Jemi në ankth kolektiv. A ka degraduar shoqëria jonë moralisht?

0
595
Dom Gjergj Meta me Papa Francesco

Entela Resuli, Dita, 23 korrik 2018

Javët e fundit në Dita kemi sjellë një cikël intervistash dhe opinionesh duke kërkuar një mendim apo analizë se si ka qeverisur Edi Rama dhe skuadra e tij në këto pesë vite.

Sa herë kam folur me personazhet apo kam marr një intervistë, ndoshta pa të drejtë kam patur një paragjykim në kokë mbi mënyrën se si shprehet personazhi, duke u ndikuar nga rrethanat ku ata janë pa ç’ka se tjetër kund kanë dashur të jenë.

Gjithmonë e më tepër njerëzit po me duken të pasinqertë, ose me saktë veprojnë sipas interesave të tyre e për rrjedhojë edhe flasin kështu. Interesa këto që lidhem me pushtetin, hatër mbetje, e kështu me radhë. Me Dom Gjergjin është ndryshe. Ai nuk ka asnjë interes ta mbajë mirë me pushtetin. As të flasë e ta sulmojë atë vetëm sepse duhet. As të mbjellë urrejtje e as pesimizëm. Ai është i kujdesshëm kur analizon e kur shprehet, pasi është i vetëdijshëm për peshën e fjalës së tij e mbi të gjitha mban përgjegjësi për të.

Personalisht, kam vënë re kohët e fundit një pesimizëm tek njerëzit, një mungesë shprese, mungesë dëshire për të punuar dhe dëshirë për t’u larguar e për ta braktisur këtë vend. Këtë fenomen e kam hasur edhe tek ata që dikur ‘betoheshin” se nuk do e braktisnin kurrë Shqipërinë. Njeriu mund të ndryshojë mendim. Shpresoj të jetë kështu!

Për këto dhe për shumë aspekte të shoqërisë sonë, kam ftuar në këtë intervistë Dom Gjergj Metën. Bisedat me të janë si meditimi dhe terapia për shpirtin. Ju ftoj ta lexoni.


– Dom Gjergji, shumë njerëz i kishin si “ushqim” shkrimet tuaja në rrjetet sociale, ndërsa keni kohë që nuk jeni më prezent në to, të paktën jo në FB apo keni ndryshuar “dritare”?

Të falenderoj për fjalët. Nuk pretendoj të “ushqej” njeri, e madje as të mësoj dikënd. Shpresoj vetëm të kem hapur ndonjë dritare reflektimi. Komunikimi im është zhvendosur në “dritare” të tjera, por jo virtuale. Nuk kam më kohë për virtualen në atë masë që kisha dikur. Jeta konkrete më angazhon më shumë tani dhe sidomos komunikimi me njerëzit e çdo dite.

– Sot, do të doja të bënim bashkë një bisedë për njerëzit, në fakt, ju gjithmonë flisni për njerëzit…po ata a flasin me ju, çfarë ju thonë?

E kam të vështirë të përcaktoj tipologjinë e njerëzve që takoj dhe të bisedave që bëj me ta. Janë të shumëllojshme, sikurse është vetë jeta e përditshme dhe origjinaliteti i secilit që takoj. Njerëzit flasin me mua, sikurse edhe unë me njerëzit. Ajo që mundohem të bëj është që çdo njeri të ngjallë tek unë habinë e misterit, ta trajtoj atë takim apo bisedë si një event unik në jetën time, që nuk do të përsëritet më kurrë edhe pse mund të takoj të njëjtin person një pafundësi herësh, edhe pse mund të jetë e njëjta temë edhe pse mund të jetë një person tejet i mërzitshëm.

– Ju tani jeni vendosur në Rrëshen, domëthënë përveç se shërbeni edhe jetoni aty?

Po jetoj në Rrëshen. Dhe dua të them se ndjehem shumë mirë. Sikur t’i kisha përkitur këtij qyteti dhe kësaj zone qysh nga lindja ime.

– Dom Gjergji, a ndryshojnë besimtarët nga një qytet në tjetrin, apo ata që besojnë janë të gjithë njëlloj?

