FASLLI HALITI
JEZUSI
Pas dy mijë e dymbëdhjetë vitesh
Jezusi zbret qiejve blu
Në tokë.
Kërkon të shohë
Grazhdin,
Djepin,
Ku u vendos,
Por nuk sheh as kasollen
As shportën, djepin e tij të ngrohtë.
Ai sheh bunkerë,
Beton,
Qytete zhytur
Në sherre, grindje
Në vrasje dhe tërbim,
Sheh kudo qytetet të zhytur
Në hajni, korrupsion, degjenerim.
Jo, jo!
Këtu
S’qenkam më unë Jezusi,
Këtu unë s’paskam më
As besimtarë
As
Idhtarë ,
Këtu
Unë
S’paskam më piosët e mi
Siç kisha dy mijë e dymbëdhjetë vite më parë
Dhe Jezusi ngjitet qiejve tek yjet ngadalë,
Braktis tokën me njerëz të varfër,
Me shumë buzëtharë,
Buzëplasur
Por plot me bosë
Të mbytur në euro, dollarë,
Flori,
Të mbytur në hakmarrje,
Vrasje, korrupsion, gjakmarrje, padrejtësi.
Dhjetor, 2012
NA DUHEJ ARDHJA E TIJ
Papa i shenjtë!
E kënaqi,
E gëzoi popullin
Shenjtëria,
E lumturoi me shenjtërinë e tij
U la me dush rrezesh shenjtërie Shqipëria.
Papa
Na uroi
Paqe.
Ne u grindëm.
Papa na uroi dashuri.
Ne urryem njeri-tjetrin fill pas ikjes së tij.
«Bukën tonë të përditshme falna Zot»
Papa iu lut Zotit edhe për ne,
Por qielli dhe toka
Janë
Në recesion,
Në krizë.
Të varfëritë, të papunët
E marrin prapë bukën me listë.
Maj, 2014
ERDHI PAPA TE NE
Erdhi
Papa
Erdhi te ne
Na solli Dashurinë
Ne urryem njëri-tjetrin.
Erdhi,
Papa
Erdhi te ne.
Na solli Paqen,
Ne filluam sherret.
Erdhi,
Papa
Erdhi te ne,
Na solli qengjin e Pashkës.
Ne i rropëm peliçen e bardhë.
Nximë veten turpërisht.
Erdhi.
Papa
Erdhi te ne,
Na dhuroi fjalë të shenjta dhe bekime:
Bekime,
Bekime plot,
Fjalë të shenjta.
Fjalët e shenjta
Ne i bluam në mokër menjëherë.
Por prej të shenjtave s’morëm një dorë miell.
Maj 2014