Jo falje territoresh, rikthim të tyre nga Serbia!

0
481
Florim Zeqa
Florim Zeqa

Shkruan: Florim Zeqa, 30.06.2018

Nuk është histori e gjatë, nuk janë të largëta vitet 1877/78 kur Serbia gllabëroi dhunshëm tokat shqiptare. Ishte ushtria e Millosh Obrenoviqit ajo e cila dëboi dhunshëm nga vatrat e veta mbi 700 fshatra e 7 qytete shqiptare, afërsisht sa 2/3 e territorit të sotëm të Kosovës, me ç’rast mbi 500 mijë shqitarë janë vrarë dhe shpërngulur për Turqi e vende të tjera më të largëta.

“Nish-i” i sotëm ishte pika kufitare numër 1 që ndante tokat shqiptare me ato sllave. Jo vetëm Njëshi, por edhe qytete dhe fshatra tjera, sot e asaj dite mbajnë emrat e dikurshëm të para 140 viteve, si: Kastrati, Drenova, Rashica, Tullari, Rafuna, Dukati, Leci, etj.
Janë këto 7 vendbanime nga 700 fshatra të pastra shqiptare të para 140 viteve më parë, që sot nuk banohen me shqiptarë, të pushtuara nga kolonët serb.

E fillova këtë shkrim në mënyrë të pazakontë, me qëllim që gjeneratat e reja të kuptojnë, se nuk është hera e parë, e mbase as e fundit që ne po humbim territore etnike në raport me fqinjët tanë.

Qendrimet kontraverse të diplomatëve evropian

Për dallim nga qendrimet e diplomatëve të SHBA-ve rrethë pavarësisë dhe integritetiit territorial të vendit tonë, qendrimet e diplomatëve evropian janë të dyfishta; në Bruksel e përmendin nganjëherë pavarësinë e Kosovës, e ndryshe kur shkojnë në Beograd,…flasin për fqinjësi të mirë, për normalizim të raporteve me Prishtinën, për dialog e gjëra të ngjashme si këto, por jo për Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran.
Mirëpo, për dallim nga Brukseli, diplomacia amerikane është më e qartë e më prerë në qendrimet e saj,…të njëjtat gjëra që i thonë në Uashington i thonë edhe në Beograd e Prishtinë.
Ja vlenë për t’iu përkujtuar lexuesve të këtyre rreshtave, se në prag të fillimit të dialogut politik të Brukselit, ish sekretarja e shtetit amerikan, znj. Hillary Clinton në Beogard, ua kishte thënë ndër sy liderëve serb; “për Amerikën, Kosova është shtet i pavarur dhe se kufijtë në Evropë nuk mund të ndryshohen”.
E sinqertë e dashamirëse për popullin e Kosovës ishte deklarata e saj në Prishtinë, lidhur me fillimin e dialogut,…duke e quajtur “rrezik politik gatishmerinë e Thaçit për hyrje në dialog më Serbinë”.
Këto dy deklarata sa të fuqishme, po aq të sinqerta, ishin një mesazh i qartë për lidershipin sosovar, që të mos bëjnë gabime të tjera në dëm të shtetit e popullit të tyre.