Falë Zotit nuk janë të gjithë njëlloj, ndryshe do të quhej monotoni. E bukura e besimit është pikërisht larmia e cila, as më shumë as më pak, pasqyron larminë që gjendet në natyrë. Vetëm në sistemet totalitare religjioze apo politike kërkohet homogjenizimi i njerëzve. Larmia krijon dinamizëm, befasi, admirim dhe habi. E ne e dimë se prej kësaj të fundit lind edhe mendimi filozofik.

– Ju, jeni një person që e ndiqni me vëmendje aktualitetin në vend, çfarë ju shqetëson në këtë periudhë?

Çorientimi ekzistencial! Ja çfarë më shqetëson më shumë. E çfarë nënkuptoj unë me “çorientim ekzistencial”? Paaftësinë dhe pamundësinë për të menduar në plan afatgjatë, duke mbetur të ngërthyer në danat e carpe diem. Ky çorientim duket se i ka rrënjët në njëfarë frike për të planifikuar në mënyrë largpamëse, për vetë situatën e lëvizshme dhe të ndryshueshme që po kalon vendi ynë. Një tranzicion shoqëror që është kthyer në një modus vivendi si në rrafshin individual, si në atë familjar. Jetohet në mënyrë tranzitore, pa themel dhe qëndrueshmëri. Kjo prek të rinj e të vjetër e për fat të keq prek edhe institucione e realitete që në vetvete duhet të japin një garanci vazhdimësie.

– Ky është një nga problemet më të mëdha që kemi?

Nuk është sigurisht i vetmi problem. Mua më është dukur ai më sintetizuesi i shumë problemeve të tjera që ne kemi si shoqëri, që në njëfarë mase janë problemet e të gjitha shoqërive e në disa aspekte të tjera janë ato më specifiket tonat, sikurse varfëria, kriminaliteti, dhuna në familje, trafiku i narkotikëve, sistemi arsimor dhe shëndetësor, infrastruktura e dobët, çështjet e pazgjidhura të korrupsionit në administratë e kështu me radhë. Të gjitha këto ndikojnë në rëndimin e atij çorientimi ekzistencial dhe rrisin dukshëm një lloj ndjesie pafuqishmërie për të reaguar.

– Ka një formulë se si mund të ndryshojmë, zgjidhim?

Duhet të reagojmë. Unë mendoj se një nga rrugët e reagimit është dialogu. Ne si shoqëri dialogun e kemi përzënë nga agora-të tona. Të mësuar me një monolog 50-vjeçar, i diktuar nga lart, si një figurë atërore autoritare që nuk linte vend për bashkëndarje dhe mënyrë demokratike të zgjidhjes së problemeve, po ashtu duke qenë se jemi ende një shoqëri patriarkale dhe piramidale (edhe pse në rënie e sipër), tani po kalojmë nëpër një fazë kakofonie ku secili jep mendimin e vet, e shpesh shumë të vlefshëm, por nuk dëgjon mendimin e tjetrit. Reagimi nëpërmjet dialogut do të thotë që, ndërsa jap mendimin tim, dëgjoj çka thotë tjetri e kështu përforcoj, rris apo ndreq mendimin tim e kështu së bashku, si në një lloj spirale hegeliane, shkohet drejt një sinteze, që do të ndihmonte në kapërcimin e kësaj situate tranzitore.

Nuk mund të lëmë pa përmendur ndryshimin që vjen nëpërmjet kulturës dhe artit, të cilët ndikojnë drejtpërdrejt në ndjenjat dhe emocionet e njerëzve, duke i fisnikëruar ato, por edhe duke i manipuluar shpeshherë, pasi ne e dimë nga historia se arti dhe kultura janë vënë edhe në shërbim të regjimeve për të mbajtur të heshtur, të ndrydhur apo të mpirë reagimin e masave. Edhe religjioni ka pasur e mund të ketë një përdorim të tillë. Por arti, kultura dhe religjioni mund të ndryshojnë cilësinë e jetës së një populli nëpërmjet rrafshit të simbolikes dhe alegorikes që veprojnë fuqishëm brenda përmasave më të thella të njeriut si individ dhe si komunitet.

