Nga Mustafa SPAHIU / Shkup
Përvjetore
Me rastin e 82-vjetorit të vdekjes së poetit shqiptarë – MIGJENI,
3 tetor 1911 – 26 gusht 1938
JETEMOT RIOSH – MIGJENI
Kujtime për Migjenin nga shoku i bankës
– Pande Popovski, gazetar
Shpjegim:
E respektuara Redaksi e javores Nacional,
Të nderuar staf profesional – profil i shëmbëlltyrës së punës suaj, që jeni urnek i shtypit shekullor evropian. Fillimisht po e them. Nuk arrij dot të përcaktoj ku e ka zanafillën pasioni im për Migjenin. Punoja në Radio Shkup, në programin shqip. Isha vënë në dijeni se në mesin tonë është një gazetar – reporter – redaktor i shquar Pande Popovski (1911-1987), se kishte qenë shok shkolle, klase dhe banke në Gjimnazin teologjik të Manastirit. Me dashamirësi dhe mirësjellje i kërkova një opinion (kujtime) për Migjenin. Biseda e zhvilluar në kroatishte dhe kontributi u botua në dyjavoren “OKO”, Zagreb, 24.08. – 07.09.1978, Nr. 168, Viti VI, fq. 3. Pashallarët e kuq shqiptarë i thartuan hundët!?
Këtë material e konsideroja si të humbur, ngase 10 herë isha hallakat si qiraxhi i përbuzur nga banesat e agallarëve (!) shpirtligj. Bah, në fillim të gushtit më ndezi eshka e përgjërimit, ah sikur ta kisha shkrimin për Migjenin? Fal mikut tim të madh kroato-arbëreshit Tomislav Marijan Bilosniç, e sigurova të fotokopjuar nga Biblioteka shkencore e Zarës. Botërisht i falënderohem! Po e sjellë të përkthyer në shqipe, duke u mirëkuptuar nga Redaksia Nacional dhe nga lexuesit fisniklindur, natyrisht pa paragjykime, pa pretendime të liga, pa ndonjë ngjyrë politizmi apo tendencë bërtitëse! Me devotshmëri do t’i mbetem besnik tekstit të botimit të kohës (1978) këtu e para 35 vjetëve.
Sivjet shënohet 75-vjetori i vdekjes së Migjenit! Amen!
* * *
Millosh Gjergj Nikola – Migjeni (1911 – 1938) është iniciator i literaturës sociale përparimtare në letërsinë e re shqiptare i përballur me mjerimin në paralagjen e qytetit të lindjes Shkodrës, gjatë kohës së shkollimit dhe në shërbimin e mjerë të mësuesisë në fshatin Vrakë, në afërsi të Shkodrës, si dhe në Pukë – ai deri në vdekjen të tij e hershme në sanatoriumin Torre Pellice, afër Torinos (Itali), i ka pikturuar (përshkruar) frutet e fantazmave të neveritshme, rrugëtimin e tij të mjerë nëpër bjeshkë, ku atje mjerimi ka qenë përditshmëri.
Poezia e tij nuk ka qenë e privuar nga mendjemprehtësia inventive, aspirata për gjurmimin e ëndrrës dhe zgjëndrrës, hulumtimi i humnerave të pafund, mirëpo poende më shumë ka gjurmuar për jetën dhe për të vërtetat e saj. Në motivet, kryesisht sociale, ka proteste, të cilat kanë paralajmëruar kryengritësin herët të këputur në hovin e krijimtarisë. Sepse – vjershat e tij më të mira me të drejtë kanë mbirë nga shqetësimi me mospajtimin e zogoizmit (Mbretin Zog) e mundimeve të mëdha kohore, kur e drejta feudale e agallarëve dhe begllerëve e përcakton rrjedhjen e shoqërisë dhe vlerën e mendimit dhe parimeve.
Poezia e Migjenit është rrëfim tragjik më vete dhe njëkohësisht protest. Shqetësimi i saj është zemërdhimbshëm dhe fjalë sentimentale, andej nuk e cakton tërheqjen e poetit në ëndërrimet subjektive dhe në pafuqishmëri. Ajo, në kohën kur poeti këndonte dhe më vonë, shfaqet si akuzë dhe shpejtë privohet nga iluzioni i dhembjeve të ndryshme.
Migjeni la trashëgim librin me vjersha “Vargjet e lira” dhe njëzetë proza poetike, skica dhe novela.
