Publikoi Ndoc Selimi
Kushtuar strategut dhe heroit te betejes së Torviollit, Aidin Muzakut
Besim DERVISHI
Me këto vargje e ka personifikuar poeti Kol Jakova (Shih librin “Garda Krutane, Kolë Jakova, Tiranë 1967) luftën e një trimi skraparas, Ajdin Muzakut, i cili ka rënë heroikisht në betejën e Torviollit kundër hordhive otomane.
O ju vashat e Skraparit,
Por si yje në natë të beharit,
Ju, po, e lindët Ajdin Muzakun,
Që në Torviol kur derdhi gjakun,
Skënderbeut s’ju terën sytë,
Se s’bën nëna Ajdin të dytë,
Bijëve tuaj c’u priste shpata,
As i lodhin rrugët e gjata,
Buka moti e gurët e thata,
Si kaproj maleve u ngjiten,
Edhe në prita kur nguliten,
Pa vdek mbarë vendit s’i shqiten…
Por ndërkohë në librin “Skrapari: Almanak 1977”, botuar në Tiranë nga Shëptia Botuese “8 Nëntori”, viti 1978, në faqen 6 thuhet se: Kështu fiksoi në vargje gjenia popullore luftën e një trimi skrapalli, Ajdin Muzakut, të rënë në betejën e Torviollit kundër hordhive otomane. “Bijëve tuaj c’u priste shpata, as i lodhin rrugët e gjata”, thotë poeti popullor për luftëtarët skrapalli në periudhën e Skënderbeut. Nuk përjashtohet mundësia që disa vargje te kesaj poeme të kenë qarkulluar në zonën e Skraparit në kohëra të hershme dhe jane marre nga mbledhësit e folklorit duke u përpunuar. Po kush ishte Ajdin Muzaku? Nga ishte ai? Kishte lidhje me familjen e Muzakajve të Beratit?
Për këtë strateg ushtarak dhe njëkohësishtë heroi i luftës së Torviollit kemi pak materiale ose aspak. Sipas disa historianëve dhe studiuesve skraparas Ajdin Muzaku mundë të jetë nga kjo trevë. Ndërsa Fan Noli në faqen 122 dhe 123 thotë se “-Princi Aidin Muzaka, ishte i vëllaj i Gjin Muzakes, te shoqit te Vllajkes Kastrioti, se motres se Skenderbeut (Shih librin “Historia e Skënderbeut : Gjerg Kastriotit, Mbretit te Shqiperise, 1412-1468 / Fan S. Noli, botuar në Boston, USA nga Shtypeshkronja “Dielli” 1921 fq 122-123). Po këtu Noli citon Barletin i cili midis të tjerave thotë se: Sagittarios mox reliquum robur peditatus, et scutatorum ac hastatorum agmina cum Aidino Gnei (Musachii) fratre sequebantur (Shih Barletin, L. II, f. 48). Pra Aidin Muzaka është vëllai i Gjin Muzakës.
Ndërkohë Noli kundërshton Biemmi-n (Giammaria Biemmi prift katolik nga Breshia e Italise i cili shkroj librin Skënderbeu në 1742) i cili ne Librin I faqa 46 thotë se; Aidin Muzaku është vellai i Stefan Darenit, te cilin e ngaterron me Princin Stefan Cernovic te Malit te Zi. Por sipas shkrimtarit Llazar Siliqi mbiemri Muzakaj ka egzistuar në zonën e Oparit, Tomorricës dhe Sulovës ( shih “Albanian contemporary prose”, Llazar Siliqi, Tiranë 1963, fq. 108). Pra në një territor të ngushtë midis Oparit, Tomorricës dhe Sulovës i cili ndahej apo bashkohej ndërmjet krahinave nëpërmjet një lumi ose një kodre, në kohëra të hershme vështir se mund të gjendeshin kufijët të ndara si me thikë.
