Intelektuali dhe ushtaraku model, që na mungon shumë

1
643

Ibrahim Kabili Njerëzit janë të përkohshëm. Madje shumë të përkohshëm. Kur njeriu len gjurmë në rrugëtimin e tij në shërbim të njerëzve dhe komunitetit ai mbetet i pavdekshëm. I tillë qe dhe do mbetet në kujtesën tonë, në kujtesën e të afërmëve, kolegëve dhe atyre që e njohën dhe punuan me të, ushtaraku model N/kolonel Ismet Kalem Tola. Dhe vjen një ditë e trishtë e njeriu ndërron jetë. Kur vdekja është e parakohshme dhimbja është më e madhe. Kështu pas një sëmundje të rëndë dhe të pashërueshme vdes më 16 gusht 2015, Ismet Tola.

Me gjithë kujdesin e familjes dhe trajtimin për dy vjet me kimioterapi në Itali, ai nuk mundi ta përballoi sëmundjen e rëndë. Kështu u nda përgjithmonë nga familja, miqtë, shokët, ushtaraku i karierës, nënkolonel Tola. Ismeti qe njeri me virtyte të larta në aspektin shoqëror, me një bagazh të madh njohurish në shkencën ushtarake, qe intelektual e mbi të gjitha një njeri me vlera të larta humane e njerëzore. Kudo që punoi dhe kontribuoj gjatë jetës së tij ai i manifestojë cilësi dhe vlera. Njerëz të tillë si Ismeti shkojnë deri në kufijtë e pavdekësisë.

Në Akademi ai ka lënë gjurmë me studentët si pedagog, la gjurmë të pashlyera në çdo detyrë që i’u ngarkua në ushtri. Ismeti qe një idealist që nuk i shkelte parimet dhe nuk bënte kurrë tregëti me to. Ai qe një patriot dhe atdhetar i flaktë. Qe një familjar shembullor. Një njeri model që në shumë raste u anatemua nga politika, u ndëshkua nga neni famëkeq, “alla komunist”, i “demokracisë”, 24/1.

Qëllimi i tyre qe për të shkatërruar dhe denigruar kuadrot e ndershëm, intelektualët e devotshëm, njerëzit me nivel, njerëzit që punonin me përkushtim për demokracinë e shumëpritur. Ismeti e vuajti mbi kurriz këtë “ligj” famëkeq. Ai falë karakterit dhe aftësive e përballoi me forcë këtë, por me shumë dhimbje dhe pasoja të rënda për të e familjen e tij… Po përse mbi Ismetin? Cilin dhunoj ai? Kujt i bëri padrejtësi? Cilin nuk ndihmoi, kur i kërkojë ndihmë?

E mërkurë data 15.09.2021. Sipas fjalës së lënë takohemi te Ura e Institutit me Asllan Tolën, kushuriri i parë i Ismetit. Së bashku shkojmë për të bërë një bisedë te familja Tola me banim te Treshi, për të ndjerin Ismetin. Biseda në familje zgjati mbi dy orë ku morëm shumë të dhëna nga familja, bashkëshoqëruesi im, dhe nga bashkëshortja e të ndjerit, Lemja.

Ismet Kalem Tola lindi në Selitë të Malit më 01.04.1958. Lindi në një familje të madhe, të thjeshtë, me emër në krahinë, shumë mikpritëse dhe me tradita patriotike. Gjyshi i Ismetit, Ramiz Tola qe njeri i zgjuar, i ditur për kohën dhe shumë mikpritës. Tradita vazhdon edhe me dy djemt e tij, Hajdarin dhe babain e Ismetit, Kalemin. Ato kanë qenë edhe në disa detyra shtetërore dhe shoqërore në Selitë dhe lokalitet. Gëzonin autoritet e respekt në komunitet dhe kujtohen me respekt nga ata që punuan me to dhe pasardhësit e tyre.

Tradita sot çohet më tej. Në këtë ambient dhe me këtë edukatë familiare u rrit dhe u edukua edhe Ismeti. Arsimin fillor dhe atë tetëvjeçar ai e mbaron në Selitë të Malit në vitin 1973 me nota shumë të mira dhe fletë nderi. Rezultatet e arritura bënë të mundur që ai të fitonte një të drejtë studimi në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej”. E fillon atë në vitin 1973 dhe e përfundon me nota shumë të mira në vitin 1977.

