë diellin. Sepse “Ismail Kadare është luani i letërsisë shqipe, me një reputacion ndërkombëtar”, shkruan Rita Tornborg, shkrimtare dhe kritike suedeze. Përballë një luani, zhurmuesit, s’kanë ç’të bëjnë tjetër, përveçse të kukurisin.

Për Kadarenë dhe veprën e tij letrare është shkruar dhe do të shkruhet shumë. Ai është krahasuar me shkrimtarët ma të mëdhenj të njerëzimit, me ata që janë të papërsëritshëm. Pa dyshim, ai meriton vlerësime të pafundme, sepse na ka dhanë një vepër gjeniale.
Më pëlqen shpeshherë t’i veçoj dy vlerësime, atë të At Zef Pllumit dhe Ibrahim Rugovës, sepse burojnë nga ne, dhe janë vlerësime të dy personaliteteve me peshë.

I pari solidarizohet me Kadarenë, sepse ai është sot me i madhi luftëtar në mbrojtje të kulturës, identitetit dhe integrimit europian të shqiptarëve, ndërsa Rugova shkruan se Kadare përgjigjet për çështje më të rëndësishme e të ndërlikuara, pa komplekse inferioriteti dhe pa imponim autoriteti. Është në rrjedhën e kohës, i çliruar nga kompleksi i metropoleve, sepse ekziston nëpër metropole. Por, vargu i vlerësimeve të tilla është i pafund. Në Prishtinë, Tiranë, Tetovë, Paris, Romë, Berlin, Londër, Madrid, Stokholm, Uashington, Jerusalem.

Kudo ku vlerësohet e bukura pohohet: Disident apo jo, Kadare është njeri prej më të mirëve.

Gjeniu i letërsisë shqipe, është përfaqësuesi ma i denjë i kulturës dhe letërsisë shqipe në botë. Nëpërmjet tij, bota na ka kuptuar më mirë, na ka vlerësuar më drejt dhe na ka çmuar më shumë. Prandaj, por për çdo ditë, kemi arsye të themi: Kadare është bekim për kulturën shqiptare.