HYSEN DERVISHI
Mësuesit veteran Hysen Dervishi
.ESE.
NGA
FASLLI HALITI
Jo vetëm fëmija është pasqyrë e prindit, por edhe prindi vjen një kohë e bëhet pasqyrë e fëmijës.
Takoj një ditë xha Hysenin. Po shëtiste. Bënte atë shëtitjen e gjatë që bëjnë zakonisht disa pensionistë gjer në periferi të qytetit të Lushnjës. Xha Hysenin e takova afër atij vendit që ka filluar të quhet besedkë. Është një vend pak i lartë rrëzë kodrës. Aty janë vendosur stola në formë rrethi. Anash ka lule. Të lodhur disi nga rruga, pensionistët vijnë dhe ulen aty. Bisedojnë.
Po këtu nuk vijnë vetëm pensionstët. Vijnë edhe çifte të rinjsh të fejuar. Sidomos të sapo fejuarit. Është një vend i bukur në periferi me një lulishte të bukur, të pasur me lule larashe.
E përshëndes xha Hysenin. Ai më jep dorën. Më pyet. Çdo pyetje që bën e shoqëron me një të qeshur. Kështu e mbaj mënd xha Hysenin, të qeshur: I them me entuziazëm dhe une:
– Më kënaqe zoti Hysen, i thashë (të gjithë zoti Hysen i thoshin dhe jo shoku Hysen për shkak të moshës dhe të respektit që kishin për mësuesin veteran Hysen Dervishi). Kështu po. Ka lezet…
– Si kështu, çfarë kështu nuk po të kuptoj?
– Kur të shoh kështu të hekurosur, të rruar, me këpucët xixë, gëzohem shumë.
– Pse?
– Të them të drejtën, kështu dukesh më i ri, duam të themi më i mbajtur dhe…
– I veshur do të thuash?
– Të veshur ka edhe pensionistë të tjerë. Nuk e kam fjalën te veshja, xha Hysen. Gjetkë e kami fjalën. Fjalën e kam tek mirëmbajtja. Të gëzojnë shumë fëmijët dhe pleqtë që mbahen mirë. Një fëmijë i rritur e mban vetë veten. Një plak ka nevojë për një dorë, për dorën e fëmijëve të tij, për kujdesin e tyre.
– E keni parë si del xha Mersini? E kush e nxjerr aq të rregullt thoni ju? Vajza. S’ka ditë që vajza s’i vete në shtëpi. E shikon. Nuk harron t’i çojë pakon e kafes, paketën e cigares. E lan e shpëlan. Prandaj del xha Mersini si një ditë e një ditë. Duket menjëherë dora e vajzës. Edhe te xha Musai duket dora e djalit dhe e nuses. E stolis djali dhe nusja. Ta dëgjosh xha Musanë si flet për ta. Me gëzimin më të madh flet, me fjalët më të ngrohta prej prindi.
Kënaqet njeriu kur sheh te pleqtë dorën e fëmijëve, nuseve, nipërve…
– Të drejtën xha Hysen, kush të mban kështu?
– Dihet, nusja me djalin. Vajza është larg. Po edhe ajo bën shumë për mua. Më vjen shpesh e më shikon. Kur nuk ka mundësi të vijë, më merr në telefon, më shkruan letra. Janë dhurata më e madhe për mua. Më fut edhe…
– Ndonjë lek?
– Lekët as që më duhen. Kam pensionin. Por fut edhe ndonjë shaka në letër. Shakatë e saj janë kripa e letrave. Kënaqem…
E di xha Hysen? Një ditë shkuam te një shok imi. E gjeta duke lustruar një palë këpucë.
– Ç’i ke këto këpucë? – i them.
– Të babait – tha.
Duke parë shokun që lustronte këpucët e babait, m’u kujtua xha Pilo. Një tufë me djem e vajza kishte, jetoi dhe vdiq vetëm. Dilte pazarit me pantallona e këmishë të pahekurosur. Kafen e pinte në klub në vend që ta pinte në shtëpi nga dora e nuses, e djalit apo e vajzës. Dhe sa i kishte dashur ai ata fëmijë. Më kujtohet shumë mirë si tani. Edhe këmbët me baltë ua puthte kur i kishte të vegjël. Djemtë dhe vajzat e kishin fjetur mendjen ngaqë babai kishte pensionin. Por pensioni do edhe dorën e fëmijëve.
Tregonte një ditë xha Aleksi për babanë e tij.
Erdhi një kohë që babai nuk po shikonte mirë. Nuk shikonte as të rruhej. Fillova ta rruaja vetë me brisk berberi. Atëherë ai lloj brisku përdorej.
Tani xha Aleksi është vetë i moshuar. Është gati tetëdhjetë vjeç. Por nuk e ndien pleqërinë. E shikojnë shumë fëmijët. Nuk e lenë të bjerë në tokë, siç i thonë fjalës. Fëmijët e rrethojnë me perkujdesje dhe dashuri fëminore. Fëmijët, nipërit, mbesat, nuset i japin diçka nga gjallëria, nga rinia e tyre. E ngrohin me të qeshura gazmore, shakara.
Edhe xha Jani ka fëmijë të mbarë. Sidomos djali i vogël i është bërë shok e bashkëpunëtor në punët e tij studimore. Edhe pse i moshuar ai nuk i ndahet këngës popullore. E ndjek kudo që të jetë e të shfaqet ajo. E regjistron, e klasifikon. Duke u marrë me këngën edhe kënga e ka mbajtur të freskët xha Janin. Ke qejf kur e shikon atë plak pak të imët, të mbajtur mirë.
– Kënga dhe fëmijët e mirë e të mbarë nuk të plakin kurrë, – thotë xha Jani, përkundrazi të rinojnë. Gëzohesh kur sheh fëmijë të edukuar, të sjellshëm, të pastër, të veshur bukur. Ata janë lulet e shesheve, rrugëve, shëtitoreve,kopshteve, shkollave tona. Këta fëmijë janë pasqyrë kristali e prindërve të tyre. Por ajo që të gëzon akoma më shumë është kur sheh pleq që dalin të pastër, të mbajtur mirë nga bijtë e tyre dhe shëtisin për t’i mbajtur të forta e të freskëta gjymtyrët, që venë e ulen te ai vendi që quhet besedkë, ku bisedojnë, kujtojnë, çlodhen… Edhe këta pleq janë pasqyrë e fëmijëve të tyre.
Këtu nuk kemi të bëjmë aspak me një paradoks por me një realitet të mrekullueshëm…
1986-2018