Integrimi
Me jetën e tij prej veprimtari dhe aktivisti të palodhshëm do të njiheni nga intervista e tij ekskluzive dhënë Platformës Albinfo.ch,e cila objektiv të vetëm ka pasqyrimin e veprimtarisë së gjithëmbarshme të mërgatës sonë në vendet e Evropës Perëndimore, me theks të veçantë të asaj në Zvicër.
15 Shkurt 2018 – Arif Ejupi
Z.Kurteshi a mund t’u thoni lexuesve të shumtë të Albinfo.ch se kush jeni dhe me çfarë merreni?
Jam, Ismet Kurteshi, i lindur më 1 shtator 1959 në Gjilan të Kosovës. Në jetë më sollën dy prindërit e mi Hyseni dhe Nakshija, të cilët i dua dhe i çmoj shumë.
Ata edhe më pagëzuan me këtë emër. Kjo përzgjedhje emri ishte vendim dhe dëshirë e tyre.
Nga kjo që thoni fitojmë përshtypjen sikur nuk jeni të kënaqur me emrin tuaj?
Meqë jam puro shqiptar mbase më mirë do të më rrinte emri Dardan, Migjen, Etnik, Arban apo Ilir, kështu edhe nuk do të ishim ngatërruar pa nevojë me emra turko-arabë.
A mendoni që kjo vjen si pasojë e sundimit pesë shekullorë të Perandorisë Otomane në trojet tona?
Ajo që thoni Ju, është e saktë por këtë lojë me emra e hasim aty-këtu edhe sot pa ndonjë arsye, edhe pse kemi me mijëra emra të bukur të brumit tonë shqiptar.
Cila ishte fëmijëria e Z. Kurteshi?
Pothuajse e ngjashme me pjesën shumicë të fëmijëve shqiptarë. Plot valë e tallaze, identike me detin kur dallgëzon.
Sigurisht në fëmijërinë tuaj të hershme jetohej në kushte të rënda ekonomike dhe me të drejta të kufizuara?
Aspektin ekonomik ne shqiptarët sikur e harruam. Deri në fillim të viteve të70-ta nuk gëzonim as të drejtat më elementare. Edhe pse përfshirja jonë në shkollim ishte tepër e ultë ajo bëhej sipas plan-programeve serbe.
Na ushqenin me ideologji marksist-leniniste. Kurse lektyrë shkollore kishim sojin e Ivo Andriqit, Dobrica Qosiqit etj., përpilues të programeve për shfarosjen e kombit tonë.
Nga kjo shihet se në ç’gjendje ishim, edhe pse autokton në trojet tona.
A mendoni që në fund të viteve të 60-ta Josip Broz Tito, si udhëheqës shumëvjeçar i ish-Jugosllavisë, zbuti qëndrimin karshi shqiptarëve të Kosovës?
Tito bëri disa veprime në dobi të shqiptarëve të Kosovës, por jo me dëshirën dhe vullnetin e tij.
Ato ia imponoi rinia shqiptare e Kosovës, e cila më 1968 organizoi protesta në kërkim të së drejtës së themelimit të Universitetit në Gjuhën Shqipe dhe përdorimit të simboleve tona kombëtare.
Pas një presioni të vazhdueshëm këto kërkesa u jetësuan por organizatorët e këtyre demonstratave u arrestuan dhe u dënuan me burgim të gjatë dhe të rëndë.
Nëse nuk gabojmë edhe familja Juaj ishte në shënjestër të këtij regjimi?
Ashtu është.Vëllai im Ismaili dhe djali i axhës Sami Kurteshi, sot të dy deputet të Parlamentit të Republikës së Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, për shkak të bindjeve të tyre politike kanë vuajtur vite të shumta burgimi dhe izolimi.
Po Ju, a keni qenë i dënuar politik?
Njëfarë forme edhe po. Derisa në burg mbaheshin Ismaili dhe Samiu, regjimi komunist i Jugosllavisë, me lojalistët e tij në Kosovë, s’na linte të qetë as një çast. Çdo lëvizje jona përcillej.
Anëtarëve të familjes sonë asnjëherë nuk iu dha kurrfarë e drejte. Mbijetonim fal solidaritetit të shokëve dhe miqve.
Ndaj nesh zhvillohej propagandë e tmerrshme. Cilësoheshim si rrënues të“vëllazërim-bashkimit” dhe të ish-Jugosllavisë.
Ndjekja dhe urrejtja ndaj familjes sonë u shtua sidomos pas fejesës së Samiut me zonjën Shyhrete Malaj, aktiviste e çështjes kombëtare dhe bijë e atdhetarit Hasan Malaj, gjegjësisht mbesë e heroit Rexhep Malaj, vrarë nga regjimi kriminal i Serbisë më 12 janar1984 në Prishtinë, së bashku me Nuhi Berishën.
