Jeta e censuruar dhe dëshira për të jetuar

0
1038

Vështrim mbi vëllimin poetik “JETA E CENSURUAR” e autorit Fran Tanushi

Shkruan : ODISE PLAKUTiranë

Në mënyrë krejt të rastësishme, përmes botës së teknologjisë së informacionit, do të takohesha për herë të parë në jetën time me Fran Tanushin.

Ai që jetonte në Gjermani dhe unë në Shqipëri. Për herë të parë u përshëndetëm në të njëjtën gjuhë, shqip me fjalët “Tungjatjeta, miku im”.

Kështu kemi mbetur ende dhe sot e kësaj dite me fjalën plot vlerë si dy miq të mirë. Në kalim të ditëve do të njiheshim dhe zbulonim akoma më shumë nga jeta e njeri-tjetrit.

E përbashkëta mes nesh, letërsia. Në atë shkëmbim të krijimeve, do të më tërhiqte vargu i Franit dhe figura letrare që ai sillte në atë gatesën e tij poetike. Bile, këmbëngula që disa nga këto poezi të botoheshin në revistën artistike kulturore “Obelisk”, këtu në Tiranë. Ndërsa pak kohë më vonë, Frani do të sillte në Tiranë librin e tij “Jeta e censuruar”.

Në atë shfletim të shpejtë të faqeve të librit e kuptova që do të më duhej koha e duhur, por edhe gjendja ime shpirtërore për të lexuar dhe shijuar vargun e Tanushit.

Në fillim të vëllimit poetik Fran Tanushi do të tregohet paksa lirik dhe besnik i dashurisë dhe tregon qartazi se prej nga i vjen ky ngazëllim shpirtëror “që i sjell kthjelltësi qiellore” dhe që e bën të ndihet kaq djalë.

Më pas përmes një epiciteti dhe ndjeshmërie poetike autori Fran Tanushi do të tregojë se kush është ai. Dhe së pari ai është Dardania. Një dashuri që ka zënë rrënjë thellë në shpirtin e tij, thuaj sa ka njohur veten si Fran. Në mënyrë metaforike ai do të tregojë se toka dhe vendi ku ka lindur, emri që ajo mban është e vjetër “shekujve të tërbuar çmendurisht” .
Kjo temë atdhedashurie do të mbetet e pranishme sërish në një tjetër poezi të titulluar “Pse Kosovë?”
Një pyetje e cila prek ditën e sotme. Mbart brenda shqetësimin e birit të kësaj martireje.

Mos gërshërët,
djalli i mpreh
shtatit tënd
nga kalon lumi

Në mënyrë kaq të qartë dhe të shprehur metaforisht bukur autori kërkon të sjellë edhe një herë rrezikun që vendit të tij i kanoset nga copëtimi territorial në këtë kohë moderne.
Por si njeri me gjak dhe dell atdhetari Tanushi pa ngurrim bën të ditur se si është fituar kjo pavarësi ashtu dhe do të mbrohet. Nuk do të ketë një tjetër 1913 për tokën shqiptare kaq shumë të cunguar.

Mbi ty s’do të lëmë gërshërë
Pa e ndezur edhe një herë.

Siguria e tij në këto vargje sjell me vete dhe atë të shumë e shumë djemve e vajzave të Kosovës që kanë brohoritur të gjithë një zë “Bac u kry !” dhe po ashtu janë të gjindshëm një zëri të thonë “Kurrë më ndarje nga trupi yt Kosovë.”
Sepse si thotë poeti në atë urë dhe mbi atë lum:

Në cakun e pikëtakimit
Me të shkuarën e ardhmja ngjiten
Trupat e njomë përmendore
I shtojnë të tashmes rritën

Në poezinë “Ky jam unë”, ndoshta dhe për herë të parë, Tanushi zbërthen veten e tij, heq gjithçka që mund ta mbulojë dhe ruajë nga sytë e të tjerëve. Ai zhvishet në kuptimin poetik për tu treguar miqve dhe shokëve të tij, bashkëkombësve të vet se edhe kur hesht, ai mendo, se edhe kur shumë lexon nga pak shkruan, apo që nuk di të urrejë, por veç të dashuroj. Dhe mbi të gjitha përmes këtij vizatimi poetik ai vulos duke thënë përfundimisht: Ngjaj një engjëll, me trup njeriu.

Duke kaluar nga një poezi te tjera, nga një varg te tjetri Tanushi zbërthen akoma edhe më shumë veten e tij që në të vërtetë mund të ketë edhe emrin Unë, Ti, Ata…

Dikur kur të tjerët kanë qarë me vajin e tij të ardhjes në jetë, sot Tanushi as qesh e as qan, sepse me ta këndon.
Në shumë vargje autori na del me një natyrë vërtetë burrërore, me ato norma e zakone që i kanë hije një kosovari, por befas në një çast, ndoshta edhe i vetëm, gjunjëzohet. Ajo, dashuria, ndjenja e bukur dhe e pastër e bën fëmijë, të ndihet i dobët, i butë, i brishtë,i ujshëm . Bile edhe vetë e pranon dhe kërkon ti tërheqë vëmendjen asaj se çfarë i ka bërë. Duke sikur e kap nga krahu dhe i thotë disi me nevrik :

