Analizë politike:
Shkruan: Shefqet DIBRANI
• LDK-ja e udhëhequr nga Isa Mustafa, i ka shkelur të gjitha normat demokratike që i ka kultivuar LDK-ja në kohën e dr. Ibrahim Rugovës.
• LDK-ja, ka bërë devizë të sajën injorimin, nënçmimin, fudullëkun dhe analfabetizmin politik.
• LDK-ja e udhëhequr nga Isa Mustafa, e ka bërë parim politik, përjashtimin, linçimin dhe injorimi që kanë zëvendësuar kulturën e dialogut dhe mirëkuptimit të brendshëm partiak që e ka kultivuar dr. Ibrahim Rugova.
• LDK-ja, përkatësisht Kryesia Qendrore e saj, e ka shkëputur komunikimin me strukturat partiake në nivelin lokal duke kthyer besimin politik në totemizëm, ku përmes tij është shtrirë një lloj kontrolli – tutorizmi mbi mendimin e brendshëm politik për të krijuar futurizmin, si metodë e re e mendimit politik në LDK.
• LDK-ja, injoron profesionistët, nuk i dëshiron ekspertët e partisë së vet, as ata nga shoqëria civile dhe nga institucionet shkencore, madje nuk i dëshiron as dijetaret e shkencëtarët e pavarur, të cilët me dijet e tyre, me veprat e tyre kanë bërë nam dhe kanë lënë gjurmë në shkencën e historiografisë. Ata kanë qenë të gatshëm ta ndihmojnë LDK-në, sepse e kanë themelua vet. Ata e kanë bërë Kosovën me demokraci dhe janë shkencëtarë jo vetëm për çështjet historike por edhe për ‘Asociacionin’, po më shumë janë atakuar ekspertet për çështjen e “Demarkacionit”.
• LDK-ja, në kohën e Isa Mustafës nuk përfaqëson konceptin politik as standardin minimal të LDK-së së dikurshme, pa le më konceptin e kulturën politike të Partive Popullore Evropiane (PPE), sepse LDK-ja në mënyrë arbitrare mohon mendimin ndryshe, nuk lejon konkurrencën e brendshme partiake duke zhbërë kështu edhe mënyrën e votimit të fshehur për zgjedhjen e kryetarit të partisë.
• LDK-ja, si asnjë parti tjetër në Kosovë, sot frikësohet nga e vërteta, nga konkurrenca dhe nga mendimi ndryshe.
• LDK-ja, frikësohet nga mediat dhe nga debati publik. LDK-ja frikësohet edhe nga vota e lirë, andaj konstatojmë se LDK-ja është shumë e stërkequr.
• LDK-ja, me këtë strategji të gabuar politike ka ndikuar drejtpërdrejt që agjendat politike Evropiane, Evro-Atlantike dhe ajo Amerikane ta shikojnë me dyshime të ardhëm e Kosovës!
Isa Mustafa, mbetet politikani komunist me jetë më të gjatë në skenën politike në të gjitha sistemet komuniste në vendet e rajonit. Ai është aktiv në politik qysh nga fundi i viteve të 70-ta e gjer më sot, por në asnjë periudhë nuk shquhet për suksese, përkundrazi është i njohur si udhëheqës teknokrat dhe për mënyrën e diktatit dhe të poshtërimit që vazhdimisht ua ka bërë bashkëpunëtorëve dhe stafit të tij politik. Isa Mustafa gjithmonë është shquar për demagogji dhe për tradhti politike, madje flitet se edhe më herët ka pasur sjellje vulgare, shprehje perverse dhe sjellje arrogante.
Tashmë teknologjia moderne e incizimit ia ka qitur në pah të palarat, gafe këto të cilat për çdo ditë po qarkullojnë nëpër media dhe rrjetet e shumta sociale. Vazhdimisht politika e tij është bërë me mjete të nëntokës për ta arritur qëllimin e vet, e në këtë pikë ai ka pasur sukses gjithmonë. Por, cila është fuqia magjike e tij nuk dihet, ndërsa ka një kulturë minimale në peshimin e fjalës publike kjo s’ka dyshim, por rrethi politik dhe këshilltarët ndaj tij, sillen me përulje dhe nënshtrim klasik.