Por në kronikën e lënë nga Gjon Muzaka në faqen 296 të përkthyer nga Hopf thuhet se:
“…Në Tomoricë në vendin tonë ishin katër baron që i njoh unë. I pari ishte Ginno de Bogdani (Gjin Bogdani) i cili kishte Barloi-n dhe pesë fshatra të tjera. Tjetri ishte Bardi Fachiemiri (Bardhi Faqemiri) i cili kishte dy fshatra të tjera të banuara që quheshin Barci (fshati Barc). Dy të tjerët ishin Joan Visagni (Xhon Vishanji) dhe Duca Debril (Duka i Dobrenjit ndoshta) i cili kishte fshatin e Guriscitit (Gurishtit ose gurishte). Ishte edhe Basan Bilochisi i cili mkishte Disguimar-in. Ishte dhe një tjetër që kishte një fshat ose qëndër të banuar. Ky fshati quhej AIDIN. Ishin edhe dy qëndra të tjera njëra kishte Martin Cervota dhe tjetra John Cervota. Ishte dhe një qëndër tjetër e fundit që drejtohej nga Conte de Balguri (Konti Ballgurit) i cili kishte një qëndër të banuar që quhej Guerbësi (Gjerbësi) dhe ishte Vojvoda i Tomorices. (Shih “Chroniques gréco-romanes inédites ou peu connues”, Charles Hopf, 1873, faqa 296 ose shih librin “Early Albania: A Reader of Historical Texts, 11th-17th Centuries”, Robert Elsie, 2003, fq. 51).
Pra kjo e dhënë hedh dritë se në këtë zonë ka qënë një fshat me këtë emër që administrohej nga një kont edhe në vitin 1515 dhe ndoshta ky fshat ka trashëguar emrin e Aidin Muzakut. Nga të dhënat e Gjon Muzakës gjyshi i tij Andrea Muzaka kishte dy vajza njëra prej të cilave quhej Elena dhe ishte martuar me Ajdin Klopes. Nga martesa e tyre kishin lindur dy djem Hasan beu dhe Haxhi Beu. Ajdin Klopes kishte një fshat që quhej Vreshtas. Ndaj nuk duhet ngatërruar fshati AIDIN në Tomorric me këtë si dhe as dy personazhet pra Aidin Muzaku me Aidin Klopes (shih librin “Early Albania: A Reader of Historical Texts, 11th-17th Centuries”, Robert Elsie, 2003, fq. 44). Nga këqyrja sot në terren në këtë zonë nuk egziston fshat me emrin Aidin ose Ajdin, por në fshatin Vlush të Skraparit është një fisë i madh të cilët kanë mbiemrin Hajdini (Ajdini ose Aidini.
Vlenë të theksohet se në këtë fshat janë gjetur artifakte të cilat flasin për një vëndbanim mijëra vjecar). Po kështu në Skrapar egziston edhe një fshat me emrin Muzhak ose Muzak, por disa studiues mendojnë se emri i tij vjenë nga sllavishtja që do të thotë “Muzh”, dhe ka kuptimin vënd me lëndina. Autori Harry Hodginson thotë se: Ajdin Muzaku ishte oficer shqipëtar në Stamboll dhe në 1443 dezertoj dhe u kthye në Shqipëri duke u bashkuar me Skënderbeun. Sipas tij, Aidini isht konvertuar në fenë myslimane. Interesat është emri Aidin ( Aydin ne anglisht, Ajdin ose Hajdin) i cili në turqisht ka kuptimin i shëndritëshëm, por ky emër përdorej dhe akoma përdoret nga Celtiko- Ilirët në variantin Aiden (Eiden) dhe ka kuptimin e perëndis së zjarrit tek celtët, ose zjarri i vogel. Pra ndoshta Hodgkinson pandeh se edhe emri është osman kur ai fare mirë mund të ketë qënë emër arbër i osmanizuar.
Beteja e Torviollit dhe roli i Ajdin Muzakut në këtë betej.
