Jozefina Traboini: Në Shqipëri lumturia është e rreme!

0
979

GongNews.al, 28 dhjetor 2017

Jozefina Traboini autorja që me ndjenjë di të depërtojë në detajet e jetës ashtu siç di të futet në intimitetet e femrës, që nga bluza e gjerë tek parfumi, tek misioni i saj si nënë e pendesa që e ngacmon vazhdimisht për çdo gjë që nuk është vendosur mirë në jetë (siç shprehet edhe në vargje): Pendesa çdo natë më prish gjumin/Pëshpëris në heshtje/lotohem pa u ndjerë…! E vendosur tashmē mes Shqipërise dhe Italisë, aty ku jetojnë fëmijët e saj, ka rrëfyer me ndjenjë për Gongnews copëza ndjenje dhe pjesëza nga jeta e saj.

Znj. Jozefina Traboini, një kombinim mes shkrimtares dhe juristes, cila ju rri më mirë apo tek të dyja e gjeni veten?

Znj. Jozefina Traboini: Faleminderit për intervistën në radhë të parë dhe stafit tuaj të mrekullueshëm, rrugëtim të mbarë në nismën dhe bamirësine që bëni, kjo punë e vepër e vyer, plot mirësi që beni, ju bën ndryshe nga portalet e tjera, Jeni me të vertetë për t’u admiruar! Në lidhje me pyetjen: E quaj vetën me fat, pasi janë dy profesione aq të bukura, aq të pëlqyera, aq të vështira, dhe gjëja që mund të thoja, është se i dua të dyja pa i ndarë, por nga profesioni apo puna e juristës mund të ndahem një ditë, ndërsa nga shkrimi besoj kurrë, deri sa të mbyll sytë.

Si e përshkruan prespektivën e librit në Shqiperi, a ka kritikë apo të gjithë shkruajnë dhe zë fill ajo shprehja “nje popull shkrimtar dhe kengëtar”?

Znj. Jozefina Traboini: Po, mund të them me plot mendje dhe gojë, pa të voglin hezitim që në vendin tim, e tonë, prespektiva e librit është e vakët për sytë e mi. Besoj se është edhe mendim i shumë kujt. Kritika letrare zë një vend tepër të zbrazët. Lë shumë për të dëshiruar. Nuk mud të them që jemi një popull që nuk e duam leximin, jo, por jemi një popull ku dominon gjendja meskine. Dëshirohen dhe lëvdohen, të njëjtët shkrimtarë, ka hapësira të pakta për të rijtë, madje edhe reputacioni që I behet librit në lidhje me marketingun është një deficit i madh moral në lidhje me vlerat që mund të kenë të tjerët përsa i përket shkrimit. Eshtë një temë pa fund si vetë shkrimi. Shkrimi është dhunti, është talent, jo të gjithë bëjnë poezi. Do të doja shumë të ishim një popull “unik” shkrimtar apo këngetar, por rruga për këtë titull do kohë, do jetë. Dhe në ketë vend kjo është një ndarje, madje një hendek I madh Ka dy veçori ky futemi si “Në njerëz që shesin vlerat e tyre, dhe njerëz që falin vlerat e tyre” dhe për ketë me vjen shumë keq.

Ju personalisht pëlqeni prozën, poezinë apo romanin?

Znj. Jozefina Traboini: Të them të drejtën nuk di t’i ndaj. Por proza është ajo që me terheq, më lë pa fryme deri sa e përfundoj së lexuari. Të gjitha kanë shijen e vet në zemren time. Poezia është këndimi i shpirtit, për mua. Proza është si ajo vajza e bukur që I shkon mbrapa sepse je i dashuruar marrëzisht. Romani është një kombinim ngjarjesh, ndodhish që mendoj se të gjithë duhet të rendin pas tij, të kuptohemi për çka jetojmë. Unë i dashuroj të gjitha, madje e kam shprehur edhe herë tjera, për mua leximi qoftë i çdo zhaneri është buka ime e përditshme.

Pëlqeni më shumë gegnishten në të folur, po në të shkruajtur, cili është raporti?

Znj. Jozefina Traboini: T`ju them të drejtën, prekem shumë në një pikë që nuk mund të bëj ndryshe. Gegnishtja për mua është fryma, është ushqimi bazë i gjuhës apo letersisë tonë. Unë vij nga një vend, ku kam rrënjët e mia e të parëve të mi. Eshtë jetuar me dialektin gegë, madje i kam bërë edhe poezi dialektit tim. Unë jam një person, por mendoj për të gjithë bashkëqytetarët e mi që ne jemi njerëzit më të priviligjuar të kombit që kemi një dialekt të tillë. I joni nuk kopjohet, flitet e jetohet, por mbi të gjitha dashurohesh me të. Eshtë një amëlsi ku tingëllon fuqishëm çdo fjalë e këtij dialekti të bukur fisnik, elegant, edhe mënyra e mimikës kur e shpreh shoqërohet me gjeste që i japin hijeshi çdo bisede apo edhe fjalë. Nuk kam asgjë me gjuhën standrate, eshtë gjuha e vendit tim. Bile unë po shprehëm në ketë gjuhë. Por dialekti gege mbetet “ajka e gjuhësisë “Muza” pa të cilën nuk mund të bejë asnjë kombas pa e përmendë. A e din atë shprehjen “Shkodran lind, nuk bahësh”! Jam shumë krenare për korifejtë e gjuhës sonë. Që i dhanë jetë dhe do mbetet në shekuj përjetësia e veprave të tyre, në dialektin gege. Që nga Buzuku, Mjeda, Fishta, Gjecovi, Camaj , Koliqi e shumë e shumë të tjerë pa lenë menjanë kokat e kombit, klerikët e marterizuar ku me dijen e kulturën e tyre ngritën kombin në këmbë, duke i dhuruar jetës gjuhën shqipe. Dialekti im është primar në jetën time, është rruga me të cilën eci çdo ditë.

