Abdulla Mehmeti
Pavarësisht nga bindjet e tyre politike dhe përkatësia partiake, të gjitha partitë politike të bllokut maqedonas janë marrë vesh njëzëri dhe kanë arritur qëndrim të përbashkët që referendumi për pavarësinë e Republikës së Maqedonisë të mbahet më 8 shtator të vitit 1991.
Nuk kam lexuar deri më sot nga dikush, pse është zgjedhur pikërisht kjo datë, e cila edhe aktualisht shënohet si festë shtetërore – Dita e pavarësisë së Maqedonisë.
Qytetarët shqiptarë dhe partitë e tyre politike e kanë bojkotuar këtë referendum, për shkak të përmbajtjes së pyetjes me këtë përmbajtje: „A jeni për shtet të pavarur dhe sovran të Maqedonisë, me të drejtë të hyrjes në një lidhje të shteteve sovrane të Jugosllavisë?”
Nga përvoja e hidhur nën regjimin komunist jugosllav, shqiptarët nuk janë pajtuar të marrin pjesë në një referendum, me të cilin parashikohej e ardhja e këtij shteti në një lidhje me shtetet tjera të Jugosllavisë, siç edhe janë bërë përpjekje më vonë, sidomos mes presidentëve Kiro Gligorov (Maqedoni) dhe Alija Izetbegoviq (Bosnje dhe Hercegovinë).
Megjithatë, siç duket pyetja e tillë e referendumit ka qenë vetëm një mashtrim ndaj fqinjit verior, Serbisë, përderisa në territorin e Maqedonisë ka qenë i pranishëm tërë aparati shtetëror jugosllav dhe armata jugosllave, ndërsa në anën tjetër, udhëheqësit e politikës maqedonase të asaj kohe, shumica kanë qenë të orientuar dhe mbështetur nga fqinji i saj lindor, Bullgaria. Këtë e dëshmojnë edhe faktet që i sjellim këtu:
Data 8 shtator është dita e përpjekjeve të mëhershme të forcave nacionaliste maqedonase (probullgare) për shpalljen e shtetit të pavarur të Maqedonisë, më 8 shtator 1944, siç dëshmohet nga burimet në veprën e cituar, nga pullat postale me këtë datë, si dhe burime të tjera.
Që të mos kuptohet kjo si rastësi, ju përkujtojmë se edhe Komunës së Tetovës, si qendër më e madhe politike dhe kulturore e shqiptarëve në Maqedoni, atëkohë i është imponuar një datë e rëndësishme nga historia e popullit dhe shtetit bullgar, si ditë e konstituimit të kuvendit të parë komunal pluralist, 3 marsi, dita e pavarësisë së Bullgarisë, përkatësisht e Marrëveshjes së Shën Stefanit!
(3 shtator 2018)