KA VDEKUR DISIDENTI I BURGOSUR KINEZ

0
664

… DHE FITUES I ÇMIMIT NOBEL PËR PAQE, LIU XIAOBO

Nga Frank Shkreli

Disidenti më i njohur kinez dhe fituesi i Çmimit Nobel për Paqë në vitin 2010, vdiq një javë parë në moshën 61-vjeçare pas një beteje të vështirë me sëmundjen e kancerit. Mediat botërore kanë njoftuar se Laureati kinez i Çmimit Nobel për Paqë, para se to vdiste ishte shtuar në një spital të qytetit Shengyang, ku u transferua nga qelia e burgut ku kaloi 8-vitet e fundit, në fazën përfundimtate të kësaj sëmundjeje të tmershme. Kritikat ndërkombëtare, përfshirë edhe ato të Komitetit Nobel, iu drejtuan autoriteteve kineze në Pekin, duke thënë se ato nuk morën masa të nevojshme që Z. Liu Xiaobo ta transferonin më heret në spital dhe mundësisht t’i shpëtonin jetën. Duke vlerësuar reagimet, për vdekjen e tij, bota po mban përgjegjëse qeverinë kineze.

Zëri i Amerikës citon Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Kinë, Z. Terry Branstad, të ketë thënë se: “Kina humbi një njeri model dhe thellësisht parimor që meritonte respektin dhe adhurimin tonë, e jo dënimet me burg që iu imponuan.” Ndërsa Sekrterai Amerikan i Shtetit Z. Rex Tillerson e cilësoi vdekjen e laureatit kine, si “tragjike”, u bëri thirrj autoriteteve kineze që të lirojnë nga arrestimi shtëpiak, bashkshortën e disidentit Liu. “Me luftën e tij për liri, barazi dhe qeverisje kushtetuese në Kinë, Liu Xiaobo mishëronte frymën njerëzore të Çmimit Nobel, ndërsa me vdekjen e tij, ai riafirmoi meritat dhe vlerat, në të cilat ishte bazuar zgjedhja e tij për Çmimin Nobel për paqë”, në vitin 2010.

Por kritikat më të forta ndaj Pekinit zyrtar për vdekjen e disidentit Liu erdhën Senatori republikan, Xhon Mekejn, i cili vetështë diagnostikuar kohët e fundit me një kancer agresiv në tru, e cilësoi vonesën e trajtimit nga qeveria kineze të aktivistit të burgosur të të drejtave të njeriut, “si shkelja barbare fundit e të drrejtave të tija të njeriut.” Ish-Presidenti Xhorxh W. Bush, ndërkaq, bëri një deklaratë për media në të cilën tha se disidenti Liu ishte një i burgosur politik i ndërgjegjes, i cili mori guximin të ëndërronte për një Kinë që do të respektonte të drejtat e njeriut.”

Ndërsa Kryetarja e Komitetit të Çmimit Nobel, Berit Reiss-Andersen është shprehur me këtë rast se, Komiteti norvegjez e konsideron, “Shumë shqetësues faktin se Liu Xiaobo nuk u transferua në një vend ku mund të merrte trajtim të përshtatshëm mjekësor para se sëmundja të arrinte në fazën e fundit. Qeveria kineze mban përgjegjësi të madhe për vdekjen e tij të parakohshme”, ka thënë ajo në deklaratën e saj.

Me rastin e vdekjes së disidentit kinez, Liu kanë reaguar edhe Kombet e Bashkuara dhe organizata jo qeveritare që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Komisoneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, është shprehur se me vdekjen e laureatit dhe mbrojtsit të të drejtave të njeriut, “Lëvizja në mbështetje të të drejtave të njeriut në Kinë dhe anë e mbanë botës ka humbur një kampion parimor, i cili i kushtoi jetën e vet promovimit të të drejtave të njeriut, në mënyrë paqësore dhe të vazhdueshme dhe i cili si rrjedhim u burgos për qëndrimet e tija parimore.”

Ndërsa Drejtoresha e organizatës, “Human Rights Watch” që merret me të drejtat e njeriut në Kinë, Sofie Riçardson reagoi ndaj vdekjes së parakohshme të Liu Xiaobo duke deklaruar se, “E ardhmja e të drejtave të njeriut në Kinë duket gjithnjë e më e zymtë nën udhlheqjen e Presdientit Xi Jingping. Autoritetet kanë venë në shënjestër grupet që promovojnë respektimin e të drejtave të njeriut dhe njëkohësisht kanë shtuar në mënyrë të dukshme përpjekjet për kontrollimin e veprimtarisë së tyre.”

Kina, si gjithmonë dhe si të gjitha regjimet autoritare shkelse të të drejtave të nejriut, u tregua sensitive ndaj kritikave ndërkombëtare lidhur me trajtimin e vdekjes së disidentit Liu, ka paraqitur demarsh diplomatik proteste, ndër të tjera, kundër Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Vdekja e të ndjerit Liu, njërit prej disidentëve më të njohur kinezë ndodhi nën mbikqyrjen e fortë të autoriteteve të regjimit komunist kinez, duke u bërë atë fituesi i dytë i Çmimit Nobel për Paqë që vdes nën mbikqyrjen e autoriteteve shtetërore, pas pacifistit gjerman dhe fituesit të Çmimit Nobel për Paqë, Carl von Ossietzky, i cili ka vdekur pasi kishte kaluar disa vite në kampet e Gjermanisë naziste të përqendrimit.

