10.5 C
Tirana
( Arkivi 2016 - 2021 )

JO – HASHIM THAÇIT – PRESIDENT I KOSOVËS!…

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info/
Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Autor librash :: Ueb- & Grafik dizajner

Kryesia e Nëndegës së LDK-së në Solothurn, ka shqyrtuar situatën politike në Kosovë me ç’rast shpreh shqetësimet e saj për gjendjen brenda LDK-së në Kosovë, e së këndejmi edhe për gjendjen e krijuar në Degën e LDK-së në Zvicër, situatë kjo e cila po reflektohet kudo, duke mos përjashtuar as Nëndegën e LDK-së në Solothurn. Në kontekst të këtyre zhvillimeve kryesia e nëndegës ka vendosur të shpreh publikisht qëndrimet e saj politike, duke sqaruar opinionin e gjerë dhe elektoratin e LDK-së në Kosovë se është kundër zgjedhjes së Hashim Thaçit, President i Kosovës.

Kryesia e Nëndegës së LDK-së në Solothurn, konstaton se zhvillimet politike në Kosovë kanë hyrë në një fazë sa kritike po aq edhe të komplikuar, ngaqë pozita dhe opozita e kanë degraduar dialogun për zgjidhje politike; me ç’rast – problemet, në vend se të zgjidhen në Parlament përmes debatit e dialogut, ato janë zhvendosur në rrugë, ku edhe po ndodhin skena të dhunës e cila po sundon me gjithë shëmtinë e saj. Prandaj, pa asnjë hezitim nëndega e LDK-së në Solothurn të Zvicrës është kundër dhunës që bëhet nga opozitë sikurse që është edhe kundër sjelljes nënçmuese, injoruese dhe teknokrate që po e bënë pozita kundër opozitës, kundër elektoratit dhe kundër popullit të Kosovës, prandaj situatën e kemi këtë që po e dominon realitetin në Kosovë, me tendencë për tu keqësuar.
Nëndega e LDK-së në Solothurn frikësohet shumë se kjo situatë do të rrëshqas drejt një përkeqësimi dhe hasmërie e cila do të sjell në vend anarkinë e cila pastaj nuk dihet se ku do të përfundojë.
Kjo gjendje ka simptome ndjellakeqe: kurse për ne pozita dhe opozita kanë përgjegjësi për këtë gjendje e cila po manifestohet me fjalor vulgar e fyes, madje situata mund të eskalojë deri në lëndime fizike, madje edhe me gjakderdhje, e përmasat janë të paparashikuara. Prandaj ne e ftojmë elektoratin e LDK-së që të kthjellohet në mënyrë që të parandaloj këtë kob që dikush po ia ndjell Kosovës. Kjo tendencë e hapur do të mbjell zi e terr të pafund, kurse populli dhe shteti do t’i bart pasojat, pasi oligarkët e politikës e kanë kapur e zaptuar demokracinë, duke e kriminalizuar çdo pore të jetës ku pothuaj se asgjë më nuk funksionon.
Verbëria e klasës politike që udhëhiqet nga Qeveria Mustafa, u shpërfaq me të gjitha nuancat e errëta, ku prioritet janë grabitja, hajnia, korrupsioni, postet dhe pasuria, e jo funksionimi i shtetit ligjor. Edhe Isa Mustafa, sikurse pararendësit e tij qeverisë ia mësynë me turravrap për të rehabilituar klanet politike të cilat pasi janë sistemuar brenda LDK-së, (me kriter e pa kriter), tashti po sistemohen nëpër institucione shtetërore, duke e sjellë Kosovën në këtë gjendje çfarë është momentalisht, madje deri në atë masë ku pothuajse nuk funksionon qoftë edhe një segment i jetës normale e institucionale.
Vota është e shenjt, të gjithë e dimë, kurse tashti ajo VOTË është në duart e deputetëve, prandaj si e tillë duhet të përdoret për të jetësuar vullnetin e elektoratit, e jo të përdoret për manipulime e pazare siç ka vepruar Kryesia Qendrore e LDK-së, dhe siç ka tendencë për të manipuluar edhe përmes deputetëve?!…
Ne diaspora që këtë votë ia kemi dhënë (drejtpërdrejt ose përmes familjarëve) LDK-së, e kemi bërë me shpirt e zemër dhe pa asnjë lloj interesi, vetëm e vetëm për ta shpëtuar e përparuar Kosovën. Prandaj u bëjmë thirrje publike deputetëve të LDK-së, për ta ndryshuar komplet kursin e veprimit, dhe në asnjë mënyrë për të mos e votuar Hashim Thaçin për President të Kosovës, sepse ne jemi këmbëngulës dhe mjaftë të vendosur për të mos lejuar që vota jonë dhe e familjarëve tanë të cilët i kemi në Kosovë, të keqpërdoret për interesa të ngushta dhe për pazare politike.
