Intervistoi: Milazim F. KADRIU
Kërkojmë një prezantim të shkurtër tuajin që nga fëmijëria, shkollimi fillor, i mesëm dhe ai superior?
Unë Nehat Jahiu u linda në mëngjesin e 10 tetorit të vitit 1951 pranë vatrës së oxhakut të shtëpisë së ndërtuar me gurët e bjeshkëve të Maleve të Karadakut plak, të baltës së tokës së prindërve, gjyshit dhe stërgjyshërve të mi. Linda mu aty, në një ndër lagjet më të bukura dhe më të dashura, lagjen e “Arnorëve”-“Cumelëve”. E kalova fëmijërinë time së bashku me moshatarët e mi të lagjes dhe të fshatit tim shumë të bukur, të këndshëm dhe të dashur, Orizares. Linda në këto kulla stërgjyshërore shqiptare, në vatrën e Karadakut për t’u njohur qysh në fëmijërinë time me traditat dhe historinë shqiptare, me ninullat në krye të djepit e pushkën e varur mbi trarët e lisave të fortë e të lashtë, të malit plak “Përzhal” të Orizares. Shumë herë agimeve të hershme dhe mbrëmjeve i hapja krahët prej bregut të Korijes Plakë. Me sa fuqi kisha e përqafoja vendlindjen time dhe nga dashuria sa mundja e shtrëngoja në gji, ashtu si nënëlokja ime.
Kur kthehesha me tufën e deleve nënëlokja më dilte tek dera, më merrte, më puthte në ballë, më përqafonte e më shtrëngonte ngrohtësisht në gjirin e saj. Ajo më donte ashtu siç e doja unë vendlindjen time Orizaren. Pushoja pak, ma shtronte sofrën e bukës për të ngrënë dhe më vonë shtrihesha në prehërin e nënëlokes sime. Ajo më përkëdhelte ballin dhe ashtu më zinte gjumi i ëmbël, në prehër të nënës. Në mëngjes ngrihesha së bashku me ëndrrat e bukura të vendlindjes. Kur mbusha shtatë vjeç, me një gëzim të paparë vrapova drejt shkollës, aty në qendër të fshatit; për t’u futur në klasë të parë; për t’u takuar për herë të parë me mësuesen time shumë të dashur e të paharruar, Lumnijen. Shkollën tetëvjeçare e kreva në vendlindje, të mesmen në Preshevë dhe Shkollën e Lartë Pedagogjike, Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, në Gjakovë. Edhe sot jetoj me familjen time dhe kaloj kohën e moshës time në vendlindjen time duke i ruajtur thell në shpirt të gjitha kujtimet me një nostalgji që nga fëmijëria e deri në ditët e sotme.
Gjithëherë keni qenë i përkushtuar në punën e juaj në arsim.
Po! Unë jam me profesion, arsimtar i gjuhës dhe letërsisë shqipe. Profesioni i mësuesiesisë ishte dhe mbeti njëri ndër profesionet më të dashur , me shumë përgjegjësi dhe më e shenjtë për mua. Në duart e mësuesit, edukatorit e pedagogut është fëmia e nxënësi, i cili duhet të mësohet dhe edukohet. Është kënaqësi e madhe të punosh me nxënës që të duken kur të shkosh në mësonjëtore si një kopsht i lulëzuar. Me të vërtetë nxënësit janë si një kopsht me lule. Nga puna e kontributi i mësuesit varet arsimimi i brezit të ri, të cilin mësuesi e ka për detyrë ta mësojë dhe ta edukojë në një rrugë të drejtë, për të ardhmen e jetës së tyre. Të mësosh dhe edukosh brezat e rinj të popullit tënd, me nder dhe me vullnetin e duhur nuk ka kënaqësi më të madhe shpirtërore. Gjithë këtë kontribut dhe këtë djersë që do të derdhë mësuesi për të mbjellë farën e diturisë tek nxënësit e tij, një ditë fara do të japë frytin e duhur. E këtë fryt jo vetëm që do e shijojë në të ardhmen nxënësi, të cilin ti e ke mësuar dhe edukuar, por do ta shijojnë dhe do të jenë krenar me të familja, shoqëria, vendlindja, kombi, atdheu etj.
Mbi të gjitha, mësuesi do të jetë njeriu më i lumtur. Gëzimi më i madh në jetën time ishte kur unë gjendesha në shkollën time dhe isha duke punuar me ish-nxënësit e mi në procesin edukativo-arsimor. Nuk ka kënaqësi më të madhe kur sot nxënësit e tu i sheh që kanë kryer fakultete, magjistratura, doktoratura shkencash të ndryshme etj. Sheh nxënësit e tu gazetarë, shkrimtarë, artistë, drejtorë, deputetë, ministra, kryetarë komunash, biznesmenë, zejtarë etj. Më bëhet zemra mal nga gëzimi, sepse vetëm me arsimimin e brezave të rinj mund të ecim përpara si popull. Ky është profesioni i shenjtë i mësuesisë që më ka mbajtur gjithnjë të lumtur dhe krenar. Mësuesit ishin ata që nuk kursyen asgjë nga vetja për të hapur shkolla dhe për të mbjellë diturinë tek nxënësit e tyre në gjuhën amtare. U shkrinë dhe u tretën si qiriri për nxënësit vetëm për t’i mësuar dhe edukuar.