Sipas historianit Kristo Frashëri (shih K. Frashërin fq. 139-141) i cili citon priftin italian G. Biemmi, Torviolli është gjetur dhe mund të ketë qënë në atë që quhet Dibra e Poshtme. Fusha e saj sipas tij ishte 11 km e gjatë dhe 4,8 km e gjerë, të njëtën panoram jep edhe Fan Noli. Ai thotë se : Fusha e Torviollit është quajtur keshtu nga nje fshat i vogel me ketë emer (Torvioll sipas K. Frashërit ka kuptimin tokë e askujt). Kjo fushë ishte sipas pershkrimit te Tivarasit, shtate milie e gjate (11 km) dhe tre milie (4,8 km) e gjere, e rrethuar prej malesh, brigjesh dhe pyjesh nga te gjitha anet ( shih fq. 124). Fan Noli vazhdon se, Skënderbeu ishte informuar me detaje për numrin dhe përbërjen e ushtrisë armike. Ndoshta pa dashje Noli tregon se për herë të parë në historin e tyre shqipëtarët kishin ngritur nësë mund ta quajmë me fjaët e sotme një shërbim informativ ose sic e quan Noli një zyrë spiunësh ushtarakë. Agjentët e kësaj zyre ishin në Ederne dhe në të gjitha pikat kyce që të shpinin nga Stambolli në Shqipëri (Shih Fan Nolin fq. 121).
Më tej Noli tregon se kur Skënderbeu mori lajmin se Ali Pasha (gjenerali osman i cili ishte caktuar në krye të ushtrisë për të shtypur shqipëtarët) po i afrohej Shqipërisë, ai mblodhi ushtrinë e tij dhe doli në fushë. Afër Kasharit, i cili sot është një fshat afër Tiranës, ai vizitoj ushtrinë e cila sipas tij përbëhej nga 15, 000 forca( 6 000 këmbësor, 7 000 kalorës dhe 2000 kalorës të tjer nga Princërit e Ligës. Këtë numër luftëtarësh na e paraqet dhe historiani Abas Ermenji i cili midis të tjerave thotë se ;
“…Rasti erdhi më Qershor të vitit 1444. Një ushtëri turke prej 25.000 vetash, pjesa më e madhe kalorësi, nën komandën e Ali Pashës, hyri në Shqipëri nga anë e Kosovës dhe zbriti në Dibrën e Poshtme. Sulltan Murati II mendoi se do t’a shtypte edhe këtë herë kryengritjen shqiptare ashtu si kishte shtypur ato të mëparshmet. Skënderbeu, i lajmëruar për afrimin e ushtërisë turke ( nga shërbimi i tij sekret, shënimi im), i dolli përpara në fushën e Dibrës me ushtrinë shqiptare që ai kishte pregatitur brenda disa muajve. Kjo përbëhej prej 15.000 vetash, pjesa më e madhe e rekrutuar në principatën e Skënderbeut, dhe vetëm nja 2.000 kalorës qenë dërguar nga krerët e tjerë të Lidhjes. Çasti ishte vendimtar, sepse në këtë përpjekje të parë vihej në provë qëndresa shqiptare.
Oficerët dhe ushtarët, përgjithësisht të rinj, nuk ishin mësuar deri atëhere të përballonin në fushë të hapët një armik aq të fortë sa ç’ishte ushtëria turke. Populli dukej më i shqetësuar akoma. Fshatarët fusharakë iknin maleve ose futeshin nëpër fortesat. Gra, pleq e fëmijë rrinin gjithë ditën në kishë duke iu lutur Perëndisë që ta shpëtonte vendin nga rreziku. Vetëm Skënderbeu qëndronte i patronditur. I fliste popullit për t’a qetësuar, iu fliste oficerëve dhe ushtarëve për t’iu dhënë zemër dhe për t’i siguruar se do t’a fitonin betejën (Shih Abas Ermenj- Vëndi që Zë Skënderbeu në Historinë e Shqipërisë, Tiranë 1996, fq 41-42 si dhe Fan Nolin fq. 122). Pikërishtë në faqen 122 të librit te tij për Skënderbeun, Fan Noli përmënd për herë të parë Ajdin Muzakun. Ja si thot ai: Gjer tani Shqiptaret ishin mesuar me disfata dhe mjerime. Ishte rende per ta që të besonin se ishte e mundur t’u buzeqeshte fati.
