ISAK AHMETI-KRIJUES DHE STUDIUES I DALLUAR SHQIPTAR

0
450
Sopi - Ahmeti - Marku

Parathënie

te libri: Shtigjet jetësore të profesorit, shkrimtarit, studiuesit dhe politikanit Isak Ahmeti:

Me prof. Isak Ahmetin me lidhë shumëçka që nga fëmijëria dhe rinia në Stubëll, udhëtimet e mundimshme dhe të rrezikshme” këmbësore” në Viti, pastaj në Zhegër dhe më vonë në gjimnazin klasik “Rudjer Boskovic” në Dubrovnik. Ndërkaq më vonë bashkëpunimi ynë shumë i frytshëm, miqësor dhe vëllazëror, u thellua dhe fisnikërua, veçmas nëpërmjet revistës tonë fetare dhe kulturore “DRITA”, e vetmja si e tillë në gjuhën shqipe asokohe.

Po ashtu, kemi bashkëpunuar shumë në fushën e botimeve duke përgatitur libra të ndryshëm të botuar nga Shtëpia Botuese “Drita”. Pra, prof. Ahmeti ka ndihmuar në përgatitjen dhe lekturimin e teksteve për botime të librave tona, atëherë kur njerëzit “strukeshin” nën petkun e ideologjisë dhe politikës…

Kjo miqësi, vëllazëri dhe bashkëpunim vazhdon gjithnjë, dhe është dëshmi e mirë dhe e sigurt se atë e kemi ndërtuar në themele të forta, siç do thoshte Jezusi në “shkëmb”, që i përballon stuhitë e kohës dhe rrethanave dhe vazhdon tash dhe në amshim.

Prof. Isak Ahmeti, për mendimin dhe vlerësimin tim, është së pari krijues i mirëfilltë, poet “me damar”-frymëzim dhe me profesion-mision, që të mirën, të drejtën, të vërtetën, jetën dhe dashurinë, ia ofron dhe dhuron publikut tonë të gjerë shqiptar, por edhe botës Prof. Isak Ahmeti shquhet edhe në fushën e përkthimeve, duke ndikuar kështu në lidhjen kulturore e letrare mes shqiptarëve dhe botës përëndimore.

Në veprën e tij të pasur kulturore e letrare, ai ka transmetuar vlera të mirëfillta poetike dhe virtyte të dalluara njerëzore dhe të krishtera sot.

Përgatitja e tij klasike si dhe puna e palodhshme me dekada, e bëjnë Prof. Ahmetin edhe studiues të traditës tonë të stërlashtë ilire-arbërore-shqiptare. Mendja e tij e ndritur, zemra e tij e madhe dhe penda e tij e mprehtë hetohet në çdo varg apo rresht, në çdo shkronjë apo faqe, në stil unik karakteristik, që e bëjnë atë krijues dhe studiues të dalluar shqiptar.

Marjan S.Sopi, nëpërmjet intervistave depërton në thelbin e frymëzimit dhe të krijimtarisë letrare dhe studimore duke na zbuluar dhe ofruar Prof.Isak Ahmetin-Njeri, Poet dhe Studiues, që lehtëson dhe mundëson shijimin dhe leximin e veprave të tij në kontekstin njerëzor dhe përmbajtësor.

Falënderoj Marjan S. Sopin për punën dhe mundësinë që na jep që për së afërmi të takohemi, shoqërohemi dhe bashkohemi në synimet që krijimtaria e Isak Ahmetit të zbukurojë jetën dhe përditshmërinë tonë, ndërsa studimet dhe botimet e tij t’i pasurojnë mendjet dhe zemrat e lexuesve, bibliotekat shtëpiake dhe institucionale.

Don Lush Gjergji Prof. Isak Ahmetit, Mikut dhe Vëllaut të kahmotshëm shëndet, vullnet, frymëzim, kënaqësi, lumturi në jetë dhe krijimtari!

Prishtinë, 21 tetor 2020.
Don Lush Gjergji