Intervistë me shkrimtrarin Fadil H. Curri

0
973
Fadil H. Curri

Intervistoi Zymer Mehani

Intervistë me mikun fjalëpak por shumë aktiv, me filantropin e kohës, njeriun e penës, shkrimtarin, z. Fadil H. Curri, në bibliotekën e fshatit Mazgit i Ulët, në SHFMU, “Dr. Ibrahim Rugova”

Pyetja ime e parë: Zotëri Curri, si ju lindi ideja ta bëni me bibliotekë shkollën e fshatit tuaj?

F. CURRI: Po, shkolla e fshatit tonë, “Dr. Ibrahim Rugova”, është e ndërtuar pas lufte dhe inagurimi i saj është bërë me 13 nëntor të vitit 2001. Në vitin 2002, pas botimit të librit tim të parë me poezi, “Këngë e lot“, e vizitova shkollën dhe aty takova edukatoren znj. Fatime Berbatovci, si dhe mësuesin tani më të ndjerë z. Halim Bejta. Shkolla ishte pa bibliotekë dhe unë i dhurova 11 ekzemblarë të librave, (10 ekzemplarë nga libri im me poezi, “Këngë e lot”, që sapo ishte botuar dhe një ekzemplar të librit, “Kosova ime”, të autorit bashkatdhetarit nga Norvegjia z. Imri Trena). Ideja më lindi për faktin që nxënësit ta kenë librin sa më afër, sepse shkollat në çdo vend të botës janë dritare të dijes për shoqërinë.

Është e vërtetë se mësimëdhënësit nëpër shkolla përcjellin shumë gjenerata të nxënësve, të cilët edukohen dhe arsimohen, por vetëm librat shkollorë nuk mjaftojnë për ta formuar fëmijën si qytetar të shoqërisë moderne. Pra, dua të them se shkolla nuk mund ta kryejë misionin e saj të plotë, nëse është e varfër – pa bibliotekë, që konsiderohet një dritare tjetër. Vlera dhe rëndësia e bibliotekës është e binjakëzuar me institucionet edukativo-arsimore, pasi njëra pa tjetrën nuk funksionojnë për të arritur rezultatet të larta në dije. Ky ishte qëllimi im më pozitiv për t’u dalë në ndihmë nxënësve dhe personelit arsimor me këtë bibliotekë modeste, të cilën tani mund ta frekuentojnë mbi 130 nxënës plus parashkollorët.

Z. MEHANI: Si arritët ta kompletoni këtë bibliotekë me vlerë të lartë për nxënësit, shkollën dhe fshatin tuaj?

F. CURRI: Natyrisht që sakrificat e mëdha gjithmonë sjellin edhe rezultate…
Po pyetje e qëlluar… kur njeriu e fillon një projekt, s’do mend se duhet t’i analizojë të gjitha mundësitë. Siç thashë edhe më lart, nga viti 2002, kur i dorëzova ekzemplarët e parë në shkollën e fshatit tonë, çdo herë e mendoja realizimin e këtij projekti pozitiv, andaj vendosa që ta shpall një kërkesë në rrjetin social, në dhjetor të vitit 2017, ku hasa në mirëkuptim nga shumë mike e miq të penës dhe nga muaji dhjetor i vitit 2017, deri për Ditën Botërore të Librit,  më datën 23 prill të vitit 2018, arrita t’i grumbullojë për bibliotekën e shkollës sonë 714 tituj librash të gjinive të ndryshme letrare, si lektyra shkollore, romane, novela, proza, poema, fjalorë dhe kryesisht libra me poezi e revista të ndryshme për të gjitha shtresat e shoqërisë, por ka edhe libra monografikë dhe të autorëve ndërkombëtarë, si nga Suedia, Gjermania, Norvegjia, Zvicra, etj, etj…

Pra, për Ditën Botërore të Librit, më 23 prill të vitit 2018, drejtoreshës së shkollës znj. Shyhrete Gashi, drejtoreshës së kulturës znj. Fitore Hashani, përgjegjëses së shkollës znj. Fatime Berbatovci dhe në praninë e shumë shkrimtarëve, poetëve dhe prindërve e mësimdhënësve iu dorëzuan  714 libra. Edhe pse kisha vështirësi shëndetësore, e vazhdova aksionin për grumbullimin e librave për bibliotekën e shkollës sonë. Nga muaji prill i vitit të kaluar e deri për Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, pra me datën, një qershor të vitit 2019, arrita t’i grumbulloj edhe 589 libra, kështu që tani në bibliotekën e shkollës, “Dr. Ibrahim Rugova”, të fshatit Mazgit i Ulët gjenden gjithsejt 1303 libra të ndryshëm dhe me siguri që aksioni do të vazhdojë ende…

Kjo ishte në pika të shkurta rreth kompletimit të bibliotekës në shkollën tonë.