Nga mënyra e udhëheqjes po del në pah se mendimi dhe kultura publike e sjelljes nuk përkon me nivelin e një akademiku që do të duhej ta kishte institucioni i akademisë. Flitet se Isa Mustafa, në të gjitha etapat udhëheqëse vazhdimisht ka përdorur politikën e nëntokës dhe të thikës prapa shpine, si instrument për t’ia arritur qëllimit. Edhe në ngritjet akademike për gradën e doktorit në ekonomi ka dilema, por ai do të mbetet shembull skandaloz si u avansua në nivelin e akademikut pa pasur asnjë sukses në procesin udhëheqës, dhe pa pasur asnjë libër studimor në fushën përkatëse.
Edhe pasuria e tij marramendëse duhet hetuar, bile sa të jetë vet ai gjallë, por drejtësia dhe Gjykata Speciale nuk duhet t’i harrojnë pasuritë e shumtë që kanë bijtë e kryeministrit, pasuri të cilën me sa duket e kanë në saje të ndikimeve favorizuese nga babai i tyre politikan, i cili sillet si diktatori e pushtetar. Por ajo që duhet të mbetet në kujtesën e këtij brezi është karakteri i një politikani që më së paku u përmbahet deklarimeve publike dhe njeriu që dialogun e praktikon vetëm për zor?! Prandaj ne mendojmë se Isa Mustafa e ka humbur drejtpeshimin e një politikani që i sjell vendit stabilitet, dhe për më shumë të një akademiku me formësim të mirëfilltë nacional dhe në shërbim të çështjeve kombëtare.
Kjo dukuri tashmë është bartur drejtpërdrejt tek vartësit e tij, të cilët, pa përjashtim ndryshe mendojnë, ndryshe flasin, e ndryshe veprojnë. Ky virus i diletantizmit politik është formësuar duke u shtrirë edhe në nivelin lokal ku politikani i LDK-së në masë të madhe identifikohet me personin qesharak i cili ka autoritet të ulët edhe pse konkurrenca në këtë plan, në shkallë kombëtare është shumë e ulët.
Edhe pse LDK-ja gjithmonë dhe gjithkund kishte mundësi për të triumfuar ajo kurrë nuk e shfrytëzoi këtë përparësi, por me ardhjen e Isa Mustafës në krye të LDK-së fjala si vlerë u degradua tërësisht, pasi asnjë premtim që iu ka bërë elektoratit nuk e kanë përmbushur, sepse u përcaktuan për format e linçimit, përjashtimit, nepotizmit të shoqëruara me fodullëk, dallkaukllëk, arrogancë e perversitet, parime tashmë të bëra kredo politike e funksionarëve rural dhe tejet të paarsimuar, qoftë në aspektin universitar apo edhe në atë politikë, vese këto të cilat po reflektojnë për realitetin në LDK.
a. Sepse në LDK është instaluar dhuna e brendshme për arritjen e objektivave për ta stërkequr konceptin e dr. Ibrahim Rugovës që sa herë thuhej LDK, mendohej në vlerë, në dialog dhe në gjithë përfshirje.
b. Sepse me ardhjen e Isa Mustafës në krye të LDK-së, të gjitha mendimet e mira për këtë parti për gjuhë elokuente dhe mendim të peshuar bien poshtë.
c. Sepse në LDK dominon mendimi inatçor i liderit Isa Mustafa, i cili shquhet për sjellje dhe gjuhë arrogante, për shprehje perverse, për refuzim dialogu, për linçim dhe përjashtim të të gjithë atyre që kanë mendim ndryshe.
d. Sepse, ka tendencë të hapur për shkatërrimin e sistemit demokratik në zgjedhjet e brendshme partiake, për mbytjen e vlerës, për prapësimin e dijes, për atentatin që ia kanë bërë demokracisë dhe sistemit të konkurrencës.
e. Sepse në parti janë instaluar metodat e nëntokës, bërrylat, shtyrjet dhe veprimet pas shpine.