Për veprimtarinë e tij të guximshme në mbrojtje të të drejtave të njeriut, Liu Xiaobo u bë i pari kinez në histori që fitoi Çmimin Nobel për Paqë, në vitin 2010, ndërkohë që gjëndej i burgosur, i dënuar për promovimin e demokracisë. Si sot në vdekje, ashtu edhe atëherë në jetë, megjithse i burgosur, disidenti Liu tërhoqi vëmendjen e botës me rastin e dhënjes së Çmimit Nobel për paqë, shtatë vjetë më parë. Në të vërtetë edhe unë kisha shkruar me atë rast artikullin me titull, “Pse trembet perandoria komuniste kineze nga nje individ i vetem? Me atë rast kisha shënuar se nuk e kuptoja se pse një perandori komuniste aq e fortë sa Kina të kishte frikë nga disidenti Liu që në foto nuk dukej aq i rrezikshem.

Në të vërtetë, Zoti Liu nuk po kërkonte ndonjë revolucion me dhunë, por ishte “fajtor” vetem e vetem se kërkonte nga regjimi komunist që lirite dhe të drejtat e njohura nga kushtetuta e vendit, të zbatoheshin për të gjithë.

Për pothuaj dy dekada, Zoti Liu njihej si përkrahës i të drejtave të njeriut në Kinë. Ai pat marrë pjesë në protestat e sheshit Tiananmen të vitit 1989, në Pekin ku edhe luajti rolin e negociatorit dhe ndërmjetsuesit me ushtrinë kineze për të liruar protestuesit që të largoheshin s’andejmi pa u dëmtuar. Ishte shtypja brutale e këtyre protestave, që sipas tij shënoi një pikëkëthesë dramatike në jetën e tij 50-vjecare. Pas daljes nga burgu me 1991 ai vazhdoi të shkruante artikuj me të cilet bënte thirrje për reforma paqësore politike në vend. Si perfundim, ai u vendos në arrest-shtëpie dhe më vonë u dërgua në një kamp “ri-edukimi”, nga ku u lirua me 1999.

Mirëpo, në frymën e disidentit të vërtetë parimor, ai nuk pushon së punuari për idealet e veta dhe në dhjetor të vitit 2009, me nje kolege të vetin përpilojnë dokumentin e quajtur Karta 2008, sipas modelit te Kartës 77 të Vaclav Havelit dhe kolegëve të tij disidentë anti-komunistë të ish-Çekosllovakisë, e në të cilin disidenti Liu, ndër të tjera, bënte thirrje për zgjedhje shumë luraliste dhe për reformë demokratike në Kinë. Ai u arrestua përsëri në vitin 2009 dhe u dënua me 11-vjetë burg për, “nxitje të subversionit kundër shtetit”, për rolin e tij në përpilimin e Kartës 2008 dhe për artikujt në të cilët bënte thirrje për reforma politike në Kinë. Në të vërtetë, sa ishte gjallë Vaclav Haveli ishte mbështetës i fortë i disidentit Liu.

Zoti Havel e përkraht Zotin Liu i bindur nga pervoja e tij personale, se një Kinë demokratike do të ishte shumë më e preferueshme se Kina e sotëme komuniste, si për popullin e saj ashtu edhe për botën mbarë. Zoti Havel e dinte gjithashtu, nga përvoja personale, rolin që mund të luaj një individ siç ishte disidenti Liu, në fillimin dhe mbarimin e ndryshimeve epokale të regjimeve autoritare, sidomos te regjimeve diktatoriale si ai i Pekinit. Kjo, në të vertete është arsyeja se pse perandoria e kuqe kineze trembej nga idetë e Zotit Liu, nga vlerat e tij për demokraci, për të drejtat e njeriut si edhe per dinjitetin e indidvidit — vlera këto që janë universale. Prandaj, autoritetet e sotëme kineze e lënë të vdiste pa përkujdesjen e nevojshme mjekësore.

Mund të pyes dikush, po ç’të duhet të na lodhësh me këtë shkrim mbi disidentët kinezë, të gjallë apo të vdekur. Ajo që ndodhë në Kinë duhet të shqetësojë edhe shqiptarët, sepse Kina komuniste së bashku me Rusinë putiniste kanë qenë dhe janë kundershtarët më të vendosur ndërkombëtarë ndaj të drejtave të të shqiptarëve, sidomos kundër pavarësisë së Kosovës, gjatë dhe pas luftës si dhe kundër interesave të kombit shiptar në trojet e veta, në përgjithsi. Dhe se duhet pasur kujdes ndaj flirtimeve politike dhe ekonomike me regjime ose udhëheqës autoritarë të cilët nuk respektojnë të drejtat bazë të njeriut për popujt e vet — sepse si të tillë, prej tyre nuk mund të pritet se do të kenë respekt as për shqiptarët — ndër të tjerë popuj — dhe as për lirinë, paqën dhe demokracinë kudo në botë. Kjo është arsyeja që edhe shqiptarët duhet të jenë të interesuar, por edhe të shqetësuar për trajtimin e keq të disidentëve, kudo qofshin ata, përfshirë edhe vdekjen e parakohshme të ndjerit Liu Xiaobo nën rrethana të dyshimta, të mbikqyrura nga shteti.