PDU është themeluar në zemër të Europës dhe po rritet në Kosovë
St. Gallen – Zvicër, e diele, 10.09.2017
Fadil Islami, (20.02.1966), lindi në Prishtinë, nga viti 1992 jeton në Gjermani. Momentalisht në qytetin Ingolstadt, Landi i Bayernit. Ai është pronar i firmës “FIDI- Gebäuderinigun”, ndërsa sivjet është zgjedhur sekretar i Partisë Demokratike të Unitetit (PDU). Fadil Islami, është veprimtar i viteve të 90-ta. Përveç aktiviteteve politike ai ka qen i angazhuar edhe në aktivitete të tjera. Për vite të tëra është marrë me muzikë, si këngëtar i muzikës popullore dhe asaj folklorike. Ndërsa viteve të fundit është bërë më i njohur përmes rrjeteve sociale në të cilat ka përkrahur intelektual për të cilët mendonte se do t’i shërbejnë të tashmes dhe të ardhmes së Kosovës. Por jo vetëm Fadili është ndeshur me përbuzje dhe injorim, andaj ai flet hapur edhe në këtë intervistë.
Pyetje: Z. Fadil Islami, prej kur jeni të angazhuar në jetën publike, qoftë ajo kulturore, humanitare apo politike?
Përgjigje: Në radhë të parë të falënderoj për ketë intervistë, e në të njëjtën kohë ty dhe lexuesve iu kërkojë falje pasi më mungon eksperienca në këtë plan. Angazhimi im në jetën publike, kulturore e humanitare është i hershëm, që daton diku nga viti 1981, ndërsa si aktivist i LDK-së qysh prej themelimit të saj. Ishte një përpjekje në suazën e asaj kohe, me të gjitha emocionet tona për të bërë shtetin. Këtë veprimtari e kam shprehur edhe përmes këngës, e cila brez pas brezi ngjalli dashurinë për vendin duke shtuar aspiratën për liri. Ishin kohë të tjera, për të gjithë, kurse ne brezi artistik, pakënaqësitë e popullit i kemi përcjell nëpërmes këngës, se mbase ishte një mundësi e mirë që të sensibilizonim popullin për ta përgatitur atë në luftë kundër regjimit serb. Kurse me themelimin e LDK-së dhe ardhjen në skenë të të madhit Ibrahim Rugova, i cili njihet si profet i shqiptarëve, angazhimi im do të nis edhe në fushën e jetës politike, bashkë me tjetër, pa hile e pa dredhi!
Pyetje: Kur keni emigruar në Gjermani dhe cili ishte qëllimi i këtij emigrimi?
Përgjigje: Në Gjermani kam ardhur në vitin 1992, pas disa aktiviteteve, kryesisht në LDK, qëndrimi im në Kosovë u bë i pa mundur, madje edhe aktiviteti tjetër që bëja në Maqedoni pengohej, madje edhe si këngëtar më pengonin, e të mos flasim e lavdërohem për persekutimet në rrafshin politik. Ishin këto arsye pse u detyrova të emigroj në Gjermani.
Pyetje: Kur jeni angazhuar në LDK dhe cilat ishin sfidat tuaj në këtë rrugëtim politik?
Përgjigje: Fillimisht jam vendosur në Coburg të Gjermanisë. Kur kam ardhur në këtë qytet kam vërejtur se nuk ka pasur aktivitete, as kulturore dhe as politike. Madje organizimi ishte i zbehtë edhe në rrethinë?! E pasi ishte një numër i konsideruar i shqiptarëve që jetonin e punonin në këtë rreth, bashkë me disa miq kemi marrë iniciativën për ta themeluar Nëndegën e LDK-së të cilën e bëmë realitet përkundër pengesave që i kishim, të cilat vinin kryesisht nga militant të LPK-së. Edhe sot i kam ato emocione, sepse bashkonim shqiptarët me të cilët bënim aktivitet në kuadër të Nëndegës në të cilën unë u zgjodha kryetar i saj.
I gjithë angazhimi im lidhej në koordinim të aktivitetit me të madhin Salih Çekaj, me të cilin i bashkërendonim aktivitetet. Por nuk kanë munguar as ato me Kryetarin e Degës në Gjermani z. Hafiz Gagica, e pasi z. Gagica ishte edhe koordinator i Degëve të LDK-së në diasporë, mua më ka rastisur të kem bashkëpunimi më të afërt dhe afatgjatë me Komandantin tim Salih Cekaj, i cili ishte një personalitet i afërt dhe imponues. Aktiviteti primar i Nëndegës së LDK-së ishte sensibilizimi i gjermanëve për çështjen e Kosovës. Më kujtohet se në atë kohë, bashkë me Marjan Tunajn arritëm të organizojmë një tribunë politike bashkë me partitë gjermane. Tribuna doli e suksesshme, prandaj duke i falënderuar zotëri Marjan Tunajt, ne kemi arritur që t’iu japim gjermanëve një mesazh krejtësisht tjetër për gjendjen reale në Kosovë. Në saje të këtyre aktiviteteve më kujtohet se pat dal për të parën herë në Gjermani një fletushkë me titull “Kosova, burgu më i madh i Europës”.
Pyetje: Në Gjermani ka vepruar edhe “Fondi i 3%”. Cilat kanë qenë raportet tuaja me këto aktivitete?
Përgjigje: Natyrisht ne i kishim disa probleme me Qeverinë e Përkohshme ne ekzil e cila udhëhiqej nga Bujar Bukushi dhe Isa Mustafa. Në atë kohë unë isha kryetar i Nëndegës së LDK-së në Coburg, dhe për shkak të veprimeve tekanjoze të Qeverisë, bashkë me kryesinë vendosëm që mjetet e grumbulluara për Fondin 3%, të mos i derdhim në llogarinë rrjedhëse të Qeverisë, por i kemi dërguar direkt në llogarinë bankare të Degës së LDK-së për Gjermani, arsyeja e vetme ishte se Qeveria e Kosovës, në atë kohë ia ndaluan mjetet financiare Presidentit të Kosovës dr. Ibrahim Rugova, dhe institucioneve të tjera që vepronin në Kosovë. Pa modesti mund të them se kemi qenë të parët kur e ndërmorëm këtë hap, e më pas sikurse ne kanë vepruar edhe disa Nëndegë të tjera.
Pyetje: Ju njihen si një veprimtar militant i LDK-së. A mund t’iu pyes se çka simbolizonte për ty kjo parti dhe lideri i saj dr. Ibrahim Rugova?
Përgjigje: Po simboli i LDK-së dhe i popullit ishte vet figura e dr. Ibrahim Rugovës. LDK ishte një parti e cila falë profetit tonë dr. Ibrahim Rugova, pothuajse e gjithë Kosova ishte pas saj, dhe e besonin dr. Ibrahim Rugovën. Natyrisht duke i përjashtuar një grusht militantësh të LPK-së, të cilët vazhdimisht propagandonin kundër LDK-së dhe kundër dr. Ibrahim Rugovës, pasi kjo shtresë ishte e papërfillshme dhe pa ndikim ne nuk merreshim me ta.
Dr. Ibrahim Rugova, ishte një personalitet i rrallë dhe i pa përsëritshëm, prandaj ai nuk vdes kurrë edhe pse fizikisht nuk jeton më. Por më e keqja dhe me e dhimbshmja që ka mundur ti ndodhë LDK-së, fill pas vdekjes se tij, ishte ardhja në krye të LDK-së e Fatmir Sejdiut, e pastaj kulmi i të gjitha të këqijave ka qenë zgjedhja në krye të LDK-së e kundërshtarit të përbetuar të dr. Ibrahim Rugovës siç ishte Isa Mustafa. Për mua dhe shumë të tjerë, padyshim ka qen koha më e dhimbshme dhe më e keqja për LDK-në dhe Kosovën, kur partisë së themeluar nga dr. Ibrahim Rugova i printe kundërshtari ideologjik i tij. Me ardhjen e këtij të fundit përfundon demokracia e brendshme në LDK, sepse nuk ka pasur gjë më të dhimbshme se sa kur në vendin e dr. Ibrahim Rugovës erdhi njeriu që kishte punuar tërë kohën kundër tij dhe kundër LDK-së.
Pyetje: Po ju për vite të tëra keni qen një lloj avokati dhe një zë mjaftë i fuqishëm në përkrahje të Vjosa Osmanit. Ku e bazonit gjithë këtë besim dhe gjithë këtë vullnet, dhe më në fund ku ju çaloi ky besim?
Përgjigje: Është shumë e vërtetë, për vite të tëra isha përkrahës i Vjosa Osmanit, jo i rëndomtë, por isha 24 orë në ditë në shërbim të kauzës për ta përkrahur, bile pa asnjë hezitim, dhe këtë e kam bërë duke besuar se Vjosa Osmani është e vetmja e cila mund të bënte ndryshime në LDK, për t’ia kthyer LDK-së dinjitetin dhe frymën rugoviane. Tash e pranoj, bile me keqardhje të madhe se e kisha gabim pse e përkrahja pa asnjë hezitim. Kam punuar pa hile dhe me tërë forcën time, por kur e kuptova se Vjosa Osmani nuk ishte ajo intelektualja për të cilën unë mendoja, sepse ajo luante lojën “ngreh e mos shkëput”, ose siç është refreni i një kënge popullore “mirë me vjehrrën e mirë me burrin”, që binte ndesh me karakterin tim, unë jo që u largova por jam zhgënjyer tej mase. Jam munduar disa herë të shpjegojë për ndarjen e rrugëve në mes meje e asaj, por nuk di sa kam pasur sukses?! E pasi ky rrugëtim ishte i karakterit politik, e kam kaluar më lehtë pezmin tim, por më mirë t’ia lëmë kohës ta tregojë të vërtetën se kush ka pas të drejt .
Pyetje: Më kujtohet se ju keni pas ndikuar drejtpërdrejt tek zonja Osmani për të ardhur edhe në një Akademi kushtuar profesor Aganit që e mbante Dega e LDK-së në Zvicër, madje ju vet keni qenë shoqërues i saj. A keni për të thënë edhe diçka?
Përgjigje: Po është e vërtetë, unë bëra vetëm punën time, e binda Vjosa Osmanin pse duhej të vinte në Zvicër, pasi kam konsideruar se edhe ajo vet kishte nevojë për të qenë në mesin e veprimtarëve të LDK-së në Zvicër. Në ato rrethana kishte nevojë të madhe edhe elektorati i LDK-së në Zvicër që Vjosa Osmani të jetë në mesin e tyre. Edhe pse Vjosa nuk i bënte këto lëvizje me dëshirë, pasi ishte mësuar me e ledhatuar e lutur të tjerët, unë e kreva këtë detyrë. Por kurrë nuk arrita ta mësojë pse ajo nuk e çmonte dhe respektonte sa duhet elektoratin e saj, përpos atëherë kur iu kanë dashur votat?! E bëra edhe për ju, atëherë kur ishit kryetar i Degës së LDK-së në Zvicër, ju bënit përpjekje për t’i ruajtur vlerat e demokracisë, e në anën tjetër kam vërejtur se ishit të rrethuar me hileqar dhe hyzmeqar të Isa Mustafës, të cilët siç u pa ma vonë të lanë edhe ty në baltë, e dhimbshme por kështu ka ndodhur. Po ne jemi këta që gjithherë vetës ia bëjmë gropën.
Pyetje: He nejse, kthimi i shpinës është bërë zakon, a nuk ia kthyet edhe ju shpinën zonjës Vjosa Osmani, sepse tashmë nuk po e mbroni atë?! Përkundrazi e keni kundërshtuar mjaftë, madje duke përdorur një gjuhë mjaftë vulgare kundër saj. Cili është motivi thelbësor i kësaj prishje, dhe cili është motivi i gjithë këtyre akuzave, shpesh të papërmbajtura?
Përgjigje: Sado që duket si e vërtetë kjo që theksoni, unë qysh në fillimi ia pata thënë se, “do të përkrah dhe do jam gjithmonë pas jush për derisa ju nuk me zhgënjeni, për derisa ju do të talleni me ndjenjat e elektoratit dhe të këtij populli mjaftë të përvuajtur?! Ia kam sqaruar se momentin që do ta kuptojë se po bëni lojëra dhe mashtrime, unë jo vetëm nuk të përkrah, por do të jem kundër, kurse juve do t’u kthehet bumerang”. E thash edhe më lart se përkrahja ime për Vjosa Osmanin, ka qen pa hile dhe pa interesa private e politike, thjeshtë ka qenë një përkrahje morale, duke menduar se përmes saj po u bëjë përkrahje proceseve për të cilat kishte nevojë LDK-ja dhe Kosova. Kaq! Ndërsa kundërshtimet e mia vulgare, siç po i quani edhe ju, nuk kanë qen vetëm mllef emocional, por kanë qenë shprehje e realitetit, kurse kulminacionin e arriti kur Vjosa Osmani kishte thënë se do të më padisë, prandaj këtu kam shpërthyer.
Pyetje: A je i ndikuar dhe a të ka shtyrë ndokush për t’u bërë nga mbrojtës në kundërshtar?
Përgjigje: Jo në asnjë mënyrë, vet fakti që unë kam qenë për 27 vite aktivist i LDK-së pa u luhatur, tregon se nuk kam qenë i ndikuar, sidomos për rastin në fjalë. Sjellja mosmirënjohëse jo vetëm ndaj meje, por më mirë t’i pyetni miqtë e saj deputet nga legjislacioni i kaluar të cilët i ka përjashtuar Isa Mustafa, a mban ndonjëri kontakte me te?!…
Pyetje: Sa isha kryetar i Degës së LDK-së në Zvicër, ju keni qenë ndër zërat e rrallë që e keni mbrojtur procesin zgjedhor në Degën e LDK-së në Zvicër, e për fat të keq u minua nga brenda?! Natyrisht, ky minim nuk realizohej pa njerëzit e Isa Mustafës që i kishim në Degën e LDK-së në Zvicër. Nga i morët vesh këto zhvillime?
Përgjigje: Gjatë gjithë kohës jam munduar ta them të vërteten rreth procesit zgjedhor, rreth tendencave negative që i bënte Isa Mustafa kundër LDK-së. E kam parë se disa që shtireshin miq tuaj, pikërisht ata ta kanë bërë gropën. Më parë t’i kam lexuar shumë shkrime, në anën tjetër më kanë folur edhe miq dhe të njohur për ty. E pavarësisht nga kjo çdo gjë e kam bërë mbi parimin e njerëzores, duke bërë përpjekje të shpëtojmë një proces të rregullt për t’ua ndalur hovin degradimeve që bëheshin në Prishtinë. Të flasim në veten e tretë: Kryetari i LDK-së për Zvicër ka bërë një punë kolosale për LDK-në dhe për elektoratin e saj, por fatkeqësisht ai nuk kishte përkrahje nga njerëzit përreth tij.
Ndërsa kryesia qendrore me Isa Mustafën i shfrytëzuan me mjeshtri këta të fundit, për ta minuar punën e kryetarin unë vetëm sa nuk kam plasur?! Megjithatë disa herë ju kam pas sugjeruar të keni kujdes nga nënkryetari juaj dhe nga disa të tjerë. Ndodhi ajo që ndodhi por ngjashmëritë lidhen me luftën dhe paqen. Ata që kanë tradhtuar shokët në luftë, në paqe e përgatisnin kurthin për kryetarin e degës, vetëm sa për t’ia pamundësuar të fliste në emër të institucionit – degës sepse Kosova nuk përmirësohet nga perëndimi. Fatkeqësisht dyshimet e bazuar dolën të sakta!
Pyetje: Të kthehemi tek një temë tjetër. Cili ishte motivi juaj për të aderuar në Partinë Demokratike të Unitetit (PDU)?
Përgjigje: Padyshim zhgënjimi në fjalë, dhe duke parë se përfundimisht LDK-ja është kapur nga klani i Riinvestit, pas asaj që ndodhi me dy Degët e LDK-së në Diasporë, dhe duke i parë sjelljet mashtruese të të ashtuquajturve “reformator të LDK-së?!, ia kam shtruar pyetjen vetvetes a duhet të mbetëm viktimë e besimit tim mbi ata që vazhdimisht mashtrojnë, tradhtojnë dhe presin koka të të tjerëve, mora këtë hap për të cilin uroj të jetë i hairit!
Ky aderim nuk ka ardhur shpejt e shpejt, por ka qenë një bisedë e gjatë dhe konstruktive me kryetarin e PDU-së z. Adem Ulluri dhe me nënkryetaren e partisë zonjën Ati Klimenta, unë iu bashkova PDU-së duke shpresuar se këtu mund ta jap më mirë kontributin tim. Konsideroj se në PDU, ekziston një demokraci e brendshme ku pranohet mendimi ndryshe, ashtu siç isha mësuar dikur nga LDK-ja e cila ishte shembull dhe model për të tjerët. Janë edhe disa arsye shtesë pse vendosa që kontributin, dijen dhe aftësitë e mia intelektuale e politike t’ia ofrojë PDU-së.
Pyetje: A ndjen dhembje për ato 27 vite veprimtari në LDK?