Deputetet dhe elektorati i LDK-së duhet të mësoheni se në demokraci ka një minimum të moralit politik, kufi ky të cilin çdo lider, çdo deputet, po veçmas strukturat e LDK-së obligohen për ta respektuar. Në rastin e votës së qytetarit, kësaj here është tejkaluar çdo limit, dhe atë jo për shtet e demokraci, por për klane dhe për pushtet, andaj elektorati është i zhgënjyer deri në pafundësi. Pra të nderuar deputet mos na zhgënjeni edhe kësaj radhe!
Kryesia e Nëndegës së LDK-së në Solothurn, shprehë zhgënjimin e saj në udhëheqjen e LDK-së e cila votën tonë e ka marrë me deklarata mashtruese, të përsëritura me dhjetëra herë, se LDK-ja kurrë nuk do të bënë koalicion me PDK-në?! Ndërsa për zgjedhjen President i Kosovës të Hashim Thaçit, na duket se LDK-ja skajshmërisht po bënë veprime antidemokratike, në kohën kur ne konsiderojmë se ky veprim është një pazar i bërë pa hanxhiun!…
Kryesia e Nëndegës së LDK-së në Solothurn ua tërheq vërejtjen strukturave politike të LDK-së, dhe njëkohësisht iu bënë thirrje deputetëve që të mos tallen me ne dhe të mos e keqpërdorin votën e elektoratit për pazare të ulëta, sepse ne nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë, dhe me asnjë çmim që tash e tutje të manipulohet edhe vullneti ynë, pasi në demokraci ka rregulla të cilat viteve të fundit ma së shumti i ka abuzuar vet kryesia qendrore e LDK-së, e cila është bërë kampione e kurtheve, uzurpimeve e mashtrimeve të cilave po iu prin vet kryetari i LDK-së dhe kryeministri i Kosovës z. Isa Mustafa. Ky konstatim ynë është parë hapur në zgjedhjet e brendshme në LDK. Ku është lënduar dukshëm demokracia dhe vota e lirë përmes një procesi zgjedhor mjaftë të manipuluar dhe ku ka tendenca të hapura për të futur mentalitetin diferencuese dhe të masave të dhunshme, sidomos në raport me Degën e LDK-së në Zvicër dhe atë në Gjermani, ku këto Degë janë përjashtuar dhe aq më keq kur delegat nga Diaspora kanë qenë fëmijët dhe familjarëve e Heronjve dhe Dëshmorve të Kosovës. Ky veprim i Kryesisë Qendrore të LDK-së dhe i vet Kryetarit Isa Mustafa bie në kundërshtim të haptë me nocionin Rugovizëm kur dihet se dr. Ibrahim Rugova ishte një faktor mobilizues, gjithëpërfshirës dhe unifikues, kurse Isa Mustafa po dëshmohet si lider dhe faktor, përçarës, linçues dhe përjashtues.
Andaj, janë këto arsye pse ne anëtarët e kryesisë së Nëndegës së LDK-së në Solothurn, ia bëjmë me dije, madje publikisht z. Isa Mustafa dhe kryesisë qendrore të LDK-së, se të gjithë ata që manipulojnë dhe abuzojnë me votën tonë dhe me demokracinë, nuk do ta kenë mbështetjen tonë, në këtë rast votën tonë dhe të familjarëve tanë në Kosovë. Pra nëse votojnë për President të Kosovës Hashim Thaçin, i cili nuk është personalitet unifikues, por është i njohur si një individ tepër përçarës e madje edhe me bagazh kriminel, askush të mos llogaris në ne dhe familjarët tanë në Kosovë. Kjo tendencë është synim i radhës i z. Isa Mustafaës, që përmes SHIK-ut dhe PDK-së, për ta instaluar këtë mentalitet shkatërrues edhe në postin moral dhe ma të lart të vendit. Kurse servilizmi, nënshtrimi dhe veprimi antidemokratik i kryetarit të LDK-së, z. Isa Mustafa, e shohim vetëm edhe një tallje tjetër, që paturpshëm po e bënë me ne Diasporën dhe me elektoratin e LDK-së në tërë Kosovën!…