Dialogut i nevojitet gjithashtu një kusht thelbësor që të zhvillohet: sinqeriteti. Ky është një virtyt i vështirë, pothuajse një mission impossible për momentin në Shqipëri. Fatkeqësisht, dhe e them me një dhimbje të madhe këtë gjë, ka një mungesë të theksuar sinqeriteti në proceset e dialogut dhe të marrëdhënieve ndërpersonale.

– Krerët e besimeve fetare në Shqipëri i dërguan një letër kancelares Merkel dhe Presidentit francez Macron, ku i kërkuan që të hapin dritën jeshile për hapjen e negociatave për Shqipërinë në BE. U zhgënjyet nga mungesa e kësaj drite?

Personalisht nuk pata aspak zhgënjim. Qeveritë europiane gjykojnë mbi kritere të tjera saktësisht të përcaktuara dhe jo mbi dëshira të mira. Letra jonë megjithatë ishte një letër kortezie dhe e sinqertë, sintezë e një letre tjetër që ne kemi bërë, po së bashku si religjione, dy ditë pas rakomandimit pozitiv për hapjen negociatave. Duhet thënë që, edhe pse kriteret e vendimmarrjes së BE janë të tjera, ka një ndjeshmëri të lartë në politikën evropiane ndaj elementit religjioz. Vetë presidenti Makron ka bërë një fjalim shumë të rëndësishëm për Kishën katolike në Francë. Në atë fjalim të bërë me 9 prill 2018 para Konferencës ipeshkvore franceze, Macron pranon se politika, e vetme, nuk mund të zgjidhë fatet e vendit dhe po ashtu ai pranon se nga Kisha pret tre gjëra, të cilat ajo mund t’i bëjë më mirë se askush: mençurinë, angazhimin dhe lirinë. Me pak fjalë ai i kërkon Kishës në Francë që të ndihmojë në diçka që politika nuk mund ta bëjë, që të motivojë e t’u japë shpresë njerëzve se ia vlen të impenjohesh, pa rënë pre e nihilizmit dhe indiferencës, ku fatkeqësisht ka rënë shoqëria jonë shqiptare, por jo vetëm. Këtë punë mund dhe duhet ta bëjnë edhe religjionet në Shqipëri e shteti t’i konsiderojë si partnerë dhe jo dekor apo zbukurim në veprimtarinë e tij.

– Ka një kakofoni në ajër, probleme me koncesionet, me turizmin, me arsimin, me teatrin, me shëndetësinë, me drejtësinë… A vlen pyetja: A ka Zot ta marrë përsipër këtë vend?

Çdo vend ka një shumësi problemesh, e këto që ju përmendët janë problemet tona, me të cilat duhet të përballemi. Problemet do të jenë gjithmonë. Gjithë çështja është se çfarë vlere i jep fjalës problem: nëse e shikon si një mundësi apo si një fatalitet. Unë absolutisht besoj se ky vend ka persona të vlefshëm që mund të bëjnë shumë. Kam frikë se mungon idealiteti, ose ka një lloj frike apo droje për të pasur ideale. Por kjo është e kuptueshme, edhe pse jo e justifikueshme, në një shoqëri ku gjithçka matet dhe ka një çmim, sikurse bie fjala drejtësia, arsimi, kultura e kështu me radhë. Zoti? Zoti e ka marrë përsipër këtë vend, duke na e dhuruar neve. Është një dhuratë që kthehet në një përgjegjësi për secilin prej nesh. Ne të gjithë e shprehim përgjegjësinë tonë nëpërmjet angazhimit personal dhe votës. Ndërsa ata që ne u japim votën, në emrin tonë punojnë për të mirën e të gjithëve. Së paku kështu duhet të jetë.

– Besoni se do të reformohet drejtësia në këtë vend?