Mësuesit e devotshëm e të denjë dhanë gjithçka për arsimin shqip. Edhe sot ata luajnë një rol shumë të rëndësishëm për arsimimin dhe edukimin e brezave të rinj. Mësuesit idealistë të çështjes kombëtare gjithnjë kanë vuajtur e sakrifikuar për gjuhën e historinë e tyre kombëtare duke mbjellë dhe kultivuar diturinë tek shpirtrat e njomë të nxënësve të tyre. Personaliteti i mësuesit është tejet i rëndësishëm, pasi ai gjatë gjithë jetës përgatit nxënësit për të ardhmen e tij e të shoqërisë. Ata janë bartës të diturisë ndër breza. Vizioni i tyre është shumë i fuqishëm me ideal të fortë kombëtar e arsimdashës që ruan identitetin e tij të sinqertë dhe sakrifikues. Mësues të tillë janë gjithnjë të nevojshëm për popullin e tyre varësisht periudhave historike. Mësuesi përdor një mjeshtëri të bekuar për t’i dhënë jetë botës, nëpërmjet formësimit të jetës së njerëzve. Ndikimi i tij mbi individin e tejkalon edhe ndikimin e prindërve apo shoqërisë mbi ta. Në fakt është mësuesi që gatuan nënën, babain dhe të gjithë anëtarët e shoqërisë së ardhme.
Në qoftë se ai nuk përfshihet në gatimin e ndonjë pjese të brumit të individit, atëherë ky individ mbetet gjithë jetën i paformuar. Nëpërmjet një mësuesi të përgatitur mirë rritet dhe kultivohet një personalitet i madh në botën e njerëzimit. Mësuesit me punën dhe aktivitetin e tyre, lanë gjurmë në kohë dhe në kujtesën e brezave, të popullit dhe të mbarë shoqërisë, pasi kjo është e lidhur me epokën dhe kohën kur ata lindin, rriten e jetojnë. Në këto kushte, historia e jetës së një mësuesi të shquar, një personaliteti me vlera të larta në fushën e arsimit, edukimit dhe kulturës është i mbushur plot e përplot me përpjekje e sakrifica për ta bërë nxënësin bashkë me popullin e tij të lumtur, të arsimuar, të edukuar, patriot e të dobishëm për atdheun. Për një njeri që jetën ia përkushton atdheut, arsimimit e edukimit të brezave, ai me shumë zell mbjell dashurinë në bankat shkollore tek nxënësit që ta bëjë çdo nxënës, me vlera e të zotin e vetes. Puna e një mësuesi të mirë skalit në veprën e tij, në punën e tij pedagogjike, në veprimtarinë e tij edukuese kontributin për të ardhmen. Vepra e tij do të mbetet përgjithmonë e pavdekshme mes nxënësve, mes popullit, në historinë e tij të lavdishme njerëzore.
Në arsim kam kaluar gati të gjithë jetën. Puna si mësues, edukator, pedagog në shkollë ka ndikuar shumë edhe në krijimtarinë time letrare sidomos në letërsinë për fëmijë. Aty u njoha drejtpërtdrejt me jetën e fëmijëve (nxënësve) shpirtin e tyre që çdoherë më ka frymëzuar në krijimet e mia letrare. “Arsimi është një bimë tejet kryeneçe e cila nuk gjelbëron as lidh kokrra në qoftë se nuk ujitet me punë dhe gjak” (Arturo Grof)
Na thuani diç rreth kontributit tuaj si mësimdhënës?
T’iu them të drejtën edhe pse e kisha zgjedhur me dëshirë këtë profesion, kurrë nuk e kisha menduar se do ta doja aq shumë, pra, do të mishërohesha me arsimin. Kjo ndodhi qysh në ditët e para kur mora ditarin në dorë dhe u futa në mësonjëtore mes nxënësve për të vazhduar gjatë tërë karrierës sime profesionin e mësuesisë për 40 vite. Kujtimet e fillimit të punës në arsim me nxënësit nuk mund t’i harroj, sa të kem frymën e fundit të jetës sime, sepse janë kujtime të ngulitura thellë në shpirtin tim.
Të jesh një mësues ose pedagog i mirë nuk është aspak e vështirë, pasi të shtyjnë të bëhesh i mirë vetë nxënësit. Ata të detyrojnë që ti të jesh edhe mësues edhe pedagog i mirë. Ky profesion nuk do rastësi për ta zgjedhur, sa për ta provuar. Këtu ke të bësh me shkollarë të vegjël, dhe mu në fillim të formësimit të moshës së njomë të fëmijës e formimin e personalitetit të tij nga klasa e parë, kur fillon gatimi i këtij personaliteti, i cili do të marrë rrugëtimin e tij deri sa të jetojë. Çdokush nuk mund të jetë mësues dhe pedagog nëse nuk e do me përkushtim këtë profesion, nëse nuk e do me zell apo nëse nuk i përkushtohet me tërë qenien e tij shpirtërore e fizike këtij profesioni. Ky është një profesion shumë i dashur dhe i shenjtë. Gjithashtu është i vështirë, pra është njëri ndër profesionet më me përgjegjësi. Të mësosh dhe të edukosh brezat e rinj me vite të tëra është një krenari e madhe, por edhe një përgjegjësi e lartë.
