Ja pse vajzat janë histori suksesi në Kosovë

0
1069

Nga Donika Ahmeti,  Fol Shqip3 Mars 2018

S’ka rëndësi çikë a djalë, me rëndësi djali me qenë i shëndoshë.

Këtë frazë e kemi dëgjuar shumë herë në mesin tonë, kjo ngase djali konsiderohet si shtyllë e shtëpisë dhe se me vite janë lënë pas vajzat në shumë aspekte.

Madje, për një periudhë të gjatë femra është konsideruar se nuk ka të drejtë as të kërkojë pjesën e saj të pasurisë që i takon. Megjithatë, me kalimin e viteve janë parë ndryshime të mëdha në shoqëri dhe gjinisë femërore po i jepet hapësirë si në politikë, ashtu edhe në fusha të tjera shoqërore.

Kosova shënoi 10 vjetorin e Pavarësisë para ca diteve, e në këtë dekadë njohim suksese të panumërta të vajzave kosovare, jo vetëm në vend, por edhe në rajon dhe botë. Në këtë rast, shembulli ideal që mund të marrim është Majlinda Kelmendi, e cila njihet edhe si ambasadore e Kosovës në botë.

Majlinda vazhdon të na bëj krenarë gjithë kombin shqiptar, arritjet e saj në xhudo kanë bërë që të ngritet flamuri i Kosovës dhe të intonohet himni shtetëror aty ku të gjithë e kanë ëndërr. Kjo është Majlinda, çikë me të cilën mburremi të gjithë.

Rita Ora, vajza për të cilën sot flet e gjithë bota është një emër tjetër që ka treguar fuqinë e gjinisë femërore. Fama e saj ka kaluar çdo kufi, ndërsa sot vjen në vendlindje për të treguar se nuk ka harruar asnjëherë rrënjët dhe e njëjta vlen edhe për Dua Lipën.

Edhe pse e re në moshë, Dua Lipa ka bërë që të gjithë të ndjehemi krenar se çfarë kontributi mund të jap një vajzë/grua shqiptare në arenën ndërkombëtare. Kudo që përmendet emri i këtyre vajzave përmendet edhe shteti i Kosovës.

“S’ka rëndësi çikë a djalë”, vërtetë s’ka rëndësi ngase gjinia nuk përcakton atë se sa mund të arrish në jetë. Majlinda, Rita, Dua, Era janë vetëm një shembull që rrëzon “mitin” se vetëm gjinia mashkullore sjellin storie suksesi për vendin.

Është veç një dekadë shtet, duke lënë pas çdo ngecje të shtetit në fusha të ndryshme, në këtë ditë feste duhet kujtuar pikërisht storiet e suksesit ashtu siç janë të ato që u përmendën më lartë.

Kosova do të festojë edhe shumë dekada të tjera e natyrisht që secilën prej tyre me suksese të vajzave dhe djemve të saj. Le të jenë sporti dhe muzika, veç një pikë nga ku fillon suksesi i popullit tonë, le të kemi çdo vit më shumë arsye për të festuar. /Fol Shqip/