Ilustrimi nga Dea Halimi
Dea Halimi
Nga libri “Yjtë farfuritës” tregimi për shkronjën I
Shiu, që ra tërë natën, pushoi vetëm në ag. Shikoja nga dritarja ku kisha bërë gjumin – çdo gjë ndrinte pastër dhe ndritshëm. Ylberi harkonte nga lumi e ikte tutje mbi kodër me ngjyrat e mrekullueshme. Në kopshtin e shtëpisë së dajave ndrisnin mollët e kuqe e të shëndetshme. Zogjtë cicëronin dhe fluturonin nga pema në pemë.
– Sa zgjim i bukur, – ia bëra dhe e thirra Tinën të dilnim pak në pemishte. Ecnim dorë për dore nga molla e kuqe. Te trungu i mollës, befas, hetova nga lëvizte diçka.
– Të kthehemi, – e tërhoqa e frikësuar, Tinën për dore.
– Ç`ke, pse je kaq e trembur, – më shikoi Tina.
– Ja, atje… te trungu i mollës, lëviz diçka…
– Ah, ai është iriqi… kërkon për të ngrënë ndonjë gjë.
– Mund të na kafshojë.
– Jo, jo. Mos u frikëso.
– A nuk e sheh, në gjembat e tij ai bart dy mollë të kuqe.
– Ky është vjedhës i mollëve…
– Si ashtu, a nuk the se ai është vetëm një Iriq!
-Iriq po, por dhe vjedhës po, -tha Tina. – Ta përcjellim nga po shkon, më shikoi ajo dhe qeshi.
Iriqi ecte ngadalë andej nga shkurret.
Pa iu afruar afër e ndoqëm deri aty-nën një shkurre, ku ai u ndal.
-Pse ndali aty, – fola me zë të ulët.
– Aty e ka strofullin, e ka familjen e vet, fëmijët e vet. Për ata i bart mollët… I shikon, – tha Tina, – janë katër iriq të vegjël.
– Sa të mirë qenkan, – thash unë.
– Të mirë… po, janë të mirë, por kanë gjemba dhe nuk mund të luajmë me ta, – më shikoi Tina.
– Iriqët, – i psherëtiva Tinës, – janë kafshë të vogla gjitare, që e kanë trupin të mbuluar nga sipër me gjemba të fortë. Ata, me ta hetuar ndonjë rrezik, mblidhen kruspull për t’u mbrojtur … – thash unë dhe ndërsa po iknim, katër iriqët e vegjël filluan të hanin mollët e kuqe.
– Nesër, unë do t`ua sjell katër mollë të kuqe… – thash dhe e shikova nënën e tyre nga u qëndronte pranë dhe kujdesej për ta me dashuri.
Tina më mori për dore dhe buzëqeshi.
– Të ikim në shtëpi e të hamë dhe ne kafjall.
Ecnim përmes pemishtes, e cila dukej kaq magjike nën dritën e mëngjesit.