Po kam besim që do të reformohet. Nuk është e lehtë. Ka shumë mosbesim të përhapur që ndikohet dhe stimulohet nga dy faktorë: historia e tejzgjatur korruptive e sistemit të drejtësisë dhe dialektika politike që në të njëjtën kohë lartëson apo njollos gjithçka në bazë të konjukturës së momentit. Drejtësia është e lidhur ngushtë me lirinë, në një mënyrë të ndërsjelltë: do të thoja që ku ka drejtësi ka liri dhe ku ka liri ka drejtësi. Në mënyrë më specifike i referohem faktit se sistemi i drejtësisë e ka të domosdoshme lirinë e veprimit. Ndërsa politika mund të ndihmojë në këtë proces, por nuk duhet ta pengojë. I lejoj vetes të them se reforma në drejtësi nuk është vetëm një fakt teknik, përmirësim apo përafrim i kuadrit ligjor me atë të vendeve evropiane. Është diçka më shumë, më e thellë. Është besim në ligjin apo të drejtën si një element esencial i brendisë njerëzore, si një prodhim i përpjekjeve për të menduar të mirën e të gjithë njerëzve e të çdo njeriu. Drejtësia ka armiq të mëdhenj, ndër të cilët informaliteti dhe paligjshmëria. Për fat të keq këto të fundit janë të fuqishme, financiarisht e në shumë raste edhe politikisht. Shërbëtorët e këqinj të tyre pengojnë sistemin e drejtësisë të reformohet. Është një punë e koklavitur, por jo e pamundur. Të shpresojmë.

Nëse do kishit mundësi apo forcë, çdo të bënit me këtë klasë politike?

Unë asgjë. Është e vetmja gjë që nuk ndryshon nga lart dhe me forcë, por vetëm nga poshtë dhe me votë. Së paku në demokraci.

– A ka degraduar shoqëria jonë, moralisht?

Shoqëria jonë ka ata probleme e situata morale të shumë shoqërive të tjera. Ka aspekte degradimi, sikurse ka aspekte ndërgjegjësimi. Nuk mund të them se është një shoqëri e degraduar moralisht. Ka ende shumë vlera tradicionale dhe të reja që e bëjnë shoqërinë tonë shqiptare një shoqëri të bukur. Unë i besoj instinktit të së bukurës që ka një popull, estetikës së tij. Estetika ndikon edhe në etikë e kështu edhe në moral.

– Dom Gjergji, ju përballeni çdo ditë me njerëz të cilët në pjesën më të madhe të tyre janë në “hall”, çfarë ju thonë, çfarë ankesash kanë?

Problemet kryesisht janë të dy llojeve: varfëri ekonomike dhe çorientim ekzistencial, apo shpirtëror. Mundohemi sa të jetë e mundur t’u vijmë në ndihmë edhe njërës palë edhe tjetrës.

A ndjeni edhe ju një pesimizëm që shtohet dita-ditës, nga se vjen?

Ka një lloj ankthi të theksuar që mund të kthehet në një depresion kolektiv edhe pse depresioni është një term klinik i pamjaftueshëm për të përshkruar kolektivitetin. E kam shpjeguar edhe më sipër: mungesa e perspektivës apo e planifikimit afatgjatë krijon ankth. Pesimizmi është vrasja e dëshirës. Dëshira sipas psikoanalistit francez Lacan është pritje, madje për të është një vokacion. Pesimizmi është mungesa e dëshirës për të pritur. Pritja të bën të jetosh të tashmen duke ndërtuar të ardhmen, ndërsa pesimizmi të çon drejt një apatie ndaj realitetit, një frike se çfarë do të ndodhë, frikë nga e mundshmja e keqe, e kështu paralizon të tashmen.

– Si mund t’i shpëtojmë kësaj gjendjeje?

Nëpërmjet jetës shpirtërore. Kultivimi i jetës shpirtërore është një rrugë e gjatë, por e bukur. Me shpirtin ka të bëjë e bukura, e mira, e vërteta të cilat lëvrohen në art, kulturë, arsim dhe për mua arrijnë kultimin në liturgji, që është arti i shprehjes së besimit dhe marrëdhënies me Zotin nëpërmjet gjesteve, trupit, fjalëve, pra me një fjalë kulti. Është koha e duhur për heshtje, meditim, reflektim. Një jetë e thellë shpirtërore krijon dritë brenda vetes dhe lejon të shohësh më mirë e më larg. Është si të ndezësh dritat e gjata të makinës natën. Duhet të krijomë më shumë mundësi shpirtërore. Ka një kërkesë të njerëzve, edhe pse nuk përkon gjithnjë me religjionin zyrtar, për jetë shpirtërore. Ndryshe nuk shpjegohet vetëm si një fenomen irracional rendja drejt shenjtëroreve apo vendeve të kultit të njohura e shumë njerëzve. Ne duhet të dimë ta përkthejmë e ta interpretojmë këtë fenomen. Është një kërkesë, një nevojë për të dalë nga gjendja e çorientuar.

