– Nga SONILA MEÇO
Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”
Nisur në kryeqendrën e Gjermanisë, si një nismë për të forcuar bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, një vatër nga ku tymi i luftës ende rri si hije mbi prapambetjen dhe konfliktet e trashëguara, Procesi i Berlinit ndaloi në stacionin e radhës, Trieste, pas Vjenës e Parisit. Një proces që kërkon të bëjë dritë nga të dy ballkonet, si ai që bie mbi Ballkan për t’i dhënë shpresë integrimit të tij, pavarësisht ekonomive të varfra, dialogut të ngecur, demokracive të çala ashtu edhe tek ai me pamje nga Bashkimi Europian i lodhur nga zgjerimi, konsumuar në krizat e veta, shenjuar nga një paaftësi për të reaguar si aktor global.
Kur kancelarja gjermane Merkel prezantoi nismën e saj për të mirëpritur konferencën e parë mbi Ballkanin perëndimor në Gusht të vitit 2014 si pjesë e procesit të Berlinit kjo gjë shkaktoi reagime pozitive në rajon. E para, sepse si nismë mëtonte të qetësonte shqetësimin e krijuar nga deklarata në korrikun e atij viti të Presidentit të Komisionit Europian Juncker se nuk do të kish më zgjerim të BE-së gjatë mandatit të tij 5-vjeçar. Megjithëse teknikisht korrekte deklarata krijoi perceptimin se BE nuk kish angazhimin e mjaftueshëm të respektonte aspiratat e integrimit të vendeve të rajonit. Pas Berlinit, samiti u mbajt edhe në Vjenë në vitin 2015, në Paris më 2016 dhe së fundmi në Trieste. Liderët e rajonit u ulën në një tryezë, liderët europianë nga kancelarja gjermane, presidenti francez e kryeministri italian ishin aty për të shenjuar një fokus të ri ndaj Ballkanit Perëndimor. Duke njohur dështimin në krijimin e demokracive funksionale në këto vende, vetë samiti dëshmoi se vëmendja e liderëve europianë tashmë shtrihet tek forcimi i bashkëpunimit ekonomik në rajon, sidomos në ndërlidhjen në energji, transport, sektorët dixhitalë, përfshi korridoret paneuropianë. Synimi final, krijimi i një Zone Rajonale Ekonomike.
Por në terma të projekteve që kanë marrë jetë, tashmë që ka skaduar treçereku i kohës së funksionimit të marrëveshjes së Berlinit situata nuk është aq premtuese. Angazhimet e liderëve thuajse mbetën në letër, edhe krijimi i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal Rinor realizuar në Samitin e Parisit nuk ka mundur të funksionojë normalisht për shkak se liderët e rajonit nuk ofrojnë burimet e domosdoshme me një sjellje tipike zvarritëse. Supozimi se forcimi i ndërlidhjes dhe tregtisë brenda rajonit do të stimulojë rritjen ekonomike nuk është vërtetuar në realitet. Të paktën jo deri tani me ritmet e punës, kur kanë skaduar tre të katërtat e kohës së vënë në dispozicion qysh prej vitit 2014. Madje asokohe supozimi shkoi më tej duke ofruar një qasje optimiste se stimulimi i rritjes ekonomike do të shoqërohej automatikisht me përpjekje të shtuara në forcimin e shtetit të së drejtës dhe standardeve ligjore.
Tashmë qartazi duket se dështimi i BE-së për të avancuar procesin integrues, ndikuar nga krizat e veta të Unionit, buron edhe nga fakti se dialogu me vendet e Ballkanit Perëndimor u fokusua veç me elitat politike, duke lënë jashtë shoqërinë civile, aktorë të zëshëm e me ndikim në opinion.
Por në këtë realitet dështimesh reciproke mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, karta e Procesit të Berlinit mbetet ende floku ku i mbyturi kapet për të mos lejuar zhytjen e thellë në krizën e vetë BE-së. Sepse gjeopolitika e bën të rëndësishëm Ballkanin Perëndimor, më shumë se vetë potencialet e tij. Rrethuar nga vende të BE-së, nën interesin e vazhdueshëm rus, edhe kësaj here jemi ‘të dënuar’ me vëmendje për të mos u kthyer mbrapsht në fantazmat e së shkuarës. Njëra prej tyre Jugosllavia, emri që po përmendet dendur në analiza ndërkombëtare si ambicie e Serbisë dhe lobuesve të saj, për të përmbushur aspirata që përfshijnë në lojë më shumë se aktorë lokalë, ata globalë. Por a është Jugosllavia e re projekti që fshihet pas Procesit të Berlinit dhe ç’rol mund të luajë Shqipëria në këtë projekt? Apo në makthin e fortë të një Ballkani Perëndimor që dështon në proceset integruese, zhgjëndrra* po luan me perceptimet?
