Inxhinieri, studiuesi dhe intelektuali i Tiranës, që promovon vlerat e saj dhe rrethinave!

0
903
Skënder Farka

Ibrahim Kabili Eshtë privilegj për mua të bëj një shkrim modest për inxhinierin e talentuar, studiuesin e pasionuar, veprimtarin shoqëror dhe intelektualin e mirnjohur në Tiranë dhe jo vetëm, Skënder Farka. Eshtë sa privilegj për mua, dhe aq përgjegjësi të përshkruaj në këto radhë jetën dhe veprimtarinë e Farkës. Me Skënderin jemi njohur bashkë me Cenin, nëpërmjet zotit Ihsan Lezha i cili punonte te “Shoqata Tirana”.

Ai në atë kohë sapo kishte botuar librin e tij: “Shëtitje turistike nëpër fshatrat e Rrethit të Tiranës-Komuna Dajt”. E takojmë në një lokal në qendër të Tiranës. Që në takimin e parë na dha përshtypjen e një intelektuali dhe njeriu shumë të mirë. Pasi u prezantuam fillojmë nga biseda e cila zgjati në kohë, qe shumë produktive dhe tepër miqësore… Ai na bëri të ditur projektet e tij dhe ne i ofruam sadopak ndihmën tonë… Nga data 10 maj e vitit 2011 e në vazhdim miqësia me të u ruajt e u forcua më shumë… E merita, më së shumti për këtë, i përket Nerit.

E hënë data 18.01.2021. Kohë e bukur me diell, por dhe temperatura shumë të ulta. Gjendja gripale dhe rreziku nga Kovid-19 nuk mund të dalin mbi motivin që më kishte mbërthyer mua pêr të bërë një takim me Skënderin. Me masa të shtuara anti -kovid takohemi në shtëpinë e tij në qendër të Tiranës. I tregojmë qëllimin e bisedës. Ai është shumë modest dhe me shumë vështirësi pranon që të na japi disa të dhëna…Biseda qe e shkurtër dhe tepër miqësore…

Skënder Halil Farka është njëri prej pinjollëve më në zë të fisit Farka. Ai ka lindur në Tiranë më 25.03.1940. Familja e tij është një nga 80 familjet autoktone tiranase që formuan qytetin e Tiranës. Nga këto familje mund të përmendim: Farka, Petrela, Vaqarri, Demneri, Fagu, Tufina, Peza, Preza, Shijaku, Kashari, Vora, Stërmasi, Beshiri, Dajti, Ndroqi, Selita, Brari,Shëngjergji, Mulleti, etj.

Skënderi lindi në një familje me tradita atdhetare dhe shumë arsimdashëse. Babai i tij Halili qe mjeshtër rrobaqepës i diplomuar në Itali për prerje dhe veshje moderne. Ai së bashku me bashkëshorten e tij fisnike, bijë e familjes së njohur Fagu, Hatushen lindën dhe rritën katër djem. Djemtë e tyre mundën të shkolloheshin me arsim të lartë, të bënin kurse pasuniversitare dhe specializoheshin edhe jashtë shtetit. Në këtë mjedis u rrit dhe edukua dhe Skënderi. Shkollën fillore dhe atë 7-të vjeçare Skënderi e kryen në Shkollën “Kristoforidhi” në Tiranë me nota shumë të mira, shoqëruar me fletë nderi për çdo vit.

Shkollën e mesme e kryen në Politeknikumin 7 Nëntori në vitin 1957 me rezultate shumë të mira. Që këtu qe i prirë për mekanikën.

Pas mbarimit të shkollës së mesme e caktojnë teknik në Hidroçentralin e Matit. Duke kujtuar atë periudhë Skënderi shton: “Hidroçentrali qe vepra e parë hidroenergjitike në vend. Kjo u bë me ndihmën e rusëve. Njerëzit sapo kishin fituar luftën, dhe kishin një motivim dhe energji të madhe për rindërtimin e vendit. Kjo ndjenjë e fuqishme ndikoi shumë edhe tek unë si teknik i ri dhe me pasion të madh për punën.

Kështu punonim të gjithë punëtor, teknik inxhinier dhe stafi drejtues. Kujtoj punën plot kushtim të drejtorit Rrahman Hanku. Ai qe një njeri shumë i mirë, një inxhinier i talentuar i cili i njihte në detaje hidroçentralet, punoi deri në vitet ’90. Vite të bukura ku vlerësohej njeriu i punës”. Skënderi punoi këtu deri në vitin 1959.

