J A C Q U E S . PRÉVERT – poezi

0
1101
Jacques Prevert

J A C Q U E S
PRÉVERT

STINA E BUKUR

E pangrënë e humbur e ngrirë
Krejt e vetmuar pa një lek
Rri në këmbë një vajzë
Gjashtëmbëdhjetë vjeçe
Në Sheshin Konkord
Pesëmbëdhjetë gusht pasdreke.

ALIKANTE

Një portokall mbi tavolinë
Fustani yt mbi tapet
Dhe ti në shtratin tim
Dhuratë e ëmbël e së tashmes
Ngrohtësi e jetës sime
Freski e natës.

PËR TY E DASHURA IME PËR TY

Shkova në tregun e zogjve
Dhe bleva zogj
Për ty
E dashura ime, për Ty

Shkova në tregun e luleve
Dhe bleva lule
Për ty
E dashura ime, për Ty

Shkova në tregun e hekurishteve
Dhe bleva pranga
Për ty
E dashura ime për Ty

Shkova në tregun e skllevërve
Të kërkova në të
Por jo s’ië gjeta
E dashura ime Ty atje !

ATI YNË

Ati ynë që je në qiej
Rri ti aty
Ne do të rrimë mbi tokë
Që kaq e bukur është nganjëherë ajo
Me misteret e saj të Nju Jorkut
Të pasuara nga misteret e Parisit
Që vlejnë sa ajo e Shën Trinisë
Me kanalin e vogël të Urkut
Dhe murin e saj të madh Kinez
Dhe lumin e saj Morleks
Dhe karamelet e saja Kambre
Me oqeanin e saj Paqësor
Dhe me vaskat e saja të Tuilerive
Me fëmijët e saj të mirë dhe me subjektet e këqija
Me të gjitha mrekullitë e mrekullueshme të botës
Që qëndrojnë
Shumë thjeshtë mbi sipëfaqe të tokës
Oferta të të gjithëve
Të shpërndara
Të mrekulluara dhe ato duke qenë disa mrekulli të tilla
Aq sa nuk guxojnë t´i rrëfehen vetvetes
Ashtu si një vajzë lakuriqe që s´guxon të tregojë veten lakuriq
Dhe me gjithë vuajtjet e botës
Që janë legjione
Me legjionarët e tyre
Me torturuesit e tyre
Me zotërinjtë dhe padronët e botës
Secili padron me predikuesit e tij tradhtarët e tij
Me rrëmbyesit e tij
Me stinët
Me vitet
Me vajzat e bukura dhe të marrët e mjerë
Me kashtën e varfërisë që kalbet në çelikun
E topave

RRUGA E SENËS

Rruga e Senës: ora dhjetë e gjysmë
e mbrëmjes
atje, në qoshe, është një njeri
që epohet…, është një i ri
ka një kapele
një pardesy
një grua e tund…
e shkund
i flet
ai tund kokën
me atë kapele krejt të shtrembër
ndërsa kapelja e saj është gati duke i rënë prapa kokës…
sigurisht janë shumë të zbehtë që të dy
dhe burri ka një dëshirë të madhe të ikë…
të zhduket në hiçin… të vdesë…
por gruaja ka një dëshirë të furishme për të jetuar
dhe zëri i saj
zëri që pëshpërit
nuk mundet së paku as ta dëgjojë
është një ankim…
një urdhër…
një britmë…
aq e etur sa ç´është dhe ai zë…
është e trishtueshme, jeton…
një i porsalindur i sëmurë që kërcet dhëmbët mbi një varr
në një varrezë dimri…
një njeri me gishtat e shtypur në portierën dhe bërtet…
një këngë
një frazë
përherë po ajo
një frazë
e përsëritur…
pa pushim
pa përgjigje ai e sheh dhe sytë e saj

rrotullohen, rrotullohen, bën ca gjeste
me krahët, përpëlitet
si një e mbytur
dhe ajo frazë kthehet
në rrugën e Senës në qoshe
gruaja vazhdon
pa u lodhur…
vazhdon të pyes e shqetësuar
një plagë që nuk shërohet
Pierr thuamë të vërtetën
Pierr thuamë të vërtetën
Dua të di…të di gjithçka
thuamë të vërtetën
i bie kapelja…Pierr
dua të di gjithçka
thuamë të vërtetën
pyetje e marrë dhe e madhe
Pierr s´di sesi ti përgjigjet
ka humbur burri me emrin Pierr
në buzë ka një buzëqeshje që do të donte ta ruante
dhe ta përsëriste…
Pra qetësohu… je e marrë
Por nuk di sa e vërtetë është
Nuk e sheh, s´e merr me mend
që buzëqeshja i shtrembëron buzën
e mbyt
bota e tërë i rri përsipër
e mbyt
është i burgosur
i zënë në kurth nga premtimet e tij…
dhe i kërkohen llogaritë…
atje përpara…
një llogaritëse
ose një makinë për të shkruar letra dashurie
një makinë për të vuajtur
e kap
varet tek ai
Pierr
thuamë të vërtetën.

Përktheu: Faslli Haliti