Në këtë intervistë dhënë gazetës “Bota sot”, ish-ambasadorja Lama ka theksuar se Kosova jo vetëm që ka dështuar të marrë njohje të reja, por edhe ka pësuar tërheqje të një numri të madh njohjesh.
Ajo ka bërë me dije se Kosova ka bërë hapa të gabuar, me pasoja afatgjata, siç ishte angazhimi në planin për ndarjen e Kosovës, kamufluar me fjalën “korrigjim kufijsh” nga ana e presidentit.
“Bota sot”: Znj. Lama vazhdimisht keni qenë kritike lidhur me punën që është bërë në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Çfarë konsideroni se ka shkuar gabim?
Alma Lama: Së pari dua të them se të qenurit kritik ndaj një institucioni apo bartësve të pushtetit, është krejtësisht normale në demokraci dhe i shërben procesit të llogaridhënies që është i domosdoshëm. Fatkeqësisht në Kosovë, ka humbur kufiri mes kritikave konstruktive që mund t’i bëjnë mediat apo aktorët e tjerë të shoqërisë, përfshirë dhe opozita, dhe destruktivitetit, i cili manifestohet pothuajse në çdo hallkë. Për një shtet të ri me institucione të reja kjo frymë e destruktivitetit që është instaluar, si pasojë e një mendësie të ngushtë, paaftësisë dhe mungesës së meritokracisë, po mban peng progresin e nevojshëm të vendit. Në këtë kuadër, kanë qenë edhe kritikat e mia ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme, pasi ky institucion kaq shumë i rëndësishëm është përmbysur tërësisht nga amatorizmi i atij që e drejton, nga mungesa e vizionit, shkatërrimi i stafit diplomatik dhe zëvendësimi i tij me militantë partiakë, të papërvojë dhe pa dijeninë e nevojshme. Pastaj janë bërë emërime pa kritere dhe sidomos MPJ në bashkëpunim me presidentin janë shquar për sjellje joserioze në raport me shtet e tjera. Sot, MPJ drejtohet si një kompani private ku pronari e ka vënë në funksion të promovimit personal dhe interesave të tij biznesore. Po kështu ai është një shërbëtor i dëgjueshëm i interesave të një strukture të PDK-së dhe SHIK-ut që sot gjenden në gjendje të dyfishtë, edhe si drejtues institucionesh, edhe si pushtet paralel aty ku nuk i kanë pozitat drejtuese.
“Bota sot”: Cilët janë shkaktarët që për më shumë se dy vite Kosova dështoi të merr njohje të reja?
Alma Lama: Kosova jo vetëm që ka dështuar të marrë njohje të reja, por edhe ka pësuar tërheqje të një numri të madh njohjesh. Ky është një dështim spektakolar që lidhet me ato që kam theksuar më sipër, paaftësinë e ministrit të Jashtëm një sharlatan që i ka bërë dëme të pariparueshme politikës së jashtme të Kosovës, qoftë vetëm me emrin e tij, dhe e njerëzve që e rrethojnë. Nga ana tjetër, ndërsa Serbia ka ndërmarrë fushata të suksesshme për tërheqjen e njohjeve, duke përdor edhe metoda të shitblerjeve, në MPJ ende se kanë kuptuar mirë se akti i tërheqjes së njohjes në marrëdhëniet ndërkombëtare ekziston dhe se nuk mund të mjaftohen me mohimin e tij. Le të shohin se çfarë ka ndodhur me Tajvanin. Duhet të jetë e qartë se politika e jashtme nuk bëhet vetëm nga MPJ, dhe gjatë kohës për të cilën po flasim Kosova ka bërë hapa të gabuar, me pasoja afatgjata, siç ishte angazhimi në planin për ndarjen e Kosovës, kamufluar me fjalën “korrigjim kufijsh” nga ana e presidentit; konfrontimi me partnerët kryesorë ndërkombëtarë, përfshirë dhe SHBA-në dhe mbështetësit e pavarësisë nga ana e kryeministrit Haradinaj; dështimi i anëtarësimit në INTERPOL nga ana e ministrit të Jashtëm etj. Kosova sot është vetëizoluar, dhe qeverisë së ardhshme do t’i duhen përpjekje titanike për ta çuar së paku aty ku ishte më herët. Dhe kjo do të varet nga personalitetet që do ta drejtojnë ministrinë, dhe se sa do të afrojnë rreth tyre njerëz të përgatitur dhe me vlera. Edhe qeveria e re duhet ta ketë qartë se shteti nuk bëhet me militantë. Shembulli i atyre që kanë qeverisur deri tani, besoj se është i mjaftueshëm për tu bindur.
“Bota sot”: Si mendoni se është qeverisur vendi për këto dy vite nga koalicioni PAN?
Alma Lama: Qeverisja ka qenë shumë e dobët, ad hoc, pa ekspertizë, pa transparencë pa llogaridhënie. Ka pasur shpërdorime enorme të parasë publike të një shteti kaq të varfër, vizita e shëtitje pafund nëpër botë të zyrtarëve publikë, pa asnjë lloj produktiviteti, përkundrazi, vetëm sa kanë shpërdoruar buxhetin. Një qeveri më e madhe së e Kinës për nga numri i ministrave dhe zëvendësministrave, këshilltarëve e militantëve, si dhe e kapur nga interesa klanore e partiake. Me një fjalë është një dështim total. Por, duhet theksuar se ka pasur edhe tensione, siç ishte ai në lidhje me projektin e ndarjes së Kosovës, ku kryeministri Haradinaj e ka kundërshtuar fuqishëm, dhe për këtë ka merita. Nga ana tjetër Kuvendi, sidomos opozita ka dështuar në mënyrë spektakolare për të ngritur një komision hetimor në lidhje me projektin famëkeq të iniciuar nga presidenti si dhe ka dështuar në kontrollin ndaj politikës së jashtme. Të shohim sa do ta bëjë legjislatura e ardhshme.