Në vitin 1960 vazhdon arsimin e lartë në Fakultetin e Inxhinjerisë Mekanike pranë UT-nës dhe e përfundon në vitin 1964 dhe diplomohet inxhinjer mekanik i përgjithshëm. Pas mbarimit të UT-së në vitin 1964 emërohet inxhinjer në Uzinën Traktori. Më pas këtu emërohet kryeinxhinjer dhe kryetar i degës teknike. Këtu punoi 14 vjet dhe pati shumë arritje në punë.

Në vitet 1978-1983 Skënderi emërohet me deturën e zyrtarit të lartë në Ministrinë e Industrisë dhe Minierave. Gjatë kësaj periudhe kohore ai kreu shumë detyra të rendësishme dhe u mor kryesisht me përfundimin e veprave që lanë pa mbaruar kinezët si: Kombinatin Metalurgjik në Elbasan, Uzina e Përpunimit të Bakrit në Laçi, Uzinën Metalurgjike në Burrel etj. Për punë shumë të mirë këtu dekorohet me “Medaljen e Punës” së klasit të III-të.

Në vitet 1983-90 Skënderi ka punuar në Sektorin e Gjeologji-Minierave. Ka mbuluar Uzinën Gjeologjike në Tiranë, Minierën e Bulqizës dhe Batrës. Edhe në këtë sektor puna e tij vlerësohet shumë e mirë. Sektori që mbuloi falë edhe punës së tij pati shumë arritje. Për punë të mirë dekorohet me “Medaljen e punës” klasi i II-të.

Në vitet 1990-2000 ka përfaqësuar industrinë e rëndë pranë institucionece qeveritare dhe ndërkombëtare në nivelin e Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë.

Në vitin 2000 del në pension dhe punon me shumë pasion pranë “Shoqatës Tirana”. Ai tanimë është Sekretar i Shoqatës Tirana. Në kuadër të shoqatës ai po bën një punë të mrekullueshme në promovimin e vlerave të Tiranës, dhe “djepit” të saj, fshatrave apo “rrethinave” të saj.

Gjatë gjithë karierës së punës është dalluar si specialist dhe drejtues shumë i zoti. Puna e tij ka patur arritje falë studimit, punës shkencore, specializimeve të shumta brenda e jashtë vendit. Ai:

● Në vitet 1971-72 është specialuzuar për konstruktor në Kinë.
● Në vitet 1970-80 ka tre botime tekniko- profesionale, ku përfshihet dhe tema 0 për gradën “Kandidat i Shkencave”.
● Ka bërë një monografi për Fitnete Rexhën: “Flet Fitnet Rexha”.
● Në vitin 1980 është specializuar në Francë për konstruksione të rënda.
● Në vitin 1983 ka bërë edhe një specializim në Danimarkë.
● Një vit me vonë ka botuar 6 libra me 80 reportazhe për 135 fshatra të Tiranës.

Pikërisht këto botime me vlera të gjithanshme për Tiranën e tiranasit, por jo vetëm për to, që i disponojmë me dedikim prej tij, qenë motivi kryesor për të bërë këtë shkrim si respekt e mirnjohje për këtë punë voluminoze dhe tepër brilante. Ky është i pari studim i këtij formati për fshatrat e Tiranës. Një vepër, që ka vlera të mëdha shkencore, historike, gjeografike, njohëse, edukative, promovuese, turistike, etno-kulturore etj. Me banorë të zbritur herët është formuar Tirana. Tirana, vendbanim më i vonë nga disa prej fshatrat të saj.

Autori citon: “Nëpër djepat e fshatrave të rrethit të Tiranës janë përkundur dhe rritur burrat dhe gratë që zbritën në fushën e saj të bukur. Shumica e tyre u identifikuan me mbiemër sipas emrave të fshatrave nga erdhën dhe në vitin 1614 e formuan atë si qytet, sot kryeqyteti i Shqipërisë”. Hartimi dhe përgatitja e këtij materiali në formën e një “guide” turistike është një punë e mundimshme e shtrirë në kohë dhe hapsirë… Urimet më të përzemërta profesorit për këtë pasionante dhe dinjitoze!!!.