Le t’i marrim me radhë zhvillimet dhe me fakte të ndërtojmë një analizë që do të na shërbejë për të lexuar ëndrrat a makthet që vlojnë ‘kazanit’ ku feksin një palë atlete të bardha si kulmi i konspiracionit të madh:
‘E ardhmja e Ballkanit është në Bashkimin Europian’ do të deklaronin udhëheqësit e familjes së përbashkët europiane në samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Selanik në vitin e largët 2003. Që atëherë vetëm Kroacia, pjesë e këtij konvencioni gjeopolitik është anëtarësuar në BE. Pra ai vizion i shprehur politik për integrimin e Ballkanit Perëndimor, siç u deklarua në Samitin e Selanikut u tret në gjuhë eurokratësh, duke u marrë vetëm me listën e reformave në letër e duke shmangur problemet rrënjësore të mosfunksionimit të demokracisë në rajon. Premtimi i anëtarësimit shërbente më shumë si taktikë e Bashkimit Europian për të ruajtur ndikimin në vendet e Ballkanit. Premtimi i integrimit u shndërrua në biletën elektorale të elitave politike lokale. Por ndërsa fjalët e premtimet iu nënshtruan inflacionit, në akte korrupsioni, shpërdorimi i parasë publike, drejtësia e munguar dhe kapja e medias vërshuan vendeve të rajonit problematik. Tensionet politike janë po aty, Prishtina me Beogradin për çështjen e Kosovës, Shkupi dhe Athina për emrin e Maqedonisë, reforma e munguar kushtetuese në vendin e tre etnive, Bosnie-Hercegovinë. Karta më e fortë për BE-në qe garantimi i pakthyeshmërisë së reformave demokratike. Por përgjigja e dobët ndaj regjimeve autoritare dhe një angazhim më i spikatur drejt stabilitetit e vunë në dyshim përpjekjen e Bashkimit Europian.
Ndaj Gjermania vendosi të luajë një tjetër kartë, të mbështetet tek fuqia financiare e BE-së për të afruar vendet e Ballkanit Perëndimor. Një sistem i përbashkët doganor dhe një treg i përbashkët për gjashtë vende të rajonit. Kjo do të shërbente për të motivuar vendet e Ballkanit të ezauruara në durim nga avancimi i proceseve integruese, do të shmangte mbushjen e vakuumit që lë pritshmëria nga aktorë të tjerë, më së pari Rusia, do të lejonte pak më shumë kohë për vetë Bashkimin Europian të akomodonte situatën e trazuar prej flukseve të emigrantëve, BREXIT e pasojave të zgjedhjeve në vendet kryesore të BE-së. Njëkohësisht kjo do të stimulonte forcimin e demokracisë në rajonin e përfshirë nga një rrëshkitje drejt sjelljeve autoritariste, duke provuar zhvillimin ekonomik e ndërlidhjen si faktorë në përmbushjen konkrete të reformave për shtetin e së drejtës. Kjo nuk ndodhi dhe vërtetohet lehtësisht nga raportet vjetore të Komisionit Europian se rajoni ka dëshmuar rënie dramatike të qeverisjes demokratike dhe shtetit të së drejtës, pavarësisht se që nga viti 2011 ky i fundit është vendosur në thelb të procesit të anëtarësimit në BE.
Për të përforcuar rekordet negative të zhvillimeve të brendshme politike, në vitin 2016, në komunikimin e politikës së zgjerimit, Komisioni Europian deklaronte se vendet e Ballkanit Perëndimor vijojnë të dëshmojnë simptoma të qarta të kapjes së shtetit. Bashkimi Europian nuk dëshmoi aftësi në menaxhimin e këtyre situatave, madje reagoi me shumë vonesë duke mos shënjestruar në kohë problemet e duke reaguar pasi kriza kish nisur të rrënonte seriozisht funksionimin e demokracisë në rajon. Mjafton të kujtohet fakti se si në Maqedoninë e asfiksuar nga kriza politike, Komisioni Europian shihte oksigjen mjaftueshëm duke nënvizuar se kriteret politike janë arritur mjaftueshëm. Dhe ky dështim për të ndërhyrë në kohë e si duhet u shfaq jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Shqipëri, në tensionet e shtuara mes Serbisë dhe Kosovës, në kërcënimet e rritura të rendit kushtetues në Bosnje-Hercegovinë dhe kapjen e medias e përqendrimin e pushtetit në Serbi. Bashkimi Europian nuk i ndryshoi politikat e veta e nuk e rriti dot profilin e vet. U desh ndërhyrje kirurgjikale nga Shtetet e Bashkuara për të zgjidhur krizat e brendshme.