Vjershat i la nën titullin e lartpërmendur të botuar për gjallje të autorit, qysh më 1936, mirëpo menjëherë u konfiskua nga policia e atëhershme. Prej 1944 deri në ditët tona janë botuar shumë botime (ku është inkorporuar edhe proza e tij) si në Shqipëri, poashtu edhe te ne (duhet shtuar: Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, M.S.), shih: Migjeni, “Vargje të lira” të përkthyera nga shqipja në serbisht nga Dr. Esad Mekuli (1916-1993). Botoi “Jedinstvo” – Prishtinë, 1968. hyrjen e këtij kontributi e shkëputa nga Pasthënia e përkthyesit (E.M.), fq. 83.
* * *
Pande Popovski (1911-1987) u lind në bregun e Liqenit të Prespës, në Carev Dvor (Saraji i Krajlit), në afërsi të qytetit të Manastirit. Është (ishte) bashkëmoshatar i Migjenit. Së bashku i ndoqën mësimet në gjimnaz dhe seminarin teologjik në Manastir.
Arsimimin e lartë e përfundoi në Beograd dhe në Shkup (teologjinë dhe filozofinë). Ai është gazetar nga themelimi i Radio Shkupit – redaktor dhe report me mbi 30 vjetë përvojë pune, vini re (viti 1978). Është fitues i Shpërblimit për vepër jetësore “Kërste Misirkov” për gazetari në R.S. të Maqedonisë, si dhe i Shpërblimit Federativ – Diploma “Mosha Pijade”. Në vendlindjen e tij, nga të ardhurat monetare dhe nga shpërblimet e ndryshme për reportazhe, ka themeluar fondin për nxënës. Prej këtij fondi nxënësve më të mirë në mësime vit për vit iu ka nda nga një orë dore […].
Pande Popovski edhe tani është gazetar-reporter mjaft aktiv në shtëpinë e radios së vet, në cilën mendon të përfundoj aktivitetin e opusit gazetaresk. P. Popovski, ndërroi jetë më 1987 në moshën 76 vjeç në Shkup.
– Ju lutem, do të shprehni dëshirë për lexuesit e “OKO” me rastin e 40-vjetorit të vdekjes së Migjenit, të shokut tuaj të Shkollës dhe mikut të ngushtë të na thoni diçka më shumë për përshtypjet tuaja nga ajo periudhë e largët?
– Kanë kaluar më tepër se pesë dekada e tëhu, nga ditët tona kur jemi njohtuar së bashku. Dhe asnjëherë deri në këtë çast. Për te asnjë fjalë se kam shkruar! E tani? Ja, po e kërkojnë të rinjtë që diçka të shënoj për mikun (çiftin) tim nga bankat e nxënësit. Unë… vjeshtë e jetës – për një pranverë! Ndërkaq, jo vetëm unë që jam borxhli, përkundrazi edhe moralisht jam i obliguar e po aq më tepër i dëshiruar nga tërë zemra të këlthas: Shoku im! Ti je njëri nga më të rrallët, i cili edhe po të doje të nuk mund të vdesish… je i gjykuar jetëmot të mbetesh riosh…
Jemi takuar qysh si fëmijë të papjekur (axhami), në shpatijet e majet e Pelisterit, në një qytet me tre emra – Heraklea-helene, Monastiri-osman dhe Bitolla-sllave. Ky ishte ai qyteti.
Për herë të parë jemi kapur dorë për dore, të një dite vjeshtore, kur jemi gjendur në “rrjesht për dy”, jemi nisur nga internati teologjik në bankat e gjimnazit në bregun e mëngjër të lumit Draor të Manastirit. Ka pasur aty, në atë internat shumë fëmijë varfanjak të këputur nga viset e ndryshme të ish-Jugosllavisë së vjetër: nga Sërbia. Vojvodina, Lika, Maqedonia, nga Shqipëria. Kemi mësuar në gjimnazin, kurse kemi jetuar në internatin teologjik.
Me Migjenin kemi qenë në të njejtën klasë, në një bankë së bashku, si dhe në të njejtën sallë të ngrënjes së internatit, gjithmonë njëri-pranë tjetrit në të njejtën ulëse! Spontanisht dhe shpejt jemi miqësuar, kështu siç e bëjnë zakonisht të gjithë fëmijët e botës. E çka është ajo më shumë që ne na afroi, ajo çka ne kemi qenë në mënyrë intuitive jemi ndjer qytetarë të “rendit të dytë” në një mbretëri të egër.
– Më duket se edhe tani po e shoh: pak më i lartë se unë, shëndetlig, me faqe të verdha, gjithnjë me sy të përndezur dhe të drejtuar gjëkund larg, mendosh në majolet e maleve mbi qytet ose në fushën e brishtë të pakufishme të Pellagonisë.