Ashtu siç “bredhi” kleriku Ibrahim Dalliu “lule më lule” nëpër lagjet e pleqt e Tiranës dhe mblodhi si bleta nektarin, për të ncjerr në dritë Zenel Bastarin, bejtexhi; kështu ka “bredhur” Farka, fshat më fshat, lagje më lagje, fushë më fushë, familje më familje dhe ka takuar njerëz të moshave e profesioneve të ndryshme. Ai ka vënë në dukje pasurit natyrore, kushtet ekonomiko-shoqërore, resurset ekonomike, vlerat njerëzore dhe ato etno kulturore, me synim nxjerrjen në dritë dhe promovimin e vlerave më të mira të Tiranës, rrethinave dhe banorëve të mrekullueshëm të tyre. Farka nga viti 2012 e në vijim ka bërë botimet: “Shëtitje turistike nëpër fshatrat e Tiranës për:

● Komunën Dajt viti 2012.
● Komuna Zall-Bastar viti 2013
● Komuna Shëngjergj viti 2014
● Kërraba dhe Njësia Bërzhitë viti 2017
● Njësia Administrative Farkë viti 2020
● Njësia Administrative Petrelë viti 2021

Themi se është botim dinjitoz sepse:

• Njeh lexuesin me kordinatat dhe pozitën gjeografike të Shqipërisë, Tiranës, Njësive Administrative, fshatrave përbërës të tyre dhe lagjeve përkatëse…
• Jep të dhëna të sakta për ish Kominat dhe Njësitë administrative si për: Sipërfaqen e përgjithëshme në hartë e ndarë sipas disiplinave të kulturave, numrin e banorëve, familjeve, numri i nxënësve në shkollë etj…
• Njeh lexuesin me arritjet ekonomike e shoqërore për secilin fshat dhe prioritetet e zhvillimit…
• Na njeh me ecurinë e zhvillimit të arsimit, kulturës, traditave etnokulturore, dhe mundësitë e zhvillimit të turizmit, bujqësisë, blektorisë etj.
• Njeh guidistët me disa emërtime objektesh, kullash, vendeve historike, lokale, vende për biznes etj.
• Njeh lexuesin e gjerë me shumë emra të njohur, burra dhe gra të mençura që rrojnë e nuk rrojnë më, i njeh me intelektual dhe kuadro të arsimit, shëndetsisë, kulturës, njerëz të thjeshtë, deri dhe me ato me ngjyrë që ne bashkëpunojmë në jetën e përditshme.
• Libri ka harta dhe foto ilustruese shumë të sakta dhe ndimojnë në realizimin e guidave turistike…

Duke i kërkuar një përshtypje për Zonën tonë, tani pas 8 vitesh nga botimi i librit, ai shprehet:
○ Zona e Zall-Bastarit është një zonë me resurse të mëdha si: Mali me Gropa, Liqeni i Bovillës, Kanionet e Shkallës së Tujani, Rruga e Arbërit, Relievi, klima, bota bimore e pasur.
○ Eshtë krahinë me tradita patriotike dhe atdhetare dhe e pasur me histori e ngjarje që
duhen studiuar më shumë.
○ Eshtë zonë shumë mikpritëse, me njerëz bujar dhe të thjeshtë e me tradita.
○ Këngët, vallet dhe veshjet e Zall-Bastarit janë shumë të mira.
○ Eshtë zonë shumë arsimdashëse dhe e lidhur dhe me pronën e vendlindjen.
Të falenderoj për vlerësimet. – Falenderimi u takon banorëve të krahinës suaj, ato më kanë imponuar respekt për a sa kalova atje!

Natyrisht libri në vetvete është një guidë turistike, një udhëtim apo shëtitje turistike dhe si i tillë të mos presim hollësi për probleme të veçanta. Ato mund të gjenden në studime monografike të veçanta. Si përfundim mund të arrijë në një konkluzion se botimet në fjalë janë një vlerë e shtuar jo vetëm për Tiranën dhe tiranasit por dhe më gjerë. Fjalët më të përzemërta për autorin e botimit Farka dhe “Shoqatën Tirana” që ka ndihmuar në botimin e këtij botimi voluminoz. Urime në projekte të tjera! Tirana dhe rrethinat e saj janë një “thesar” që duhet të eksplorohen dhe promovohen më shumë!

Në aspektin familjar Skënderi është i martuar me Nadiren, bijë nga familja e mirnjohur Vaqarri. Edhe ajo ka mbaruar arsimin e lartë në degën inxhinjeri. Prapa një burri të suksesshëm qëndron një grua e suksesshme!

Kanë dy vajza, të dyja me arsim të lartë, të mirëedukuara dhe që kanë krijuar familjet e tyre. Njerëz si Skënderi i bëjnë nder Tiranës dhe shqiptarisë!

IBRAHIM KABILI
Tiranë më 19.01.2021