Deri në pensionimin tim kam përcjellë shumë breza. Do kisha dashur ta përfundoja ashtu siç e kem përfunduar karierën time ashtu siç e kisha filluar qysh nga dita e parë dhe deri në kam përfunduar karierën time mësuesinë. Nxënësit e mi sot janë kudo, në vendlindje dhe në diasporë. Ata janë me profesione të ndryshme që nga bujq, zejtarë, afaristë, politikanë, mësues, inxinierë, mjekë, magjistër, doktorë shkencash dhe në shumë profesione të ndryshme që nuk do të mundja t’i numëroja të gjitha. Kjo është një arritje e madhe për nxënësit dhe për mua. Kur i shikoj dhe kur dëgjoj sot për sukseset e tyre më bëhet zemra mal nga gëzimi.
kthejnë në kohën kur kanë ndodhur për t’i kujtuar dhe për të mos i harruar, për t’i marrë me vete edhe pas vdekjes në banesën time të përjetshme. Po ashtu ka edhe ngjarje apo kujtime që kurrë nuk dua t’u rikthehem për t’i kujtuar edhe pse nuk dua t’i harroj asnjëherë, pasi mbeten të hidhura për mua dhe për të gjthë mësuesit shqiptarë, varësisht nga koha kur punuam në arsim.
Unë do të flas në këtë rast për veten dhe jo për të tjerët. Mua puna me nxënësit jo vetëm që më ka ndihmuar, por, më ka nxitur dhe më ka stimuluar gjithnjë ta pasuroj frymëzimin tim, mu këtu tek shpirti i nxënësve të mi. Gjithnjë mes tyre ka filluar nxitja e frymëzmi, dhe aty ka përfunduar. Unë tek nxënësit gjithnjë kam gjetur gurrën e pashtershme të poezisë, pasi këtu është kopshti apo livadhi i madh mbushur me lule të bukura. Si të mos gjesh frymëzm aty, dhe unë si krijues mos ta thith nektarin e këtyre luleve që ta dhurojnë nxënësit nga shpirti i tyre i njomë, i çiltër si ujë burimi. Sa i përketë kontributit tim dyzet vjeçarë në arsim jam munduar deri në maksimum ta jap gjithë ate që më ka takuar ta jap, por për këtë unë personalisht për këtë nuk do vlerësoj, por do e lë që një gjë të tillë ta vlerësojnë ish nxënësit e mi, prindrit e tyre etj.
Edhe unë i takoj profesionit të mësuesit, por duhet thënë gjithnjë e vërteta pa marrë parasysh se në çfarë pozite je! Opinioni kërkon përgjigje të saktë dhe unë jam i tillë që gjithnjë i pëlqejnë apo nuk i pëlqejnë përgjigjet e mia të tjerëve, flas ashtu siç mendoj, pa kurrfarë hamendjeje. Mësuesit kanë qenë, janë dhe do të jenë ata të cilët i kanë sjellë, i sjellin dhe do t’i sjellin të mira kombit të tyre, ndaj mund të quhen edhe heronj. Unë do të kisha shtuar se kjo nuk ka vlerë për të gjithë mësuesit në përgjithësi. Kjo ka vlerë vetëm për ata që janë të lidhur ngushtë shpirtërisht dhe fizkisht me tërë qenien e tyre, me profesionin e arsimit që kanë zgjedhur nga fillimi i karrierës së e deri në përfundim të saj ta kryejnë këtë mision të shenjtë me nder dhe respekt. Pa sakrifikuar në këtë profesion nuk mund të jesh hero. Për fat të keq me keqardhje në kohë të ndryshme, por edhe sot, ka mësues që janë futur rastësisht në këtë profesion, rastësisht e bartin emrin mësues. Këta individë nuk janë të paktë, ndaj duhet sa më shpejt të largohen, pasi nuk e kanë vendin aty. Këtë e them me vetëdije dhe përgjegjësi.
Autoriteti i mësimdhënësit nga rrethi apo shoqëria në përgjithësi sot është në mjerim. Për mësuesin, me përjashtime, nuk ka respekt në rrethin ku ai jeton e ushtron detyrën e tij. Më tepër respektohet një rrugaç, një hajdut, sesa një arsimtar i mirëfilltë, i cili ia ka përkushtuar tërësisht jetën e tij arsimimit dhe edukimit të brezave, pra ardhmërisë së popullit të tij. Po ashtu edhe nga shoqëria, autoriteti i mësidhënësit këto vitet e fundit është nënçmuar ose mbivlerësuar, pra, nuk i është dhënë vendi të cilin ata meritojnë. Nga institucionet e shtetit puna e mësimdhënësit, gjithnjë flas për mësimdhënësin e mirëfilltë është shumë përbuzëse në çdo aspekt. Ndjej keqardhje për mësimdhënësit, se në çfarë niveli jetese kanë mbetur. Është absurd!… Është turp!… Atëherë çfarë respekti kërkojmë të ketë mësimëdhënësi? Unë besoj se këtu nuk ka nevojë për koment…Sa i përket kontributit tim në pyetjen që ju më parashtroni unë do të përgjigjem në ate sa jam munduar gjithnjë të kontriboja deri në maksimum, por sa ia kam arritur ta jap këtë kontribut mbi të gjitha ua lë ish nxënësve të mi, prindërve të tyre dhe…ta vlersojnë.