– Ju thoni se të rinjtë shqiptarë, po kalojnë një krizë të madhe: o kanë dëshirë t’ia mbathin, o konfirmohen për një sistemim të sigurt e pa lodhje, por nuk duan të ndryshojnë realitetin!

A e ka një shpjegim e gjithë kjo?

Mendoj se kam thënë diçka më sipër. Në rastin e të rinjve i shtohet edhe fakti që kanë shumë vite jetë përpara dhe janë plot iniciativë e entuziazëm. Nëse ky kanalizim i iniciativës dhe potencialitetit nuk u mundësohet në Shqipëri, atëherë do të kërkojnë rrugë të tjera. Konformimi është kur sheh të rinj që për një vend punë humbin sensin kritik ndaj sistemit. Fatkeqësisht kjo ndodh në Shqipëri, me shumicë. Sa të rinj e të reja shoh nëpër rrjete sociale duke i bërë fresk liderave politikë. Një i ri që humb sensin kritik dhe reagues është një i ri i plakur e pa jetë.

– Sipas një sondazhi të Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, gati gjysma e shqiptarëve duan të largohen nga vendi, si i shpjegoni këto shifra?

Po marr Mirditën si shembull, meqë jetoj këtu. Ajo në këto vite është zbrazur me 50% e në disa zona edhe më shumë se 60%. Dhe mund të them me siguri se, po t’u jepej mundësia e një jete më të mirë dhe e ikjes, do ta linin edhe 50% e atyre që janë këtu. E kjo do të ishte vdekja e Mirditës. Arsyet janë ekonomike në pjesën më të madhe, papunësia, vështirësia e jetesës, mungesa e infrastrukturës minimale në pjesën më të madhe të zonave. Në këto kushte, kur dikush e di se ajo çka i mungon këtu gjendet vetëm 2 orë me avion prej këtu, apo maksimumi 9 orë me avion, atëherë për shumë njerëz një rrugëtim kaq i shkurtër ia vlen të bëhet edhe nëse do të harxhohej një shumë e madhe. Kthehemi tek pamundësia dhe mungesa e planeve afatgjate. Prandaj mendoj se shteti duhet t’i shtrijë dorën të gjithë faktorëve, edhe komuniteteve fetare, duke u krijuar atyre kushte e mundësi, që të ndërgjegjësojmë njerëzit për të jetuar e ndërtuar jetën këtu. Të braktisësh një vend nuk është vetëm braktisja e një shtëpie, por e historisë, e brezave, është një çrrënjosje. Të braktisësh Mirditën do të thotë të hedhësh në erë qindra vjet histori, një nga historitë më të bukura të trevave shqiptare. Por për nevojat imediate nuk mendohet dëmi afatgjatë që shkaktohet. Prandaj nganjëherë pyes veten p.sh.: edhe sa do të ketë Mirditë me mirditorë në të?

– Në cilat fusha është emancipuar shoqëria jonë dhe në cilat jo, sipas jush?

Në drejtim të të drejtave të njeriut është bërë shumë përpara. Ka ende punë, por duhet të jemi të kënaqur. Ka një rritje të vetëdijes për sa i përket emancipimit të gruas dhe rolit të saj në shoqëri. Kemi ligje që i vënë fre diskriminimit. Të rinjtë kanë mundësi të zgjedhin universitetin e po ashtu të lëvizin të lirë. Kemi lirinë e shprehjes dhe të mendimit me gjithë limitet që janë normale në çdo vend demokratik. Ka edhe një emancipim të lirisë fetare në vend, për të besuar apo mos besuar, në një fe apo në një tjetër.

– Besoni se jemi një popull që kafshojmë dorën që na ushqen…?