Për këtë bashkëshortja e tij Lemja shton: “Bënim shpesh biseda të ndryshme me Ismetin. Në lidhje me shkollën ai gjithnjë më thonte që jam shumë i privilegjuar dhe me fat që kam mbaruar shkollën e mrekullueshme të “begsave”. Ajo qe modeli i modelit dhe që ndyshoi për mirë jetën time. Kjo bëri që unë (Ismeti) të vazhdoja Akademinë Ushtarake duke pasur si bazë arsimimi atë të Shkollës Skënderbej. Kohë të arta për arsimim ushtarak, përsëriste shpesh Ai, duke kujtuar vitet e shkollimit, pedagogët, arritjet” -përfundon, e përlotur, bashkëshortja.

Pas mbarimit të shkollës së mesme, në vitin 1977-78, Ismeti bëri stazhin si punëtor në Hidroçentralin e Fierzës, në veprën hidroenergjitike më të madhe të vendit dhe atje u “kalit” dhe më shumë karakteri i tij.

Vazhdon Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në vitin 1978 dhe e përfundon atë në vitin 1981 me nota shumë të mira. Gjatë shkollimit të lartë ushtarak, në një stërvitje ushtarake në Feken, në shkurt 1980 ishte pjesë e ushtarëve që u godit nga orteku. Disa nga shokët vdiqën ndërsa Ismeti falë fatit dhe ndërhyrjes së shokëve shpëton mrekullisht. Për këtë Asllani shton: “Ismeti vinte çdo vit në vendlindje, ishte i lidhur shumë me të, shkonim shumë herë në Feken me Ismetin dhe familjen e tij, ku ai kujtonte e nderonte me shumë respekt shokët e rënë aty. Ai qe shumë njeri human, njeriu më i mirë i fisit tonë”.

Në gusht të vitit 1981 Ismeti emërohet shef organizimi në Kozare të Beratit. Në këtë detyrë qëndron për dy vjet dhe e kryen me përkushtim atë. Në vitet 1984-87 kryen detyrën e shefit operativ në Uznovë, Berat. Duke kujtuar ato vite, Lemja shton: “Në vitin 1983 kemi shkuar si familje në Berat. Atje na pritën shumë mirë. Falë Ismetit u shtua rrethi i miqve dhe ne e ndienim veten sikur ishim në vendlindjen tonë. Ismeti qe shpirt njeriu dhe shumë human. Shtëpia jonë në Berat u bë streh dhe për miq dhe shokë të Ismetit nga Tirana dhe gjithë Shqipëria. Më mungon shumë Ismeti, ai qe strikt, rigoroz, autoritar, mjaft i drejtë, tepër idealist, i përkushtuar, familjar midel, shumë i dashur me “vegjëlinë”.

Ai nuk pajtohej me padrejtësitë, ishte kundër lajkave e servilizmit, lexonte shumë, dhe mbi të gjitha qe njeri. Këto cilësi e virtyte e “humbën” padrejtësisht kuptimim në vitet e fundit… Ismeti ra “viktimë” e tyre. E lëvizën disa herë, padrejtësisht nga puna dhe mbeti edhe i papunë. Si shkak i “pathënë” mendoj qenë bindjet e tij… Ai kreu stazhin për kandidat partie, u pranua antar dhe dokumentin nuk e mori pasi u prish sistemi, erdhi demokracia. Ai u pa me një sy tjetër. Për këtë më ngelet merak dhe më dhimbëset shumë”.

Në vitet 1991-1993 Ismeti vazhdoj Akademinë Ushtarake për e studime dhe specializime të avancuara në disiplina ushtarake. Dhe këtu ai shkëlqeu. Jo vetëm këtu, por në çdo detyrë të ngarkuar. Pas mbarimit të saj, në vitin 1993 lsmeti emërohet shef stërvitje në Pezë-Helmas. Qëndron 4-5 muaj në këtë detyrë dhe më pas emërohet pedagog tek Akademia Ushtarake ku jepte mësim në lëndën Këmbësori. Më 16 korrik 1994 hiqet nga Akademia si pedagog me nenin 24/1. Për këtë bashkëshortja citon: “E thashë dhe më lart kjo e shkatërroi Ismetin. Ai e përjetoj dhimbshëm këtë. Nuk e meritonte një kuadër i tillë si lsmeti, këtë. Ai qe i dhënë pas zanatit. Nuk e priste.