Të ardhurat e ulëta e papunësia e lartë kanë rënduar jetën e qytetarëve në rajon, mijëra njerëz të arsimuar emigrojnë drejt perëndimit çdo vit dhe pritja për hapjen e dyerve të Europës sa e shton edhe më shumë cinizmin se hyrja në familjen e përbashkët do të arrihet vetëm duke shkuar çdo njeri me këmbët e veta. Për këtë, Komisioneri për Zgjerimin e BE-së Johannes Hahn mbështeti publikisht krijimin e Zonës Ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Samiti i Triestes u zhvillua pikërisht me këtë ide, të ofrohen fondet për projekte konkrete ndërlidhjeje dhe të testohet Zona e Përbashkët Ekonomike.
Kryeministri Edi Rama në editorialin e tij për Wall Street Journal argumentonte pse Shqipëria do të mbështesë Zonën e Përbashkët Ekonomike. Vetë Vuçiç, presidenti serb, i pyetur se përse duhet kjo Zonë Ekonomike kur Bosnie-Hercegovina, Shqipëria, Maqedonia Mali i Zi, Kosova dhe Serbia bashkëpunojnë nën Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore (CEFTA), argumenton se bashkëpunimi edhe më i thellë do të siguronte rritje të qëndrueshme. Duke folur për hekurudhën që do të lidhë Beogradin me Sarajevën e Prishtinën ai qartazi u shpreh se nuk është vetëm një projekt ekonomik, por Jugosllavia e vjetër plus Shqipërinë, një ide politike që nuk prek sovranitetin e vendeve anëtare.
Këtu nisi paniku për një projekt që do të rikthente Jugosllavinë e dikurshme. Kritikat mbi zhvillimin e një Zone të Përbashkët Ekonomike burojnë më së pari nga kjo deklaratë. Kosova u alarmua, pas saj Shqipëria do të mohonte ekzistencën e një plani të tillë.
Por presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, gjithsesi ëndrrën e vet e ka nxjerrë nga sirtari, e ka përshtatur me pritshmëritë e një Bashkimi Europian të ngecur në kurthin e zgjerimit për ta shitur si realitetin e vetëm ballkanik që do të mund të shpëtojë nga djegia urën e procesit integrues në BE. Mediat ndërkombëtare kanë kërkuar të kuptojnë përpjekjen serbe përtej tregut të përbashkët ballkanik, duke perifrazuar edhe deklaratat e Vuçiç për rikrijimin e Jugosllavisë. Me një zell që kërkon të shkojë më tej, për t’i bashkangjitur ëndrrës së vjetër edhe një kat të ri në sirtar, Shqipërinë. E vërtetë, apo spekulim, këtu nuk hyjnë më në punë siguritë e ofruara me rrahje gjoksi e premtime për vënien e dorës në zjarr, aq më tepër kur ai vlon ujët në ‘kazanët’ e pushtetit. Në terma konkretë rreziku ekziston dhe kjo edhe sepse Shqipëria është këtu ku është, është kjo që është.
Vuçiç ia ka dalë të përmirësojë ekonominë serbe, papunësia nën drejtimin e tij është ulur nga 26% në 13% dhe duke vendosur borxhin në terma të menaxhueshëm. Megjithëse varfëria mbetet e lartë dhe rritja ekonomike nuk ka garantuar rritjen e standardit të jetesës për pjesën më të madhe të popullsisë. Serbia mbetet vendi më tërheqës në Europën Juglindore për investimet e huaja, eksportet janë rritur ndjeshëm. Perëndimi gjithsesi e sheh Vuçiç si bastin e stabilitetit, njeriun e vet në Ballkan, pavarësisht akuzave të forta në vend për autoritarizëm. Por Serbia ngjan edhe vendi më i qartë për projektet konkrete të Procesit të Berlinit, duke marrë automatikisht rolin e liderit në këtë zonë, për përfitime tashmë të llogaritura që tejkalojnë thjesht sektorët ekonomikë.