“E di ti moj”
… kam harruar
Krenarinë burrërore
Ndoshta “marrosur” jam

Por ai nuk ndalet këtu. Ndalet edhe në kopshtin e kujtimeve të rinisë së tij, të botës së nostalgjive

ku gotës plot me verë
nuhat aromën
e pikturimit
të portretit të saj

Si një poezi lirike lodron nëpër buzë poezia “Vargu im”. Në të vërtetë këto vargje, plot nxehtësi dhe ndjenjë, plot ëmbëlsi do të shkonin për shtat një portreti dashurie. Dyshues, në tërësinë e brendisë së kësaj poezie, do të thoja që këtë poezi autori e ka përdorur si një fshehje të një dashurie të madhe në botën e tij. Por edhe dedikuar vargut të tij, përsëri qëndron, më shumë sesa një poezi për muzën që atij i vjen shpirtit dhe trazon kulmin.
Të puth, të dashuroj
si më të bukurën dashnore.
Ai e di autori se si dashurohet një dashnore? A është kjo lloj dashurie disi më e ëmbël se mbart brenda dhe misterin e fshehtësisë?
Por të gjitha hamendësimet autori i zhduk veç me vargjet e fundit

Shtegtimeve me kapërcyell
Adresave të pluhurosura
Duke kërkuar NJERIUN

Ky është misioni më i vështirë në jetën e përditshme. Pamundësia e të gjeturit të njeriut është ndërruar në një problem sa enigmatik aq dhe të vështirë. Krijesa njerëzore ka në çdo cep të jetës, por njeri vështirë. Kanë vdekur shumë ndjesi shoqërore, shumë zakone, tradita, norma të marrëdhënieve mes njeri-tjetrit. Autori përmes fjalës kërkon të ecë në atë rrugë fundcila do ta takojë me atë që ai kërkon; Njeriun, por me njeriun e vërtetë.

E konceptuar në formën e kapitujve, Në një tjetër përshëndetje Tanushi do tu thotë të gjithëve “Mirëdita Mirditë”Zakonisht në emrat e të lindurve në Kosovë do të gjesh shumë prej emrave të qyteteve dhe vendeve në Shqipëri, Do të takosh njerëz me emrin Berat, Sarandë, Vlora, Valbona dhe në librin e tij, dhe Mirditën.
Përsëri një pikëpyetje. Një përshëndetje për një mikeshë apo diçka tjetër. Enigmën e zbulon vetë autori. Bëhet fjalë për Mirditën që

në sytë e autorit shfaqet si,
Fole e shqipeve në fluturim
Kur gjarpërinjtë gurët rrokullisin.

Edhe në këtë nënkapitull poetik autorin do ta gjejmë mes epizmit dhe lirizmit. Ai do të lutet dhe kundërshtojë. Që të mos ia kërkojnë frymën, këngën, dhembjen, vargun, rininë dëshirat, nuk mund të jetë i askujt, pasi nuk mund te jepet bile zhduk çdo hamendësim që ai të përulet ndonjëherë që t’i ndrydhin ëndërrta me “sadizëm”.

Por në një tjetër poezi do të kemi një djalë që ka pritur shiun e natës të pushojë dhe shfaqjen e yllit të mëngjesit, që të bëj roje pranë dritares së asaj që ia ka trazuar zemrën. Një poezi lirike që i ngjan një serenate korçare “Dritares sate do t’i bëj roje” dhe me atë dëshirën e çartur dhe që nuk e pengon asgjë;

me flatra zogu
do vij ku je ti
këtë mëngjes të bekuar
me Ty për ta ndarë.

I druajtur për këtë gabim të bërë përsëri një tjetër kthim do të ketë nën atë dritare brenda asaj dhome dhe e gjithë kjo shkon përmes një premtimi nga vetë autori që :

Prapë do të kthehem atje
Qytetit poshtë nën sharrë
Nëse të bezdisa
A ke për të më falur?

Por a ka në të vërtetë vend për falje nëse ajo dhomë ka qenë e tija dhe e saj për një ditë apo një natë. Ajo derë që iu hap me dashuri një herë, padyshim që e mirëpret përsëri që ai:

Të ledhatojë faqet
Nën sytë e tu magjik
Aty ku loti i kthjellët dikur
Rrëshqiti pa dëshirë.

Brenda nën emërtesës “Diku në Ulpianë” do të ndeshemi dhe me poezinë që mbart vetë titullin e këtij vëllimi poetik. Shqetësimi i madh i poetit si njeri, si qytetar i kësaj bote është që pse ende ai nuk është çfarë do të jetë në të vërtetë. Censura rëndon ende.
Ndërkohë që ai dëshiron:

A mund të shkruaj emrin
Pa censurë
Pa kllapa

Dëshira e tij rritet dhe të duket se një tjetër Migjen jeton diku në këtë glob. Është ky migjenian i ri, me rrënjët prej Kosove, që kërkon që përmes fjalës së tij “t’ia lëshoj namim shekullit”, por zemra e tij është e ndarë më dysh, jeton në dy vende , në dy kohë, sepse një mur ngrihet mbi të.

