Xhelal Zejneli
“Vdiq një mbret”! Me këto fjalë u përcoll vdekja e njërit nga dramaturgët më të mëdhenj të këtij qindvjeçari – Ezhen Joneskos (Eugène Ionesco, 1909-1994).
Sipas enciklopedive dhe leksikoneve, Jonesko lindi në vitin 1912. Por, sipas poetit me origjinë rumune të lindur në Vërshac të Serbisë Petru Kërdu (1952-2011), Jonesko ka lindur më 13 nëntor 1909, në Sllatinë të Rumanisë. Babai i tij ka qenë rumun, ndërkaq e ëma franceze. Kreu gjimnazin “Shën Sava” në Bukuresht. Maturën e mori në Krajovë në vitin 1928, ngase profesorët e gjimnazit të sipërthënë e dëbuan nga shkolla. Diplomoi letërsinë në Universitetin e Bukureshtit. Në kryeqytet punoi si profesor. Filloi të shkruajë në moshën 18-vjeçare. Më 1931 botoi përmbledhjen me poezi “Elegji për qeniet e vogla”.
Interesimin e publikut dhe të kritikës e ngjalli si revoltues, si protestues dhe si nihilist me përmbledhjen e eseve dhe të artikujve me titull “Jo” (Nu), të botuar në vitin 1934. Ç’prej vitit 1938, jeton në Francë, ku krijuan edhe shkrimtarë të tjerë me prejardhje rumune si: shkrimtari dhe filozofi Mirçe Eliade (Mircea Eliade, Bukuresht 1907 – Çikago, Ilinois 1986), filozofi dhe eseisti Emil Sioren (Emil Cioran, Rashinari, Rumani 1911 – Paris 1995) etj.
* * *
Poeti francez me prejardhje rumune Tristan Cara (Tristan Tzara, 1896-1963) është njëri nga themeluesit e lëvizjes letrare dhe artistike të quajtur “Dada”, që lindi në hovin e madh të Luftës së Parë Botërore nga revolta e fuqishme e intelektualëve të rinj dhe nga nevoja e tyre për t’i mohuar konvencionet e trashëguara.
Në vitin 1918, Tristan Cara e shkroi manifestin e ashpër me titull “Manifesti i Dadas” (Manifeste Dada). Siorani ndërkaq, qysh në vitin 1934 boton në Rumani veprën me titull “Klithma e të qenët pa shpresë” me idetë mbi absurdin, të cilat më vonë do të përhapen edhe në Francë.
* * *
Në vitin 1950, në teatrin Noctambules të Parisit, shfaqet drama “Këngëtarja tullace” (La Cantatrice Chauve) e Joneskos. Në moshën 41-vjeçare, në metropolin e kulturës, ai përnjëherë bëhet i njohur. Më pas, drama e sipërpërmendur do t’i sjellë dhe famë botërore. Prej atëherë, teatri për Joneskon do të bëhet dramë e gjuhës. Ishte ky teatri absurd.
Shfaqjen e parë të “Këngëtares tullace” e ka shikuar vetëm rrethi më i ngushtë i publikut (25 vende për ulje dhe 4 vende në këmbë). Versionin e parë të kësaj drame e ka shkruar në gjuhën rumune me titull “Gjuha angleze pa profesor”. Që nga shfaqja e parë e dramës, Jonesko është dramaturgu më i shfaqur në botë. Dramat “Këngëtarja tullace” dhe “Mësimi”, që nga viti 1955, pa ndërprerë shfaqen në Theatre de la Huchette të Parisit. Ideja kryesore e këtyre dy dramave është se arsyeja dhe dituria janë të pafuqishme dhe të padobishme dhe nuk mund të sjellin asgjë tjetër veç vdekjes, për ç’arsye disa studiues e quajnë Joneskon agnostik.
Duke zbuluar karakterin e rrejshëm të konvencioneve të teatrit, Jonesko synon nga teatri irracional. Ai thotë: “Po qe se vlera e teatrit është në forcën e efekteve, atëherë ato duhet të theksohen deri në maksimum. Duhet të kthehemi te brumi i asaj që është tragjike, te krijimi i teatrit të egërsisë: egërsia e asaj që është komike dhe egërsia dramatike”.
Jonesko hedh poshtë teatrin aristotelian dhe synon nga irracionalja.
Në vitin 1954, përkatësisht 1958 botoi në dy libra dhjetë pjesë teatrale. Përveç dy dramave të sipërpërmendura, aty u botua edhe drama “Karrigat” (Les Chaises, 1952).
Në antidramën e Joneskos, njësoj si në “romanin e ri” (nouveau roman) të shkrimtarit dhe të teoricienit francez Alen Rob-Grije (Alain Robbe-Grillet, 1922-2008) nuk ka thurje tradicionale. Artikujt teorikë për “romanin e ri” Rob-Grije i përmblodhi në librin “Për një roman të ri” (Pour un nouveau roman, 1963).
Në vitin 1959 Jonesko boton dramën “Rinoceronti”. Në të trajton temën e rrezikut të dehumanizimit dhe të degradimit të njerëzimit. Në vitin 1962 boton dramën “Mbreti po vdes”; më 1963 dramën “Këmbësori i ajrit”; më 1966 dramën “Etja dhe uria”. Pasojnë dramat “Zhaku ose nënshtrimi”, “Ardhmëria është te vezët”, “Vrasësi pa pagesë”, “Qiraxhiu i ri”, “Viktimat e detyrës”, “Amadej ose ta heqësh qafe”, “Vajza për martesë”. Në vitin 1970 vijnë dramat “Lodra masakrash” dhe “Tablloja”.
* * *
Në shekullin XIX, përkatësisht më 1896 u shfaq në Paris drama “Mbreti Yby” e Alfred Zharysë (Alfred Jarry, 1873-1907), e cila me formën e vet shkaktoi skandal në botën e teatrit në Francë. Në të, autori ngrihet kundër formës së dramës së deriatëhershme. Konsumues i alkoolit dhe i drogës, Zhary vdiq nga tuberkulozi.
Në vitin 1917 shfaqet drama surrealiste “Gjinjtë e Tirezit” (Les Mamelles de Tiresias) e Gijom Apolinerit (Guilleume Apollinaire, 1880-1918). Në të, Apolineri i mishëron tezat e Alfred Zharysë.
Teoricieni i parë i “teatrit të ri” Antonen Arto (Antonin Arthaud, 1896-1948), në përmbledhjen me artikuj e manifeste “Teatri dhe kipci”, të botuar në vitin 1938, i shtroi para teatrit ato kërkesa, të cilat vetëm pas disa vitesh do të realizohen në dramat e dramaturgëve të absurdit, e sidomos te Joneskoja dhe te dramaturgu francez me prejardhje irlandeze Samuel Beket (Samuel Beckett, 1906-1989).
Babai i surrealizmit Andre Bretoni (André Breton, 1896-1966) e përshëndet paraqitjen e Joneskos në botën letrare dhe thotë: “Ja ajo që kemi dashur të bëjmë ne 30 vjet më parë”.
* * *
Për të hyrë në botën e Joneskos duhet kërkuar bota e Bodlerit (Charles Baudelaire, 1821-1867), të Pol Verlenit (Paul Verlaine, 1844-1896), të Stefan Malarmesë (Stephane Malarmè, 1842-1898), të Teofil Gotjesë (Theophile Gautier, 1811-1872) dhe të Artur Rembosë (Arthur Rimbaud, 1854-1891) – poetë francezë, të formuar sipas parimeve të shkollës parnasiane të “artit për art”.
Për të gjetur dimensionin e kohës dhe të hapësirës te Joneskoja, duhet kërkuar “kohën e humbur” të Marsel Prustit (Marcel Proust, 1871-1922), i cili po ashtu gërryen romanin dhe zhduk subjektin.
Romani “Ulisi” i Xhejms Xhojsit (James Joyce, 1882-1941) paraqet goditje të re për letërsinë tradicionale, ku pos tjerash përdoret teknika e “përroit psikik”.
Absurdin e Joneskos dhe të Beketit duhet kërkuar edhe te kryeidhulli i modernizmit Franc Kafka (Franz Kafka, 1883-1924). (Kafka është tregimtari dhe romancieri më misterioz i këtij qindvjeçari. Lindi dhe u rrit në Pragë, një kohë të gjatë jetoi në Gjermani dhe në Austri, shkroi gjermanisht, ka prejardhje hebraike, ndonëse për prejardhjen, arsimimin dhe jetën e tij ka shumë të dhëna të paqarta dhe kundërthënëse. Vdiq në moshën 41-vjeçare afër Vjenës. Maks Brodi (Pragë 1884 – Tel Aviv 1968), pas vdekjes së Kafkës, në tryezën e punës të tij gjeti një copë letër, në të cilën e porosiste që t’i djegë veprat në dorëshkrim – romanet “Procesi” (1914-1915) botuar më 1925; “Kështjella” (1922), botuar më 1926 dhe “Amerika” (1912-1914), botuar më 1927. Maks Brodi nuk e çoi në vend porosinë e Kafkës dhe veprat e sipërpërmendura i botoi).
Nihilizmi dhe pesimizmi i Joneskos dhe i teatrit absurd është i pandarë nga ai i Artur Shopenhauerit (Arthur Schopenhauer, 1788-1860) dhe i Fridrih Niçes (Friderich Nietzsche, 1844-1900).
Vetmia te Jonesko, kriza e ndërgjegjes, individualizmi, mohimi i gneseologjisë – i mundësisë së njohjes së botës dhe kriza totale e frymës (e shpirtit) ndodhet edhe në filozofinë ekzistencialiste të Zhan Pol Sartrit (Jean-Paul Sartre, 1905-1980) si dhe të Alber Kamysë (Albert Camus, 1913-1960).
Intuita në dramat e Joneskos ka rrënjë të thella në filozofinë idealiste të filozofit francez me prejardhje çifute Henri Bergsonit (Henri Bergson, 1859-1941).
Frojdizmi po ashtu i ka shërbyer Beketit dhe Joneskos për krijimin e opusit të tyre letrar, artistik dhe filozofik.
Gjatë viteve ’50 dhe ’60 të shekullit XX krijohet romani pa fabul – romani i ri (Nouveau Roman), “antiromani”. Në planin estetik, nismëtarë janë krijuesit letrarë: shkrimtari dhe regjisori Alen Rob-Grije, shkrimtarja franceze me origjinë çifute, e lindur në Rusi Natali Sarot (Nathalie Sarraute, 1900-1999), poeti, romansieri dhe eseisti francez Mishel Bytor (Michel Butor, 1926 – 2016) dhe romancieri francez i lindur në Madagaskar Klod Simon (Claude Simon, 1913-2005), laureat i çmimit Nobel në vitin 1985.
Jonesko mohon arsyen, sulmon në mënyrë të ashpër edhe racionalizmin e Rene Dekartit (René Descartes, 1596-1650). Beranzheja, protagonisti i disa dramave të Joneskos thotë: “E vërteta është në një lloj nervoze”.
Jeta te ky dramaturg është absurditet tragjik dhe komik. Hapësira dhe koha janë irrelevante. Personazhet janë shpesh pa identitet. Dialogu, komunikimi dhe konverzacioni janë vënë në dyshim, janë rrënuar. Jonesko dyshon në mundësinë e komunikimit ndërmjet njerëzve.
Te “Këngëtarja tullace”, ai synon të realizojë “tragjedinë e të folurit”. Personazhet janë të gjymtë, jeta është fatkeqësi, gjithçka është e kotë, njeriu është i humbur dhe i dënuar të vdesë. Personazhet e Joneskos nuk mund të qëndrojnë në shoqërinë e njerëzve. Ata në të vërtetë, në të shumtën e rasteve janë marionetë, vazhdimisht pësojnë disfatë, kudo mbizotëron hiçi, asgjëja. Për ta njohur botën, Jonesko mbështetet në intuitivizëm.
Në dramën “Karrigat”, oratori që duhet ta kumtojë porosinë nuk do të mund ta bëjë një gjë të tillë, ngase është memec. Por edhe sikur të mos ishte memec, kot, ngase Plaku 95-vjeçar dhe Plaka 94-vjeçare – Semiramija, gruaja e Plakut, në atë çast hedhen nga dritarja.
Jonesko injoron rezistencën e organizuar. Lidhur me “Rinocerontin”, Jonesko shkruan: “Sikur përballë ideologjive të tjera të gatshme, të vija një ideologji timen të gatshme, kjo është njësoj sikur përballë një sistemi sloganesh rinocerike të vë një tjetër sistem sloganesh rinocerike”.
Jonesko është në kundërshti me dramaturgjinë realiste të poetit, dramaturgut dhe regjisorit gjerman të teatrit Bertold Brehtit (Bertolt Brecht, 1898-1956), i cili deri në vdekje i qëndroi besnik marksizmit. Për të, Jonesko thoshte se nuk i shërben artit por ideologjisë.
Bota, të cilën e pasqyron Jonesko mbështetet mbi një sistem vlerash false.
* * *
“Poeti i absurdit” vdiq në Paris në pasditen e 28 marsit të vitit 1994. Vdekja e tij u bë preokupim qendror i mediumeve franceze. “Quotidiene” njofton për vdekjen e një mbreti, e ky mbret për francezët në fund të këtij mileniumi është njëri nga shkrimtarët dhe dramaturgët më të mëdhenj të këtij qindvjeçari, që shkroi në gjuhën frënge – Joneskoja.
Që kur ishte gjallë, veprat e tij u botuan në Bibliotekën e Galimardit “Pleiade”, të rezervuar vetëm për të pavdekshmit. E quanin “poet i absurdit”. Askush në këtë shekull nuk e hulumtoi absurdin rreth nesh dhe në ne, me aq zjarr sa Jonesko. “Le Figaro littéraire” botoi njërin nga tekstet e fundit të Joneskos, duke e quajtur “Testamenti i Ezhen Joneskos”.
Para se të vdiste, gjurmuesi më i thellë i fatkeqësisë njerëzore dhe i dëshpërimeve të njeriut, të shqetësimit metafizik, për të cilin njeriu nuk ka përgjigje, konkludoi se më mirë është që bota të përfytyrohet me Zotin, se pa të.
I dëbuar nga gjimnazi, nga shtëpia e dëboi edhe njerka, u end pa para në xhep nëpër rrugët e Parisit. Qiranë nuk e paguante dot, ngase s’kishte para. Arriti të vendoset në Boulevard du Montparnasse Nr. 96 në Paris. U bë anëtar i Akademisë Franceze në mesin e 40 akademikëve të pavdekshëm.
U bë themelues i teatrit të ri.