Po ashtu në luftën e fundit në dyluftim me forcat serbe u vra vëllai im Muharrem Kurteshi, pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
A janë këto edhe arsyet që Ju, imigruat shumë i ri në Zvicër?
Nën një okupim të hekurt si ai, jo që nuk shihja ndonjë perspektivë por ballafaqoja edhe me rrezikun për jetë.
Prandaj edhe pse largimi nga Kosova, ishte vendim tepër i vështirë për mua, m’u desh ta marrë atë.
Jetonim në kushte të rënda dhe pa të ardhura.
Edhe pse kisha diplomë juristi ajo nuk merrej fare në konsideratë.
Okupuesit serbo-sllavë na konsideronin si të rrezikshëm dhe si të papërshtatshëm politikisht.
Me lloj-lloj masash ndëshkuese mundoheshin të na gjunjëzonin.
Për t’ju shpëtuar kurtheve të tyre variant të vetëm kisha imigrimin.
Pse e zgjodhët Zvicrën?
Siç e dimë të gjithë, anamoravasit njihen me imigrimet e tyre të hershme në këtë vend.
Në mesin e këtyre të imigruarve kishte edhe aktivistë të dalluar të çështjes kombëtare.
Po ashtu Zvicra si një vend demokratik njihej në gjithë planetin për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.
Parandieja që përveç kushteve të mira për punë në Zvicër,do të gjejmë edhe përkrahjen e duhur për sensibilizimin e çështjes së Kosovës.
Këto pretendime a u realizuan të paktën pjesërisht?
Jo, pjesërisht por më shumë s’e ç’kishim pritur. Unë në Gjenevë të Zvicrës, jam vendosur në prill të vitit 1990. Mërgimtarët tanë në këtë qytet ku edhe ndodhet selia e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, kanë organizuar qindra protesta në kundërshtim të pushtimit të Kosovës, nga ana e Serbisë.
A keni pasur përkrahjen e ndonjë lideri partiak të Zvicrës?
Asnjë veprim ynë nuk do të realizohej sikur mos ta kishim mbështetjen e mikut tonë të madh Ueli Leunenberger.
Ai, si njëri nga politikologët më të njohur zviceranë funksionin e deputetit nacional në Parlamentin e këtij vendi e kreu dymbëdhjetë vjet me radhë.
Andaj fjala e tij ishte me peshë dhe respektohej kudo. Në saje të punës dhe angazhimit të tij më 1996 në një nga lagjet kryesore të qytetit të Gjenevës, u hap edhe Universiteti Popullor Shqiptar, i cili edhe sot me mjaft sukses zhvillon veprimtarinë e tij.
Z. Kurteshi çfarë pune bëni në Zvicër?
Fillimisht kam punuar në gastronomi. Puna në këtë sektor s’ka orar edhe aq të përshtatshëm për të zhvilluar aktivitete të lira.
Megjithatë ato dy ditë pushimi të javës i shfrytëzoja në aktivitete me bashkëkombësit e mi.
Me kusht që të fitoj më tepër në kohë pas trembëdhjetë vjetësh ndërrova vendin e punës.
Nisa punën e mbikëqyrësit banesor në shoqërinë aksionare “Grupe d’Onex” të Gjenevës, punë të cilën e kryej edhe sot.
Më konkretisht në të cilat shoqata dhe klube shqiptare keni qenë të organizuar?
Kah mesi i viteve të 90-ta në Shoqatën “Ikballe Prishtina” të Gjenevës. Pastaj më 2003 në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve tona burimore “Gëzuar”, që po ashtu veprimtarinë e tij e zhvillon këtu në kantonin e Gjenevës.
Përhirë të atyre fëmijëve entuziast dhe të mrekullueshëm tash dhjetë vjet mbaj pozitën e Kryetarit të kësaj Shoqërie Kulturore dhe Artistike.
Këtë detyrë edhe pse e kryej pa kompensim material ndihem i nderuar dhe krenar.
Me këtë Ansambël kemi prezantuar vlera të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore në Zvicër e vende të tjera të Evropës Perëndimore.
Pas vitit 2000 ka rënë në sy prania Juaj, në tubimet e LAPSH-it, të Gjenevës, ku shpeshherë edhe keni shfaqur pakënaqësi me organizimin?
Fatkeqësisht kjo pakënaqësi ime vazhdon edhe sot. Mësimi Plotësues i Gjuhës dhe Kulturës Shqiptare, si vlerë e vetme që i shpëton fëmijët tanë nga asimilimi po injorohet nga vetë ne, paditur shkaqet.
Në periudhën kur Kosova s’kishte institucionet e saj, ky mësim i organizuar nga Qeveria e Kosovës në ekzil ishte për lakmi.