Shenjat nuk ishin shume te mira. Si ushtaret, si oficeret, ishin te rinj e te papjekur dhe nuk kishin parë kurrë beteja frontale me sy. Pervec vetem dy ofìcereve veterane të cilët e dinin mjeshtërinë e artit ushtarak shume mirë. Këta ishin Aidin Muzaka i cili kishte sherbyer disa vjet si oficer i ushterise turke dhe kishte ikur nga andej qe te bashkohej me Skenderbene; si dhe Vrana Konti (Shih Fan Nolin fq 122-123). Në burimin e cekur më sipër këtij shkrimi sipas Harry Hodgkinson, Aidin Muzaka ka dezertuar nga fundi i vitit 1443 nga osmanët dhe i është bashkuar Skënderbeut ( Shih “Scanderbeg: From Ottoman Captive to Albanian Hero” Harry Hodgkinson fq 75- 80). Po sipas autorit Ahmed Shendy Yousef, Ajdin Muzaka heroi i betejës së Torviollit gjatë kohës që kishte qënë në Stamboll ishte konvertuar ne islam por religjoni i tij i parë është i papërcaktuar ( Shih “Islam ëith in Judaism and Christianity, A Voice From The Past: Shedding Light” Ahmed Shendy Yousef, 2014, fq 138).
Por le të vazhdojmë më tutje. Me këtë ushtri Skënderbeu u drejtua në fushën e Torviollit të cilën sipas Fan Nolit e kishte studiuar më parë. Abaz Ermenji tregon se fusha e Torviollit ishte e ngushtë dhe e rrethuar nga male dhe pyje. Ky terren ishte shumë i favorshëm sipas planeve që kishte bërë Skënderbeu. Të dy si Fan Nolit edhe Abas Ermenjit thonë se plani i Skënderbeut ishte që të fshinte një pjesë të ushtrisë në pyje dhe malet aty pranë dhe ti lëshonte në kohën e duhur. Qe te mos kuptonte armiku qe ne ketë fushe i kishte ngritur pusine, Skënderbeu la ne Torvioll vetem një pjesë të ushtrisë , dhe ai vetë me gati shumicën e ushtrisë shkoj më tutje për të pritur ushtrin osmane. Kur ushtria osmane u përball me ushtrinë e Skënderbeut ky me një taktik luftarake të një strategu të pashoq u tërhoq në brëndësi të fushës së Torviollit bashkë me ushtrinë e tij duke i dhënë Ali Pashës përshtypjen se ai e futi Skënderbeun në vrimë dhe në një vënd të izoluar nga ku nuk kishte ku të shkonte. Skënderbeu vazhdonte të prapsej ndërkohë që po futej dalë nga dalë në fushën e Torviollit.
Dy nga oficerët e tij më të zotë në artin ushtarak, Vrana Konti dhe Aidin Muzaka, e ndihmuan në këtë taktikë: i pari, duke i qëndruar përballë ushtërisë turke për të penguar përparimin e saj, dhe i dyti duke rreshtuar në Torvioll grupet e ushtërisë shqiptare që prapsëshin dhe arrinin aty pak e nga pak. Ndonëse të pamësuar me manovra të tilla, Shqiptarët lëvizën rregullisht, duke zbatuar urdhërat, dhe puna shkoi mirë, siç ishte parashikuar. Kur u kthye Skënderbeu në Torvioll, e gjeti ushtërinë të radhitur sipas planit. Komandën e krahut të djathtë e kishte Tanush Topia me Labërit e Aranitit dhe malësorët e Dukagjinit; komandën e krahut të majtë e kishte Moisi Golemi me Dibranët; në qendër ishte vetë Skënderbeu me gardën pretoriane, i ndihmuar nga Aidin Muzaka dhe Gjergj Stres Balsha. Një fuqi prej 3.000 kalorësish, të komanduar nga Hamza Kastrioti, Muzaka i Angjelinës, Zaharia Gropa, Pjetër Emanueli dhe Gjin Muzaka, ishte dërguar të fshihej në një pyll aty afër, me urdhër që të mos lëvizte gjersa të ndizej beteja në të gjitha anët. Trupin e rezervës prej 3.000 vetash, gjysma kalorësi dhe gjysma këmbësori, e komandonin Kont Urani dhe Marin Spani.