f. Sepse LDK-ja shquhet, për avancimin e mediokriteteve, për shtimin e nepotizmit, për rritjen e kriminalitetit dhe të korrupsionit, për mënyrën teknokrate të udhëheqjes, për vendime të njëanshme, për mënyrën e keqe të udhëheqjes dhe për mohimin e vlerave, qoftë për shoqërinë sekulare apo për identitet evropian të shqiptarëve.
g. Sepse demokracia e formësuar dhe e kultivuar për vite me radhë, ku në thelbin e së cilës ishte urtësia durimi dhe toleranca që nuk linçonte e përjashtonte vlerat intelektuale e mendjet akademike, tashmë me Isa Mustafën janë rrënuar tërësisht.
h. Sepse Isa Mustafa, partinë e ka shndërruar në marionetë të PDK-së, të Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit, të përfolur dhe akuzuar si koka e krimit politik dhe ekonomik në Kosovë.
i. Sepse as vet Isa Mustafa nuk e udhëheq LDK-në me duar të pastra!
Në një plan tjetër nëse shohim zhvillimet politike në LDK, kjo parti është plotësuar me staf politik i cili tradicionalisht ka pasur qëndrim armiqësor kundër dr. Ibrahim Rugovës, pastaj përreth liderit është afruar një staf nga zonat rurale me dije të cekëta, të cilët ende nuk janë shkëputur nga sjellja provinciale dhe mënyra fshatarake e veprimit. Kurse niveli politik mbetet shkalla ma e ulët e servilizmit dhe nënshtrimit ndaj rivalit politik, me të cilët dikur kanë shkëmbyer akuza dhe sharje, por tashti puthiten gojë më gojë?! Madje zyrtarët e LDK-së janë bërë ma militant dhe më sakrifikues për t’i mbrojtur konceptet e gabuara të PDK-së, për çështje madhore, siç është rasti me liberalizimin e vizave dhe me integrimet evropiane, pastaj me asociacionin, por ma shumë LDK-së bojën ia qiti demarkacioni, i cili më zëshëm mbrohet nga strukturat e dobëta të LDK-së se sa vet liderët të cilët i kanë shantazhuar dhe ngadalësuar proceset edhe në këtë etapë kohore.
Udhëheqja e tanishme e LDK-së është paaftë për të ofruar një komunikim normal me zërat ndryshe, veçmas kanë krijuar një hendek të paparë me diasporën, përkatësisht me Degët e LDK-së në Zvicër dhe Gjermani. Kryesia Qendrore, por as Isa Mustafa nuk janë në gjendje për ta zgjidhur një problem të vogël brenda partisë së tyre. Prandaj shtrohet dilema se çfarë mund të pritet nga këto mendje kaq të varfëruara dhe kaq të ngurtësuara. Sa do ta ndihmojnë vendin në planin nacional dhe sa do t’i shtyjnë përpara proceset për integrim evropian për të cilat ka nevojë të ngutshme Kosova.
Tashmë shihet qartë se këshilltarët e Isa Mustafës nuk kanë kuraje as të komunikojnë dhe as të bisedojnë për probleme të thjeshta?! Probleme të cilat sado në dukje të thjeshta, në esencë janë përmbajtjesore për demokracinë e brendshme për të cilën ka nevojë LDK-ja ma shumë se kurrë më parë.
Kryesia Qendrore e LDK-së në Prishtinë, është e kapur nga një klan që servilet përreth Isa Mustafës, klan ky që duke dashur për t’i fshehur paaftësitë e tyre kanë krijuar një zbrazëti komunikimi dhe dialogimi, ndërsa për ta justifikuar paaftësinë po përdorin një gjuhën vulgare, perverse dhe madje po bëjnë sjellje megalomane të cilat këtë kryesi, bashkë me Isa Mustafën i kanë bërë gazi i botës!