Di që jeni mama e dy djemve, cili është drejtimi që ju keni dhënë, do donit një vajzë?

Znj. Jozefina Traboini: Faleminderit zotit, po kam dy djelm. Një 26 vjeç, dhe një 21 vjeç. Fëmijet e mi kanë lindë e rrite në Romë, pasi unë dhe burri im kemi emigruar qysh herët në shtetin fqinjë Italinë. Shkollat i kanë filluar e mbaruar atje deri diku, por ne më pas u kthyem në atdhe, dhe për këtë, për djemte e mi ndjehëm në faj. Nuk dua ti futem temës së patriotizmit, atë gjithkush e ka për veten, bilës unë jua kam mësuar shqipën qysh të vegjël, por femijët e mi i shkëputëm nga një realitet i të ecurit përpara, ata i kthyem mbrapa sepse dihet që vendi ynë është shumë hapa mbrapa vendeve perëndimore, ku e drejta e njeriut është bazike, ndjaj edhe aspirojmë të futemi në Europë, por jemi larg të qënurit të saj. Ndaj edhe e ndjej veten fajtore, por të dy kanë mbaruar universitetet, kanë ikur përseri, jetojnë larg punojnë. I kemi lenë të lirë të bëjnë jetën e tyre. Uroj që të arrijnë të venë në jetë shkollat për të cilat ata kanë mbaruar. Jam shumë e lidhur me ta, marr edhe shumë kritika nga im shoq në lidhje me dashninë që I fali çdo second. I përkedhel shumë me thotë, ndërsa mua me duket se nuk bëj asgja më shumë se detyrën teme si nanë. Çdo nanë do më të mirën për bijtë e saj. Ah! vajza , nana pa vajzë, është e varfër. Më mungon shumë, sidomos tim shoqi që I adhuron vajzat, por ky ishte fati im. Shpresoj në jete t’ja arrjmë ndonjë mbesë, apo edhe nipi, njësoj. Më kanë premtuar djemtë e mi që do ti venë emnin tim, se di…do isha shumë e lumtur për këtë.

Sipas jush politika në këtë vend po e bën detyrën si duhet, shqiptarët janë të lumtur dhe sa kontriboni ju për ta ndryshuar këtë politike nëse nuk është e duhura?

Znj. Jozefina Traboini: Jo, unë jam një tip skieto. Çfarë do të thotë? Atë çfarë mendoj e shprehi pa frikë edhe pse më kushton shumë ndonjë herë. Kurrë nuk është shumë, “një shumë për një popull të rrënuar nga vuajtjet siq është ky i yni. Politika jonë “e drejtë” për populin tonë ka ekzistuar shumë pak. Detyra politike për një komb, është detyrim, është punë, është dobi shoqërore. Kjo e fundit mungon shumë, dhe degradimi i politikës shihen e ndjehët në çdo instancë që punojmë dhe jetojmë. Do të doja shumë të flisja për të, por është një temë, që ka fillim, por mbarim kurrë. Jo për pasion, por për faktet. Shqiptarët nuk futen në rradhën e popujve të lumtur. Ne nuk jemi nodrike, ku edhe pse është ngricë e ftohtë lumturia preket me dorë. Shqiptarët futen në vazhdën e atyre popujve ku lumturia ka emrin “fasade”. Unë kam jetuar shumë vite në Europë, kam shëtitur shumë shtete, nuk mund të them lumturia mbizotëron kudo, aspak. Por në vendin tonë, mjerimi ka lulëzimin, Lumturia është e rreme. Jam përpjekur me mundësitë e mia të kontriboj me modesti në lidhje me ndryshimin sado pak, apo të jap ndihmesën time në interesat e vendit, si me shkrimet dhe lobimet e mia në organizata e forume të ndryshme nepër evente. Do të doja të kontriboja shumë më shumë, për ketë gjë, edhe jashtë mundësive të mia, dhe do vazhdoj ta bëj gjithmonë.

Dhe në fund çfarë do i uroni familjes tuaj për festa dhe portalit gongnews. al?

Znj. Jozefina Traboini: Në radhë të parë I uroj çdo shqiptari dhe çdo qytetari të botës, një vit të mbarë, te kenë shendet, paqe e harmoni në familjet e tyre, kudo që ndodhen. Ju uroj ju një vit sa më të bukur e të begatë në rrugëtimin tuaj fisnik, që keni marrë përsipër në ndihmë të shtresave në nevoje. Te keni sa më shumë sukses të merituar. Dhe në fund I uroj familjës sime, djemve të mi, çdo të mirë që ka jeta, ta gëzojnë ato. Nënës time të dashtun shëndet e forcë sepse e kam te ligshtë keto kohë. Dhe natyrisht një falenderim dhe respekt për ketë intervisë tuajën që ma bëtë dhuratë për ketë vit. Jeni të mrekullueshëm, dhe gezuar festat të gjithë sa jeni me përzemërsinë më të madhe, me del nga shpirti ky urim.