I pari, me kalorësinë, duhej ta sulmonte armikun përballë kur Hamzë Kastrioti me shokë t’i kishin rënë befasisht nga krahët. I dyti, me këmbësorinë, nuk duhej të lëvizte veçse kur ushtëria turke të jepte shënja tronditjeje. Skënderbeu kishte vënë kudo kalorësinë përpara, mbasi pjesa kryesore e ushtërisë turke ishte kalorësi dhe beteja do të niste me një përpjekje kuajsh. Por skuadrat ishin rregulluar në mënyrë që edhe këmbësoria të merrte pjesë në luftim pa qënë e penguar prej kuajvet( Shih Abaz Ermenjin fq 41-42 dhe dhe Fan Nolin fq 125). Sipas Klement Klark ne librin e tij “George Castriot, surnamed Scanderbeg, king of Albania”, Aidini kishte vendosur në fillim harkëtarët ndërsa pas tyre ishin këmbësoria dhe kalorsia. Aidin Muzaka ishte komandanti kryesor i këmbësorisë në qëndër të sulmit ( shih George Castriot, surnamed Scanderbeg, king of Albania”, fq 49).
Më tutje Noli na tregon se kur ushtritë u vendosën përball njëra tjetrës ishte në të ngrysur. Të dy ushtritë ishin të lodhura por asnjëra palë nuk lëvizi nga isnikami për të pritur ditën e nesërme (shih F. Nolin fq 126). Kur u gdhi dita e 29 Qeshorit, shqipëtarët ngelën të habitur, fusha e tërë ishte mbushur me turq dhe malet oshëtinin nga daullet e tyre. Para se te zbardhej Skënderbeu dha urdhër që ushtarve tu jepnin mëngjezin. Pastaj nga frika se mos ata vërviteshin të parët në luftë doli para tyre dhe ju dha zëmër. Nderkohe sulmi i turqëve nuk vonoj. Ermenji tregon se, me një bërtimë të përgjithshme dhe tmerronjëse, turqit u lëshuan kundër ushtërisë shqiptare. Ne atë çast, trumbetat e gardës pretoriane dhanë shënjën e betejës, dhe Skënderbeu u hodhë në sulëm duke iu thirrur Shqiptarëvet me zë të fortë (Noli në faqen 128 të punimit të tij citon Frëngun i cili thotë se Skënderbeu para se te niste betejën bëri kryqin e perendise duke thirrur me ze te forte: “Hani burra dhe shoke” dhe më pasë u sul i pari ne zjarr me Aidinin (Aidin Muzakën).
E tërë garda, me Aidin Muzakën dhe Gjergj Balshën, e ndoqi pas si një trup i vetëm. Beteja ishte shume e ashper dhe e pergjakshme. Më ngushtë e pa krahu i Tanush Topias. Shumë kapedanë nga më të mirët ishin vrarë, ndër ta edhe Anton Linjërosa, komandanti i Labërve dhe i Himariotëve. Sipas Nolit i cili citon Barletin(fq 128). Ne këtë çast, u sul ushtria e cila ishte fshehur në pyll nën komandën e Hamza Kastriotit dhe goditi ushtrinë turke nga krahët, kurse Vrana Kodi e goditi ballas. Krahu i majtë i ushtrisë u thye menjëherë. Ndërkohë që edhe Moisiu me Dibranët dërmoj krahun e djathtë. Mbetej qëndra ku ishte Ali Pasha me bërthamën e ushtrisë osmane. Në këtë moment Skënderbeu e sulmoj fuqishëm duke vrarë shumë armiq në të dy krahët e tij. Në këtë kohë Skënderbeu u ndje i rrezikur kur garda mbretërore me Ajdin Muzakën u turrë menjëherë duke mbrojtur Mbretin e Shqipëtarëve (Shih Fan Nolin fq 128 si dhe, Clement Clarke faqa 49). Turqit u thyen plotësishte dhe sic thote Noli morën arratinë por shqipëtarët ishin aq të lodhur sa nuk kishin forcë ti ndiqnin. Sipas Clement Clarke: Lufta kishte vazhduar nga ora 9 e lindjes së diellit deri në orën 3 pasdite (6 orë papushim).