Në Samitin e Triestes u prezantuan shtatë projektet e reja të ndërlidhjes me bashkëfinancim, vlera e të cilave përllogaritet të jetë 538.5 milionë euro. Nga të 7 projektet, 6 prej tyre janë në transport dhe vetëm njç në sektorin e energjetikës. Nga këto, Serbia do të jetë përfituese e dy granteve. Numrin më të lartë të projekteve e ka Bosnjë dhe Hercegovina, e cila do të mbështetet me grante për katër projekte në transport. Ndërsa Mali i Zi do të mbështetet në financimin e vetëm një projekti. Shqipëria dhe Kosova nuk kanë paraqitur asnjë projekt. Që prej vitit 2015, Shqipëria ka siguruar vetëm 50,1 milionë euro investime, pra 10% të fondit total akorduar deri më sot nga Bashkimi Europian, duke u renditur më poshtë se Kosova, që ka përfituar 56,1 milionë euro për zhvillimin e infrastrukturës. Serbia është përfituesi më i madh. Pra realisht jemi një apendesit në një projekt madhor që do duhej të zhvillonte njëkohësisht ndërlidhjen dhe zhvillimin e vendeve të rajonit për të avancuar në axhendën europiane.
Jugosllavia mund të jetë zhgjëndërr prej realiteteve që të përplasen fytyrës e jo një ëndërr që bëhet realitet, sepse ashtu duan konspiracionet e shtypit. Duam, apo s’duam e kemi ne në dorë krijimin, ose jo të Jugosllavisë duke bërë shtet dhe ekonomi. Sepse po të kishim konkurruar denjësisht përgjatë procesit të Berlinit, nuk do të harxhonim energji në shmangien e një projekti fantazmë. Por mbi të gjitha po të ishin shndërruar në vend tërheqës për investimet e huaja siç janë sot disa vende rajoni. Se çfarë prodhon për axhendën politike të një lideri ballkanik pjesëmarrja në Samitin e Triestes ku vendet e rajonit përfitojnë fonde konkrete e dëshmon mbulimi mediatik i rezultatit të takimit të Tiriestes për Shqipërinë. ‘Kazani’ oshëtinte nga financimet e përftuara nga Shqipëria megjithëse pa ofruar asnjë projekt, ndërsa faktet mëtonin të kundërtën. Asnjë projekt I veçantë a i përbashkët mes Shqipërisë e vendeve të tjera që do të mund të zhvillonte sektorin energjetik, infrastrukturën, industrinë minerare. Pra Shqipëria ka dështuar në krijimin e një mundësie për të qenë lider në tërheqjen e investimeve. Sepse lider nuk të bën as dëshira e mirë, as vetëkrekosja e as shtatlartësia e liderit. Kush ka menduar se fondet do të shpërndahen sipas centimetrave të trupit dhe egos së udhëheqësve duhet mos lejojë të përvëlohet nga vlimi i ‘kazanëve’ mediatikë.
Që të kundërshtosh një ëndërr në sirtar të Vuçiç për Jugosllavinë plus Shqipërinë të duhet jo një ëndërr tjetër, por realitet. Dhe jo ai që prodhon mediatikisht, por ai ekzistues.
Ja faktet:
Cila është madhësia e ekonomisë shqiptare? Cili është ndikimi i saj në rajon? Në ç’vend renditet sipas treguesve makroekonomikë?
Prodhimi i brendshëm bruto i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor sipas FMN për 2017-ën është rreth 89 miliardë dollarë, as 1% e totalit të prodhimit të Europës Perëndimore. Në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria renditet e treta me 14%, pas Serbisë, që kryeson me gati 42% të ekonomisë së këtij rajoni, dhe Bosnjës, me 19%. Më pas vijojnë Maqedonia me 12%, Kosova 8% dhe Mali i Zi 5%.
Të ardhurat e Shqipërisë në vitin 2016 sipas konvergjencës ishin sa 30% e mesatares së BE-së, njësoj sa në vitin 2012, teksa vendet e tjera të Rajonit kanë shënuar përparime në rritjen e të ardhurave, Bosnie-Hercegovina ka pësuar rritje nga 28 në 31%, Serbia është në nivelin 36%, Maqedonia është rritur nga 34 në 38% dhe Mali i Zi nga 39 në 42%.
Në vlerë absolute, të ardhurat për frymë të shqiptarëve në vitin 2016 ishin rreth 4200 dollarë për frymë, sipas statistikave të fundit të publikuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, duke mbetur pas Malit të Zi me rreth 6,600 dollarë, Serbisë me rreth 5,400 USD, Maqedonisë me rreth 5,700 USD dhe Bosnjë-Hercegovinës me rreth 4,300 USD.