Tash nga pozita e pensionistit, a keni bërë një përkujtim të punës suaj në arsim dhe a jeni i kënaqur me atë që keni bërë dhe a mendoni se keni mundur të bëni edhe më shumë?
Qysh nga tetori i vitit 2015 jam në pension dhe gjatë kohës që kam punuar në arsim kam përcjellë një numër të madh nxënësish. Në përgjithësi ndjehem krenar për këto të arritje, por ka shumë shkaqe subjektive dhe objektive që disa nxënës nuk kanë arritur atë që unë kam dashur të arrijnë. Pikërisht më dhemb shpirti për disa nxënës që u detyruan të largohen nga vendlindja dhe atdheu në një moshë të re. E tërë kjo nuk është për fajin e tyre, por për fajin që shoqëria nuk iu krijoi kushte që ata të jetojnë këtu, ku balta është më e ëmbël se mjalta siç thoshte poeti ynë i madh Çajupi. Një numër prej tyre edhe në mërgim kanë kontribuar për një jetë më të mirë dhe unë për arritjet e tyre edhe pse në shpirt u rëndojnë plagët e kurbetit jam shumë i lumtur. Një numër prej tyre kanë arritur gjithashtu këtu në Maqedoni të kryejnë fakultete të profesioneve të ndryshme dhe janë vlerësuar me tituj shkencorë. Disa prej tyre kanë zgjedhur profesionin e mësuesisë dhe sot punojnë si mësimdhënës që do të thotë, se zëvendësojnë mësimdhënësit e tyre të dikurshëm. Unë kur i shoh arritjet e tyre, më besoni, se e ndjej veten shumë të lumtur për nxënësit e mi.
Tani kuptohet se me largimin tim në pension më mungon shkolla dhe gjithçka që lidhet me të dhe mbi të gjitha nxënësit e kolegët, me të cilët duke punuar për një kohë të gjatë në shkollë kemi vepruar si të jemi të gjithë anëtarë të një familjeje. Çdo gëzim dhe çdo brengë e kemi ndarë bashkë në shpirtrat tanë. Se sa e kam të vështirë t’i përshtatem jetës së një pensionisti desha të pranoj apo të mos pranoj që është një e vërtetë të cilën nuk mund të mos e pranoj! Ishte e vështirë sidomos në fillim, ndërsa me kalimin e kohës përshtatesh edhe me një jetë të tillë.
Ka shumë e shumë raste që më kanë mbetur të pashlyera në kujtesë gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, ndaj dua të mbetem shumë korrekt. Disa raste mund të jenë të përsëritura. Ka momente që unë dua t’i veçoja nga korrektësia që të mbeten të njëjta dhe nuk dua të veçoja ndonjë. Tani ato le të mbeten për mua si kujtim i brendshëm. Ka raste të shumta edhe pozitive edhe negative që kanë qenë mes nesh. Këto raste i kanë ditur nxënësit, i dinë edhe sot, i dinë kolegët dhe koleget, por i di edhe opinioni. Nuk do të kisha veçuar ndonjë të rast të tillë.
Kjo është një kohë shumë e dhimbshme dhe e pashëruar në shpirtin tim. Sa herë që e përkujtoj më kaplojnë emocionet e mendimet e rënda, pasi ishte një përjetim shumë i vështirë dhe i papërshkrueshëm. Gjatë kohës së regjimit diktatorial të Millosheviçit u përdorën metodat më çnjerëzore mbi popullsinë e Kosovës për ta larguar me dhunë nga vatrat dhe trojet e të parëve. Falë trimërisë dhe organizimit të drejtuesëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me ndihmën e miqve ndërkombëtarë nuk u realizua ky projekt famëkeq siç ishte planifikuar qysh para regjimit të Millosheviçit nëpër kuzhinat serbe, për ta përzënë këtë popull nga trojet e veta dhe për ta shfarosur popullin e Kosovës. Kjo ishte një ëndërr që nuk u realizua kurrë. Në atë kohë ka qenë tmerr për popullsinë civile shqiptare të Kosovës burra, gra, pleq dhe fëmijë të shpëtonin jetën e tyre. Shumë familje gjetën strehim te familjet shqiptare në Maqedoni.
Një gjë e tillë ndodhi edhe në Komunën tonë, në vendlindjen ku unë jetoj. Po ashtu në shkollën tonë kishim një numër të madh nxënësish nga Kosova, të cilët i patëm shpërndarë gati në të gjitha paralelet e klasave të para e deri në klasat e teta, ku ata duhej të vazhdonin mësimin sipas moshës së tyre. Është shumë emocionuese t’i përkujtosh ato raste, megjithëse kanë ndodhur dhe duhen të përkujtohen. Edhe unë kisha nxënës nga Kosova në paralelen time. Kur i shihja ata në paralelet e tjera, ku jepja mësim më dukeshin si Luli i Vocërr edhe pse ndoshta nuk ishin të ngjashëm, pasi kishte dallim, motivi i Lulit të vocërr me ata. Unë dëshiroja gjithnjë t’iu dhuroja dashuri, për ta qetësuar sadopak shpirtin e tyre të plagosur. Erdhi koha kur u çlirua Kosova heroike. Ata duhet të ktheheshin në vendlindje. Edhe ky çast për mua dhe nxënësit e shkollës sonë, për nxënësit e Kosovës, për arsimtarët në përgjithësi ishte një plagë tjetër.