“Bota sot”: Kosova shumë shpejt do ta ketë qeverinë e re. Cilat, sipas jush, duhet të jenë prioritetet kryesore të qeverisë së ardhshme?
Alma Lama: Qeveria e ardhshme duhet në mënyrë urgjente të ndalë praktikat korruptive, të fillojnë reformën në administratë dhe të sjellë njerëz me kapacitete nëpër poste. Qeveria e ardhshme duhet të mos merret me populizem, e të manipulojë opinionin duke u konfrontuar me Serbinë, pasi ky do të jetë vetëm kamuflazh për dështimet. Urgjente është futja në shina e institucioneve, dhe vendosja e sundimit të ligjit. Me një fjalë qeveria e re duhet të luftojë krimin dhe të garantojë stabilitet. Pa këto, nuk ka asnjë mundësi që Kosova të zhvillohet ekonomikisht dhe të ofrojë perspektivë për njerëzit e saj. Qeveria e ardhshme duhet të ndërmarrë reforma urgjente në fushën e arsimit, duhet të ndalë korrupsionin dhe të ofrojë shërbimet e nevojshme për qytetarët. Porsa i përket politikës së jashtme, duhet në mënyrë urgjente të ndalë sharlatanizmin, të dërgojë nëpër misione njerëz me vlera, jo njerëz për të marrë rrogën. Qeveria e ardhshme do të sfidohet me dialogun dhe më në fund do ta kuptojnë se bashkësia ndërkombëtare do zgjidhje përfundimtare me Serbinë, dhe se populizmi që i solli në pushtet disa, do të jetë kundërproduktiv. Serbia nuk mund të luftohet me parulla, por me diplomaci të përgatitur dhe institucione të forta. Të gjitha argumentet historike dhe politike janë në anën e Kosovës, duhet vetëm që ato të përdoren në vendin dhe kohën e duhur.
“Bota sot”: Çfarë roli opozitar pritni nga partitë e ish-PAN-it, PDK-ja, AAK-ja dhe Nisma? A mendoni se do të jenë konstruktive, sikurse opozita e kaluar?
Alma Lama: Një pjesë e këtyre subjekteve erdhën në pushtet nëpërmjet sjelljeve destruktive duke luftuar qeverinë Mustafa me gaz lotësjellës në Kuvend, e shishe molotovi nëpër rrugë, me keqpërdorimin e demarkacionit duke e vënë në lajthitje opinionin publik që më pas e votuan. Kjo sjellje destruktive e ka dëmtuar rëndë imazhin e Kosovës në botë, dhe mbi të gjitha ka dëmtuar procesin e brendshëm demokratik. Më kujtohet se kishte edhe media që ishin në anën e dhunës e gazit lotsjellës në Kuvend, gjë që konfirmon se agjendat destruktive kanë përkrahje edhe nga ata që në vend që të informojnë publikun, e manipulojnë atë për interesa të ngushta. Kjo ka sjellë në situatën e rritjes së frustrimit nga brenda dhe të humbjes së respektit nga jashtë. Nëse vazhdohet me të njëjtat metoda dhe mentalitet, Kosova do të humbë betejën demokratike, që dikujt mund të mos i duket aq e rëndësishme, por ju garantoj që është thelbësore; apo nëse përdorim fjalët e ish-presidentit amerikan, nuk do të mund ta fitojë paqen, pasi luftën e fitoi NATO.
“Bota sot”: Kosovën e presin shumë sfida në vitin 2020, ndër to edhe liberalizimi. Për ju, sa janë gjasat që shqiptarët e Kosovës do ta fitojnë liberalizimin e vizave?
Alma Lama: Ky është një problem madhor, për të cilin kam lobuar shumë gjatë kohës që punoja si ambasadore në Romë. Qeveria e Kosovës nuk i ka treguar arsyet e vërteta se pse nuk ka liberalizim vizash për Kosovën deri tani, çfarë ju kanë thënë nëpër takime dhe çfarë hezitimi kanë disa vende të BE-së. Pyeti ata që të merrni përgjigje. Populli meriton të dijë të vërtetën, nuk meriton të gënjehet me muaj e me vite.
“Bota sot”: Ku është sot Alma Lama? Mendoni të riktheheni në skenën politike?
Alma Lama: Aktualisht jam duke u marrë me punë studimore, dhe nuk kam në plan të kthehem në skenën politike. E di se kjo i mërzit shumë përkrahës të mi, por dua të bëj atë që më bën të ndihem më mirë, të jem një person i lirë dhe i pavarur. Gjatë angazhimit tim politik jam munduar të jap kontribut maksimal për shtetin e Kosovës, mirëpo kur ke të bësh me përfaqësues joseriozë të institucioneve, çdo vullnet i mirë anatemohet dhe pamundësohet. Por, kontributin për demokratizmin e shoqërisë kosovare dhe për çështjen kombëtare nuk do ta ndal asnjëherë, deri në frymën e fundit.