Brukseli vazhdimësi e Londrës e Vërsajes

Brukseli i sotëm është vazhdimësi e Londrës e Vërsajës së 1913-s, që ndanë e coptuan pamëshirshëm trojet tona etnike, për të kënaqur orekset e pushtuesve barbarë serbo-malazezo-maqedonas, që sot e asaj dite vazhdojnë t’i mbajnë të pushtuara tokat tona.
Kësaj radhe Brukseli përmes tryezës së bisedimeve, don t’i dhurojë edhe një copë tokë shiptare (veriun) shtetit serb,…të nxjerrur si “kompromis” i dialogut të filluar 6 vite më parë në Bruksel mes Daçiqit e Thaçit, në emër të “evropianizimit” të Serbisë,…dhe zemërgjërësisë së pafundme të shqiptarëve!
Për fatin e keq të shqiptarëve, në zbatimin e planit famëkeq ndërkombëtar për ndarje të Kosovës, po kontribuojnë liderët aktual të shtetit të Kosoves, ish “çlirimtarët” e djeshëm, të cilëve u janë ngatërruar rrugët e integrimeve kombëtare me ato ndërkombëtare!
Naiviteti i diplomacisë kosovare shkoi aq largë saqë nuk arritën ta kuptojnë asnjëherë prapavijën politike të dialogut të Brukselit!. Fillimisht dialogu “teknik” me Serbinë, Kosovës i kushtoj me heqjen e emrit Republikë,…e kush e di si do të quhet Kosova pas përfundimit të dialogut politik më Serbinë!?
Dialogu politik në mes dy partnerëve të pabarabartë (Thaçit e Daçiqit, përkatësisht Thaçi-Vuçiq) është një loje e ndytë politike e ndërkombëtarëve, e cila do të ketë konseguenca afatëgjate për të ardhmen e shtetit të ri e të pa konsoliduar të Kosovës.
Para fillimit të këtij dialogu, Kosova faktorit ndërkombëtar duhej shtruar këto kushte; kërkimin e njohjes nga Serbia, shtrirjen e sovranitetit të shtetit të Kosovës edhe në veriun e vendit, si dhe transformimin e FSK-së në Forcë te Armatosur të Republikës së Kosovës (FARK) për garantimin e integritetit teritorial të vendit.
Jo vetëm që kjo nuk ndodhi, Serbisë nuk ju parashtrua asnjë kusht në tavolinën e bisedimeve nga pala kosovare.

Asoociacioni gllabëron Trepçën, Ujëmanin, Brezovicën…

Dialog pas dialogu, “negociatorët” kosovar e gjymtuan shtetësinë e vendit tonë, e tkurrën dhe cunguan sovranitetin dhe integritetin e shtetit deri në pikën maksimale me krijimin e Asociacionit të Komunave serbe apo “Republika Srpska” në Kosovë!
E ashtuquajtura Marrëveshje për Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë – Serbi e 19 Prillit 2013-të, në fakt është marrëveshje për normalizimin e Serbisë brenda Kosovës, e cila e bënë Republikën e Kosovës shtet jonormal (pa ushtri) dhe jofunksional dhe pa përspektivë zhvillimore.
“Të kujt janë delet, të tij janë bjeshkët” thotë një fjalë e urtë popullore. Pas legalizimit të Asociacionit të komunave serbe në veri të vendit, në të ardhmen e afërt do të humbet kontrolli i plotë i shtetit në veri. Gjiganti minerar-Trepça, Liqeni i Ujëmanit (Gazivoda),…e shumë arterie tjera të shtetit do të mbetën nën konfigurimin serb të Kosovës!
Kush e ka menduar që shqiptarët e Kosovës, pas një shekulli rezistence e sakrifice sublime dhe luftës çlirimtare,…do t’i humbin kaq shpejtë e lehtë ndjenjat për mbrojtjën e sovranitetit të shtetit të tyre!
Askush nuk e ka menduar që ish udhëheqësit politik të luftës, “çlirimtarët” e djeshëm, 19 vite nga përfundimi i luftës, dhe 10 vite jetë të shtetit të Kosovës, do të bëjnë pazare politike me Serbinë për çështje të brendshme (teritoriale) të shtetit të tyre!
Po ashtu është e pashpjegueshme indiferenca e mbi 75 mijë veteranëve të luftës ndaj këtij procesi dialogues (denigrues) për ndarjen etnike të vendit për të cilin luftuan dhe dhanë gjymtyrët e trupit të tyre!
Në këtë moment pashmangshëm shtrohet pyetja hipotetike; çfarë do të bënin sot dëshmorët e të rënët gjatë luftës për çlirimin e Kosovës nga Serbia, a do të heshtnin apo kundërshtonin rikolonizimin serb te shtetit të tyre, dhe çfarë përgjigje do t’i jepnin lidershipit aktual kosovar në këto bisedime!?