Shënimi i lënë në fund të kësaj poezie (… 86 Bregu i Diellit, Prishtinë) do të bëj të kuptosh pse jeta e tij është e censuruar. Në atë kohë, pa frikë jeta e çdo njeriu që mban vendlindjen Kosovë, ishte e censuruar.

Në poezitë e këtij nënkapitulli poetik do të gjesh edhe poezi dedikime kushtuar emrave të njohur të artit , poetit Ali Podrimja, piktorit Gjelosha Gjokaj, Martin Camajt, për të ndalur në atë që është më e ndjeshme në varg. Cilido në një formë apo tjetrën ka belbëzuar fjalë kushtuar njeriut më të shtrenjtë të jetës, asaj që na ka sjellë në jetë;nënës.

I merakosur dhe me një mall në gji, autori i thotë qoftë dhe përmes yjeve dhe hënës lart në qiell që të mos ta presë më si dikur,kur ishte gjimnazist, apo pranë sofrës mos ta presë të shijojë bukën e bekuar, as lot të mos derdh sepse:

Vetë Ti më ke thënë
Jeta është luftë
Që duhet fituar.

Por edhe për atë që e ka bërë burrë më hijen e tij, babait, nuk mungojnë vargjet. Përkundrazi, këtu ka më shumë ndjesi, ka më shumë “Dhembje dhe lot”, sepse sekondat gëlltitën dekada. Është një dhimbje që rrokulliste me forcën e një orteku brenda kraharorit të tij. Është loti i burrit që derdhet për ndarjen e burrit nga kjo botë, për atë nisje në atë rrugëtim ku kthimi pas nuk ndodh kurrë. Duket se në këtë poezi ka një qortim për atë ikje të beftë, për atë ngurtësim të atij shtati vigan në atë shtrat të ngushtë.

Gjeneratat që vijnë
Do të thonë
U ngute bre burrë

Sa lirik dhe epik, sa i drejtpërdrejtë dhe i fshehtë, sa burrëror aq dhe djaloshar do të shfaqet dhe në këtë pjesë të vëllimit të tij poetik aq sa pa ngurrim pohon: “Të duhemi s’është marrëzi” duke shkuar edhe më tej në shprehje dëshirash për të qenë një piktor për të bërë pse jo dhe portretin e saj që herë është si engjëll e herë si zanë “që ndihem kaq djalë pranë kur më je” thotë autori në poezinë “Portreti yt”.

Në marrëdhëniet që ndërtohen në tërësinë e vargjeve të poezisë së vëllimit “Jeta e Censuruar” vazhdimisht shfaqet raporti mes njeriut dhe kohës, me qëllimin madhor që pikërisht njeriu ti japi kohës emrin që ajo meriton.
Pak më lart autori ishte vënë në kërkim të njeriut dhe, në pasgjetjen e tij, të vënit e emrit kohës është një tjetër problem që ai kërkon të marrë zgjidhje.

Edhe në nëndarjen “Ankthe e shpresë” do të gjesh të harmonizuar një gamë temash dhe ndërtimesh poetike që e bëjnë poezinë e tij akoma më familjare, akoma më bashkëkombëse, akoma më të prekshme dhe të imagjinueshme. Përmes vargjeve të tij autori e çon lexuesin në skaje ku ai nuk ka qenë më parë dhe përmes fjalës së përzgjedhur pikturon një tablo interesante, e ndare në katrorë të mëdhenj e të vegjël, ku secili prej tyre ka një përmbajtje të vetën.

Ai e fillon këtë nënndarje me pyetjen “A qajnë poetët” për ta përmbyllur me poezinë “Në dukagjin”, atje ku një nënë ka lindur shumë fëmijë. Një mesazh sa i bukur dhe domethënës:

Në Dukagjin është një nënë
Që pas dhembjeve jetë mbjell

Fëmija është jeta, është e ardhmja, është shpresa, është përparimi. Pikërisht këtë kërkon të ketë tabloja jetësore që ai si autor dëshiron të pikturojë në poezinë e tij.

Duke menduar që nuk i kam thënë të gjitha për këtë vëllim poetik, jam ndjerë mirë që ende në këtë jetë ka njerëz që me vargun e tyre kërkojnë që jetës t’i japin frymë.

Ka ende njerëz që mendojnë se përmes dashurisë dhe jo urrejtjes, përmes besës dhe jo tradhtisë, që përmes jetës dhe jo vdekjes, që përmes ruajtjes së traditave dhe zakoneve, përmes të shikuarit në qiellin e pamat të së ardhmes dhe jo skutave të errëta të shpirtrave zezonë, do të ketë më shumë shpresë për ditë të mira në jetën e çdo njërit prej nesh. Nuk ka rëndësi çfarë gjuhe flasim dhe ku jetojmë, jeta është e shenjtë për këdo. Por më e madhe, dhe më vlerë merr jeta e njeriut, kur nuk harron rrugën nëpër të cilën ka ardhur në jetë.

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar