INVESTIGIMI/ Babai, vëllai, gruaja, nipi, baxhanaku, djali i tezes: Dritë-hijet e Fondacionet të Elvis Naçit

0
809
Elvis Naçi - fondacioni

Nga Bedri Islami, TemA

Me 15 dhjetor 2016, pra tre vitesh më parë, gjykatësi i rrethit Gjyqësor Tiranë, Kujtim Vraniçi, mori në shqyrtim kërkesën e z. Elvis Naçi, i cili kërkoi të regjistrohet si person juridik Fondacioni “Firdeus”, me themelues atë vetë.

Selia e Fondacionit, sipas vendimit, ndodhet në adresën: Rr. ”Zonja Curre”, Pallati “ Ermir- Star”, kati I, Tiranë, Shqipëri, që mund të jetë banesa e themeluesit Naçi.

Fondacioni, duke lënë hapësirë për qëllimet e tij, në pikën e fundit, të njëzetë, ka shënuar se “Do të zhvillojë çdo aktivitet tjetër, që çmohet në të mirë dhe në interes të publikut, i parashikuar ose jo në qëllimin e fondacionit dhe që nuk është ndaluar shprehimisht me ligj”.

Kështu fillon historia e fondacionit “FIRDEUS”, i cili, siç ka miratuar gjykatësi, do të zhvillojë aktivitet për një periudhë kohe të pacaktuar.

Struktura e Organeve Drejtuese të Fondacionit përbëhet nga Bordi Drejtues dhe Drejtori Ekzekutiv.

Në themelimin e tij Bordi Drejtues përbëhet nga Elvis Naçi, që është edhe kryetari i Bordit, nga Muharrem Naçi, që është babai i Elvisit (tani i ndjerë), dhe Florim Brinja, që është djali i tezes së Elvisit.

Drejtor Ekzekutiv do të jetë z. Ilir Naçi, që është vëllai i Elvisit.
E gjithë kjo sipas vendimit të cituar më sipër.

Është një bord drejtues dhe drejtues ekzekutiv, që i përkasin së njëjtës familje. Babai, dy vëllezër dhe një djalë tezeje.

Për pak kohë fondacioni bëhet i njohur, megjithëse asnjëherë nuk e kishte publikuar si e sa duhet se nga cilët ky bord drejtues dhe cilin drejtor ekzekutiv ka në drejtim.

Autoritetin dhe besueshmërinë e Fondit e rrit edhe pjesëmarrja e një figure të njohur të artit.

Me 3 tetor 2018, pas vendimit të gjyqtarit Julian Haxhiu, miratohet vendimi për zëvendësimin e vendit bosh të lënë nga z. Muharrem Naçi, (i ndjerë) me zotin Marvin Naçi.

Njëkohësisht miratohet edhe vendimi i bordit për ndryshimin e nenit 23.1, “Përbërja e organeve të para drejtuese-antarë të Bordit Drejtues, duke shtuar edhe dy antarë të rinj, konkretisht znj. Fatime Naçi dhe Andi Qinami.

Gjyqtari miraton edhe vendimin e Bordit Drejtues, nr. 3, datë 03.08.2018 për ndryshimin e adresës së Fondacionit, që tani spostohet tek Rr. ”Ali Demi”, Nr. 25, kati i parë, Tiranë, Shqipëri.

Tani në Bordin Drejtues është thuaj komplet familja Naçi dhe konkretisht:
Ilir Naçi, drejtor Ekzekutiv, vëllai i Elvis Naçit

Elvis Naçi, drejtues i Bordit Drejtues, Fatime Naçi, bashkëshortja e Elvis Naçit, Marvin Naçi, që zëvendësoi të ndjerin Muharrem Naçi dhe që është djali i drejtorit ekzekutiv, Ilir Naçit e nipi i Elvisit.

Andi Qinami, baxhanaku i Elvisit, dhe Florian Brinja, djali i tezes së Elvisit.
Asnjë tjetër jashtë familjes, që nga drejtuesi i Bordit, drejtori Ekzekutiv dhe anëtarët e Bordit, vëllai, gruaja, nipi, baxhanaku, djali i tezes.

Zakonisht hoxhallarët nuk janë të njohur për ngritje të fondacioneve të tilla, por, edhe kur e realizojnë këtë, ata bëjnë vëmendje për dy gjëra themelore: Bordet Drejtuese të përbëhen nga figura të shquara intelektuale, si ishte edhe poeti i madh Firdeus, emrin e të cilit mban fondacioni, dhe, së dyti, të ketë një transparencë të plotë, të gjerë, të çdo kohëshme, të cilin e bën, fillimisht Bordi Drejtues, i cili edhe merr vendimet kapitale, por edhe struktura që janë brenda fondit.