Z. MEHANI: Sa ka kontribuar komuna juaj në këtë projekt apo donatorët?

F. CURRI: Pyetje shumë-shumë me vend. Drejtoratit për Kulturë të KK të Obiliqit ia kam bërë një kërkesë që të më ndihmoj në projektin tim, në vlerë prej 300 eurosh, por që nga data 19 prill i vitit 2018, ende nuk kam marrë përgjigje, edhe pse ka mjete të mjaftueshme financiare. Ku është problemi nuk e di! E sa u përket donatorëve, një falenderim i veçantë i drejtohet mikut të çmuar, bashkëqytetarit tonë z. Shaip Bllaca, i cili na i rregulloi dhe punoi raftat falas, me harxhimet e tij, për vendosjen dhe sistemimin e librave. Pra kjo ishte ndihmesë e veçantë e z. Shaipit.

Po ashtu ne arritëm t’i botojmë edhe disa ekzemplarë të librit, “Libri në duart e nxënësve”, për bibliotekën e shkollës në fshatin “Mazgit i Ulët”, me ndihmën e mikut dhe bashkatdhetarit, z. Musli Pasjaqa. Shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë krijuesit, shkrimtarët dhe poetët, që vërtet bënë një vepër të mrekullueshme, sa humane, hyjnore, po aq me vlerë të çmuar për shoqërinë tonë. Shfrytzoj rastin të apeloj tek të gjithë krijuesit, shkrimtarët e poetët që mudësisht të na ndihmojnë ende, sidomos me libra dhe lektyra shkollore për ciklin e ulët fillor, nga klasa e parë e deri në klasën e pestë, po edhe donatorët e ndryshëm, Zoti i bekoftë të gjithë…

Shpresojmë shumë se kjo bibliotekë do zgjerohet ende, natyrisht me ndihmën e mikeve dhe miqve të penës, po edhe të shoqatave dhe klubeve të ndryshme letrare, si nga brenda po edhe nga vende të ndryshme. Thuhet se të gjithë ata që ndihmojnë një bibliotekë, i ndihmojnë një popull. Pra, miku im, kjo ishte në pika të shkurta sa i përket ndihmës nga institucionet komunale…

Z. MEHANI: Ne po i shohim këtu disa thënie të bukura për bibliotekën dhe për librin. Cilat janë më të preferuara dhe më pozitive për lexuesit, z. Curri?

F. CURRI: Po në atë vend ku hapet një bibliotekë, zhduket errësira, fillon dielli apo ndriçimi…
Shkollat pa biblioteka janë të errëta. Ato nuk mund të imgjinohen si shkolla…
Misioni i  bibliotekës është që ta mbajë ambientin aktiv në shkollë, dhe në sistemin modern informativ…

Fillo si i ri ta duash librin dhe formo bibliotekën në shtëpinë tënde…
Fëmijët pa libra dhe pa lektyra shkollore janë të vetmuar…

Duajeni librin, shoqërohuni me librin, mësoni nga libri, udhëtoni me librin, po edhe flini me librin. Si rezultat i shoqërimit dhe leximit të librit, shoqëritë e vendeve përndimore janë zhvilluar dhe kanë përparuar, si në teknologji e po ashtu edhe në sektorët tjerë…

Z. MEHANI: Përveç shkollës në fshatin tuaj, ku keni ndihmuar në vende tjera me libra, z. Curri?

F. CURRI: Po, duke dhuruar libra, vërtet kam ndihmuar në shumë shkolla dhe komuna, si në komunën e Skenderajt dhe në disa shkolla të kësajë komune, mandej në komunën e Drenasit, në komunën e Hanit të Elezit, mandej në disa shkolla të komunës së Prishtinës, si në fshatin Besi, Rimanishtë, Prugovc, mandej në komunën e Gjakovës, në komunën e Ferizajt, në komunën e Vushtrrisë, në komunën e Malishevës, mandej në Bibliotekën e Institutit Albanalogjik në Prishtinë, si dhe në Bibliotekën “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë, po edhe në Bibliotekën “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, mandej shkollës në Milloshevë, në Dardhishtë, shkollës “Panteli Sotiri” dhe shkollës “Dr. Ibrahim Rugova” në Kastriot e disa shkolla tjera…

Z. MEHANI: Po cilat janë synimet tuaja për të ardhmën, z. Curri?

F. CURRI: Do të vazhdoj me kulturën dhe me librin, gjithmonë duke u ndihmuar atyre që më së tepërmi kanë nevojë, shkollave dhe fëmijëve…

Z. MEHANI: Të nderuar lexues, ishte kjo një intervistë me njeriun e librit, njeriun e menduar mirë, shkrimtarin, poetin, publicistin dhe humanistin, i cili arriti ta formojë bibliotekën në shkollën, “Dr. Ibrahim Rugova” të fshatit Mazgit i Ulët të komunës së Obiliqit- Kastriotit. Këtij personi, autorit të 14 veprave letrare, fatkeqësisht, shoqëria jonë ende nuk i ka siguruar një vend pune, që është turpi i kohës për pushtetarët tanë…

Zymer Mehani, Mazgit i Ulët, në bibliotekën e SHFMU “Dr. Ibrahim Rugova”