Avaria që ka kapluar mendimin demokratik brenda LDK-së, nuk i shqetëson aspak zyrtarët e saj politik?! Si duket kjo gjendje i ka detyruar zyrtaret nga Uashingtoni e Brukseli, për të gjetur mundësitë e reja për të bërë meremetim moral, etik dhe politik edhe brenda LDK-së. Andaj si duket edhe zyrat diplomatike në Prishtinë, në mungesë të gjetjes ideale janë detyruar t’i mbështesin ato procese që nuk lënë vakum politik, gjersa të del në skenë ekipi që merr përsipër reformimin e partisë e cila është në një gjendje të mjeruar, madje e shantazhuar me elemente të korrupsionit të lartë, kriminalitetit të theksuar, servilizmit të tepruar, paaftësisë udhëheqëse dhe të paditurisë së skajshme.
Për fat të keq, kodi i dorëheqjes në LDK nuk zë vend më, sikurse as humbjet e shumta në zgjedhje, as dështimet e njëpasnjëshme, as emigrimi i pakontrolluar, as izolimi i tërësishëm i Kosovës, madje, madje as vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shkeljet Kushtetuese me rastin e postit të Kryeparlamentarit dhe as vërejtjet mbi marrëveshjen e Asociacionit dhe të Demarkacionit nuk kanë zënë vend dhe as nuk kanë trokitur në ndërgjegjen morale të Isa Mustafës dhe klanit përreth tij për të dhënë dorëheqje.
As 23 devijimet nga parimet bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës të cilat ua ka theksuar Gjykata Kushtetuese nuk kanë bërë punë, por LDK-ja vazhdon me avazin e vjetër edhe pse i ka dhënë qeverisë së Kosovës, kryeministrin më të dobët në historinë e saj. Prandaj nuk duhet lejuar që Isa Mustafa të udhëheq procese delikate sepse është i njohur si mashtrues perfid, prandaj atij nuk duhet lënë as udhëheqja me procesin e demarkacionit, pasi për ta shpëtuar vetën jo vetëm tetëmijë hektarë tokë, por është në gjendje për ta shpërdoruar gjysmën e territorit të Kosovës, ashtu siç kanë shpërdoruar pasurinë dhe të ardhmen, si dhe perspektivën evropiane të Kosovës.
Por Bashkësia Ndërkombëtare, veçmas ato shtete që janë duke monitoruar demokracinë e brendshme në partitë politike janë në hall të madh pasi brenda LDK-së, ende nuk kanë gjetur një grup serioz, i aftë dhe me koncepte të qarta për ta nxjerr këtë parti nga letargjia komuniste, dhe për t’iu shmangur mënyrës së diktatit politik, që ka lëshuar rrënjë në këtë parti, dikur avangardë e proceseve reformuese në nivel Ballkani dhe madje me ndikim prijetar edhe në tërë Evropën Juglindore. Kjo gjendje anemike me simptome kanceroze, bëhet edhe ma e nderë, kur dihet se brenda partisë janë shuar të gjitha mundësitë për mendim ndryshe dhe për krijimin e fraksionit i cili do të ishte mënyra ma e mirë për të bërë reformat e duhura.
Pavarësisht zhvillimeve të brendshme mendojmë se Kryesia Qendrore e LDK-së dhe vet Isa Mustafa nuk kanë kredibilitet moral për t’u marrë as me çështjen e brendshme në LDK dhe as me krijimin e Asociacionit dhe për shënimin e Demarkacionit me vendet fqinje sepse:
1. LDK-ja në krye me Isa Mustafën i kanë humbur disa palë zgjedhje në nivelin lokal dhe atë qendror, prandaj dorëheqja e tyre është gjëja më e paktë që mund ta bëjnë për këtë parti.
2. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rastin e zgjedhjes së Kryeparlamentarit të Kosovës e bënë Isa Mustafën person me ndërgjegje të vrarë, por vendimet e Gjykatës Kushtetuese në rastin e formimit të Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, është dashur ta detyrojnë me dhënë dorëheqje të menjëhershme nga të gjitha pozitat udhëheqëse në LDK.
3. Vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese, dhe atë në të paktën 23 devijime të mundshme kushtetuese, e bëjnë qëndrimin e mëtutjeshëm të Isa Mustafës në krye të LDK-së të porositur dhe me mision të caktuar për ta shkatërruar partinë.
