Intervista/ Elinda Sulejmani: Jeta ime nga mis gjimnazi, tek ekranet e televizionit. Puna si gazetare, intervistat me VIP-at

0
1289
Elinda Sulejmani

Nga tg12 Dhjetor 2016

  • Tek “Fiks Fare” si balerinë ishte një eksperiencë e bukur
  • Tek Planet intervistova 80 deputetë e Ministra dhe 40 persona VIP të botës të artit
  • Si gazetare në emision isha në opozitë me çdo parti që vinte në pushtet.
  • Në festën e 100-vjetorit të Shpalljes të Pavarësisë realizova për herë të parë një emision
    live në terren
  • Kam fituar me konkurs titullin “Eksperte e zyrës së shtypit të projektit PAZA”

Albert Z. ZHOLI

Kam bërë me qindra intervista. Me politikanë, njerëz të ndryshëm, të artit, shkencës, kulturës dhe të tjerë. Për Elindën u ndjeva pak në siklet. E përse? Dua t’ju rrëfehem për këtë, por fillimisht po ia lë intervistës me Lindën që ta kuptoni këtë sikletin tim.

Kam kohë që e njoh Lindën dhe bota e artit dhe e medieve na bashkoi një ditë. Përveç shtrëngimit të duarve dhe të kafes filluam një komunikim pune miqësor. Në email-et dhe SMS-të e para fillova të kem një keqkuptim me këtë vajzë dhe disa herë iu shmanga.

Përdorte shumë në fjalët e saj metaforën. Fabula dhe batuta ishin të pranishme në bisedat e saj. Atëherë u bëra trim dhe vendosa të ndeshem miqësisht. Më vonë u ndjeva shumë mirë me të dhe shpesh herë më duhej të ndërroja rrugë në bisedë.

Pasi ndjehesha i mundur në debatin me të. Si është Elinda? Ajo njëherë duket si anija në furtunë, njëherë si valët e detit në pragmbrëmje pranvere. Njëherë të duket si një oqean i thellë që nuk nxjerr asnjë mister, njëherë të duket si kristal që e lexon të gjithën. Njëherë të duket si Zanë përrallore, që s’mund ta kapësh dhe herë të duket si vajzë kanakare, që i trembet dhe fluturës. Brenda saj gjen në një ditë të gjitha stinët e vitit, sipas punës, ritmit të jetës, objektivave që i ka vënë vetes.

Nejse fola me Lindën dhe i thashë për intervistën.
Ma preu që në fillim.
Pyetjet i dua kur të jemi përballë, me diktofon. Jo më përpara.

Kush është Elinda Sulejmani në hapat e para, në shkallët e artit dhe medias?

Çdo gjë për mua ka një fillim që shumë kujt mund t’i duket si e parëndësishme. Këtu dua të filloj për të treguar se si mund t’i gjesh shkallët për në botën e artit dhe medias. E më pas të fillosh të ngjitesh. Në shkollë të mesme mua më ka tërhequr shumë ora e mësimit të letërsisë. Isha e prirur të lexoja edhe ndonjë libër, edhe pse ishte momenti që njerëzit po rrëmbeheshin nga mania e argëtimit të kanaleve të shumtë televiziv. Një bollëk filmash dhe spektaklesh. Edhe unë u rrëmbeva në këtë rrymë. Më kalonin orë të tëra para TV dhe të nesërmen kur diskutoja me shoqet, më vinte mirë që unë kisha arritur të kuptoja fabulën e filmit. Kurse ato e kishin parë filmin për t’i zënë sa më lehtë gjumi. Pra filmi për to ishte në vend të ninullës, ha ha ha. Atëherë më saktë këto ishin hapat e para të mia për të kërkuar dhe gjendur shkallët e botës të artit, gazetarisë, ekranit dhe medies. Këtu filloi ëndrra. Që unë një ditë të isha në ekran.

Kush ka qenë evenimenti i parë që ju dolët në ekran?

Faktikisht emocionohem kur kujtoj herën e parë timen në një spektakël në TV. Më konkretisht. Kam qenë në vitin e katërt të gjimnazit. Maturante. Mësova që kanali televiziv Top Channel, në atë kohë më i preferuari, organizonte në të gjithë shkollat e mesme spektaklin e përzgjedhjes të, Miss shkolla. Më pas do mblidheshin të gjitha vajzat fituese të gjimnazeve të Tiranës në një konkurrim për të zgjedhur Misset gjimnaziste të Tiranës. Ky spektakël organizohej nëpër shkolla nëpërmjet stafit të emisionit të mëngjesit “Good Morning Albania” të Top Channel. Unë u ndjeva pak me turp dhe vendosa të qëndroj pak e fshehur. Të mos aktivizohesha në këtë eveniment. Edhe pse mësuesja dhe shoqet e mia më thoshin që duhej të merrja pjesë doemos.