Bilanci i kësaj beteje lengjedare sipas Clark ishte ky; shqipëtarët kapën njëzet e katër flamuj të turqve, 2000 e armiq i zunë robër dhe 22.000 osman mbetën të vrarë. Humbja e shqipëtarëve ishte shumë e vogël. Thuhet se jan vrarë 120 luftëtar shqipëtar, edhe pse numri i të plagosurve ishte më i lartë (Shih George Castriot, Surnamed Scanderbeg, King of Albania, Clement Clark 1850, fq 49 dhe 50). Ndërsa Abas Ermenji na jep një panoram tjetër të bilancit të luftimeve. Sipas tij : Osmanët lanë 7.000 të vrarë në fushën e betejës, 500 robër dhe 24 flamurë në duart e Shqiptarëvet. I tërë kampi i ushtërisë turke, me plaçkat, ushqimet dhe mijëra kuaj, mbeti aty. Nga Shqiptarët pati 1800 të vrarë dhe 2.000 të plagosur, prej të cilëve nja 400 vdiqën pastaj (Shih Vëndi që Zë Skënderbeu në Histori, Abas Ermenji, Tiranë 1996 fq. 42).
Por panoramën më të plot e jep Fan Noli, ai thotë se: Humbjet e osmanëve ishin 8,000 të vrarë dhe 2,000 robër , 24 flamuj u kapën me gjithë kampin e tyre me tenda dhe ushqime dhe mijëra kuaj. Sipas Nolit imagjinata popullore e rriti numrin e pjesmarrjes së ushtrisë osmane në këtë betej si dhe bilancin e humbjes së ushtrisë armike. Nga 25 000 që kishte qënë numri i ushtarve osman në këtë betej, ishte bërë 40 000 si dhe numri i të vrarëve nga 8000 ishte bërë 20 000. Sipas Nolit i cili citon Barletin nga shqipëtarët mbetën të vrarë 1600 ushtar prej të cilëve 120 ishin krerët e ushtrisë së Skënderbeut. U plagosën 2000 luftëtar nga të cilët 400 vdiqën më pasë. Nolit, Barletit dhe Abaz Ermenjit thonë se, njëri nga të plagosurit rëndë ishte strategu i dytë, pas Skënderbeut, i kësaj beteje. Ajdin Muzaku. I cili prej plagëve të shumta të mara në këtë betej vdiq në muajin Dhjetor të atij viti(Dhjetor 1444).
Ndërsa Ernest Koliqi dhe Nazmi Rrahmani në librin e tyre “Kushtrimi i Skënderbeut” në faqen 248 botuar nga shtepia botuese Faik Konica, 2003, thon se Aidin Muzaka vdiq një muaj pas betejës së Torviollit, pra në Korrik ose fillim Gushti të vitit 1444. Ka mundësi që Noli dhe Ermenji mund të jenë më të sakt për muajin Dhjetor. Ajdin Muzaku sipas tyre u qa nga gjithë ushtria dhe vecanarishtë nga Skënderbeu i cili kishte shpresa të mëdha në zgjuarsine, trimërin dhe përgatitjen ushtarake të tij. Kjo është përmendur edhe tek vargjet e vjershës së poetit Kol Jakova në librin “Garda Krutane” kur ai midis të tjerave thotë se:
Skënderbeut s’ju terën sytë/
Se nuk bënë më nëna Ajdin të dytë/
Gjithëashtu dhimbja dhe pikëllimi për vdekjen e Ajdin Muzakut është përshkruar mjeshtërishtë tek Opera “Skënderbeu” e vitit 1968 me autor Llazar Siliqin dhe vënë në skenë nga Preng Jakova me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Dhimbjen e madhe që ka ndjer Gjergji për vdekjen e Ajdin Muzakut e tregojnë shume bukur këto fjal ku dhe në castin e vdekjes ai e përmend heroin dhe strategun e betejës së Torviollit, Ajdin Muzakun.