4. Moslejimi i reformave të brendshme politike, mohimi i votës së lirë, përmbytja e mundësisë së konkurrencës dhe lëndimi i procesit të brendshëm zgjedhor, janë faktor të mjaftueshëm për ta parë se Isa Mustafa ka për qëllim shkatërrimin e partisë të cilën me dinjitet e udhëhoqi për vite me radhë dr. Ibrahim Rugova.
5. Përpjekja për të mos e njohur procesin zgjedhor në Degët e LDK-së në Zvicër dhe Gjermani, e bënë kryesinë qendrore të LDK-së me përgjegjësi politike, se nuk njohin formën e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
6. Vendimi i kryesisë Qendrore të LDK-së në Prishtinë, për anulimin e zgjedhjeve në Degët e LDK-së në Zvicër e Gjermani pa shqyrtuar materialin zgjedhor dhe të paktën pa u ulur në bisedime me të gjitha palët e konfrontuara e bënë LDK-në parti e cila ka devijuar nga koncepti i partive demokratike që njohin rezultatin zgjedhor.
7. Takimet selektive dhe të porositura kanë lënduar edhe më tej frymën e demokracisë që ka jetuar dhe është zhvilluar brenda LDK-së, sepse është krijuar një standard i ri që bie ndesh me konceptin e LDK-së dhe me natyrën e zgjedhjeve të brendshme partiake.
8. Kryesia Qendrore e LDK-së në Prishtinë, nuk ka vepruar në pajtim me statutin dhe standardet e brendshme partiake, për çka është dashur të ofrojnë dorëheqje për t’iu hapur rrugë reformave të brendshme për të sjell një lidership të ri dhe për ta ngritur moralin e LDK-së.
9. Kryesia e LDK-së, nuk është e aftë për të bërë dialog të brendshëm dhe për t’i zgjidhur problemet e brendshme partiake, si ka mundësi të bëjë dialog me rivalet politik dhe ta udhëhequr vendin në procese të rëndësishme. Përkundrazi Kryesia e LDK-së është treguar e ashpër me profesionistët brenda partisë, i ka mohuar ekspertët dhe dijetaret që mund t’i vijnë nga Degët dhe strukturat partiake. Kryesia e LDK-së dhe disa deputet të kësaj partie kanë sjellje negative me strukturat lokale të partisë, duke bartur mënyrën e servilizmit dhe sjelljen teknokrate edhe në përfaqësimin e saj përmes deputetëve në Parlamentin e Kosovës.
10. Kryesia Qendrore e LDK-së duhet urgjentisht të hap dialogun e brendshëm partiak, të krijoj mundësinë për reforma dhe të lejoj konkurrencën e brendshme partiake.
11. Isa Mustafa, duhet ta marrë shumë serioze nevojën e reformimit të brendshëm në LDK dhe të lejoj mendimet ndryshe në parti sepse me veprimet e tij të gjertanishme po rrezikon shembjen përfundimtare të LDK-së.
Kryesia Qendrore e LDK-së dhe vet Isa Mustafa, nuk kanë legjitimitet partiak për të sjell vendime përjashtuese dhe përfaqësuese me peshë të rëndësishme pa iu nënshtruar votës së lirë, sepse i duhet një lloj referendumi i brendshëm partiak, prandaj ata duhet të kuptojnë se brenda LDK-së ka struktura të afta dhe të përgjegjshme të cilat janë në gjendje të sakrifikojnë për demokracinë e brendshme në parti, dhe janë të gatshëm të flijohen për çështjen e Kosovës në përgjithësi!
Të gjitha mangësitë e udhëheqjes së dobët partiake, ku dominojnë mënyrat e ashpra të diktatit, janë bartur si mënyrë e udhëheqjes edhe në Qeverinë e Kosovës nga vet Isa Mustafa i cili duhet të jap dorëheqje nga të gjitha postet partiake dhe ato shtetërore në Kosovë dhe nuk duhet t’i lejohet me udhëhequr as me “Asociacionin” dhe as me “Demarkacionin”!
St. Gallen, e diel, 31 korrik 2016.