Po ashtu, kryesia e nëndegës së LDK-së në Solothurn iu bënë apel strukturave të ndërgjegjshme të LDK-së që të mos heshtin e hezitojnë për ta thënë fjalën e tyre publike dhe për t’iu prirë proceseve për të cilat ka nevojë LDK-ja dhe Kosova. Po ashtu Nëndega e LDK-së në Sollothurn është edhe kundër mercenarëve që po vijnë me misione të caktuara në Zvicër, po më shumë kjo nëndegë është kundër masave të dhunshme që po instalohen brenda partisë. Kjo tendencë po shprehet hapur nga kryesia qendrore e LDK-së në Prishtinë, mentaliteti linçues dhe me tendencë për t’i bërë zapt zërat kundërshtues, është shtrirë kudo nëpër degët dhe nëndegët e LDK-së në Kosovë, që ka qëllim për të instaluar në LDK dhe në Kosovë, diktaturën duke i satanizuar individët që hapur i kundërshtojnë këto veprime. Në këtë vazhdë të keqpërdorimit të demokracisë i shohim, deklaratat servile dhe veprimet e kohëve të fundit në Kosovë, kurse ardhjen në Zvicër të deputetit Salih Morina e konsiderojmë vetëm si mision antidemokratik të këtij deputeti, për ta shkatërruar demokracinë, pasi z. Morina nuk ka qenë fare në Nëndegën e LDK-së Solothurn, nuk ka takuar askë nga Kryesia e Degës së LDK-së në Zvicër dhe nuk ka pasur kurajo morale e politike për ta takuar edhe kryetarin e Degës së LDK-së në Zvicë, shkrimtarin dhe analistin e njohur Shefqet Dibrani. Madje z. Morina nuk është takuar as me ndonjërin nga anëtarët legjitim të kryesisë së nëndegës sonë, por qenka takuar me individ që sillen rrugëve dhe që flasin nga Bahnhofet. Për Nëndegën e LDK-së në Solothurn, këto veprime janë të papranueshme, prandaj shprehim habinë tonë si ka pasur mundësi që një deputet i LDK-së të manipuloj me votën e qytetarit, dhe këtë e bënë vetëm për konsum të brendshëm politik. Z. Salih Morina nuk do të duhej të bënte përpjekje për ta rehabilituar dikë që ka dështuar, dhe të bënte përpjekje për të manipuluar edhe opinioni publik me të pavërtetë kaq të paskrupullta.
Nëndega e LDK-së në Solothurn, e përshëndet edhe qëndrimin publik të Nëndegës së LDK-së në Dobërçan, duke e garantuar atë nëndegë dhe kryesinë e saj se do ta ketë edhe përkrahjen tonë, si dhe përkrahjen e Degës së LDK-së në Zvicër, prandaj kryesia e Nëndegës së LDK-së në Solothurn apelon tek kryesia e Degës së LDK-së në Zvicër për të mbajtur qëndrim e saj publik të guximshëm, dhe njëkohësisht iu bënë thirrje edhe nëndegëve tjera në Diasporë dhe brenda në Kosovë, si dhe apelon tek personalitetet e shumta brenda LDK-së, që të shprehen publikisht dhe pa hezitim qëndrimin e tyre kundër zgjedhjes së Hashim Thaçit President i Kosovës, nëse ata nuk dëshirojnë t’i mallkojë historia.
Po ashtu kemi një thirrje publike edhe për kryetarin e LDK-së z. Isa Mustafa: Kryetari i LDK-së z. Isa Mustafa duhet të heq dorë nga masat e dhunshme që i ka instaluar brenda në LDK, dhe menjëherë të nisin reformat e brendshme të cilat i vet ai i ka premtuara gjatë fushatave zgjedhore për ta kapur LDK-në. Pastaj duhet ta funksionalizojë në praktikë kodin e përgjegjësisë, i cili e detyron secilin kryetar a lider, në rast humbje të ik nga LDK-ja, dhe duhet ti pastrojë të gjitha listat nga elementët kriminal dhe me dosje të hapura, duke ua pamundësuar të gjithëve, (pa përjashtim) që kanë procese të hapura, që i kanë duart e përlyera dhe që janë të inkriminuar politikisht për t’u zgjedhur nëpër vendet udhëheqëse në parti. Këtë kod të përgjegjësisë duhet ta respektojnë edhe ata të cilët janë treguar të ngathët e të dobët në këtë periudhë dhe të gjithë koloboracionistët me grupe e qarqe që janë hapur kundër LDK-së, po më shumë kundër stabilitetit dhe zhvillimit të Kosovës.
Sa më parë të bëhet kjo, aq më mirë për LDK-në, për demokracinë dhe për Kosovën!
Zoti e bekoftë LDK-në!
Zoti e bekoftë Kosovën!
Zoti e bekoftë popullin e saj!

Solothurn, 23.01.2016.

*Deklaratën e kanë nënshkruar anëtarët e kryesisë së nëndegës në Solothurn: Dr. Shaqir Shala; Musa Sylejmani; Fitim Maliqi; Palush Thaqi; Bajram Rexhepi; Driton Sadiku dhe Shpejtim Bajraktari!

- Reklama -

Më shumë shkrime

Shkrimet e fundit