Nga një anë gëzoheshim që u çlirua Kosova, gëzoheshim që popullsia po kthehej në trojet e veta në Kosovë, dhe nxënësit në shkollat e tyre. Kjo ndarje ishte aq sa krenare edhe e dhimbshme, sepse Kosova ishte çliruar nga hegjemonizmi serb Millosheviçjan, por ndodhi edhe ndarja jonë me lot në sy. Këtë nuk mund të harroj asnjëherë. Rreth kësaj çështjeje ka shumë për t’u thënë dhe për t’u shkruar. Sot emrat, mbiemrat, data, vendi i lindjes nga kishin ardhur këta nxënës në shkollën tonë gjenden në ditarët e shkollës. Unë vitin e kaluar mora të gjithë ditarët dhe i nxora në një listë këta nxënës, duke i publikuar në Facebook që ta dija ku gjenden sot? Për fat të keq ndoshta nuk janë lexuar nga të gjithë. Vetëm një numër relativisht i vogël kontaktuan me mua dhe më njoftuan, ku ishin apo me çfarë profesioni merreshin. Ata dikur ishin fëmijë. Tani ishin rritur dhe nuk kishin harruar vendet ku u strehuan si refugjatë; nuk kishin harruar shkollat ku kishin vijuar mësimin; nuk kishin harruar arsimtarët, shoqet e shokët e tyre. Një gjë të tillë të përkujtimit tim e kam bërë me shumë dëshirë duke I hudhur një pjesë më të rëndsishme në librin tim të botuar gjatë vitit 2017 pas daljes sime në pension. Ky libër mban titullin “ Zilet e një jete” dhe është njëri ndër librat më të dashur.
A është sot në nivelin e duhur arsimi shqip në Maqedoni? Po në Kosovë? A keni pasur bashkëpunim me ndonjë shkollë në Kosovë ?
Këtë pyetje ma kanë bërë në shumë intervista dhe ndoshta përgjigja ime disa njerëzve nuk i ka pëlqyer, megjithëse realiteti duhet thënë pa marrë parasysh a i pëlqen dikujt apo nuk i pëlqen? Unë nuk mund të jepja përgjigje për interesa, dëshira individësh apo grupe njerëzish. Atë që është në interes të arsimit në përgjithësi e mbi të gjitha në interes të nxënësit, kombit dhe mbarë shoqërisë ku jetojmë dhe veprojmë duhet ta themi hapur, pa dorashka. Personalisht nuk e ndjej dhe nuk e shoh sot në një gjendje të kënaqshme arsimin pasi nuk është në nivelin e duhur. Është e pamohueshme se qysh nga arsimi fillor dhe deri në atë universitar arsimi shqip po çalon në shumë drejtime dhe besoj se edhe opinioni shqiptar mirëfilli është duke e parë me sy. Sa i përket bashkëpunimit me ndonjë shkollë në Kosovë deri më tani nuk kemi pasur edhe pse shumë herë këtë çështje e kemi biseduar për ta konkretizuar. Por ja që deri më sot nuk kemi bërë diçka konkrete. Besoj se në një të ardhme të afërt kjo duhet të ndodhë
Sot në Maqedoninë shqiptare, në Shqipëri, Kosovë e trojet e tjera etnike nga vështrimi im arsimi qëndron shumë më mirë se më parë në aspektin e objekteve shkollore, vijushmërisë së nxënësve apo studentëve në këto institucione. Sot kemi shumë më tepër të rinj dhe të reja me diploma, por edhe me tituj të lartë shkencor, veçse me keqardhje po them se një numër prej tyre kanë vetëm diploma dhe jo dituri. Unë mendoj që ne duhet të punojmë më tepër për dituri sesa për diploma.
Ne sot duhet të vrapojmë më shpejt dhe të kontribuojmë për vlera e jo për antivlera. Kemi dallime në arsim varësisht në trojet etnike ku jetojnë shqiptarët. Në shtetin amë nuk ka pasur dhe nuk ka asnjëherë probleme për hapje shkollash në gjuhën amtare shqipe që do të thotë se nuk kanë munguar asnjëherë, por duhet të angazhohen për një cilësi më të mirë në të gjitha shkallët e arsimit. Në Kosovë gjithnjë ka pasur probleme për hapjen e shkollave shqipe dhe arsimimit në gjuhën amtare. Me sakrifica të panumërta, duke bërë edhe luftë kundër shtypjes nga regjimi serb, ku bijtë e bijat më të dashur të kombit dhanë edhe jetën, u arrit të kemi sot shkolla shqipe dhe arsimim të brezave të rinj në gjuhën amtare. Edhe këtu duhet një angazhim i gjithanshëm për një arsim më cilësor, sesa është aktualisht. Në Maqedoni është paksa më ndryshe. Nuk ka pasur shkolla shqipe në gjuhën amtare përveç arsimit fillor e tetëvjeçar, ndërsa me të mesmen gjithnjë kemi pasur probleme Kjo ishte një pengesë e madhe për shqiptarët.
