Pjesë e shkëputur nga njëra prej intervistave të fundit të Nënë Terezës e realizuar nga Edward W. Desmond në vitin 1989 për gazetën Times Magazine.
Përktheu dhe përshtati: Dodë Ndrecaj
Time: Ç’keni bërë ketë mëngjes?
Nënë Tereza: Jam lutur.
Time: Kur keni filluar me lutjet?
Nënë Tereza: Në ora katër e tridhjetë.
Time: Po pas lutjeve?
Nënë Tereza: Ne përpiqemi që gjatë punës sonë të lutemi me Jezusin, për Jezusin dhe ndaj Jezusit. Kjo na ndihmon që t’i përkushtohemi punës me gjithë zemër dhe shpirt. Ata që janë duke vdekur, të gjymtuarit, të sëmurit mendor, të pa dëshirueshmit, të pa dashurit nga askush, që të gjithë janë në mbrojtje të Jezusit.
Time: Në popull jeni e njohur në një mënyrë si punëtore sociale religjioze. A e kuptojnë ata bazën shpirtërore të punës suaj?
Nënë Tereza: Nuk e di. Por mund të iu mundësoi atyre që të vinë e të takojnë të vobektit. Secili duhet ta provoi ketë. Kjo është diçka tërësisht e pabesueshme,apo jo? Por megjithatë e mrekullueshme. Vullnetarët përkujdesen për njerëz te ndryshëm.
Time: Mos fakti që ju jeni femër e bën porosinë tuaj më të kuptueshme?
Në Tereza: Asnjëherë nuk mendoi ashtu.
Time: Apo, mendoni se bota i përgjigjet më mirë një nënë?
Nënë Tereza: Njerëzit nuk përgjigjen për shkakun tim, por për arsye të punës që ne bëjmë. Me herët, njerëzia kanë folur shumë për të varfrit,kurse tani gjithnjë e më shumë flasin me të varfrit. Ky është një dallim i madh. Kjo është arritur me punë. Tani dihet për praninë e të varfërve, e posaçërisht për të varfrit e të varfërve, të padëshirueshmëve, të atyre pa dashuri, dhe pa përkujdesje. Më herët askush nuk qante kokën për njerëzit e rrugëve. Ne i kemi mbledhur 54.000 njerëz nga rrugët e Kalkutës, dhe se afro 23.000 sish kanë vdekur në atë dhomën e vetme [ në Kalighat].
Time: Pse jeni kaq e suksesshme?
Nënë Tereza: Jezusi u bë buka e jetës që ne të na jep jetë. Ja si e nisim ditën, me Meshë. Dhe e përfundojmë atë me Adhurimin e Sakramentit të Shenjtë. Nuk ma merr mendja se do të kisha punuar kësisoj as për një javë po të mos lutesha katër ore në ditë
Time: E përvuajtur siç jeni, duhet të ekzistojë diçka e jashtëzakonshme në ju që të jeni një makinë e Hirit të Zotit në këtë botë.
Nënë Tereza: Asgjë pos të bëmave të Tij. Mendoj se Zoti donë që të tregojë madhështinë e Tij duke përdorur një asgjë.
Time: Ju jeni një asgjë?
Nënë Tereza: Jam shumë e sigurt.
Time: Ndiheni se nuk keni ndonjë cilësi të veçanet?
Nënë Tereza: Nuk mendoj ashtu. Nuk pretendoi asgjë nga puna. Është puna e Tij. Unë jam vetëm si një laps në dorën e Tij. Kjo është e tëra. Ai mendon. Ai shkruan. Lapsi nuk bën asgjë. Lapsi vetëm duhet që të lejohet që të përdoret në kuptimin njerëzor, suksesi i punës sonë nuk do të duhej të ndodhte, apo jo? Kjo është një shenjë se puna është e Tij, dhe se Ai përdor të tjerët-ne të gjitha Motrat si një instrument. Asnjëra prej nesh nuk do te arrinte ketë. Madje shih se çfarë po bën Ai.
Time: Cila është dhurata më e madhe e Zotit për ju?
Në Tereza: Të vobektit.
Time: Si mund të jenë ata dhuratë?
Nënë Tereza: Unë kam mundësinë që të jem me Jezusin 24 orë në ditë.
Time: Këtu në Kalkutë, a keni bërë një ndryshim të vërtetë?
Nënë Tereza: Po. Njerëzit janë të vetëdijshëm për praninë tonë dhe se shumë e shumë Hindus e ndajnë ketë me ne. Ata vijnë që të ushqejnë dhe shërbejnë popullatën. Tani nuk mund të takosh ndonjë njeri që të jetë i shtrirë në rrugë e duke vdekur. Aktiviteti jonë ka ngritur vetëdijen për të varfrit në mbar botën.
Time: Përveç se botës i keni treguar për të varfrit, a keni përcjellë ndonjë porosi se si duhet të punohet me të varfrit?
Nënë Tereza: Ju duhet që ata t’i bëni të ndjehen të dashuruar dhe të dëshiruar. Ata për mua janë Jezusi vet. Ketë e besoj më tepër se sa të bëja ndonjë punë të madhe ndaj tyre.
Time: Cila është shpresa juaj më e madhe këtu ne Indi?
Nënë Tereza: Që t’u shpërndaj Jezusin të gjithëve.
Time: Por ju nuk ungjillëzoni në kuptimin konvencional të fjalës.
Nënë Tereza: Unë ungjillëzoj me dashurinë e punës sime.
Time: A është kjo mënyra më e mire?
Nënë Tereza: Për ne, po. Për dikë tjetër, diçka tjetër. Unë ungjillëzoj ashtu siç Zoti kërkon nga unë. Jezusi thotë shko dhe prediko të gjithë popujve. Ne tani predikojmë Ungjillin tek shumë popuj me anë të veprave të dashurisë sonë. “Me dashurinë që ju keni për njëri tjetrin a do të kuptojnë ata se ju jeni dishepujt e mijë.” Ky është predikimi që bëjmë ne, dhe ma merr mendja se kjo është më realja.
Time: Bashkëpunëtorët tuaj thonë se jeni e zhgënjyer dhe se veprimtaria e juaj nuk ka sjellë më shumë konvertime në ketë komb të madh Hindus.
Nënë Tereza: Misionaret nuk preokupohen me ketë. Ato vetëm duan qe të shpallin Fjalën e Zotit. Numrat nuk janë të rëndësishëm por njerëzit i vejnë në veprim lutjet duke ardhur dhe duke shërbyer popullin. Vazhdimisht vijnë njerëz që të ushqejnë dhe shërbejnë një numër të madh nevojtarësh , e ketë mund të shkoni e të shihni. Gjithandej njerëzit ndihmojnë. Ne nuk dimë për të ardhmen. Por dera që qon tek Krishti është e hapur. Mbase nuk do të jetë ndonjë konvertim i madh por, nuk dihet se çfarë po ndodhë me shpirtin e tyre.
Time: Cili është mendimi i juaj për Hinduizmin?
Nënë Tereza: I dua të gjitha religjionet, por jam e dashuruar në fenë time. Pa asnjë diskutim. Kjo është ajo çka ne duhet të ua dëshmojmë atyre. Ata duke parë punën time kuptojnë se unë jam e dashuruar ne Jezusin.
Time: Do të thotë edhe ata duhet ta duan Jezusin?
Nënë Tereza: Natyrisht, nëse duan paqë, lumturi, atëherë le ta gjejnë Jezusin. Nëse njerëzit ndihen me mirë si Hindus, Mysliman, Budist, me veprat tona të dashurisë, atëherë diçka tjetër kultivohet në ta. Ata i afrohen gjithnjë e më shumë Zotit. Kur ta kenë fare pran, duhet të zgjedhin.
Time: Ti dhe Papa Gjon Pali II, ne mesin e liderëve tjerë të Kishës keni folur kundër mënyrës së jetës në Perëndim, kundër materializmit dhe abortit. Sa jeni e shqetësuar?
Nënë Tereza: Unë gjithmonë e them ketë: nëse nëa mund ta mbytë fëmijën e vet atëherë çfarë mbetet në perëndim për tu shkatërruar? Është e vështirë të shpjegohet, por kjo është e vërteta.