Atë ditë që do bëhej spektakli unë isha veshur normalisht si përherë. Sa hyra në oborrin e shkollës dëgjoj të më thërrisnin. Ndjeva që një dorë m’u hodh në sup me dashuri. Ishte e famshmja e emisionit, Paloma. Vura re që ishte dhe mësuesja ime bashkë me një tufë shoqesh. Ma hoqën emocionin dhe më bindën që unë të ngjitesha në të ashtuquajturën skenë të improvizuar të spektaklit. Rrija gjithë ankth kur të vinte procesi i eliminimit. Një nga një filluan të më largoheshin shoqet. Më së fundi lumturia më e madhe fitova. Pra kjo ishte hera e parë që dola në ekran. Madje live. Që atë ditë mediat kthyen pak vëmendjen nga mua.

Kjo ngjarje ishte hapi i parë drejt emisionit Fiks Fare si balerinë?

E vërtetë kjo ishte arsyeja për tek emisioni i Fiksit. Por para se të arrija atje u mora dhe
me disa aktivitete të tjera. Do të përmend që unë konkurrova dhe për “Miss Albania” në rang vendi. Arrita të futem në 15 femrat më të mira. Erdhi dita që u bë konkurrim i organizuar nga Top Channel në rang vendi. Mora pjesë dhe fitova. Konkurrimi nuk përzgjidhte balerina vetëm nga pamja por duheshin disa kritere dhe njohuri mbi letërsinë dhe artin. Pyetjet të cilat i përballova me sukses. Dilja çdo ditë në ekran dhe provoja magjinë e tij. Një emocion i rrallë.

Këtu fillova të ngjitesha pak si shpejt në shkallët e medies. Pas dy vjetëve pjesëmarrje në këtë emision, unë pata dhe mundësinë të merrem edhe me shkrime dhe produkte gazetarie. Njëkohësisht vazhdoja arsimin e lartë Gjuhë-Letërsi. Mora dhe pjesë në spektaklin Miss Ballkani, që zhvillohej në Greqi ku unë zura një vend.

Ku është konkretisht fillimi i punës tuaj si gazetare?

Një ditë më thërret drejtori i TV Planet, Mitro Çela. Mbas një bisede me të unë duhej të fillojatek ky kanal TV me dy detyra. Do të isha gazetare me çështjet e politikës dhe sociale dhe do të kisha një emision, ku do merrja në intervistë njerëz VIP-a të politikës, artit, biznesit e të fushave të tjera.

Çfarë ideonte ky emision për teleshikuesit?

Ky emision merrte në intervistë VIP-a, personalitete etj, për jetën e tyre personale e familjare. Pra nuk pyeteshin për detyrën e tyre në politikë apo ku punonin. Unë intervistova 80 deputetë e Ministra. Dhe 40 persona VIP-ave të botës të artit dhe të fushave të tjera; si të biznesit, shkencave dhe arsimit. Ky emision më afirmoi dhe më detyroi të hyja në kanalet e politikës. Ta ndjeja politikën dhe të isha opozitë me çdo parti që vinte në pushtet.

Si ndjeheshit si gazetare e terrenit?

Do të tregoj vetëm për një rast që për mua ishte emocionues dhe kisha shqetësimin e justifikuar, se a do ta realizoja dot. Ka qenë dita e festës së 100-vjetorit të Shpalljes të Pavarësisë. Unë drejtoja ekipin prej katër vetash të studios lëvizëse që transmetonte live. Deri atë ditë unë kisha bërë intervista në terren me qindra.

Për çdo lapsus ose defekt në filmim kishim shansin që i shkurtonim ose i redaktonim në montazh. Pra kjo të bënte të ishe më e qetë. Kurse kësaj radhe duhej të dilja perfekt, sepse qe direkt. Nuk më lejohej asnjë gabim. Gjithçka ishte drejtpërdrejtë. Me rrëmbeu hovi i festës dhe për një çast harrova që isha live. Vazhdoja të transmetoja direkt festën.