Në raportin e fundit ‘Doing Business’ të Bankës Botërore, Shqipëria ka renditjen më të ulët në raport me vendet e tjera të rajonit, duke lënë pas vetëm Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën.
Sa u takon eksporteve në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, Shqipëria ka performancën më të ulët. Eksporti i mallrave dhe shërbimeve në Shqipëri është rreth 27% e PBB-së, në Maqedoni është rreth 50% e PBB-së, në Serbi po rreth 50% e PBB-së, në Mal të Zi rreth 42% e PBB-së dhe në Bosnjë 35.1%.
Në Indeksin e Inovacionit Global për vitin 2017 Shqipëria është e fundit në gjithë Europën, duke treguar një nivel të ulët të zhvillimit të inovacionit në sektorin prodhues dhe teknologjisë së informacionit.
Si do ta përballojë Shqipëria konkurrencën në rajon? Dhe a është vërtetë një shtojcë në ëndrrën e Vuçiç dhe atyre që duan të ngjallin me shifra ekonomike Jugosllavinë e re?
Por edhe politikisht dyshimet shtohen, sepse Komisioneri Hahn deklaroi para pak ditësh se më pranë negociatave me BE-në janë Mali i Zi dhe Serbia dhe se vendet e tjera kanë ende shumë punë për të bërë. Këtë e mbështeti edhe negociatori i marrëveshjes Rama-Basha për zhvillimin e zgjedhjeve në 25 qershor, McAllister. Sipas tij kërkohen përparime në vlerat kyçe, sundimin e së drejtës, lirinë e mediave, demokracinë e fortë, të drejtat për opozitën.
Por mandej dyshimet në këtë ëndërr të presidentit serb shtohen edhe prej disa paqartësive të dukshme. BE synon krijimin e një Zone të Përbashkët Ekonomike, por si mund të konceptohet kjo kur Serbia nuk njeh ende pavarësinë e Kosovës e shtetasit e kësaj të fundit nuk lëvizin dot pa viza në zonën Shengen? Entiteti më i vogël bosnjak, Republika Srpska ka bllokuar njohjen e Kosovës dhe dy vendet ruajnë sistem vizash për qytetarët e tyre. Maqedonia është e bllokuar nga konflikti i emrit me Greqinë. Për më tepër një bashkim doganor shihet me dyshim nga vendet e rajonit që ekonomitë i mbajnë me tarifat e importit dhe nuk janë ende gati të heqin dorë nga të ardhurat e tyre. Vende të tjera dyshojnë se ky plan është një zëvendësim i projektit të anëtarësimit në BE, duke demotivuar edhe më shumë rajonin.
Sido që të përkthehen për konsum të brendshëm arritjet e Samitit të Triestes, apo çdo angazhim ndërkombëtar në rajon, Ballkani Perëndimor mbetet sfida më e rëndësishme gjeopolitike për BE-në. Sepse një dështim i Brukselit këtu do të thotë një rënie e rëndësisë si aktor global. Tashmë institucionet europiane nuk mund t’i lejojnë më vetes gabimet e së shkuarës së afërt, duke toleruar me përfaqësuesit e tyre në vendet e rajonit zbatimin e angazhimeve në kuadër të reformave. Vendet që vijojnë të dhunojnë standardet demokratike dhe dështojnë në reforma do të monitorohen fort. Shqipëria duhet të kuptojë këtë, para se të shpikë supremacinë e saj ekonomike në kushtet e një shteti të dobët e realiteteve vrastarë në shifra makroekonomike në raport më rajonin. Sepse Serbia vërtetë mund të nxjerrë ëndrrën e vet nga sirtari për Jugosllavinë e re plus Shqipërinë, por për Ballkanin Perëndimor rezultati i Samitit të Triestes do të shënojë zhgjëndrrën e një nate vere nëse Shqipëria mbetet kjo që është. Paradoksalisht e kemi ne në dorë krijimin, ose jo të një Jugosllavie ku një palë atlete do të jenë sërish atraksioni më i fortë.
* Gjendja kur fillojmë të përmendemi pas një ëndërrimi; kur përmendesh pas një ëndrre. Të jesh në zhgjëndërr; as në ëndërr, as në zhgjëndërr. / E vërteta që shohim kur dalim nga ëndërrimi. Ëndrra iu bë zhgjëndërr. A është ëndërr apo zhgjëndërr?
Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press