Me metoda çnjerëzore është penguar nga pushteti maqedonas që të mos hapeshin shkolla të mesme në gjuhën amtare për shqiptarët. Edhe më keq ekzistonte gjendja me shkollimin universitar në gjuhën shqipe dhe sot aktualisht nuk është gjendja e mëparshme. Sot ne kemi shkolla të mesme ku nxënësit mësojnë në gjuhën e tyre amtare. Kemi edhe dy universitete ku studentët shqiptarë studiojnë në gjuhën e tyre amtare. Besoj se në këtë drejtim duhet të punojë faktori shqiptar që ta plotësojë në tërësi shkollimin e mesëm dhe atë të lartë në profesionet që mungojnë për shqiptarët në gjuhën shqipe. Po ashtu duhet të ketë një angazhim më të madh për të nxjerrë kuadro cilësorë më vlera të mirëfillta dhe jo antivlera. Në pjesët e tjera të banuara me shqiptarë siç është Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi gjendja e arsimit në gjuhën shqipe është shumë më e vështirë, sepse këtu ende nuk është zgjidhur çështja e të drejtave të shqiptarëve që të mësojnë në gjuhën e tyre amtare shqipe e sidomos në shkollimin e lartë. Duhet angazhimi i faktorit shqiptar nga shteti amë Shqipëria dhe Kosova, si dy shtete të pavarura që të angazhohen më tepër për ta ndihmuar popullsinë e sidomos brezin e ri për shkollimin në gjuhën e tyre amtare, aty ku jetojnë në trojet e tyre.
Ç’ka mendoni në çfarë niveli është arsimi shqip sot në përgjithësi në trojet shqiptare, e në veçanti në Iliridë?
Çështja e arsimit është e ndjeshme. Kështu që nga ky shkak duhet të jemi të gjithë syhapur duke kontribuar shumë në këtë sferë, sepse një popull i paarsimuar është si njeru pa sy. Jemi dëshmitarë të kohës kur arsimi shqip gjithnjë është ballafaquar me shumë sfida nga pushtues të ndryshëm. Janë përdorur gjithfarë metodash që popullin shqiptar ta lënë të paarsimuar dhe analfabet. Shqiptarëve nuk u është lejuar të mësojnë në gjuhën e tyre amtare duke mos i lënë të hapin shkolla në gjuhën shqipe. Edhe atëherë kur janë hapur shkollat, ata kanë përdorur gjithçka për t’i mbyllur shkollat shqipe. Arsimdashësit shqiptarë historikisht kanë sakrifikuar edhe jetën e tyre vetëm për të hapur shkolla. Ata kurrë nuk kanë lejuar që ato të mbyllen, madje kanë dhënë gjakun për arsimin shqip. Po ashtu në kohët më të vështira kur nuk kanë pasur mundësi për të mësuar në objektet shkollore, nxënësit dhe arsimtarët shqiptarë kanë mësuar në fusha e male gjuhën e tyre të ëmbël e të bukur shqipe.
Sot gjendja e shkollimit në shkollat ku mësohet gjuha shqipe është krejtësisht ndryshe. Të gjithë mësojnë në gjuhën e tyre amtare në trojet tona e në diasporë. Sot më brengos e më dhemb shumë sepse kohët e fundit, vetë ne si shqiptarë, nuk i kushtojmë rëndësinë e duhur arsimit duke mos e marrë punën me seriozitetin e duhur. Unë mendoj se nëse arsimi shqip sot ka rënie nga niveli i duhur, fajtorë jemi ne shqiptarët. Për këtë duhet të kemi kujdestë vazhdueshëm dhe të marrim masa të menjëhershme sa më shpejt të jetë e mundur për t’i eliminuar dukuritë negative që kanë hyrë në institucionet arsimore nga individë që i keqpërdorin shkollat e nxënësit për interesa personale, gjë e cila shkon në dëm të arsimit.
Duhet të mobilizohemi të gjithë që këto dukuri t’i eliminojmë në kohën e duhur dhe arsimi shqip, qysh nga shkolla fillore e deri në universitet të vihet në binarët e duhur. Nëse dështojmë, atëherë fajin ta kërkojmë tek vetja e jo tek të tjerët, të cilët deri dje ishin armiqtë tanë në arsimit shqip. Ai që nuk është i lidhur shpirtërisht dhe nuk e konsideron arsimin si çështje të shenjtë, nuk e ka vendin në institucionet arsimore. Të tillë mësues duhet të largohen sa më shpejt nga ky vend pune, pasi në duart e tij është fëmija, nxënësi e jo dikush tjetër që mund të krahasohet me diçka i cili nuk mund të përmirësohet. Jo çdokush mund ta ushtrojë profesionin e mësuesit. Me këtë do të kisha thënë, se ata që rastësisht janë futur në këtë profesion duhet t’i lërojnë vendin atyre që meritojnë të
Si e shihni ju pozitën e shqiptarëve në Iliridë, Kosovë e Shqipëri dhe a mendoni se për shqiptarët do të vijnë ditë më të mira?
