JAKUP KRASNIQI DHE VLERAT E TIJ NJERËZORE DHE ATDHETARE

0
311
Jakup Krasniqi

Ferit Hoxha Nga Ferit Hoxha

Në një ditë të nxehtë korriku, më vjen një mesazh nga miku im Fatjon Bunga për të dhënë opinionin dhe vlerësimin tim për mikun tonë të përbashkët Jakup Krasniqin. Sigurisht që është nder i madh për mua të kem mundësinë, që në monografinë që po përgatitet për këtë aktivist dhe personalitet të artit, kulturës dhe të çështjes kombëtare të jetë edhe dorëshkrimi im.

Gjatë aktiviteteve të ndryshme më është dhënë mundësia të njoh shumë personalitete të fushave të ndryshme si nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali Zi dhe mbarë Diapora shqiptare. Një nga ata është edhe miku im nga Malisheva Jakup Krasniqi, të cilin do ta cilësoja si një intelektual shumëdimensional për arsye se ai është i kudogjindur, është një aktivist i denjë i çështjes kombëtare, një promovues i vlerave të folklorit shqiptar, një njeri i papërtueshëm, fjalëmirë, zemërgjërë, i qeshur, i dashur, i repektuar, aktivist dhe një organizator i përsosur.

Për mua është nder i madh që pata rastin ta njoh nga afër dhe të bashkëpunoj me të, sepse nga Jakupi ke ç’farë merr. Ai në çdo çast përcjell dashuri e mirësi tek të tjerët. Për këtë, meritë kanë edhe znj. Zamira Korançe, Kryetare Shoqatës Jehona Shqiptare dhe z. Ilir Selba, Kryetar i Ansamblit Visaret e Kërrabës që më njohën me këtë fisnik.

Jakup Krasniqi me Ansamblin e tij SHKA Zëri Llapushës, Malishevë, jo vetëm që ka bërë emër të madh në trojet shqipfolëse, por në çdo rast i ka shërbyer artit dhe kulturës së kombit tonë, duke bartur dhe përçuar vlerat më të mira jo vetëm të qytetit të tij, të Kosovës, por edhe të trevave të tjera shqiptare.

Ajo që mund të theksohet edhe më shumë është marrëdhënia e shkëlqyer që Jakupi ka me shumë drejtues të shoqatave e ansambleve të ndryshme. Ai mundohet t’u përgjigjet ftesave të shumta që i vijnë për të marrë pjesë në koncerte, festivale, promovime dhe simpoziume të ndryshme, duke punuar e kontribuar shumë për folklorin, artin dhe çështjen kombëtare. E këtë mund ta bëjnë vetëm njerëz të tillë e me një zemër të madhe si Jakupi. Gjatë kohës që janë zhvilluar aktivitetet, kam vënë re dhe më ka bërë shumë përshtypje kujdesi që Jakupi tregon ndaj anëtarëve të ansamblit dhe veçanërisht ndaj fëmijëve, duke u kujdesur deri në detaje për veshjet (kostumet), muzikën, paraqitjen skenike etj.

Gjithashtu ai tregon një kujdes të madh dhe për mbarëvajtjen e aktiviteteve pavarësisht se kush janë organizatorët, duke treguar më së miri ndjenjat njerëzore, atdhetare e humane që e karakterizojnë këtë njeri. Aktiviteti i tij kulturor dhe human vlen për t’u vlerësuar jo vetëm në mënyrë individuale, por më gjerë, pasi edhe vëllai i tij Nuhi Krasniqi me banim në Gjermani, është një aktivist i madh i çështjes kombëtare, një humanist që e ka treguar veten me insiativa dhe fakte konkrete në ndihmë të banorëve të Kosovës e më gjërë, si gjatë periudhës së pandemisë shkatuar nga Covid-19, ashtu edhe më parë në raste të tjera.

Nuhi Krasniqi është Kryetar i UGA Gjermani, një organizatë që ka dhënë një kontribut të çmuar përsa i përket çështjes së Kosovës dhe asaj kombëtare në përgjithësi.

Unë si Kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore Benda, ruaj një bashkëpunim të shkëlqyer me z. Nuhi Krasniqi si Kryetar i organizatës UGA në Gjermani. Duke vlerësuar kontributin e tyre në këto aspekte, e kam të vështirë t’i shkëpus këto dy personalitete nga njëri-tjetri, jo vetëm për faktin se janë vëllezër, por dhe për shkak të marrëdhënievë të shkëlqyera që unë kam me të dy për çështje profesionale, për vlerat e larta që mbartin dhe kontributin e madh që po japin për kombin shqiptar, në fusha të ndryshme në të cilat koperojnë.

Gjej rastin të vlerësoj ftesat e vazhdueshme që na janë dërguar nga z. Jakup Krasniqi për të marrë pjesë me Ansamblin Artistik Benda në festivalin e përvitshëm FEST-FOLK, ODA E LLAPUSHËS që organizohet në Malishevë (pavarësisht se ne nuk u jemi përgjigjur për arsyet tona), si dhe ftesën për përfshirjen e Ansamblit Benda, së bashku me disa ansamble të tjera për të marrë pjesë në një turne me program artistik nëpër disa qytete të Gjermanisë (e cila për shkak të pandemisë është shtyrë në një moment tjetër të përshtatshëm).

Kjo është një nismë dhe organizim i UGA Gjermani me Kryetar Nuhi Krasniqin dhe pa dyshim që ky bashkëpunim ndërmjet Shoqatës Benda me shoqatat e sipërpërmendura, ka ndikimin dhe influencën e vëllezërve Krasniqi. Në emër të kryesisë së Shoqatës Atdhetare Kulturore Benda, ju jemi thellësisht mirënjohës!

Me këto vlerësime dhe privilegje që i bëni Shoqatës dhe Ansamblit Artistik Benda, meritoni të jeni jo vetëm miqtë e mi, por më gjerë, “Miqtë krahinës së Bendës”. Ju siguroj që këtë ndjesi ju do ta merrni edhe nga banorët e Krahinës së Bendës në aktivitetet e radhës që do të organizohen nga ana jonë.

Marrëdhënie të tilla si me vëllezërit Krasniqi, ashtu edhe me shumë shqiptarë të tjerë përtej kufirit, më kanë bërë që të njihem nga afër me vlerat e shkëlqyera që mbartin krahinat e ndryshme të Shqipërisë Etnike. Sigurisht që është e pamundur t’i përmend të gjitha në këtë shkrim, por gjej rastin që njëherësh me vëllezërit Krasniqi të përshëndes shumë miq nga Dardania, Ilirida, Çamëria dhe mbarë Diaspora shqiptare qofshin këto personalitete të fushave të ndryshme, apo drejtues Shoqatash dhe Ansamblesh.

Z. Jakup Krasniqi i uroj jetë të gjatë pranë familjes së tij dhe suksese në aktivitetet e tij në shërbim të artit, kulturës dhe çështjes kombëtare!

Me respekt
Kryetari Shoqatës Benda
Ferit Hoxha
Tetor 2021