Josef Martinsen: Turp për ty Kosovë!

0
136
Josef Martinsen

( pjesa e parë )

Përgatitur nga Fahri Xharra

Josef Martinsen (76 vjeçar, i lindun në Stavanger të Norvegjisë) asht i diplomuem në ushtri, ku edhe ka shërbye për 17 vjet në pozita të ndryshme mbrenda dhe jashtë vendit.

Në verë të vitit 1999 ai u angazhue nga NKN (NCA) dhe UNHCR për tetë muej për me koordinue nji program emergjent të quejtun “pastrimi i puseve nga trupat e pajetë të njerëzve” në Kosovë.

Nga viti 2001 deri në vitin 2010 ai ka shkrue dy libra dhe ka inicue nji film dokumentar në lidhje me katërqind varrezat masive që janë regjistrue nga GJND’ja (Gjykata në Hagë që u krijue në vitet ’90) që janë raportue në Këshillin e Sigurimit të OKB’s në Nandor të vitit 1999.

Ai në nji letër dërgue televizionit Rrokum, ka shpalosë keqardhjen e tij për qëndrimin, qysh e ka quejtë ai negativ e të pa i magjinueshëm të Qeverisë dhe Parlamentit të Kosovës për të drejtat e njeriut të grave, e me theks të veçant për gratë e dhunueme seskualisht dhe ato të dhunueme gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Po ju sjellim në plotni krejt atë që ka shkrue Martinsen për këtë çashtje n’origjinal:

Një popull që para shtatëmbëdhjetë vjete u shpëtua nga perëndimi dhe që mori miliarda euro / dollarë në mbështetje, në këto shtatëmbëdhjetë vjet autoritetet i kanë lënë pas dore krejtësisht viktimat e pafuqishme të luftës në Kosovë, ato të abuzuara seksualisht dhe gratë e përdhunuara. Udhëheqësit politikë gjatë gjithë këtyre viteve që kur Kosova u çlirua kanë dështuar për t’i ndihmuar këto gra viktima që të kenë një jetë dinjitoze. Sundimi i ligjit dhe i drejtësisë për gratë mungon në Kosovë. Perëndimorët duhet të bëjnë që Kosova të jetë përgjegjëse për mungesën e sundimit të ligjit, barazisë para ligjit dhe të drejtave të njeriut në përgjithësi për gratë.


Turp për ty Kosovë

1. Hyrje

Më vjen keq që më duhet të shkruaj këtë artikull për Kosovën dhe për faktin si ajo nuk arriti te kujdeset për viktimat e saj më të rrezikuara të luftës 1998-99.

Pasi kam ndjekur për gjashtëmbëdhjetë vite nga afër historinë në krijim të shtetit më të ri të Kosovës, unë ndjehem i turpëruar se si ajo si një shtet sovran iështë shmangur përgjegjësisë që ka ndaj viktimave të dhunës seksuale të kryera gjatë luftës.

Hera e parë kur e kam ngritur këtë çështje publikisht ishte në vitin 2010 kur e kam prezantuar librin tim të dytë “Çfarë ndodhi në Kosovë ? 1998-99 një dokumentacion” në Biblotekën Kombëtare në Prishtinë. Hera e dytë ishte në vitin 2014 kur kam prezantuar trilogjinë time për krimet e luftës, dy libra dhe një film dokumentar. Tani është hera e tretë që po e adresoj këtë çështje, dhe po ndihem shumë keq se si ende asgjë nuk është bërë për zgjedhjen e kësaj çështje, kompenzimin ose sigurimin e njëpensioni për gratë që ishin sulmuar dhe abuzuar seksualisht gjatë luftës dhe të cilat janë lënë anash nga shoqërija.

Gjashtëmbëdhjetë vite kanë kaluar që kur krimet, abuzimet seksuale ndodhën.

Mos zgjedhja e këtij problemi të kompenzimit, u ka shkaktuar këtyre viktimave vuajtje dhetë tjera. Kosova u detyrohet të paktën një kërkim falje ketyre grave, por mua më duket që autoritetet më parë zgjedhin ti shohin këto gra duke u zhdukur ose duke bërë vetëvrasje se sa të bëjnë diqka për to.

Është turp se si asgjë nuk ka dal nga bisedimet e autoriteteve për 16 vite. Asgjë nuk është zgjedh, dhe asgjë nuk eshtë premtuar.

1. Kush jam unë për të fajsuar të tjerët ?

Unë jam Josef Martinsen. Takimi im i parëme Kosovën ishte në korrik të vitit 1999, duke e marrë përsipër punën si kordinator në një program emergjent të quajtur “Heqja e trupave të njerëzve nga puset“. Unë isha i punësuar nga UNHCR (Komisioni i Kombeve të Bashkuara për Refugjat) dhe NCA (Kisha Norvegjeze). Pas tetë muajsh në fushë, nga më shumë se 450 puse, që ishin të dyshuara që kishin kufoma brenda janë nxjerrë rreth 127 trupa, të cilët janë regjistruar dhe varrosur.

Pas punës time për UNHCR, kam shkruar një libër për puset “Puset e vdekjes në Kosovë “që qojnë në nismën time private lidhur me katërqind varreza masive të regjistruara dhe raportuara nga kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës Carla del Ponte në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. UNMIKU dhe më vonë qeveria nuk kanë hetuar se si më shumë se 10,000 civil shqiptarë: gra, femijë dhe burra janë vrarë qëllimisht në vitet 1998-99 dhe janë fshehur në varrezat masive në të gjithë Kosovën.

Në pranverën e vitit 1999 shumë prej këtyre varreve u hapën, dhe u transportuan në Sërbi në varre të reja masive për të fshehur provat.

Bazuar në hulumtimet e mija dhe dokumentacionin që kam përpiluar për katër vite që nga viti 2006, unë në vitin 2010 arrita ta botoj librin tim të dytë të quajtur “Çka ndodhi në Kosovë 1998-99 Dokumentacion”. Së bashku me një film dokumentar, këtyre tri veprave i referohem dhe i quaj si “Trilogji e Kosovës”.

Punën time të plotë për atë se çfarë ka ndodhur në Kosovë në vitet 1999-2010 dhe përfshirjen time mund ta gjeni në www.kosovotrilogy.com and www.truth-commission.com

( Nesër pjesa e dytë )

Fahri Xharra, Gjakovë