Atë çfarë unë mendoj duhet ta them edhe publikisht para opinionit të gjerë, para lexuesit dhe para të gjithëve. Është më se e vërtetë se unë jam një poet që nuk jetoj vetëm brenda vargut apo që mbaj një “kungull”, megjithëse me të vërtetë merrem me analiza. Nuk them se jam analist ngaqë, tani, këtu tek ne shqiptarët në Maqedoni janë shtuar shumë “analistët” që për çdo natë mbushin ekranet me lloj-lloj syresh. Çdo ditë analistë të tillë kanë nisur të mbijnë si këpurdhat pas shiut dhe janë bërë të neveritshëm. Unë jap mendimet e mia në të shumtën e rasteve siç ka mundur t’i vërejë edhe lexuesi, ndaj nuk mund ta merrja guximin t’i thoja vetes se jam analist, gazetar, publicist, veprimtar, sepse do të hidhërohen lexuesit e mi. Gjithsesi vazhdoj të jem një përçues i ngjarjeve duke dhënë mendimin tim në forma të ndryshme. Më ka prekur në pikën ku më ngacmon dhe më detyron kohët e fundit të reagoj. Kjo është zonja politikë dhe disa politikëbërës të saj.
Zhvillimet politike më herët i kam shikuar në një aspekt tjetër nga ajo që i shikoj sot, pasi tani i kam kuptuar më mirë dhe e shoh thelbin që dikur nuk kam mundur ta shikoj. Sot zhvillimet politike te politikanët në hapësirat shqiptare shfaqen më shumë në një grindje mes tyre për ta ndarë e përçarë popullin, duke e mashtruar votuesin, se kinse ata punojnë për interesin e përgjithshëm kombëtar ose mbarëkombëtar. Aq shumë e kanë hutuar politikanët, popullin e mjerë dhe të përvuajtur, sa ai nuk di nga t’ia mbajë. Bëhet një politikë partiake për interesa individuale, grupore, klanore etj. Unë po iu them hapur se me zhvillimet politike në hapësirat shqiptare siç po zhvillohen aktualisht, jam shumë i zhgënjyer e sidomos këtu, ku unë jetoj dhe veproj në Maqedoni. Kjo nuk do të thotë, se në trojet e tjera shqiptare është më mirë. Unë do të doja të shihja që njëherë e përgjithmonë t’i thuhet stop politikave të tilla pa bosht orientues dhe njëherë e përgjithmonë të bëjnë një politikë të mirëfilltë, siç e kërkon popullsia. Të bashkohen rreth një ideali të përbashkët që të çon drejt interesave të mbarë kombit shqiptar. Kjo nuk është dhe nuk do të jetë vetëm dëshira ime, por një dëshirë e të gjithë shqiptarëve kudo ku jetojnë, në mbarë hapësirat e tyre
Unë nuk e di dhe nuk mund të them që tërë jetën time ia kam dhuruar kombit. Nuk mund të them, sepse ndoshta nuk kam bërë aq sa duhet dhe nuk dua ta marr këtë epitet. Një gjë e di mirë! Gjatë gjithë karrierës sime jam munduar për të dhënë kontributin që më është dashur ta jap tek brezat e rinj, pikërisht në arsim. Le ta vlerësojnë ish nxënësit e mi që sot janë në moshën madhore dhe dinë të vlerësojnë shumë mirë punën time si mësues dhe edukatori i tyre i dikurshëm. Neglizhenca qëndron se edhe nëse mbarojnë një arsim të lartë, shteti pas mbarimit nuk iu afron punë dhe ata mbeten duke bredhur rrugëve. Po edhe nëse punësohen nuk janë të vlerësuar as shpirtërisht dhe as financiarisht ashtu siç meritojnë të vlerësohen. Këtu janë fajtorë institucionet shtetërore. Më e keqja është se dalëngadalë, çdo ditë shohim me sytë tanë që brezi i ri i paarsimuar, por edhe ai i arsimuar ikin nga vendlindja dhe atdheu, duke marrë rrugën e kurbetit e cila është një plagë e dhembshme për ne shqiptarët shekuj me radhë.
Është e vërtetë se ne jemi ndër popujt më të lashtë në Europë me kulturë dhe traditë mijëravjeçare fakt të cilin e pranon edhe shkenca, se gjuha shqipe e shkruar ka qenë prezente qysh para shtatë shekujsh. Ne si popull duhet të jemi shumë krenar! Nga ana tjetër këtë krenari duhet ta dëshmojmë dhe të përparojmë më tepër me punë e me djersë duke mos ndenjur duarkryq për të vazhduar sot rrugëtimin, sepse vetëm ky rrugëtim na bën të mirënjohur siç e meritojmë të jemi.
Që herët merreni edhe me krijimtari letrare, kur filluat për herë të parë dhe na thuani sa libra keni botuar deri tash dhe në cilat zhanre?