Përgjigje: Natyrisht ndjej dhimbje, bile të madhe. Ishin vitet e arta të jetës sime, sidomos sa ishte gjallë Presidenti Rugova, se pas tij nuk kam pse të ndiej dhembje për angazhimin tim në LDK, pasi kjo parti nga dita në ditë po katandisej, prandaj me të drejtë disa herë e kam quajtur Partia Riinvest, sepse LDK u bë parti e klaneve, parti e mafiozëve, parti e pionierëve të Titos e kështu me radhë. Natyrisht për këtë periudhë nuk kam arsye të ndjej dhembje.
Pyetje: Partia Demokratike e Unitetit (PDU), e themeluar në Munih të Gjermanisë, vepron edhe në Kosovë. Cili është roli i saj në skemën politike të Kosovës?
Përgjigje: PDU është alternativë e re për Kosovën dhe për popullin e saj. PDU është themeluar në zemër të Europës, në Munih të Gjermanisë dhe po rritet në Kosovë, është parti e vlerave Europiane, me një fjalë është çatia e atyre që ishin lokomotiva e të gjitha proceseve nëpër të cilat kaloi Kosova. Veçmas PDU është një bashkëdyzim Kosovë – Diasporë, ose anasjelltas. Kontributi i mërgatës para dhe gjatë luftës është mjaftë i njohur, tashti ka ardhur koha e përparimit dhe zhvillimit të Kosovës, prandaj diaspora mund të kontribuoj shumë.
E them me përgjegjësi të plotë, sepse jam pjesë e Diasporës dhe frymojë me ndjenjën e Kosovës. Për të aderuar në PDU ka një interesim inkurajues, dhe nëse kështu do vazhdojë PDU do të jetë një alternativë e mirë për të udhëheq në një të ardhme me shtetin, por assesi jo, në formatin e partive që kanë udhëhequr prej pas luftës e këtej. PDU, do jetë një koncept ndryshe, një parti e cila në thelb ka vlerat Europiane, një parti për popullin e jo për individët, një parti për shtetin e jo për klanet mafioze.
Pyetje: Si sekretar i PDU-së, cili është angazhimi yt dhe cilat janë kompetencat tuaja në këtë parti?
Përgjigje: Si sekretar i përgjithshëm në PDU, angazhimi im është i gjithanshëm duke pas parasysh bagazhin tim politik në këto 27 vite. Dihet mirë se puna e sekretarit është administrata dhe çështjet organizative, por unë nuk po ndalem vetëm me kaq, as nuk dua t’i tejkaloj kompetencat e mia si sekretar, por angazhimi im është i gjithanshëm. Tani jemi duke i forcuar strukturat e partisë me njerëz te rinj dhe profesional dhe puna po ecën mirë! Në PDU, përparësi ka gjenerata e re, përkatësisht studentët dhe kuadri tjetër profesionist. Ishte propozim i kryesisë që në zgjedhjet e tanishme lokale të mos kandidoj askush nga diaspora, duke përjashtuar ndonjë rast specifik. Po ashtu ishte edhe mendim imi, pasi ne në diasporë kemi vende pune, kemi kushte të tjera, andaj prioritet iu dhamë kandidatëve që janë në brenda në Kosovë.
Pyetje: PDU-ja a do të jetë pjesë e garës zgjedhore për pushtetin lokal që do të mbahen tani në vjeshtë.
Përgjigje: Sigurisht po! PDU është pjesë e këtyre zgjedhjeve.
Pyetje: Dhe për në fund: Qeveria e Kosovës u formua. Çfarë mesazhi keni për z. Ramush Haradinaj për ta ndryshuar gjendjen e tanishme në Kosovë.
Përgjigje: Fillimisht kisha me uruar dhe përgëzuar zotin Ramush Haradinaj për zgjedhjen e tij kryeministër dhe për qeverinë që do ta udhëheq ai. Të shpresojmë se ai do t’u përmbahet premtimeve që ia ka dhënë popullit, pasi ky popull ka nevojë për lider pragmatik, ndonëse jam mjaftë skeptik, pasi dihet se kjo qeveri do të jetë e mjaftë e varur nga lista serbe. Megjithatë proceset e rënda në vende dhe shtete të shumta kanë dhënë shembuj pozitiv, andaj pse të mos jap edhe Kosova!
St. Gallen, 10.09.2017.
Pyetjet për intervistë i parashtroi Shefqet Dibrani