Jo këtë nuk e besoj. Nuk jemi mosmirënjohës. Ne shqiptarëve Italia dhe Greqia na kanë hapur dyert në momentet më të vështira. Ka italianë dhe grekë që sot janë miqtë më të mirë të familjeve shqiptare dhe shqiptarët këtë nuk e harrojnë. Kjo tregohet sa herë ka një dasmë, një pagëzim apo një funeral se si shpesh përkrah familjeve shqiptare janë edhe shumë familje të huaja e anasjelltas. Është një shenjë respekti dhe ne shqiptarët dimë të respektojmë. Unë kam shumë kushërinj në Itali që punojnë në Milano. Janë shumë punëtorë dhe di të them se kurrë nuk harrojnë familjet italiane që i kanë mbështetur në fillimet e tyre. Dinë se si t’i thonë faleminderit në çdo moment, se si t’ua kthejnë këtë mikpritje. Prej tyre kam mësuar edhe unë shumë. E ndjehem krenar kur shkoj atje se sa mirë janë integruar dhe jetojnë.

– Nuk e kemi patur ndonjëherë apo na ka humbur besimi të njeri-tjetri?

Pak më sipër fola për mungesën e sinqeritetit në procesin e dialogut. Mendoj është e lidhur ngushtë. Mosbesimi që kemi ndaj njëri-tjetrit për mua ka një shkak shumë të fortë: regjimi komunist. Ai regjim, për të mbrojtur pushtetin e pak vetëve, instaloi sistemin më pervers të mosbesimit ndaj njëri-tjetrit. Në vitet e pas regjimit nuk u bë asgjë për çmontimin e atij sistemi, madje është shfrytëzuar nga klasa politike si një instrument sundimi: përça e sundo. Ishte një “komoditet” i trashëguar që shumë e kanë përdorur dhe madje “përmirësuar”. Mosbesimi ndaj tjetrit është mungesë e theksuar besimi ndaj vetvetes. Është shkalla më e ulët e mosvlerësimit të vetes, përveçse është e shoqëruar me frikë, frikë nga humbja e pozicionit, e pushtetit, e imazhit të ndërtuar artificialisht e kështu me radhë. Mosbesimi ndaj tjetrit është paranojë.

– Megjithatë, ju përsëri thoni se vështirësitë nuk janë një pengesë, por një mundësi më shumë për t’u rritur e për të ecur përpara. Për çfarë duhet të besojmë, paçka vështirësive?

Besimi është si një hedhje në zbrazëti, me sigurinë se dikush të pret poshtë. E këtë hedhje duhet ta bëjmë të gjithë bashkë, duke u takuar e biseduar, me shumë përzemërsi dhe vendosmëri se si ta bëjmë më të mirë vendin tonë. Të hysh në një proces dialogu do të thotë të humbësh diçka nga vetja për të fituar të gjithë bashkë. Kemi shumë mundësi e potencialitete, të lëmë mënjanë mosbesimin, ironinë, sarkazmën, inatin dhe zemërimin, ose së paku të mos i lëmë të na kushtëzojnë jetën dhe dialogun me njëri-tjetrin. Këtë e kam sidomos për klasën politike. Ndër ta ka shumë njerëz të mirë, që besojnë në progresin e vendit dhe kanë për zemër të mirën e përbashkët. Nëse do të vëmë promovimin dhe mbrojtjen e të mirës së përbashkët si synim të bashkëjetesës sonë do të shohim se do të dalin gjëra të bukura.

– Kemi dhe gjëra të bukura në këtë vendin tonë të vogël e plot diell. Na përmendni disa prej tyre?

Kemi shumë. Përveç natyrës kemi të rinj e të reja plot jetë dhe shumë inteligjentë. Kemi një sens mikpritjeje dhe sidomos respekt ndaj më të moshuarve dhe më të mëdhenjve. Kemi përqafuar progresin teknologjik shumë shpejt dhe me kompetencë e mund ta vëmë në shërbim e jo për shkatërrimin e njëri-tjetrit. Në këto vite janë bërë disa punë publike dhe janë arritur disa reforma që për ata të cilët kanë sensin e historisë e kuptojnë se diçka ka lëvizur. Kjo është forca e një populli që e gjen rrugën drejt të mirës dhe të bukurës pavarësisht vështirësive.