Ne duaje Evropën, Evropa po e shpërblen Serbinë

Dashuria e jonë ndaj Evropës i ngjetë asaj thënjës; “na duaje Miftarin, Miftari duje Hajdarin” Ne, sa më shumë që po e duam Evropën, ajo aq më tepër i shpërblen serbët dhe Serbinë!
Ky Bashkim Evropian, shqiptarët viktima të luftës po i detyron t’i falin krimet serbe pa asnjë kërkimfalje nga këta të fundit!
Ky është realiteti i dhimbshëm i një populli fatkeq, i ndarë (nga Evropa një shekull më parë) në pesë shtete,…i përqarë pamëshirshëm këtyre viteve të pasluftës nga partitë politike dhe rrymat e ndryshme ekstremiste fetare, të cilat kanë bërë që shtetin e Kosovës ta largojnë jo vetëm nga shtrati kombëtar por edhe nga ai civilizues, duke e vënë në pikëpyetje të ardhmën e shtetit dhe qytetarëve të saj.
Për dallim nga ratifikimi i kufirit me Malin e Zi në Kuvend, me të cilin Kosova i dhuroi Malit të Zi 8200 hektarë tokë të larë me gjak ndër shekuj, marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë në Bruksel me 19 Prill 2013 nga Hashim Thaçi, përkatësisht me 25 Gusht 2015 nga Isa Mustafa, Kosova do t’i humb afërsiht 1/3 e territorit dhe resurset kryesore natyrore të saj.
E gjithë kjo do të arrihet duke mashtruar popullin me formimin e ushtrisë, lëvizjen e lirë, integrimin në BE dhe në NATO, anëtarësimin në OKB, etj!
Kjo është tradhtia më e madhe e shekullit, të cilën mund ta ndalojë vetëm popullata e saj, në të kundërtën edhe këto pjesë të Kosovës do t’i kujton me nostalgji kjo gjeneratë, derisa do të harrohen plotëisht nga gjeneratat e ardhshme siq i harruam ne tokat e pushtuara një shekull më parë!
Vetëm vënja e njerëzve me dinjitet në ballë të shtetit, zgjedhja e njerëzve të guximshëm që janë të zotët t’i kërkojnë BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare integrimin etnik në vend të integrimit me Serbinë, t’i kërkojë BE-së që kësaj të fundit (Serbisë) t’i vëjë kushte para kandidimit siq janë; ta njohë shtetin Kosovës në kufijtë ndërkombëtar të saj, t’i paguaj dëmet e luftës, kthimin e eshtrave e të pagjeturve, kthimin e librave kadastral, kthimin e pensioneve dhe shumë pasurive të grabitura gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Që kjo të ndodhë shpejtë, duhet të ndalet sa më parë trendi i keqpërdorimit të politikanëve servil nga ndërkombëtarët, përmes të cilëve jo vetëm që janë duke u rehabilitizuar krimet serbe, janë duke e kthyer Serbinë në Kosovë, bashkë me këtë edhe rrezikun e një lufte të re dhe shkatërrimtare për rajonin e Ballkanit.
Deklarata e fundit e presidentit Thaçi; “Nëse nuk e zgjidhim tani konfliktin me Serbinë, Kosova mund të bëhet si Palestina”, përveqse skanadal i rënd politik, është shpërfaqje e kërcënimeve me luftë që ju kanë bërë presidentit të zënë peng nga Brukseli.
Të ngrihemi gjithë në mbrojtje të Republikës së Kosovës, me të gjitha kapacitetet intelektuale e politike, ngase nesër mund të bëhet tepër vonë. Largimi i mënjëhershëm i Thaçit nga procesi dialogues, do të thotë shpëtim për vendin nga invazioni i Serbisë.