Me përjashtim të anëtarëve të Bordit dhe Drejtorit Ekzekutiv, të gjithë të një familje ose lidhje me të, askush nuk e di se cilët janë vendosur në strukturat e tjera të tij; kush janë revizorët, kontrolluesit, çfarë ecurie financiare ka pasur fondi, cilët ekonomistë dhe financierë janë përfshirë, raportet që janë paraqitur… duke ngritur shpesh herë pikëpyetje, të cilat, për të mirën e vetë fondacionit duhen zgjidhur sa më shpejt. Por, edhe për qetësinë e atyre që dhurojnë dhe që, në këtë rast tërmeti, mund të kenë dhënë donacione, që mund të shkojnë deri në 10 milionë dollarë.

Kjo është e domosdoshme të bëhet sa më shpejt, e jo vetëm nga strukturat e këtij Fondacioni, të cilat nuk dihet se ku janë dhe kush janë, por edhe strukturat e specializuara të shtetit, që të mos jemi nesër para një dyshimi të arsyeshëm, dhe të pastrohet çdo gjë që mund të përflitet. Jo larg, mund të lindë nevoja apo kërkesa, edhe nga institucione jashtë Shqipërisë, për të ditur për aktivitetin e këtij fondacioni, mirë përdorimin e fondeve, sqarimin nëse të gjitha donacionet janë të pastra apo jo, të dijë nëse, përmes personave të lidhur me struktura ekstremiste islamike, sidomos në Zvicër, të kenë depërtuar edhe fondamentalistë islamikë, përvojë që nuk do të ishte për herë të parë në Shqipëri.

Organet e specializuara duhet të demantojnë fjalët dhe të saktësojnë të vërtetën, nëse Fondacioni në tri vitet e themelimit të tij ka pasuri ose prona të sapoblera në emër të familjarëve të tij sepse, mbi një fondacion të tillë, që ka emër të ndjeshëm, nuk duhet të ketë asnjë dyshim.

Fondacioni duhet të sqarojë për shembull, si i merr vendimi Bordi drejtues, kur të gjithë janë të një familje, si gjykohet puna e Drejtorit Ekzekutiv apo e drejtuesit të Bordit, ku, po aty, janë të njëjtët që janë edhe në familje; kush i kontrollon këto vendime, të cilat, edhe pse merren nga një fondacion, që nuk është një organizatë politike fitimprurëse, sipas aktit të themelimit, ka në lëvizjet e tij miliona dollarë e euro, që bartin besimin e njerëzve.

Personalisht mund të besoj se gjithçka është e pastër, por mjegulla e hedhur është e turbullt, ashtu si mund të jetë edhe e vërtetë. Që të mos rritet dyshimi, duhet vepruar.

Të kesh një fondacion të ngritur mbi një bord familjar nuk është kundër ligjit, por është kundër etikës dhe transparencës. Të bësh një fondacion me vëllezër, me grua e nipa, është si të mbyllësh qarkun dhe të bësh ashtu si do familja. A nuk ka vend në Bordin drejtues për të tjerë, jashtë familjes, teologë, meqenëse drejtuesi është hoxhë, ekonomistë, figura të nderuara dhe të denja për të qenë aty?

Fondacioni i drejtuar nga hoxhë Elvis Naçi, si është bërë e njohur, ka një program të tij të veçantë, në një stacion të rëndësishëm televiziv. Krejt vetjak, nga i cili larguan edhe drejtuesen. Punë e tyre dhe e drejtuesit të TV.

Askush nuk e di se sa kushton pushtimi i një emisioni të veçantë, ka ndonjë vendim të veçantë të Bordit Drejtues, si bëhen pagesat dhe a është normale që donacionet e dhëna për bamirëse të përdoren për blerje të emisioneve televizive. Askush nuk e di përse ky vendim i Bordit dhe pagesa për këtë emision nuk është bërë publik, fillimisht nga vetë bordi, por aspekte të veçanta të tij janë bërë nga media, që nuk janë të orbitës së Fondacionit.

Po ashtu, e drejtë do të ishte të saktësohet vendimi i Fondacionit për blerjen e spitalit “Kontinental” e sidomos për një shumë, me të cilën mund të blihet vetëm një gjysmë vile jashtë Tiranës. Ky spital, që disa kohë më parë ishte në treg dhe u refuzua të shitej për një shumë më të lartë, cilin do të ketë pronar: Bordin Drejtues? Por ai është familja Naçi. Nëse nesër ky fondacion do të mbyllet, kujt do i takojë ky spital? Me çfarë do të përballohen shpenzimet për mbajtjen e tij, apo, nga fillesë fondacioni, do të kalojë në një spital privat me çmime të larta, si ka ndodhur edhe me të tjerë.

Fondacioni i sipërm është njëri nga më të njohurit dhe më të rëndësishmit në Shqipëri. Gjërat duhet sqaruar që tani, që në këtë fillesë të vitit të katërt, që gjërat të ndriçohen, fondacioni të vazhdojë ecjen e tij dhe asgjë të mos jetë vonë… /DITA/