JA SE SI MANIPULOHET TRURI POLITIK SHQIPTAR !

0
694

Arben Çokaj

(3 muaj nga jeta politike e këtij vendi, nga Vetting-u te Çadra e marrisë)

Në 27 vjet, Sali Berisha ka treguar se ka një energji të fuqishme e të pashtershme, për të manipuluar trurin politik shqiptar. Edhe në rastet kur dikush pozicionohet kundër tij, ai bën manovra të tilla ç’përqendruese dhe ia ka arritë mjaft mirë t’i bëjë përsëri njerëzit për vete, pa e ditur as ata vetë se lojën e kujt po bëjnë, në shumicën e rasteve. Edhe pse njerëzit e mbajnë veten për të zgjuar, truri i tyre është i manipulueshëm…

Marrim një rast konkret, vendosjen e çadrës me 18 shkurt përballë kryeministrisë. Ishte koha kur Vetting-u kishte edhe 3 ditë, që të miratohej në Kuvend, dhe një mik i imi, gazetar lokal këtu në Shkodër, ishte mjaft pasionant, si gjithnjë në arsyetimet e tij, se Berisha duhet e do të futej në burg. Unë e të tjerë qeshnim me pretendimet e tij, aq sa i kam premtuar edhe një drekë me gjithë familje, kur ai ta rrasë Saliun brenda! (Se jam i bindur që kjo nuk ka për të ndodhur, në të gjallë të tij…)

Dhe ja se si ia tretë Saliu qokun këtij shokut, analist i fuqishëm e me plotfuqishmëri mendimi politik, ja se si e rren edhe këtë me letra karamelesh… Kështu ka vepruar Saliu në këto 27 vjet, pak a shumë, në situata të ndryshme, aq sa Mero Baze e përkufizon: “Ky është tepër i fuqishëm për të krijuar vorbull dhe në vorbullën që krijon, ai është tepër i aftë për të dalë edhe pa u lagur!” E ky është Sali Ramë Berisha me akronimin SRB. Kjo nuk është paaftësi, ndonëse nuk mund ta quash si veprim të dobishëm për shoqërinë.

Saliu e Luli, duket edhe me dakordësi nga Meta (ose ky i fundit përfitoi nga rrethanat), krijuan Çadrën e Lirisë të Republikës së re, koncept i vjedhur si ide nga filozofi Artan Fuga. Dhe kaq deshi ky miku im gazetar i fuqishëm politik, dhe u inspirua menjëherë nga çadra e marrisë, duke harruar atë që kishte thënë pak ditë më parë, se duhet të kalonte Vetting-u, e Saliu do të futej në burg. Si libertador emocional, ai u mrekullua nga ideja e Republikës së re, dhe njerëz si ky ka shumë në Shqipëri, që kanë dëshirë të besojnë, se ky vend edhe mund të bëhet një ditë…

Kështu e kanë ç’orientuar trurin e shqiptarëve politikanët tanë, e kryesisht Saliu në këto 27 vjet. Ai ka aftësi (në mënyrë të ngjashme si Hitleri e Muhamedi), të manipulojë pavetëdijen e masave dhe të krijojë ‘divizionin e stuhisë‘ (në gjermanisht ‘Sturmabteilung‘) dhe në vorbullën që ai krijon, me marrinë e tij, ai i tërheq të gjithë rreth vetes, si kancer malinj apo si vrimë e zezë, dhe njerëzit i harrojnë edhe hallet e tyre të përditshme, dhe merren gjithë ditën me veglat e Saliut…