Time: Kur ju ligjëruat në Universitetin e Harvard-it para disa viteve thatë së aborti është një e keqe e madhe dhe se njerëzit reaguan. Çka menduat në momentin kure ata nuk u pajtuan?
Nënë Tereza: Ketë ia paraqita Zotit tonë, krejt kjo është për te, apo jo? Ja lash Atij të thotë çka Ai dëshiron.
Time: Por këta njerëz që me ty nuk u dakorduan, po ashtu mund të thonë se edhe ata ua duan gjithë të mirat fëmrës?
Nënë Tereza: Ndoshta mund të jetë kjo. Por duhet ta themi të vërtetën
Time: E ajo është?
Nënë Tereza: Ne nuk kemi të drejt të vrasim. Nuk keni të drejtë të vrisni urdhrin e Zotit. Aq më tepër a duhet që ne të mbysim të pa fuqishmin, të voglin? E shihni se ne shqetësohemi për arsye të bombave të hedhura nga njeriu dhe si pasojë vrasjen e shumë njerëzve. Për të rriturit, ekzistojnë shumë shqetësime në botë. Por, për foshnjën në kraharor, nuk ka asnjë zë? Madje ai as nuk mund të ikën. Fëmija është i varfri i më të varfërve.
Time: Materializmi në perëndim a është po ashtu një problem serioz?
Nënë Tereza: Nuk e di. Kam shumë gjëra që duhet t’i mendoj. Unë lutem shume për ketë, por nuk jam e preokupuar me ketë. Ta marrim Kongregacionin tone, për shembull, ne duhet shumë pak, ose mos të them aspak të preokupohemi me ketë. Sa më shumë të keni aq më tepër brengoseni, dhe aq më pak dhuroni. Por sa më pak që të keni aq më lirë do të jeni. Varfëria për ne është liri. Nuk është mundim /poshtërim apo pendesë. Është liri e gëzueshme. Këtu nuk kemi televizor, nuk kemi ketë, atë. E vetmja gjë që kemi në shtëpinë tonë është një flladitëse. S’ka rëndësi se sa nxehtë bën këtu, ketë e kemi për mysafirët tonë. Por ne ndjejmë kënaqësi të përsosur.
Time: Atëherë si i konsideroni njerëzit e pasur?
Nënë Tereza: Të pasurit i konsideroj edhe më të varfër. Nganjëherë ata janë shumë të vetmuar në brendinë e tyre. Ata kurrë nuk janë të kënaqur. Atyre gjithmonë ju nevojitet diçka më tepër. Nuk them se ata të gjithë janë të tillë. Askush nuk është i njëjtë. Konsideroj se varfëria është vështire të tejkalohet. Uria për dashuri është më vështire të hiqet se sa uria për bukë.
Time: Cili është vendi më i trishtuar që ndonjëherë keni vizituar?
Nënë Tereza: Nuk e di. Nuk me kujtohet. Është e dhimbshme të shohësh njerëz duke vuajtur, posaçërisht familjet e ndara, pa dashuri, pa përkujdesje. Është një dhimbje e madhe, është një pikëllim i madh; gjithmonë fëmijët janë ata që vuajnë më së tepërmi atëherë kur në familje nuk ka dashuri. Ky është një pikëllim i tmerrshëm. Shumë e vështire sepse nuk mund t’i ndihmosh. Është një varfëri e madhe. Ndihesh e pafuqishme, por nëse ti takon një person i cili është duke vdekur urie, e ushqeni dhe u krye puna.
Time: Cila është arsyeja që rregulli juaj është rritur kaq shpejt?
Nënë Tereza: Kur pyes se pse të rinjtë dëshirojnë që të na bashkëngjiten, përgjigjen se ju pëlqen jeta e lutjeve, jeta e varfërisë dhe jeta në shërbim të më të varfërve. Një vajze shumë e pasur njëherë me shkroi se për një kohë të gjatë dëshironte të bëhej murgeshë. Kur u takua me ne tha se nuk kam të dorëzoj asgjë edhe nëse jap çdo gjë. E shihni se çfarë është mentaliteti i të rinjve sot. Ne kemi shume prirje.