Vetem ne varr Donik, do e gjeje une qetesine/
Mu deshe te luftoja edhe kunder gjakut tim/
Duhet ti dish te gjitha biri im/
Vetem njeher ne shpatull u plagosa/
Vecse ne zemer kam shume plage/
Beratin e kam plage edhe vendin te shkretuem/
Ku jane? Ku shkuen?
Zemerluani Ajdin Muzaka…
(shih Opera SKENDERBEU 1968 nga Llazar Siliqi, vënë në skenë nga Preng Jakova botuar tek Revista Ylli Volumi 9, Viti 1968, Tiranë, Shqipëri)
Roli i Ajdin Muzakut në fitoren e betejës së Torviollit ishte i madh. Sipas Fan Nolit, pas Skenderbeut, Aidini i plagosur vinte i dyti ne nderet e betejes dhe meritoj lëvdatat e përgjithëshme të trimërisë dhe mjeshtërisë. Pas tij vinte Vrana Konti dhe të tjerët. Ajdin Muzaka në këtë betej u tregua jo vetëm trim por dhe strateg ushtarak i pashoq. Nëse Skënderbeu përdori planin me anë të të cilit i doli para ushtrisë turke dhe duke bërë gjoja tërhiqej në brëndësi të Torviollit duke krijuar përshtypje tek turqit se po thyhej.
Ai i dërgonte grupe grupe ushtarët e tij të tërhequr tek Ajdin Muzaka i cili qëndronte në vëndin ku do përballeshin dy ushtrite. Pasi grupet e ushtarëve afroheshin tek Ajdin Muzaka, ishte ky që i rreshtonte ata duke i vendosur sipas nje strategjie të përcaktuar që më parë. Përvecse Ajdin Muzaka luajti rolin e vendosjes së trupave në terren ai mori direkt pjesë në luftë përkrahe Skënderbeut në frontin kryesor, në ballin e saj. Në një rast kur mbreti u rrethua, ishte Aidini që u vërvit në mbrojtje të tij si luan.
Në fund dua ta mbyll shkrimin se është në interes të historisë si dhe ceshtjes kombëtare shkundja e pluhurit të harresës si dhe carja e perdes së errësirës së shekujve, për të nxjerë në dritë figurën e strategut të luftës së Torviollit, heroin Aidin Muzaku. Do ishte mirë që historografia jonë të zbulontë dicka më shumë rreth kësaj figure kombëtare, duke hulumtuar edhe nëpër arkivat e Stambollit ose dhe ato të huaja. Ndërkohe është në nderin e pushtetit lokal ngritja e bustit të tij në Skrapar ose Berat.
BIBLIOGRAFIA
1. Gjergj Kastrioti Skënderbeu: jeta dhe vepra (1405-1468) Autori Kristo Frashëri, Tiranë Botuar nga Toena, 2002
2. Vëndi që Zë Skënderbeu në Historinë e Shqipërisë, Abas Ermenji, Tiranë 1996
3. Scanderbeg: From Ottoman Captive to Albanian Hero, Harry Hodgkinson, 1999
4. George Castriot, surnamed Scanderbeg, king of Albania, Clemet Clarc, 1850
5. Historia e Skënderbeut : Gjerg Kastriotit, Mbretit te Shqiperise, 1412-1468 / Fan S. Noli, botuar në Boston, USA nga Shtypeshkronja “Dielli” 1921
6. Garda Krutane, Kolë Jakova, Tiranë 1967
8. Skrapari: Almanak 1977″, Tiranë nga Shëptia Botuese “8 Nëntori”, viti 1978
9. Albanian contemporary prose”, Llazar Siliqi, Tiranë 1963
10. Early Albania: A Reader of Historical Texts, 11th-17th Centuries”, Robert Elsie, 2003
11. Chroniques gréco-romanes inédites ou peu connues”, Charles Hopf, 1873
12. Gjergj Kastrioti Skënderbeu: jeta dhe vepra. Kristo Frashëri, Tiranë 2002
13. Opera Skënderbeu,Tiranë 1968 nga Llazar Siliqi, vënë në skenë nga Preng Jakova botuar tek Revista Ylli Volumi 9, Viti 1968, Tiranë