Kishte dhe shumë shokë e miq edhe “djathtas”, por me gjithë mundimin e tyre shpesh nuk patën çfar t’i bënin. Ligji 24/1, njollë e zezë në demokraci. Ai ra në pesimizëm të thellë… Mendohej dhe vetëm mendohej… Nuk pinte kategorikisht alkol, por mësoj duhanin… Megjithëse me një karakter të lartë dhe disiplinë prej ushtaraku ai ra moralisht… Shpesh përsëriste: Përse kjo ndaj meje? Përse? Druaj se stresi u bë shkak për vdekjen e parakohshme të tij. Për mua mbetet jo vetëm bashkëshorti ideal por dhe shoku më i mirë i jetës që unë jam njohur. Kam qenë me fat të jem bashkëshortja e tij”.

Nga tetori i vitit 1994 deri në tetor 1997, pasi u largua nga puna, punoi në ndërtim. Ky qe “shpërblimi” më makabër për njeriun e punës!? Paradokse shqiptare, aspak demokratike!!!

Në tetor 1998 filloi punë përsëri si pedagog në Akademi për afro 5 muaj. Në korrik të vitit 1999 ai emërohet Shef Shtabi në Regjimentin “Komando” në Zall-Herr. Qëndroj në këtë detyrë deri në fund të vitit 2007. Ismeti qe kuadër mjaft i përgatitur dhe shumë i devotshëm. Edhe këtë detyrë e kreu me sukses të plotë. Shumë kuadro, eprorë, por mbi të gjitha vartës e ushtarë thonë fjalët më të mira për Të. Ai ka punuar këtu me komandantët e mirënjohur Viktor Bërdo, Fatmir Lokja, Vladimir Ndreu etj. dhe ka pasur edhe mbështetjen e tyre.

Krahas arritjeve profesionale të në këtë repart ai ka dhënë një ndihmesë të madhe shumë ushtarëve shembullor, nga krahina jonë dhe jo vetëm. Ai dërgojë shumë ushtarë, nënoficer, dhe oficer në misionet paqeruajtëse në: Bosnjë, Irak, Afganistan, Çad etj. Ai e kishte për nder që qe bir i Selitës dhe i Bendës. Krenohej me origjinën e tij dhe qe i lidhur pazgjidhmërisht deri në fund të jetës me të. Ai ndihmoi maksimalisht edhe shumë njerëz nga krahina e tij. Kështu ndodh përgjithësisht me njerzit e ndershëm, i tillë qe dhe ai.

Për disa arsye në vitin 2008, shkon përsëri pedagog në Ademi dhe punon deri në vitin 2012. Në vitin 2013 Ismeti punon si këshilltar në Ministri pranë gjeneralit Abaz Lleshi.

Gjatë karierës ushtarake ka bërë edhe shumë tema e studime shkencore kryesisht në këmbësori por dhe jo vetëm. Ka dhe dy botime shkencore: “Arti operativ dhe bazat e operacioneve ushtarake”, me bashkëautor Prof. Asoc. Agim Lala dhe Kolonel Dr. Gëzim Mustafaj.

Në aspektin familiar ai është martuar me Leme Sulejman Muça nga Zall-Dajti më 09.08.1981. Ato lindën tre djem; Eltonin, Robertin dhe Sokolin. Sit ato kanë krijuar familjet e tyre dhe ecin në gjurmët e prindërve. Lemja është nga një familje e fisme e fisit Muça në Zall-Dajt. Ajo ka mbaruar arsimin e mesëm për infermjeri dhe ka punuar në këtë profesion nga viti 1977 deri në vitin 2012.

Ka punuar në Zall-Dajt, Berat, Spitalin Ushtarak dhe Batalionin Special. Ismeti pati shumë suksese në punë, jetë dhe familje. Ai në çdo hap të jetës, pati edhe ndihmën e madhe të bashkëshortes së tij, Lemes. Ajo qe mbështetësja më e madhe e tij për arritjet, por i dha dhe shimë kurajo e forcë gjatë momenteve të vështira.

Kuadro si Ismeti i bëjnë nder familjes, fisit, Selitës së Malit, Bendës, Tiranës. Ai ka, dhe meriton mirnjohjen dhe respektin e të gjithëve.

Ibrahim Kabili
Tiranë më 16.09.2021

1 KOMENT

Komentet janë mbyllur.