Shkëndija e parë ishte mësuesja ime, shoqet, shokët, bukuritë natyrore që i kishte falur natyra dhe zoti në fusha e male; zëri i bukur i bilbilit që dëgjohej ëmbël në mëngjes gjatë stinës së pranverës dhe gurgullima e ujit; zëri i bukur i fyellit të bariut e sidomos kur dëgjoheshin bashkë me zërat e zogjve mbi vreshtat e fshatit; zërat e qengjave mes tufës së bardhë të deleve që vraponin dhe vallëzonin nëpër lëndina. Fluturat e bukura fluturonin nëpër livadhe dhe pas lodhjes nga fluturimi ndaleshin të pushonin mbi lulet e bukura, bujqit e fshatit tim që herët në mëngjes kaplonin dhe përqafonin arat e tyre për të punuar e derdhur djersën që të siguronin bereqetin. Me një fjalë, fshati dhe bukuritë e tij më bënin mua aq frymëzues dhe adhurues për ta hedhur në krijimtarinë time. Shkëndija e parë kur nisa të shkruaj ishte vargu i bukur i “mbretëreshës” poezi, të cilën e gjeta kudo. Ajo shkëndijë më bënte dritë qysh atë ditë kur lindi vargu i parë e më ndriçon edhe sot e kësaj dite në rrugën e krijimtarisë time letrare, pra ndizet dhe nuk ndahet prej meje.
Gjinia ime me të cilën kam filluar krijimtarinë letrare ishte poezia për fëmijë që më vonë do të kalojë edhe në atë për të rritur. Nuk do të thotë se nuk i pëlqej edhe gjinitë e tjera siç janë, proza, eseja, skica, publicistika etj. Kohët e fundit ndikon shumë pozitivisht te veprimtaria ime letrare edhe reportazhi. E dua shumë, sepse në të gjej fakte interesante dhe të bukura. Por, me atë që e fillova, pra me poezinë dëshiroj edhe ta mbaroj, sepse e kam kultivuar më shumë.
pranoja me kënaqësi, me vetëdije edhe pse do të përballesha me shumë sakrifica, pra do të isha njëri ndër personazhet kryesorë të këtij romani. Unë dëshiroja që me të gjitha vështirësitë të ngadhënjente, nëse jo në kohën e ngjarjes, patjetër më vonë, siç ka ndodhur. Ndoshta në këtë roman personazhi i asaj kohe nuk do të kishte thënë “Sikur të isha djalë”, por me siguri edhe autori i romanit Haki Stërmilli nuk do e pagëzonte me këtë titull.
Në krijimtarinë tuaj poetike hasim edhe poezi që ua kushton dëshmorëve të kombit, madje kohëve të fundit keni botuar edhe tri antologji për dëshmorët. Si u pritën nga lexuesit këto antologji?
Është më se e vërtetë se në krijimtrinë time poetike do hasen shumë poezi, por libra të tërë që u kushtoohen Dëshmorëve të Kombit.Krenaria më e madhe e imja është kur kam shkruar dhe botuar poezi përkushtimi për bija dhe bijtë më të dashur të kombit, atdheut dhe lirisë siç janë dëshmorët të cilët për komb, atdhe dhe liri nuk kursyen gjakun, gjymtyrat e trupit të tyre dhe falën ate më të shtrenjtën edhe jetën.Unë nuk kam bërë asgjë me ate ata ( ato) që popullit të tyre i shkruajtën historinë me gjakun e tyre.Respekt për të gjithë ata ( ato) që në mënyra të ndryshme kontribuan dhe sakrifikuan ndër shekuj për popullin, kombin dhe atdheun e tyre qoftë me penë apo me pushkë! Lavdi Dëshmorëve të Kombit! Po është më se e vërtetë që gjatë këtij viti 2018 kam botuar tri antologji poetike.
“Kreshniku i lirisë”, vargje për heroin Ismet Jasharin – Komandant Kumanova“ Diell në shpirt lirie” vargje për dëshmorin Fadil Nimanin- Komandant Tigrin dhe “Unë jam Tahir Shqipnia” vargje për dëshmorin Tahir Sinanin. Kontributi i këtyre tri antologjive nuk është vetëm i imi, por është i të gjithë krijuesve nga të gjitha trojet tona dhe diaspora shqiptare që kontribuan me poezitë e tyre në antologjitë e latpërmendura dhe unë i falënderoj përzemërsisht për kontributin e tyre që sot këto tri antologji poetike janë në duart e lexuesit dhe janë mirpritur shumë mirë.
Ç’ka ju premton lexuesve tuaj për vitin 2019?
Krujuesit letrar asnjëherë nuk janë të qetë shpirtrisht nëse nuk krijojnë diçka dhe gjithnjë mezi presin të përfundojnë ate që e krijojnë ta fusin në mes kopertinave të librit dhe të ia ofrojnë lexuesit, kështuqë besoj dhe mbetem me shpresë që edhe gjatë vitit 2019 do ti ofroj patjetër leuesve ndonjë libër të botuar nga krijimtaria letrare, por këtë do ia lëmë kohës së relizimit. Pasi që përmendët në pytjen tuaj vitin 2019 që edhe jemi në prag të kalimit nga viti 2018 në këtë vit shfrytëzoj nga rasti që të ua uroj Vitin e Ri të gjithë shqiptarëve kudo që janë dhe dhashtë Zoti që gjatë ky vit të jet një vit më i sukseshëm për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Dëshiroj që në tërë botën të mbizotroj paqa dhe lumturija!