Sot, në vend të shumëfishimit të numrit të nxënësve ndodh e kundërta.
Kemi rënie drastike të tyre. Fajtor kryesor të këtij mosfunksionimi jemi ne prindërit shqiptarë.
Fëmijët e lindur jashtë atdheut duhet motivuar sepse ata nuk kanë ende formim të duhur dhe s’mbërrijnë me kuptua rëndësinë e ruajtjes së gjuhës së tyre të origjinës.
Akoma më keq kur botërisht dihet se në këtë organizim kemi përkrahjen e parezervë të 45 komunave të kantonit të Gjenevës.
Sinqerisht kjo huti jona karshi këtij problemi madhor më nevrikos tepër.
Derisa ky problem të mos rregullohet ashtu si duhet unë do të jem i zëshëm dhe kritik.
Z.Kurteshi bukur gjatë jeni aktiv edhe në Partinë Socialiste të Gjenevës ?
E, vërtetë me socialistët e Gjenevës, po mbushi rreth pesëmbëdhjetë vjet pune dhe veprimtarie.
Pse m’u me socialistët kur në Gjenevë, veprojnë edhe Parti të tjera?
Për dallim nga partitë e tjera socialistët kanë program më praktikë.
Votuesit të kësaj partie i ofrohet zgjidhje e qëndrueshme. Ne krijojmë mundësi pune dhe studimi për të gjitha shtresat, pa shikuar asnjëherë ngjyrën, religjion dhe përkatësinë etnike të votuesve.
Jeni vetëm anëtar i rëndomtë i socialistëve apo ushtroni edhe ndonjë funksion partiak?
Jam në kryerje të mandatit të dytë të këshilltarit të kësaj Partie në Bashkinë Onex,të Gjenevës.
A jeni të nominuar nga socialistët edhe si kandidat potencial për të ashtuquajturin“ Grand Conseil” të Gjenevës?
Partia ime në këto zgjedhje që do të mbahen kah mesi i prillit të këtij viti kandidon me 51 vetë.
Përveç meje me socialistët për një ulëse në “Grand Conseil” të Gjenevës garojnë edhe bashkëkombësit e mi Xhevrie Faruk Osmani dhe Hysri Sabit Halimi.
Kjo lë me kuptua që socialistët e Gjenevës, janë prijatar të proceseve demokratike.
Ata secilit anëtari të saj i japin shansin që t’i provojë aftësitë e tij udhëheqëse dhe organizative.
A jeni optimist se do të gjendeni në mesin e 100 deputetëve të Parlamentit të Gjenevës, dhe a llogarisni në votën e mërgimtarëve tanë?
Kur jemi këtu më lejoni të sqaroj: Natyrisht që llogaris madje shumë. Pa votën e tyre përpjekjet e mia për fitore janë të kota.
Garës do t’i hyjnë edhe shumë kandidatë të partive të tjera. Konkurrenca është jashtëzakonisht e fortë.Andaj gjithsesi më duhet mbështetja.
Zotohem që gjatë mandatit tim do të jem në shërbim të qytetarëve të Gjenevës,pavarësisht pozicionimit partiak dhe përkatësisë së tyre etnike.
Ky aktivitet kaq i ngjeshur kërkon edhe përkrahjen e familjes suaj,a e keni këtë përkrahje?
Plotësisht!Në të kundërtën as që do të mund të imagjinoja angazhimin tim në këtë fushë.
Sa kohë ndani me familjen?
Të shumtën e rasteve me bashkëshorten time Hyrijen, që bënë punën e mësueses në Mësimin Plotësues të Gjuhës Shqipe në Gjenevë, dhe me fëmijët tanë Flamurin, Valonin dhe Yllkën, jemi bashkë në organizime aktivitetesh, dhe në festa të ndryshme, qofshin ato të zviceranëve apo të komunitetit tonë.
Keni ndonjë porosi për mërgimtarët tanë?
Të tregohen të suksesshëm sikur deri me tani në vendet ku jetojnë dhe veprojnë.
Në të njëjtën kohë të kujtojnë mikpritjen dhe ndihmën e ofruar të miqve tanë, pa të cilën nuk do të ishim këta që jemi.
Zoti Kurteshi ndjejmë kënaqësi që nëpërmjet kësaj interviste pak a shumë ndriçuam aktivitetin tuaj, të begatët në kulturë e politikë.
Kënaqësia ishte e dyanshme. Në fund të këtij bashkëbisedimi më lejoni që të shprehi konsideratën time më të lartë për Platformën Albinfo.ch
Pandihmën e së cilës aktivitetet tona në mërgatë do të mbeteshin të margjinalizuara dhe në anonimitet të plotë.
Shënim: Ismeti ka mundësi me e ndryshua vetë emrin… /AÇ