Jahti

0
913
J - ilustrim nga Dea Halimi

Ilustrimi nga Dea Halimi

Dea Halimi

Nga libri “Yjtë farfuritës” tregimi për shkronjën J

Dea Halimi
Dea Halimi

Javën e tretë të pushimit veror në bregdet, mamaja e mori për dore Denë e doli në tregun e vogël të Ulqinit, të blinte diçka nga veshjet apo gjësendet tradicionale. Shikuan me vëmendje larushinë që ofronin ulqinakët. Dea vendosi të blinte një jaht, të cilën me t`u kthyer në shtëpi e vendosi mbi komodinë. Jahti qëndroi aty disa kohë. Krye secilës javë, Dea e pastronte me kujdes. Ky jaht i vogël-lodër, ia rikujtonte shëtitjet nëpër plazh, ngjitjet në kalanë e vjetër, zhytjet në ujin e njelmët dhe mësimin e notit…
– Ndoshta mund ta përdor ndonjë herë jahtin, të luaj me të te lumi, – mendonte ajo pikërisht ditën që mësuesja ua kishte mësuar shkronjën J.
– Ej, kam një ide, – u tha Dea Jehonës dhe Jetës, nga ktheheshin nga shkolla. – Të dalim pak në jalli, buzë lumi, t`i lëshojmë lundrat në ujë e të bëjmë gara…
– Po, pse jo. Unë kam jaht, e kam bërë prej letre dhe prej druri, – tha Jeta.
– Mund ta punoj dhe unë një të tillë e të ikim t`i lëshojmë në ujë, t`i ndjekim nga i bart lumi rrjedhës së vet…
– Jo, nuk mendova ashtu, Unë kam një jaht, – tha Dea. – Një jaht me vela, thuajse të vërtetë…
– E si është jahti i vërtetë, Dea.
– Jahti është anije e vogël me motor, me avull ose me vela, e ndërtuar kryesisht për të bërë gara sportive dhe për shëtitje. Unë jahtin tim, të cilin mami ma bleu në Ulqin, e kam ngjyrosur me ngjyra të ylberit.
– Mirë, – tha Jehona. – Do ta punoj dhe unë një varkë prej letre. Ajo nuk merr kohë shumë e do të vij t` iu thërras të shkojmë te lumi.
Arritëm në jalli, secila me jahtin e vet në dorë. I lëshuam lundrat ne ujë dhe i shikonim nga përkundeshin mbi valët e qeta.
-Çfarë bëni aty kot, – na ngacmoi Jetoni.
– Ky djalë është i lazdruar, – tha Jehona .
– E sheh çfarë bëjmë, nuk je i verbër, – i tha e mllefosur Jeta.
– Ende luani me lodra prej letre, – qeshi ai me ironi.
-Janë anije të vogla, natyrisht lodra, por jahti i Desë ka edhe vela prej pëlhure, – folën një zëri Jeta dhe Jehona.
-Unë kam lundruar njëherë me jaht, – tha Jetoni.
– Kujt i intereson ajo gjë. Ti ende nuk ke shkuar në shtëpi, bredh kot. Nuk e sheh vetën çfarë je bërë…
Ai uli kokën i heshtur, më pastaj iu afrua lumit.
– A mund dhe unë të luaj me ju?
– Po, mundësh, – thash unë, – por ne luajmë e njëkohësisht ushtrojmë shkronjën J.
– Të njëjtën gjë do ta bëjë dhe unë.
Unë, Jeta dhe Jehona e shikuam njëra-tjetrën dhe qeshëm.
– Të ushtrosh me ne, kemi një kusht…
– Kusht, – tha Jetoni, – çfarë kushti?
– Nesër, në klasë, t`i thuash mësueses se si dhe me kënd e ke ushtruar shkronjën J.
– Betohem, do t`ia them mësueses dhe atë me zë të lartë, që të dëgjojë e gjithë klasa.