Ish ambasadorja propozon foton e Rugovës në Institucione

0
763
Ibrahim Rugova, portret

Propozim: të ndryshohet ligji dhe të miratohet vendosja e portretit të presidentit historik Ibrahim Rugova në institucionet e Kosovës.

Nga Alma Lama, 4 shkurt 2020

Ka praktika të ndryshme përsa i përket protokollit rreth vendosjes se portretit të kreut të shtetit në objektet zyrtare, por më së shumti mbizotëron ajo e vendosjes së portretit te presidentit në detyrë apo mbretit për ato shtete që janë monarki; ne SHBA portreti i presidentit dhe zvpresidentit; në disa shtete kjo është e përcaktuar më ligj, ndërsa në disa të tjera është praktikë institucionale. Vetë origjina e kësaj praktike, i përket periudhës së mesjetës.

Por, shembuj ku portretet e figurave historike që kanë pasur një rol qëndror në themelimin e atij shteti, vendosen nëpër institucione dhe jo presidenti aktual, ekzistojnë gjithashtu. Rasti më i njohur është ai i Ataturkut në Turqi, i cili është themelues i Republikës moderne Turke, një praktikë e rimarrë edhe nga shteti shqiptar, me vendimin për të ekspozuar portretin e Ismail Qemalit nëpër institucione, personaliteti të shquar që shpalli pavarësinë e Shqipërisë me 1912.

Një praktikë e tillë mund të ndiqet edhe në Kosovë, përmes ndryshimit të ligjit për Protokollit të shtetit, dhe në vend të presidentit aktual, të vendoset portreti i personalitetit që hodhi themelet e pavarësisë së Kosovës, presidentit historik Ibrahim Rugova.

Për me tepër Kosova në bazë të Kushtetutës, është republikë parlamentare, ndërsa roli i presidentit është shumë i zbehtë.

Figura e Rugovës, një intelektual i shquar dhe me vizion të qartë përendimor, i cili i doli për zot popullit të tij, atëhere kur pak kush kishte guxim, do t’i bënte nder të gjitha subjekteve politike, dhe vetë popullit të Kosovës. Filozofia dhe veprimtaria e tij janë të pakontestueshme në aspektin historik, dhe kredibiliteti i tij ndërkombëtar është shumë i lartë.

Rugova përfaqëson rrugëtimin e mençur por të panënshtruar të një populli nën represion, personalitetin që hapi dyert e kancelarive më të rëndësishme të botës, dhe bëri të njohur kauzën e popullit të tij. Jo më kot, mediat e huaja e kanë cilësuar si Gandi i Ballkanit. Ai ka merita të jashtëzakonshme për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.

Prandaj, unë mendosj se që koalicioni qeverisës duhet të propozojë ndryshimin e ligjit aktual (LIGJI NR.03/L-132 PËR PROTOKOLLIN E SHTETIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS) dhe të miratohet vendosja e portretit të presidentit Rugova në zyrat e shtetit të Kosovës. Votat i kanë.