Kur u ktheva në studio dëgjova një krismë. Kryeredaktorja e hapi një shishe shampanjë. Të gjithë më përqafuan dhe brohoritën. Kisha bërë një transmetim të shkëlqyer live. Ishte hera e parë për këtë TV, që realizonte një edicion të tillë. Unë i falënderova shokët e stafit, që harxhuan dy mijë lekë të vjetra për një shampanjë. Ha haa.

Më pas, cili ishte hapi i juaj?

Hyra në një konkurrim për të fituar një vend pune në një projekt të BE në vendin tonë. Fitova të drejtën e këtij vendi. U quajta “Eksperte e zyrës së shtypit të projektit “PAZA”. Kjo është një punë që unë vazhdoj ta bëj. Pasqyroj në fotografi, në kamera, gjithë punën e këtij projekti. Unë jam dashuruar shumë mbas kësaj pune, sepse ky projekt mbulon të gjithë Shqipërinë.

Unë jam angazhuar të shoqëroj ekspeditat të ekspertëve profesionistë të PAZËS në çdo cep, qytet apo fshat. Që nga Shkodra deri në Sarandë. Është shumë e këndshme dhe tërheqëse. M’u dha shansi të njoh mirë vendin tonë, traditat, zakonet, kulturën dhe natyrën e vendit tonë.
Kam krijuar arkivin tim me shumë foto e filmime. Gjatë kësaj kohe jam angazhuar si bashkëpunëtore në disa media vizive dhe të shkruar.

Cila është media vizive që drejton kamerën nga ju?

Duke qenë se unë jam eksperte e “Projektit Paza” kam bashkëpunim me të gjitha kanalet televizive lokale në të gjithë vendin ku unë jap intervistë mbi evenimentet e projektit, që zhvillohen në ato rrethe të vendit.

Gjithashtu është me kontratë që unë bashkëpunoj me TV shtetëror. Për sa i përket bashkëpunimit mediatik, unë jam shpesh herë e ftuar tek Channel One, Top Channel dhe Vizion Plus. Kam bashkëpunuar dhe botuar shkrime tek “Gazeta Shqiptare”.

Po në korridoret apo shkallët e politikës, a ke tentuar të hysh?

Si çdo njeri, unë kam pasur preferencat e mia për politikën por jo e angazhuar. Më është dashur që fushatën e 2013 ta pasqyroj në Web dhe në mediat e shkruara. Gjithmonë unë kam qenë opozitë me çdo qeveri. Në këtë kohë kam punuar këshilltare e shtypit dhe e medias pranë Ministrit të Bujqësisë të asaj kohe. Këtu filloi hapi i parë për shkallët e politikës.

Ndonjë e re aktualisht

Para një muaji unë u “kurorëzova” nga gazetat e Brukselit (BE) News Europe si gazetare e korrespodentë për Shqipërinë. Për momentin kam në dorë një anketim për të nxjerr politikanin VIP të vitit që po mbyllim. Krahas kësaj më duhet të bëj dhe një sërë shkrimesh
për gazetën europiane dhe për mediet e vendit.

Dhe një pyetje personale më së fundi. Kush është Linda si femër?

Zakonisht unë nuk para preferoj të tregoj në media për jetën time personale. Po them aq sa thuhet. Jam single, në proces e sipër për te krijuar një familje. Nuk preferoj lokalet e zhurmshme si pub-et apo disko-t. Përpiqem te vishem thjeshtë e bukur. Eci me modën por nuk vrapoj pas saj. Ndjek pothuajse të gjitha evenimentet artistike, si panaire, ekspozita, promovime libri etj. Shkoj rregullisht në teatër. Rrëmoj shpesh në bibliotekën time. Nuk ndahem dot nga libri. Miku im prej vitesh.

Kam dëgjuar që kinin talent në art. Cilat janë?

Që e vogël kam pasur pasion të pikturoja. Ruaj akoma vizatimet e para, që kam bërë kur isha fëmijë. Me kalimin e kohës e kam perfeksionuar këtë profesion. Sot më rrethojnë shumë miq piktorë dhe diskutojmë për pikturat tona. Por piktura ime ka ecur paralelisht edhe me muzikën. Në shkollë të mesme jam marrë me instrumentin e fizarmonikës. Më pas kalova tek kitara. Edhe sot unë vazhdoj të luaj me kitarën time të dashur. Këndoj shpesh serenata.