– Më kupto! – ofshante nga ndonjëherë – më së rëndi e kam që patjetër çdo buzëmbrëmje, si tufa e qengjave të vemi në kish në meshën e mbrëmjes… E të dielen nga dy herë… kush e ka menduar e vraftë Zoti!
Atje, në dyshemenë e mermertë e të ftohtë të kishës së Manastirit, atij (Migjenit) filluan ngadalë ti skuqen mollëzat e fytyrës dhe ti shpërthejë nga gjoksi i njom ndonjë kollitje e thatë.
Ka qenë i qetë, përjetësisht i heshtur, në bisedat tepër të rralla, fliste me fluoditet të vërtetë stili. Mirëpo, dinte edhe të “venitej” me sy dhe gjuhë, veçanërisht nëse ndonjëri padrejtësisht e fajsonte, po qoftë ai cenzori ose vetë edukatori (pedagogu).
Në atë internatin tonë, krahas atyre pesë orë mësimi në gjimnaz, kemi pasur edhe nga katër-pesë orë mësim në orët e mbërmjes. Kjo quhej “mjeshtëri” dhe kjo ekzekutohej nën mbikëqyrjen e censorit kujdestar.
Migjeni pak i mësonte leksionet, sepse ka qenë ndër të rrallët i vëmendshëm në ligjërata. Ka qenë jashtëzakonisht mendjemprehtë (inteligjentë). Ai më së shumti lexonte literaturë, dhe ate klasike. Ky lexim të gjithë neve na ndihmoi ta zgjerojmë horizontin dhe orbitën tonë. Sepse, ç’na kishte ngelë neve tjetër në ato mure të mbyllura, vetëm të mësojmë, e të mësojmë. Leje-dalje në qytet kemi pasur një herë në javë, dhe ate të dielen paradite.
Krahas atyre orëve të lira të pritura çdo të diele, më të dashura për ne kanë qenë takimet letrare me gjimnazistët e qytetit. Ato i organizonte shoqata letrare – teologjike dhe e gjimnazistëve. Në ato takime letrare vinte deri në diskutime të zjarrta, veçmas për disa individualitete letrare dhe jo vetëm për probleme letrare. Migjeni – Millosh Nikoliç (!), sido që të jetë, ashtu duhej të regjistrohej në gjimnaz, në ato takime i lexonte edhe vjershat e veta të para. E qartë, ato duhet të ishin të shkruara në gjuhën serbo-kroatishte, si e folme e vetme e pranuar ose duhej të ishin të përkthyera në atë gjuhë.
Njato vjershat e tij të para, të cilat i kam dëgjuar në takimet letrare, ose ato të cilat ai mi ka lexuar ndonjëherë, m’i lexonte në pëshpëritje në dhomën e fjetjes, kishin përmbajtje, ishin analiste dhe ngapak alegorike.
Kam pasur përshtypje se me frymën e tij vërsulej dhe në muret me të cilët kemi qenë të rrethuar dhe në të gjitha meshat e mëngjesit dhe të mbrëmjes, që patjetër duhej të ishim të pranishëm. Madje, edhe në çdo gjë që neve na ngulisnin në kohë edukatorët dhe censorët.
Para disa vite një profesor i letërsisë nga Universiteti i Tiranës, si shokë i ngushtë i Migjenit nga ditët e para të gjimnazit, ma bëri edhe këtë pyetje:
– Ju lutem, Migjeni ka qenë progresiv, revolucionar dhe poet i madh. Vallë, kush në te ka pasur ndikim nga poetët sovjetik, sepse në poezinë e tij ka disa pika puçëse mendimi?
– Jo, jo, i dashur profesor, në atë kohë, në ato banka të gjimnazit, askush nuk ka pasur ndikim, sepse në ato rrethana në të cilat kemi jetuar, të rrethuar me mure dhe me edukatorët bjellogardistët rus, as ata, po kushdo qoftë nga ne nuk ka mundur të vjen deri te letërsia sovjetike!!! Krejt çka është revolucionare, humane dhe sociale në poezitë e tij të para, këte unë ua vërtetoj juve, ajo është personalisht e tij, origjinale, e shkëputur nga zemra. Sepse Milloshi Migjeni – nuk ka qenë kopjues i askujt. Ai e ka paraqitur (pikturuar) ate në të cilën ka jetuar dhe botën që e ka parafytyruar çfarë duhet të jetë. Si të tillë e kam njohur dhe e kam mbajtë në mend.
Edhe diçka tjetër: ai shoqërimi jonë i vërtetë dhe intim në rini, mendoj, se është rrënjosur në mua që gjatë tërë jetën të mbetëm mik i sinqertë dhe mik i çdo pinjolli të popullit të tij.
Përktheu: autori